Lajme
Koha e dasmave dhe e arit
Bashkë me ardhjen e verës dhe mërgimtarëve, në Kosovë ka nisur edhe sezoni i dasmave. Mijëra euro harxhohen për blerjen e arit

Shumë nxehtë dhe mjaft pluhur, por në rrugët e Kosovës, kanë nisur të shtohen kolonat e automjeteve, që ndjekin bajrakun, që tashmë këtë primat nuk e mban vetëm flamuri kuq e zi. Me ardhjen e mërgimtarëve për pushime në Kosovë, sikurse çdo vit tjetër, muajt korrik dhe gusht janë thuajse të rezervuar për ahengje të ndryshme familjare, dasma fejesa e syneti.
Kush më shumë e kush më pak, të gjithë brenda disa ditëve, shpenzojnë mijëra euro të mbledhura me mund, gjatë tërë vitit kalendarik. Nga këto para të gatshme që vijnë në Kosovë, nuk përfitojnë vetëm familjarët, por në masë të madhe edhe tregtarët dhe mbarë ekonomia e dobët e vendit.
©Bahrije Pireva tregon stolitë e dasmës
Përveç hoteleve që në muajt korrik dhe gusht janë thuajse të gjitha të rezervuara dhe të gatshme për të pritur ata që duan të festojnë gëzime familjare, në këtë kohë, ata që fërkojnë duart më shumë, janë edhe argjendarët. Shitja e arit në këtë kohë është shumë e lartë, edhe pse çmimet në pjesën dërmuese të rasteve, janë shumë më të kripura, krahasuar me muajt e tjerë të vitit.
Zyrtarët e Doganave të Kosovës tregojnë se sasia më e madhe e arit që vjen në Kosovë, importohet nga Turqia, kurse një pjesë më e vogël e saj vjen nga Italia apo vendet e tjera të Evropës perëndimore.
©Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës
Megjithëkëtë, tash për tash ata nuk janë në gjendje të japin të dhëna të sakta për sasinë e importit të arit, për shkak se duhet të përfundojë viti kalendarik. “Por mund të them se kemi aksione të shumta për konfiskimin e arit në këtë kohë për shkak të tentimeve që të futet ilegalisht dhe pa paguar doganën”, thotë Adriatik Stavileci për Albinfo, zëdhënës i Doganës së Kosovës.
Pavarësisht kësaj, me doganë apo pa të, ari në Kosovë vazhdon të shitet shumë, pjesërisht për shkak të dëshirës por edhe për shkak të traditës.
Tradita dhe ari
Bahirije Pireva nga Obiliqi, tash rreth 60 vjeçe, është martuar diku rreth dyzet vjet më parë. Ajo me mburrje tregon se dasma e saj në atë kohë ishte shumë e madhe dhe familjes së bashkëshortit i kishte kushtuar goxha shumë. Madje në bisedë për Albinfo, ajo preferon të thotë se ahengu atë ditë ishte më i madhi në tërë rrethinën.
©I gjithë ari i dasmës
Në këtë llogari të dasmës, Bahrija nuk fut vetëm ushqimin, rrobat e shtrenjta të blera, këngëtarët dhe shumë elemente të tjera që përcjellin një dasmë. Në këto harxhime të bëra nga familja e bashkëshortit, ajo vendos edhe diçka shumë të rëndësishme për një nuse-sasinë e arit të blerë për të. Ajo beson se në atë kohë, vënia e stolive të arit në trupin e nuses, në ditën e dasmës, tregonte edhe fuqinë ekonomike që kishte familja e dhëndrit.
“Kur u martova, familja e burrit më ka ble shumë stoli. Kanë pasur kushte të mira dhe pasuri, për këtë edhe nuk kanë pasur nevojë të shesin asgjë për të më ble ari”, thotë Bahrija për Albinfo, duke kujtuar me nostalgji ditët e nusërisë së saj.
“Tani jam plakë dhe arin ia kam shpërnda vajzave dhe djemve”, thotë ajo, duke shtuar me mburrje se kur ishte martuar, në mesin e shumë stolive të tjera, kishte edhe gjashtë lira të arit, diçka që nuk ishte shumë e zakonshme për shkak të çmimit të lartë që kishin.
Vazhdimi i traditës
Edhe pse vitet kalojnë dhe në shikim të parë duket se të rinjtë e Kosovës kanë filluar të bëhen më modernë, kur vjen puna të blerja e arit, tradita edhe më tej vazhdon.
Dëshira për të pasur sa më shumë stoli, nuk shuhet edhe pse në pjesën dërmuese të rasteve, pas përdorimit në vitet e para të martesës, ato mbyllen diku. Kështu, edhe dy nuset e Bahries, të cilat janë martuar vetëm kohë më parë, kanë njësoj sasi të arit sikurse dikur që kishte vjehrra e tyre.
Me krenari, Bahrija tregon se dy rejat e saj, kanë shpenzuar më shumë se katër mijë euro vetëm për të blerë ari, pa llogaritur gjërat e tjera të martesës si fustanet apo rrobat tradicionale.
