Lajme

Thaçi: Në veri të vendit nuk ka krizë humanitare

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë të jetë takuar sot me komandantin e KFOR-it, Erhard Buhler, dhe, sipas tij, është arritur mirëkuptim për hapat e mëtutjeshëm.

Kryeministri  Thaçit ka thënë se shqetësimi kryesor, është për krizën e përfolur humanitare në veri të Mitrovicës. “Në Kosovë, nuk ka krizë humanitare. Në Mitrovicë, ditën e kaluar, agjencitë e kombeve të Bashkuara që merren me çështje humanitare, kanë theksuar një gjë të tillë. E them qartë, ne nuk i kemi braktisur në asnjë rrethanë qytetarët në veri,” ka thënë Thaçi në mbledhjen e Qeverisë.

Nëse vlerësohet e nevojshme nga agjencitë e pavarura humanitare, do të bashkëpunohet, ka bërë të ditur Thaçi. Pikat 1 dhe 31, sipas kryeministrit aktualisht janë zona të kufizuara ushtarake, e për  këtë nuk do të ketë kthim prapa, e as që iu është kërkuar një gjë e tillë nga partnerët ndërkombëtar.

Ndërsa zëvendëskryeministrja, Mimoza Kusari-Lila, ka ripërsëritur se qëndron në fuqi vendimi për reciprocitetin, ndërsa për takimin me Buhlerin, Kusari Lila ka thënë se është diskutuar vetëm për qasjen e banorëve të veriut, në artikuj ushqimor.

Ajo ka theksuar se është miratuar kërkesa që 75 tonë ndihma nga Kryqi i Kuq serb, të futen në Kosovë, ndërsa nëse vlerësohet se nuk ka krizë humanitare, nuk do të lejohen kamionë të tjerë të futen.