Lajme
Shpallen fituesit e lojës shpërblyese „Rrezitu dhe fito“
Mimoza Sejdiu dhe Vlora Tahiri, janë fituese të lojës shpërblyese: „Rrezitu dhe fito“, e organizuar gjatë verës nga portali „Albinfo.ch“

Lexuesit e portalit “Albinfo” nuk do të jenë më nën ethet se kush do të jetë fituesi i çmimit të lojës shpërblyese: „Rrezitu dhe fito“.
Redaksia, në mesin e shumë teksteve të lexueseve tanë, të dërguara në adresën e Albinfo.ch, ka zgjedhur dy rrëfimet më të mira nga pushimet.
Dy rrëfimet më të mira të shkruara nga pushimet e verës janë vlerësuar ai i Mimoza Sejdiut nga Cyrihu dhe i Vlora Kurti Tahirit, nga Aarau i Zvicrës.
Mimoza Sejdiu, të cilës i ka buzëqeshur fati që të jetë njëra nga fitueset e shpërblimit, një fluturim falas për vendlindje, nuk ka nevojë të presë më shumë, por qysh nesër, mundet të paraqitet në redaksinë e portalit Albinfo.ch, për të tërhequr shpërblimin, që është sponsorizuar nga „Dardania Travel“ në Cyrih.
Mimoza është në mesin e shumë lexuesve të portalit “Albinfo.ch”, të cilët këtë verë kanë pushuar dhe kanë shkruar për pushimet e tyre për të marrë pjesë në lojën shpërblyese: „Rrezitu dhe fito“.
Fati këtë herë i ka buzëqeshur edhe Vlora Kurti Tahirit nga Aarau i Zvicrës, e cila për reportazhin e shkruar gjatë verës do të shpërblehet me një darkë për dy presona në restorantin shqiptar „Casa da Vinci“ në Dietikon.
Befasitë nuk do të përfundojnë me kaq, pasi “Albinfo.ch” do të vazhdojë të sjellë edhe më shumë lojëra shpërblyese në të ardhmen për lexuesit e saj me çmime tjera të larmishme.
Në vijim do t’i lexoni dy reportazhet e shpërblyera nga Albinfo.ch:
Shpërblimi i parë: Mimoza Sejdiu- CyrihPushimet në ShqipëriUdhëtimi im fillon me një fluturim prej afër dy orësh nga Cyrihu për në Tiranë. Tirana duket të jetë një qytet interesant – përplot kundërshti dhe me një atmosferë të këndshme ndejash. Për këtë udhëtim, ndonëse kundër dëshirës, unë i rezistoj një ndalese në kryeqytetin e Shqipërisë dhe në vend të kësaj udhëtoj me taksi gjashtë orë larg në jugun e Shqipërisë, në Sardandë.
Për të mbërritur atje ne zgjodhëm rrugën mbi Vlorë përgjatë bregdetit për t`i kënaqur sytë me pamje deti dhe mushkëritë me ajër të freskët mali. Por, tabloja e bukurisë së egër herë-herë trazohet herë pas here nga bunkerët prej betoni , këto mbetje të shëmtuara të regjimit komunist. Pavarësisht nëse ishte real kërcënimi i asokohshëm apo vetëm një perceptim paranoid i despotëve të shkëputur nga realiteti – sot këta përbindësh janë ferrë në sy për ne. Saranda, që ka kuptimin “dyzet të shenjtët” bën pjesë në qytetet më të bukura të bregdetit shqiptar dhe qëkur, para tri vitesh kam zbuluar këtë bukuri , ajo nuk bën të mungojë nga pushimet e mia verore.