Ndonëse në sasi pak më të vogël krahasuar me kohën kur Bahrija ishte nuse, para dyzet vjetëve, blerja e arit konsiderohet ende diçka shumë e rëndësishme për shqiptarët.
©Argjentari në Prishtinë
Fatmir Berani i cili ka vite që punon në Prishtinë, e që tërë jetën e tij ia ka kushtuar zejes së argjendarisë, tregon se për dallim me kohët e më parme, interesimi i kosovarëve në blerjen e stolive të arit, ka filluar paska të bie. Sipas tij, deri në vitet e 90-ta, në dyqanin e tij, çiftet kishin blerë stoli ari me vlerë deri në 6 mijë marka, ose ekuivalenti i sotshëm që është 3 mijë euro.
Pavarësisht kësaj, ai tregon se interesimi për arin ende vazhdon deh tash, në modë janë ato që njihen si “komplete” ku bëjnë pjesë unaza, zinxhiri i dorës, i fytit dhe vathët. “Shumë stoli blihen edhe tash, por më pak ari dhe më shumë argjend, dhe nga llojet e metaleve të tjera”, rrëfen fatmiri për Albinfo.
Ai e pranon se muaji korrik dhe gusht janë më të mirët për të shitur mallin që kanë për shkak të ardhjes së mërgimtarëve dhe dasmave të mëdha që ata bëjnë. Sipas tij, ky është sezoni i vetëm ku biznesi i tyre ngjallet pak, duke e pranuar se çmimet edhe pësojnë rritje.
“Ata nuk pyesin shumë për çmimin kur diçka iu pëlqen. Tash më të kërkuara janë harta e Kosovës, por vendin e shqiponjës nuk e zë asnjë simbol tjetër”, tregon Fatmiri.
Martesat në verë
Bazuar në të dhënat zyrtare të Entit të Statistikave të Kosovës, numri më i madh i kurorëzimeve në vend, bëhet në muajt e verës. Sipas raportit zyrtar të këtij institucioni, në vitin 2010, në Kosovë janë regjistruar 18 mijë e 289 kurorëzime ose martesa. Mosha mesatare e të martuarve është 29,7 vjeç, kurse komuna e Prizrenit zë vendin e parë në Kosovë për vitin 2010 për nga numri i kurorëzimeve.
©Dasmë në Kosovë
Në këtë komunë, brenda vitit të fundit kalendarik janë kryer 1 mijë e 703 kurorëzime apo 9.3 përqind, pastaj vjen Prishtina me 1 mijë e 486 raste apo 8.1 përqind, pasuar nga Podujeva me 1 mijë e 228 kurorëzime ose 6,7 përqind. Nga kjo shifër, del se meshkujt beqarë që kurorëzohen përbëjnë 91,3 përqind kurse femrat beqare 96.4 përqind, ndërkohë që sipas përgatitjes shkollore te meshkujt, dominon shkolla e mesme me 70,5 përqind ashtu sikurse edhe te femrat 60,6 përqind.
Nëse shikohet periudha kur numri i kurorëzimeve është më i madh, atëherë del se janë tre muajt e vitit që kanë përqindje më të lartë, e që kryesisht ndërlidhen edhe me ardhjen më të madhe të mërgimtarëve për pushime në Kosovë. Kështu, muajt korrik, gusht dhe dhjetor, bazuar në të dhënat e këtij institucioni, është periudha ku regjistrohet numri më i lartë i kurorëzimeve.
Në shkallë vendi, gjatë vitit 2010, në muajin korrik kanë ndodhur 1 mijë e 515 kurorëzime, kurse në muajin gusht kjo shifër ka arritur në 2 mijë e 013 raste, që përbënë edhe numrin më të lartë të kurorëzimeve krahasuar me të gjithë muajt e tjerë.
E-Diaspora
-
Me artin e saj, Nexhibe Imeri u jep një zë grave të diskriminuara "Kam krijuar një art që flet, frymëzon dhe proteston! Është një thirrje për drejtësi dhe një...
-
Ambasadori i karrierës, Sami Ukelli, largohet nga MPJD-ja
-
Shqiptari që pozoi me 250 mijë funte e fiton betejën për qëndrim në Britani
-
Gjuha shqipe hyn në komunikimet zyrtare të shkollave publike në Nju Jork
-
Shqiptarja nga Amerika kurorëzohet me “Miss Globe USA 2025”
Jeta në Austri
-
Pse gjatë verës në Alpe do të ketë reshje shumë më intensive në të ardhmen? Reshjet e shkurtra dhe intensive të verës në rajonet alpine të Evropës ka të ngjarë të...
-
Dy të tretat e austriakëve planifikojnë pushime verore
-
Çfarë ndodh me qëndrimin në Austri nëse humbni punën? Ja çfarë duhet të dini
-
Pse Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë?
-
Austria vs Evropa: Çka mund të blini me 1€