Lajme

Arratisja nga pasaporta e Kosovës

Vetëm për këtë pjesë të këtij viti, 1 mijë e 290 persona kanë hequr dorë nga nënshtetësia e Kosovës kurse 163 të huaj e kanë fituar.

Nëse deri para disa vitesh edhe mund të ëndërrohej që të kishe pasaportë me mbishkrimin Republika e Kosovës, tashmë kjo është realitet.

Por ky realitet duket se ka nisur të ndryshojë. Tash shumë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, vullnetarisht heqin dorë nga të qenit shtetas të Kosovës.

Mund  të duket habitës ky fakt, por vetëm për këtë pjesë të këtij viti, 1 mijë e 290 kosovarë kanë hequr dorë nga shtetësia e tyre  prej vendit të origjinës.

Në këtë mënyrë, ata janë përcaktuar nëse duan të jenë nënshtetas të ndonjë vendi tjetër.

Të gjithë ata kanë hequr dorë nga përkatësia e tyre shtetërore nga vendi i origjinës, në këmbim të pasaportës së vendit ku për shumë kohë jetojnë e punojnë, pra për ata shtetas të Kosovës që jetojnë në ato vende ku dyshtetësia nuk lejohet, siç është në rastin e Gjermanisë.

Jetmira Berdynaj, drejtoreshë në Departamentin e Shërbimeve Konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, tregon se çështja e dyshtetësisë nuk është diçka që rregullohet me marrëveshje dypalëshe ndërmjet dy shteteve.

Ajo për Albinfo sqaron se kjo është një çështje ekskluzive e brendshme e secilit shtet veç e veç dhe Kosova në këtë rast nuk mund të ndërhyjë tek ato vende që nuk lejojnë që shtetasit e vet të kenë dy apo më shumë shtetësi.

“Kosova me Ligj e lejon që një qytetar të ketë shtetësinë e Kosovës dhe të një vendi tjetër dhe këtë e bënë për interesa të veta ashtu siç ka shtete që për interesa ët veta nuk e lejojnë këtë. Pra këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë mundësi për marrëveshje ndër shtetërore”, tregon Berdynaj.

Por derisa kosovarët heqin dorë nga nënshtetësia e Kosovës, ka të tjerë që e duan dhe mundohen me ngulm që ta fitojnë nënshtetësinë e këtij vendi.

Sigurisht, ata janë në numër më të vogël dhe vijnë kryesisht nga zona të krizës ose luftës siç mund të jenë edhe Afganistani, Irani, Kongoja, Sudani apo Pakistani.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nëse gjatë kësaj pjese të vitit,  nga shtetësia kosovare kanë hequr dorë 1290 persona, janë 163 të huaj që kanë fituar nënshtetësinë e Kosovës.

Përveç kësaj, zyrtarë të kësaj ministrie kanë treguar për albinfo.ch se nga zyra përkatëse që vepron në kuadër të këtij dikasteri, janë lëshuar edhe 307 vendime që janë leje të përkohshme qëndrimi në Kosovë, për shtetas që vijnë nga vende të ndryshme të botës.

Nga “Zonjë”, përgjithmonë në “Frau”

N. Selimi është një grua rreth të dyzetave e cila nga Gjermania ka ardhur në Kosovë për të pushuar disa ditë dhe këtë e ka bërë për herë të fundit në cilësinë e shtetases së Kosovës.

Nga fundjava e kaluar ajo nuk është më shtetase e Republikës së Kosovës dhe nuk do të ketë më pasaportë të kësaj Republike, e cila vazhdon të njihet gradualisht nga shtete të ndryshme të botës.

Tash e tutje, ajo do të jetë shtetase gjermane, me pasaportë të këtij vendi, ndonëse emri i Prishtinës, vendi ku ka lindur, do të jetë i shënuar përgjithmonë edhe në dokumentin e shtetit gjerman.

Megjithëkëtë, duket se ajo dhe shumë të tjerë, këtë zgjedhje e bëjnë jo shumë nga qejfi, por në mënyrë që t’u ikin procedurave të vazhdimit të lejeve të qëndrimit në vendet përkatëse,apo edhe për nevoja të tjera.

