Lajme
Zvicra e respekton dhe mbështet integritetin territorial të Kosovës
Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës prononcohet për albinfo.ch rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë si dhe perspektivat në rajon

Albinfo.ch: Cila është qasja e autoriteteve zvicerane sa i përket vendimit të qeverisë kosovare për të dërguar doganierë dhe policë në dy postet kufitare në Kosovë ?
Zvicra shpreh keqardhje që është prodhuar dhunë dhe që një polic kosovar e ka humbur jetën. Zvcira përshëndet faktin që Kosova dhe Serbia kanë arritur ta relaksojnë këtë situatë kritike, falë një ndërmjetësimi ndërkombëtar dhe kështu tensionet shtesë kanë mundur të evitohen.
Albinfo.ch: Cila është pikëpamja e Zvicrës në lidhje me opinionet e fundit që qarkullojnë në rajon, mirëpo edhe në Zvicër dhe Evropë, për një zgjidhje të çështjes politike të Kosovës që do të bazohej mbi një rishikim të kufijve aktualë të Kosovës (shkëmbim i territoreve mes Serbisë dhe Kosovës) ose mbi një status special për veriun e Kosovës ?
Zvicra e respekton dhe mbështet integritetin teritorial të Kosovës. Zvicra gjithmonë e ka nënvizuar prioritetin që përbëjnë në sytë e saj paqja dhe stabiliteti i rajonit. Ajo i mbështet të gjitha përpjekjet që synojnë mbajtjen e shteteve multikulturore në Europën Juglindore dhe në refuzim të logjikës «etnike», e cila do të binte në kundërshtim me orientimin evropian të këtyre shteteve. Një rishikim i kufijve nuk do të kontribuonte në mirëkuptimin e ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës dhe do të mund të përbënte një precedent të rrezikshëm për Ballkanin perëndimor në përgjithësi.
Albinfo.ch: Cilat janë këshillat e Zvicrës karshi qeverive kosovare dhe serbe sa i përket dialogut mes këtyre dy vendeve si dhe për çështjen e integrimit (në pikëpamje të të drejtave si dhe obligimeve) politik, social si dhe ekonomik të minoriteteve ?
Qeveritë e Beogradit dhe Prishtinës duhet t’i zgjidhin kundërshitë e tyre në mënyrë paqësore dhe në një frymë partneriteti. Në këtë drejtim, të dyja këto vende e kanë pranuar rëndësinë e dialogut. Ata e vazhdojnë atë nën patronazhin e Unionit Evropian (UE). Sa u përket çështjeve të hapura, duhet gjetur sa më shpejt zgjidhje pragmatike dhe konstruktive. Dhe kjo është po ashtu në interes të popullatës së të dyja vendeve, që vuajnë në përditshmëri nga pasojat negative të cilat munden t’i bartin pikat e pazgjidhura të konfliktit.
Sa u përket bashkësive të ndryshme, Zvicra gjithmonë e ka nënvizuar dhe në mënyrë të vendosur nevojën që të gjitha bashkësitë në Kosovë dhe Serbi të mund të jetojnë në paqe dhe siguri, dhe duke i gëzuar në mënyrë të plotë të gjitha të drejtat e tyre njerëzore dhe socio-ekonomike, pa asnjë lloj diskriminimi. Në Kosovë Zvicra i ka mbështetur instancat e ndryshme qeveritare dhe parlamentare të ngarkuara me çështjet të ndërlidhura me bashkësitë, me qëllim t’i ndihmojë autoritetet kosovare që ta përmirësojnë dhe ta favorizojnë integrimin e të gjitha bashkësive.
Albinfo.ch: Cilat janë projektet diplomatike ose të ndihmës për zhvillim që shkojnë në këtë drejtim në rajon ?
Zvicra luan një rol aktiv pranë organizatave ndërkombëtare në Kosovë. Ajo i vë ekspertët e saj në dispozicion të ICO-së (Zyrës Civile Ndërkombëtare), e cila, sipas planit të Ahtisaarit, duhet ta përcjellë vënien në vend të pavarësisë së Kosovës në planin politik dhe të sigurojë që të gjitha bashkësitë të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të ekuilibruar. Ekspertët zviceranë kanë kontribuar në vënien në vend të reformave të rëndësishme në fushat e decentralizimit si dhe të mbrojtjes së minoriteteve. Veç kësaj, Zvicra ka vënë disa ekspertë në shërbim të misionit të EULEX-it dhe financon, në suaza të aktiviteteve të EULEX-it, projekte për kërkim të të zhdukurve.
