Lajme

Kosova ka „detin“ e saj në Alpet e Rugovës

Kosova në aspektin e atraksioneve që disponon dhe resurseve turistike, është e gatshme për pritjen e turistëve

Nëse do të dëshironi që këtë vit ta anashkaloni detin, atëherë mund ta zëvendësoni me turizëm malor, edhe atë në “Alpet e Kosovës”, që konsiderohen në mesin e vendeve më atraktive në Evropë.

„Ecje malore, pushtim majash me mbi 2000 metra lartësi mbidetare, ngjitje në shkëmbinj, kampingje: një dhe më shumë net, me ushqime tradicionale shqiptare, çiklizëm, pikniqe familjare dhe rinore, akomodim në atmosfera familjare”…

Kjo paketë turistike ofrohet për turistët, jo në Alpet e Zvicrës, po në Bjeshkët e Rugovës.

Kjo, dëshmon se Kosova, edhe pse një vend i vogël dhe pa det, ka mjaft resurse tjera turistike, që krijojnë mundësitë për zhvillimin e llojeve të ndryshme të turizmit.

Njëri prej rajoneve turistike që dallohet në Kosovë është edhe ai i Bjeshkëve të Rugovës, si vend ku mund të bëhet turizëm malor.

Një grup të rinjsh nga Peja, në mbështetje të organizatës Italiane “Trentino con il Kossovo” kishte filluar me promovimin e potencialeve turistike në Bjeshkët e Rugovës që nga viti 2004.

“Objektivat tona janë të joshim turistët për të vizituar bukuritë natyrore të Kosovës me oferta turistike malore dhe kulturore“, ka thënë për Albinfo.ch, Agron Kaliqani nga Peja, përgjegjës i Zyrës së promovimit dhe potencialit turistik në Bjeshkët e Rugovës, „Rugova Experience“.

Ai na njoftoi se në vazhdimësi po punojnë për zbulimin e atraksioneve të reja në Kosovë  dhe që në mënyrën më të mirë ta promovojnë atë.

Kaliqani tha se për të qenë më profesionistë në turizëm ata bashkëpunojnë me udhërrëfyesit e certifikuar .

Sipas tij, madje, për „Rugova Experience“ kishin shkruar edhe gazetat prestigjioze si: National Geografic, Stutgardd Alpin, Alp wal, Berg sport etj.

Kaliqani, megjithatë shprehet i pakënaqur dhe thotë se nuk kanë arritur të joshin një numër të madh vizitorësh të huaj. “Kjo, për shkakun se është bërë propagandë jo e mirë për Kosovën”, tha udhërrëfyesi i „Rugova Experience“.

Por gjithsesi, ka vizitorë të huaj të cilët bëjnë vizita në rajon e pastaj vijnë e vizitojnë edhe mrekullitë natyrore të Kosovës.

Për Kaliqanin edhe agjencitë turistike në Evropë kanë bërë pak në promovimin e turizmit kosovar.

“Ne kemi realizuar një vizitë disa ditëshe në disa vende të Evropës, dhe i kemi promovuar ofertat tona të turizmit”, ka njoftuar Kaliqani..

Paketat e turizmit në Bjeshkët e Rugovës caktohen sipas dëshirës së vizitorëve.

Udhërrëfyesit e „Rugova Experience“ i marrin udhëtarët në Aeroportin e Prishtinës dhe i dërgojnë ata në Bjeshkët e Rugovës.

Atje  ata i presin shumë atraksione, ofrohen paketa të larmishme turistike.

Çmimet sillen për qëndrim 24 orësh prej 65 euro, përfshirë ushqimin, fjetjen në bujtina apo ambiente familjare deri në 100 euro në hotele me 5 yje.

„Rugova Experience“ ka përgatitur një ofertë speciale për bashkatdhetarët, të cilët  dëshirojnë të vizitojnë bukuritë e vendit të tyre…

Në saje të iniciativave sikur kjo e “Rugova…”, Kosova po bën hapa përpara në planin e turizmit vendor, edhe sipas kompanisë “Skyscanner”, e cila merret me përgjimin e turizmit në tërë botën.

Sipas një studimi të kësaj kompanie i cili është publikuar në muajin maj, Kosova ka arritur që nga vendi i 100-të në listë, të ngjitet në vendin e 67.

“Sikur Kosova të ketë edhe në muajt e ardhshëm një vëllim të tillë vizitash, atëherë ajo vetëm brenda dy vjetëve do të arrinte në top-listën e vendeve më të vizituara në botë”, thuhet në njoftimin e Skyscanner.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë – Departamenti i Turizmit, thonë se janë duke punuar vazhdimisht në promovimin e resurseve turistike, por, edhe  ata thonë se mbetet ende shumë për tu bërë në këtë drejtim.

Rajonet turistike që dallohen në Kosovë janë Brezovica e Rugova, si qendra skitarie dhe rekreacioni, dhe po ashtu maja e Lubotenit, që njihet si maja më e lartë në Kosovë që e arrin lartësinë 2.656 metra.

Kosova është e pasur dhe e njohur edhe me atraksione të tjera turistike, siç janë Burimi i Drinit të Bardhë, Ujëvara e Mirushës, një numër i konsiderueshëm shpellash, duke veçuar Shpellën e Gadimës, dhe bifurkacioni i Lumit të Nerodimës. Ndërkaq si burime termale është e njohur Banja e Kllokotit dhe Banja e Pejës.

Për t’i bërë këto vende më atraktive, ekspertë të turizmit thonë se Kosova duhet të punojë më shumë në infrastrukturë.

www.rugovaexperience.org