Lajme
Luftimi i varfërisë me punë sezonale
Një nga format e luftës kundër varfërisë dhe papunësisë në Kosovë është punësimi sezonal i studentëve jashtë vendit

Kur Liridona Muslija, studente në vitin e dytë Gjuhë Anglezë në Universitetin e Prishtinës, në nëntor të vitit të kaluar, kishte aplikuar për të punuar tre muaj në Gjermani, as që kishte menduar se dëshira e saj do t’i realizohej.
Pavarësisht dyshimeve të saj, dëshira tashmë i është realizuar. Nëpërmjet një programi të veçantë të Universitetit të Prishtinës dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ajo për tre muaj ka punuar në një spital afër Bonnit në Gjermani.“Nuk besoja sepse konkurrenca ishte e madhe. E përveç kësaj, edhe për marrjen e vizës për në Gjermani, të gjithë thonin se ishte shumë problem”, thotë Liridona (21) për Albinfo.ch .
Meqë Kosova është vendi i vetëm në Evropë ku qytetarët e saj ende nuk mund të lëvizin pa viza, kurse ambasadat në pjesën dërmuese të rasteve i refuzojnë kërkesat e të rinjve nga frika e mos kthimit të tyre, dyshimet e kësaj të reje bëheshin edhe më bindëse.
“Puna fare nuk ishte e vështirë, thjesht të shërbenim ushqim në spital dhe të mirëmbanin pjesë të caktuara të reparteve”, thotë Liridona e ngazëllyer, pasi me paratë e mbledhura, tashmë i ka siguruar studimet edhe për vitin e saj të tretë.
Varfëria në Kosovë vazhdon të jetë problem shumë i theksuar, kurse mundësi të tilla për të punuar gjatë sezonës së verës në ndonjë vend të Bashkimit Evropian, nuk janë shumë të shpeshta.
Edhe pse rrallë, mundësi të tilla ka edhe në Kosovë, ndonëse duhen kushte të caktuara për të fituar nga këto raste, siç është njohja e gjuhës gjermane, mesatarja e notave në Fakultet, dokumente për gjendjen ekonomike e kërkesa të tjera.
Por të gjitha këto çështje administrative, për Liridonen, vajzën e dy prindërve të cilët për gati dhjetë vjet, nga viti 1991 deri 2000 kanë jetuar në Gjermani, nuk ishte fare problem. Në këtë rast, për fatin e saj të mirë, ajo i plotësonte të gjitha kushtet, madje edhe njohjen gati në mënyrë përfekte të gjuhës gjermane, përveç asaj angoleze që e studion.
Në fakt, rinia në Kosovë është shumë e familjarizuar me gjuhën gjermane, duke marrë parasysh se një numër i madh i tyre kanë jetuar për vite të tëra si refugjatë në Gjermani, Austri apo kantonin gjermanisht folës në Zvicër.
Edhe pas kthimit të tyre në Kosovë, lidhja virtuale me “botën gjermane” ka vazhduar në mënyra të ndryshme. Në fillim të dekadës që sapo kaloi, urë lidhëse ishin programet televizive satelitore gjermane. Ndërkohë, tash lidhja kryesore është nëpërmjet internetit.
Projekti i ndihmës
Liridona është në mesin e 320 studentëve të cilët kanë përfituar këtë vit nga mundësi të tilla të punësimit sezonal.
Kjo është bërë e mundur fal një marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe autoriteteve gjermane.
Në këtë rast, nuk bëhet fjalë thjesht për ndihmën që disa studentë do të marrin në asketin financiar, por edhe në familjet e tyre.
Bazuar në standardin jetësor të Kosovës, tre muaj pagë mesatarisht prej 1 mijë e 200 euro në Gjermani, do të thotë shumë për familjet kosovare, ku paga mesatare e të cilëve është 300-400 euro në muaj.
Behxhet Gaxhiqi, zyrtar i lartë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë, ka treguar se këta 320 studentë, nuk janë të vetmit që kanë përfituar punë sezonale në Gjermani.