Uji i kthjellët dhe i pastër ma freskojnë ditën ndërsa frutat e shijshme të detit më bëjnë të kaloj ditën lehtë dhe lirshëm. Unë nuk kam udhëtuar e vetme. Me mua, së bashku janë edhe miqtë dhe familja nga Zvicra. Ne, nga një mik yni në Zvicër kemi marrë adresën e hotelit – direkt në plazh dhe me një çmim të volitshëm – natyrisht, në këto kushte ne prej tre vitesh jemi verues besnikë. Nga terrasa e hotelit tonë ne kemi një pamje të mrekullueshme mbi det dhe mbi gjithë qytetin – nuk është çudi prandaj që ne kalonim aq shumë kohë aty, dëgjonim muzikë dhe vallëzonim. Interesante kjo puna e muzikës me ton të lartë – dasmat në qytet bëheshin të shumtën vikendeve dhe, duke qenë se hoteli ynë në katin e parë ka një sallë të madhe festash, të shtunën dhe të dielën do të jesh, deshe-s`deshe pjesë e këtij spektakli.
Festimet mund të vazhdonin fare lehtë deri në orën tre të mëngjesit, dhe duke qenë se se ato bëhen me muzikë open-air, detyrohen të gjithë që të dëgjojnë, respektivisht nuk mund të flenë. Kjo duket e mundimshme para së gjithash për brezin e prindërve të mi sepse unë dhe shoqet e mia nuk kemi dëgjuar asgjë nga këto.Nuk është çudi pasi që gjatë kësaj kohe ne bënim xhiron tonë nga klubi në klub. Me këtë, ne mbërritëm te njëra ndër temat më të gëzueshme – jeta e natës në Sarandë.
“Nga vendorët ne kishim mësuar se cilat lokale ishin më të preferuarat. Lokacionet ishin të shumtën e rasteve direkt në det dhe ishin të ndërtuara mbi shkëmbinj. Lëkura e bardhë dominonte enterierin ndërsa në prapavijë mund të dëgjoje përplasjen e valëve për shkëmbinj. Era e freskët në kombinim me koktejet shumëngjyrësh na siguronin freski të përsosur. Ishin të përfaqësuara të gjitha grupet e moshave dhe mbretëronte një atmosferë e përkryer, sepse, fundja, të gjithë sa ishin aty, kishin ardhur për të hequr me vallëzim stresin e akumuluar dhe për të harruar hallet e përditshmërisë.Kështu, kotja ditën e nesërme në plazh të bënte më shumë kënaqësi. Plazhi i hotelit tonë është shumë komod dhe i pastër. Noti, leximi dhe herë pas here shkuarja në barin trendi matanë, ja një përmbledhje e rrjedhës së ditës sime. Për ata që parapëlqejnë më shumë ndërrim, kishte në dispozicion plazhe të shumta private. Për afërsisht 5 franga mund t`i merrje me qira dy karrige për shtrirje dhe një çadër dielli. Duket se çmimet për këto shërbime ishin të koordinuara sepse të gjithë kërkonin po kaq shumë ose pak. Vende të preferuara pikniku në afërsi janë Gjirokastra, Syri i Kaltër, Butrinti dhe Ksamili.Gjirokastra, qyteti i shkrimtarit të famshëm shqiptar Ismail Kadare, është një qytet shumë i vjetër me një mënyrë interesante ndërtimi. Rrugët e shtruara me kalldrëm dhe çatitë e mbuluara me gurë shënojnë pamjen e qytetit të vjetër i cili konsiderohet trashëgimi botërore e UNESCO-s.
Në të njëjtën kohë Gjirokastra është simbol për Shqipërinë: i ndërtuar në një shpat të një lugine shumë të ashpër, shkëmbore dhe me erë, qyteti të paraqitet shumë dashamirës, zemërngrohtë dhe megjithatë paksa rebelues dhe provokues për secilin të huaj.
Ashtu siç ka vepruar edhe Shqipëria me shekuj. Një vend shumë karakteristik për ta zbuluar, për t`iu mrekulluar dhe madje edhe për ta dashur. Shpërblimi i dytë: Vlora Tahiri – Arau
Përqafimi i Atdheut
Kohën e pushimeve të gjithë e presim me padurim, posaçërisht ne që jemi në mërgim. Shumë kohë më parë mendojmë se ku e kah të shkojmë që sa më mirë të pushojmë. Atdheu është foleja më e artë, që me shumë dashuri na fton edhe në ëndërr të shkojmë drejt tij.
