Lajme

Muajt e vdekjeve

Muajt korrik e gusht nuk është vetëm kohë dasmash në Kosovë, por edhe funeralesh shkaku i numrit të vdekjeve në aksidente

Mesatarisht, në Kosovë, çdo të dytën ditë, një person humb jetën  nga aksidentet në trafik.

Nuk kalon thuajse asnjë ditë që Policia e Kosovës, nuk njofton për vdekje që ndodhin në komunikacion, e madje viktima shpesh janë edhe këmbësorët e fëmijët.

Në këtë mënyrë, rrugët e Kosovës janë shndërruar thuajse në një vend të përgjakshëm.

Një nga rastet e fundit dhe shumë tragjik ishte ai në komunën e Gjakovës, kur një familje pesë anëtaresh, u shua.

Me 25 korrik, nga  familja Thaci, dy prindërit dhe tre fëmijët, vdiqën kur ata u goditën nga një autobus i linjës Prishtinë-Gjakovë, kurse edhe dy të tjerë u lënduan.

Ndërkohë, disa ditë më vonë, një ngjarje tjetër e rëndë tragjike ka ndodhur në rrugët e Kosovës.

Me 13 gusht rreth orës 16, policia është njoftuar se në magjistralen Pejë-Prishtinë, pikërisht në fshatin Qyshk-Pejë, ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku ku e kanë humbur jetën katër persona.

© albinfo.ch

Vera, koha e aksidenteve 

Kështu, rrugët e Kosovës janë të tejmbushura me automjete të cilat në të shumtën e rasteve nuk janë në gjendje teknike të dalin në komunikacion.

Edhe pse Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit ka shtrënguar masat që kontrollimet teknike të automjeteve të bëhen edhe me fotografi, sërish gjenden rrugë për anashkalim të procedurave, me rastin e regjistrimit të veturave.

Pavarësisht fushatave të ndryshme sensibiluzues nga ana e Policisë së Kosovës, aksidentet në trafik vazhdojnë të mbesin shqetësuese.

Numri i aksidenteve me pasojë vdekjen e njerëzve vazhdon të mbetet i lartë, madje vetëm nëse shikohen statistikat zyrtare të Policisë së Kosovës, për gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Këto aksidentet shtohen edhe më shumë kur drejt Kosovës vijnë një numër i madh i bashkatdhetarëve, për pushime me automjetet e tyre.

E kur kësaj i shtohen edhe automjetet e vjetra që janë në qarkullim në Kosovë si dhe infrastruktura jo e mirë rrugore, atëherë të dhënat e vdekjeve janë alarmuese.

Gjatë këtyre muajve, mijëra kosovarë kthehen nga shtetet e Evropës Perëndimore në Kosovë për të kaluar pushimet verore.

Korriku e gushti-muajt e vdekjeve

Muajt korrik dhe gusht njihen në Kosovë si koha kur bëhen dasma të mëdha, ka shumë gazmende e gëzime familjare për shkak edhe të ardhjes së bashkatdhetarëve në pushime.

Por fatkeqësisht në sytë e policisë, këta dy muaj janë edhe më të rëndit për nga numri i vdekjeve që ndodhin në komunikacion.

Krahas ndihmës së madhe financiare që ata sjellin në vend, rritet në masë të madhe edhe numri i aksidenteve në komunikacion.

Sipas zyrtarëve të Policisë, muajt e verës mbesin më të përgjakshmit kur rrugët e Kosovës përlyhen nga aksidente të rënda.

Kështu, ndërmjet muajt janar dhe gusht, 75 persona kanë vdekur në aksidente të komunikacionit në Kosovë.

Nëse shikohen këto të dhëna, atëherë vetëm brenda muajit korrik dhe gjysmën e parë të muajt gusht, kanë ndodhur më shumë se 20 vdekje në komunikacion.

Për këtë arsye, Policia e Kosovës ka shtuar patrullimet në rrugët e vendit, nga njësitet me motoçikleta dhe ato me biçikleta.

©albinfo.ch: Baki Kelani, një nga zëdhënësit e Policisë së Kosovës

“Fluksi i automjeteve është dukshëm shumë i lartë gjatë këtyre muajve, duke pasur parasysh edhe ardhjen e kosovarëve që jetojnë jashtë vendit”, thotë Baki Kelani, një nga zëdhënësit e Policisë së Kosovës.

Ai për Albinfo.ch shpjegon se policia është duke kryer operacione në të gjitha rrugët kryesore në përpjekje që të ndalet trendi i aksidenteve që është vazhdimisht thuajse i njëjtë, me disa ulje apo ngritje të lehta nga viti në vit. 

Sipas zëdhënësit Kelani, 53 veta kanë vdekur në aksidente në komunikacion me makinë ndërmjet periudhës janar dhe qershor 2011, në krahasim me 75 vdekje që kanë ndodhur në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

”Këto janë shifra pozitive krahasuar me vitin e kaluar”, thotë ai. “Por, në fakt, ne jemi të shqetësuar për situatën aktuale, ku, gjatë muajve korrik dhe gusht, më shumë se 20 persona kanë vdekur në aksidente në komunikacion”, është shprehur Kelani.

Ai thotë se policia është duke kontrolluar dhe vënë gjoba, jo vetëm për shpejtësinë e atyre që vozisin, por edhe nëse kanë të vendosur rripat e sigurisë, dhe ëise përdorin telefonat celularë.

Pavarësisht të gjitha këtyre masave, numri i aksidenteve mbetet i lartë.