Behxhet Gaxhiqi
Sipas tij, të dy shtetet, Kosova dhe Gjermania, ka disa vjet që e zbatojnë një marrëveshje të tillë, kurse dërgimi i 320 studentëve bëhet në dy faza.
Në fazën e parë, dërgohet grupi i parë e në fazën e dytë grupi tjetër, ndërkohë që Gaxhiqi ka shpjeguar se Qeveria e vendit po bën përpjekje të vazhdueshme që të nënshkruajë marrëveshje edhe me vendet tjera të Bashkimit Evropian për punësim sezonal.
Por derisa shikohen mundësitë që bashkëpunime të tilla të ketë edhe me vende të tjera, problemet me krizën financiare globale, sikur i kanë vështirësuar paska gjërat. Këtë e pranojnë edhe zyrtarët, ndonëse tregojnë për përpjekjet e tyre. “Edhe pse kemi bërë përpjekje të vazhdueshme dhe jemi duke punuar në këtë drejtim, kemi vështirësi, sidomos sa i përket punësimit të punëtorëve fizikë”, është shprehur këshilltari Behxhet Gaxhiqi.
Duhen plane e jo projekte
Punësimet sezonale vlerësohen edhe nga ekspert e ekonomisë në vend, ndonëse ata kritikojnë autoritetet përkatëse se planet e tilla nuk janë shumë efektive për ekonominë e dobët të Kosovës.
Madje sipas Sefedin Sefës, një nga ekspertët e ekonomisë në vend, autoritetet duhet të zbatojnë projekte që punësimi të jetë i përhershëm.
“Duke marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë në vend, gjendjen momentale që e kemi, krijimi i mundësive të nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale për punësim sezonal, duhet të jetë i përhershëm”, është shprehur ekonomisti Sefa.
Sipas hulumtimeve të fundit të bëra nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, shkalla e papunësisë në Kosovë arrin në 48 për qind, ndërsa shkalla e të punësuarve sillet rreth 26 për qind.
Si rrjedhojë e kësaj edhe varfëria është në nivele të larta. Banka Botërore është një prej institucioneve ndërkombëtare, vlerësimet e së cilës vlerësohen shumë kredibile. Bazuar në raportin e fundit të saj, të quajtur “Varfëria në konsum në Republikën e Kosovës në vitin 2009”, i cili publikohet çdo vit, por që ofron të dhëna për dy vjetët paraprake, vendi është më i varfri në Ballkanin Perëndimor.
Një nga lypset e shumtë në Prishtinë
Sipas të dhënave të tyre, në vitin 2009, më shumë se një e treta e popullsisë (34 për qind) jetonin nën vijën e varfërisë absolute prej 1.55 euro për një person të rritur në ekuivalente ditore, dhe 12 për qind jetonin nën vijën e varfërisë së skajshme prej 1.02 euro.
Në këtë dokument thuhet se Kosova ka një popullatë të re, ndërsa rinia është e varfër. Grupmosha prej 16 deri në 24 vjeç prin me rreth 70 për qind të shkallës së papunësisë, krahasuar me grupmoshat tjera.
E-Diaspora
-
Plagosje me armë në Itali, dyshohet për një shqiptar Mbrëmë në Verna di Umbertide, Itali, ku dy burra kanë mbetur të plagosur si pasojë e...
-
Bota e logjistikës ajrore: Prapa kuintave të kompanisë Cargologic në Cyrih
-
‘Çka Ka Qëllu’ sërish në top listën e restoranteve më të mira të Nju-Jorkut
-
Me artin e saj, Nexhibe Imeri u jep një zë grave të diskriminuara
-
Ambasadori i karrierës, Sami Ukelli, largohet nga MPJD-ja
Jeta në Austri
-
Pse gjatë verës në Alpe do të ketë reshje shumë më intensive në të ardhmen? Reshjet e shkurtra dhe intensive të verës në rajonet alpine të Evropës ka të ngjarë të...
-
Dy të tretat e austriakëve planifikojnë pushime verore
-
Çfarë ndodh me qëndrimin në Austri nëse humbni punën? Ja çfarë duhet të dini
-
Pse Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë?
-
Austria vs Evropa: Çka mund të blini me 1€