Muaj të tërë bartim në shpirt një bagazh malli, ndërsa ditën që nisemi bartim bagazhin me rroba dhe gjësende që u dërgojmë njerëzve tanë.
Aeroporti i Cyrihut ishte mbushur plot. Të gjithë dukeshin të lumtur. Së paku kështu më dukej mua. I gëzoheshin takimit me të afërmit, qëndrimit në Atdhe. Atdheu është një ndjenjë e ngrohtë, afërsi, të jep nderë, vlerë e dritë.
Një shkrimtare e jona ka thënë “Njeriu mundë të humb një ndjenjë, një mik, një prind, por kur e ke Atdheun, kurrë nuk je jetim “.
Në Prishtinë, Aeroporti ishte mbushur edhe më shumë. Me mall kishin dalë të afërmit, për të na pritur me përqafime.
Sa i bukur është ai qielli ynë, sa të ngrohta janë ato rreze dielli në vendlindje. Sa me afërsi të zjarrtë përshëndeten njerëzit tanë. Një mike zviceranë, që po shkonte në një dasmë shqiptare, më tha këto fjalë: Shqiptarët janë një ndër popujt më të dashur në botë.
Unë i buzëqesha dhe i thashë: Nëna Terezë na ka thënë: “Dashuria do të shpëtojë botën”.
Pasi u çmallëm disa ditë me familjarë, morëm rrugën për në Durrës. Udhëtimi për në Durrës është një lumturi e papërshkrueshme.
Kalimashi, ai dej i arit, e bëri më të lehtë rrugën e udhëtarit. Shpejt arritëm në Durrësin tonë të bukur. Ishte mbushur plot turistë. Valët e tij janë magjike, ato dallgë kanë shumë freski, e bëjnë të lumtur çdo njeri.
Agun e çdo mëngjesi e kam pritur pranë valëve të detit. Nuk ngopesha me atë mrekulli. Vërtetë është fat e lumturi kur valët e Durrësit të të bëjnë shoqëri.
Mbrëmjeve kënga shqipe bashkonte të gjithë. Vallja shqipe, bisedat, miqësitë. Një herë thonë vjen vera kah dera, e unë sa herë që të vijë vera do të shkoj me shumë gëzim të pushoj në vendin tim.
Aty në qiellin e vendlindjes, në valët e Durrësit, në mbrëmjet e Tiranës, rritemi e rritemi si në prehrin e Nënës. Shpresojmë që edhe vera tjetër të na vijë e bardhë e krahët e Atdheut të përqafojnë me shumë zjarr e mall secilin mërgimtar.
E-Diaspora
-
Plagosje me armë në Itali, dyshohet për një shqiptar Mbrëmë në Verna di Umbertide, Itali, ku dy burra kanë mbetur të plagosur si pasojë e...
-
Bota e logjistikës ajrore: Prapa kuintave të kompanisë Cargologic në Cyrih
-
‘Çka Ka Qëllu’ sërish në top listën e restoranteve më të mira të Nju-Jorkut
-
Me artin e saj, Nexhibe Imeri u jep një zë grave të diskriminuara
-
Ambasadori i karrierës, Sami Ukelli, largohet nga MPJD-ja
Jeta në Austri
-
Pse gjatë verës në Alpe do të ketë reshje shumë më intensive në të ardhmen? Reshjet e shkurtra dhe intensive të verës në rajonet alpine të Evropës ka të ngjarë të...
-
Dy të tretat e austriakëve planifikojnë pushime verore
-
Çfarë ndodh me qëndrimin në Austri nëse humbni punën? Ja çfarë duhet të dini
-
Pse Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë?
-
Austria vs Evropa: Çka mund të blini me 1€