Zvicra ka po ashtu një program për promovimin civil të paqes, i cili përqendrohet në promovimin e minoriteteve, dialogun politik si dhe trajtimin e të kaluarës. Ajo e mbështet veçanërisht një projekt të dialogut mes liderve serbë të Kosovës dhe Serbisë, me qëllim që t’iu mundësojë një zë serbëve të Kosovës. Kredia për vënien në dispozicion të Swisscoy brenda KFOR-it është vazhduar deri në vitin 2014.
Së fundi, në plan të kooperimit teknik integrimi i minoriteteve është një temë transversale e angazhimit të Drejtorisë për Zhvillim dhe Kooperim (SDC) në Ballkan. Kjo do të thotë se çështja duhet të integrohet dhe të trajtohet në të gjitha projektet në vend.
Në projektin «Mbështetja rurale e ujit dhe të sanitarisë», fshatra me shumicë serbe zgjidhen qëllimisht si përfituese. Përmes dy projekteve («Mbështetja e qeverisjes lokale dhe e decentralizimit LOGOS si dhe «Shoqata e Komunave të Kosovës» AKM), Zvicra kontribuon në mënyrë aktive në integrimin politik të minoritetit serb. SDC-ja merr pjesë po ashtu në zgjidhjen e kundërshtive mes bashkësive të ndryshme përmes kontributit të saj në Agjencinë Kosovare të Pronës, e ngarkuar për zgjidhjen e rasteve të mosmarrëveshjeve të patundshmërisë të dala nga lufta. Një projekt për përforcimin e shoqërisë civile («Democratic Society Promotion») është vënë po ashtu në vend me një bosht të veçantë mbi iniciativat që kanë për qëllim promovimin e bashkëjetesës paqësore mes bashkësive në një shoqëri shumetnike. Dhe në fund, Zvicra mbështet po ashtu projekte në favor të bashkësive rome.
Albinfo.ch: Cilat janë ngjarjet e ardhshme të agjendës politike dhe ekonomike të Zvicrës në lidhje me Kosovën dhe rajonin e Ballkanit ?
Angazhimi i Zvicrës në Ballkan synon ta promovojë zhvillimin politik dhe socio-ekonomik, duke kontribuar veçanërisht në përforcimin e shtetit të së drejtës, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në promovimin e integrimit si dhe pjesëmarrjes të të gjitha komuniteteve, sikurse edhe trajtimin e të kaluarës. Sfidat janë ende të numërta dhe të vështira dhe rruga që mbetet për të ecur është ende e gjatë. Duke u nisur nga lidhjet e ngushta mes Zvicrës dhe rajonit, është e qartë se është në interes të Zvicrës që ajo ta vazhdojë angazhimin e saj.
Veç kësaj, SDC ështe angazhuar me vite pranë diasporës kosovare në Zvicër. Më 2009 ajo e ka financuar një studim mbi potencialin që përfaqëson diaspora për zhvillimin e vendit të prejardhjes. SDC kontribuon po ashtu në platformën e internetit Albinfo.ch. Një projekt i ri, «Diaspora për Zhvillim» sapo është lansuar. Ai ka për qëllim ta inkurajojë diaporën t’i investojë resurset e saja (të dijes, financiare, përvojën) në iniciativat shoqërore dhe ekonomike në Kosovë.
E-Diaspora
-
Me artin e saj, Nexhibe Imeri u jep një zë grave të diskriminuara "Kam krijuar një art që flet, frymëzon dhe proteston! Është një thirrje për drejtësi dhe një...
-
Ambasadori i karrierës, Sami Ukelli, largohet nga MPJD-ja
-
Shqiptari që pozoi me 250 mijë funte e fiton betejën për qëndrim në Britani
-
Gjuha shqipe hyn në komunikimet zyrtare të shkollave publike në Nju Jork
-
Shqiptarja nga Amerika kurorëzohet me “Miss Globe USA 2025”
Jeta në Austri
-
Pse gjatë verës në Alpe do të ketë reshje shumë më intensive në të ardhmen? Reshjet e shkurtra dhe intensive të verës në rajonet alpine të Evropës ka të ngjarë të...
-
Dy të tretat e austriakëve planifikojnë pushime verore
-
Çfarë ndodh me qëndrimin në Austri nëse humbni punën? Ja çfarë duhet të dini
-
Pse Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë?
-
Austria vs Evropa: Çka mund të blini me 1€