Lajme

Kosova me pak arritje në raportin e progresit

Zyrtari i lartë i Komisionit Evropian , Pierre Mirel, thotë se shumë pak progres do të tregohet në Raportin e Progresit

Para kryeministrit Thaçi dhe pothuajse krejt anëtarëve të kabinetit qeveritar, Mirel, ka deklaruar se periudha e shkurtër kohore që Qeveria dhe Kuvendi që t’i bëjnë reformat e nevojshme dhe t’i miratojnë ligjet, ka ndikuar në masë të madhe që të mos ketë aq shumë progres.

Ai ka thënë se në takimin që ka zhvilluar me anëtarët e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, ka kërkuar nga ta që të bëjnë përpjekje për të miratuar ligjet që kanë të bëjnë me Raportin e Progresit.

Ai ka përmendur miratimin e Ligjit për Prokurim Publik nga Qeveria.

Sipas Mirelit, ky është ligj i rëndësishëm dhe ka kërkuar që të mos i bëhen amendamentime për të mos ia ndryshuar natyrën ligjit.

 

Ai ka përmendur edhe Ligjin për Financimin e RTK-së, për të cilën është shprehur se ka mbetur peng që një kohë të gjatë, duke kërkuar garantimin e lirisë së mediave. Por, ka shprehur kritika sa i përket sundimit të ligjit.

 

Ky zyrtar evropian ka kërkuar reforma në administratën publike dhe në ekonomi, ndërsa është shprehur se sapo të përmbushen kriteret e riintegrimit, Komisioni Evropian do të propozojë nisjen e dialogut për viza.

 

Kryeministri Hashim Thaçi, ka folur pothuajse vetëm për progres në shumë fusha, ndonëse ka pranuar se ende mbesin sfida të shumta.