Duke mos dashur t’i publikohet identiteti i plotë sepse nuk dëshiron që fytyra t’i dalë në media për “dorëheqjen” e saj nga nënshtetësia e Kosovës, edhe ajo jep faktet e veta për veprimin e saj, që tek e fundit nuk është i vetmi. 

“Ne Gjermani, ligji nuk e lejon të kemi dy shtetësi. Ose duhet të jemi shtetas gjerman, ose kosovar”, thotë zonja Selimi, e cila pas pesëmbëdhjetë vjetësh qëndrimi në Gjermani, ka vendosur të heq dorë nga pasaporta kosovare.

“Unë po vazhdoj të plakem, e fëmijët janë të rritur tashmë. Ata kanë jetën e tyre. Kush do të vrapojë për mua për të rregulluar gjithmonë dokumentet”, thotë ajo për albinfo.ch, e cila nga e premtja, është shndërruar përgjithmonë në “Frau Selimi”.

Kjo grua thotë te jetë e vetëdijshme se veprimi i saj nuk është i këndshëm, por si kundër argument, përveç procedurave ligjore, thotë edhe diçka tjetër.

“Pse Kosova nuk na regjistroi ne që jetojmë në diasporë, kur u bë regjistrimi i popullsisë. Nëse Kosovës i interesojmë shumë ne, atëherë ata do ta bënin këtë për ne”, pyet dhe njëkohësisht përgjigjet ajo.

Ajo nuk i’u beson premtimeve e Ibrahim Makollit, ministrit të Diasporës në Qeverinë e Kosovës, të dhëna ditë më parë në një intervistë për albinfo.ch, që do të kujdeset më shumë për 2/3 e popullatës që jetojnë jashtë vendit.

Azil në Kosovë

Pavarësisht arsyeve të ndryshme që mund të kenë kosovarët kur vendosin të heqin dorë nga nënshtetësia e vendit të origjinës, ka mjaft të huaj që edhe pse e dinë se me pasaportë të Kosovës nuk mund të shkohet thuajse askund pa vizë, e duan atë.

Bazuar në të dhënat zyrtare të Departamentit për Shtetësi dhe Azil të Ministrisë së Punëve të Brendshme, shtetasit nga Afganistani prijnë për nga numri i azilkërkuesve në Kosovë.

21 shtetas të këtij vendi janë duke qëndruar në shtëpinë për azilantë në Prishtinë, ku bashkë me ta në këtë qendër, jetojnë edhe 15 palestinezë, të cilët kanë kërkuar azil në Kosovë.

Përveç tyre, në Kosovë kanë kërkuar azil edhe 3  persona nga Irani,  2 nga Kongoja, 1 nga Bregu i Fildishtë si dhe të tjerë nga  Nigeria, Pakistani, Maroku, Somalia, Sudani,  apo Tunizia.

Kështu, deri më tash, 53 persona janë duke qëndruar në Kosovë, ndërkohë që 51 prej tyre shteti u ka kthyer përgjigje negative, pra që nuk u pranohet azili.

Bazuar në të dhënat zyrtare të kësaj zyre, vetëm për tre muajt e parë të këtij viti, pra janar-mars, 111 shtetas të huaj kanë kërkuar azil në Kosovë.

Ndërkohë, deri më tash, ky numër ka vazhduar të rritet. Shifrat zyrtare tregojnë se numri i azilkërkuese në Kosovë ka arritur në 130 persona, prej të cilave 34 raste janë në fazën e aplikimit, 83 rasteve u është ndërprerë procedura kurse 10 të tjerave u është kthyer përgjigje negative.

Në lidhje me këtë çështje, autoritetet e Kosovës janë shprehur se kanë mjaft vështirësi në strehimin e këtyre azilkërkuesve.

© albinfo.ch: Islam Caka

“Jo të gjithë janë të strehuar në shtëpinë e azilit që gjendet në Prishtinë. Për shkak të mungesës së objekteve, një numër i azilkërkuesve është vendosur në hotel “Goëana” në periferi të Prishtinës. Për këtë shkak, Kosova shpenzon nga 39 euro në ditë për person për akomodimin e secilit”, thotë Islam Caka, nga Departamenti për Shtetësi dhe Azil.

Kështu, edhe në Kosovë jetohet, madje ata që vijnë nga Afrika apo Azia, në rast se fitojnë nënshtetësinë e Kosovës, mund të jenë shumë të lumtur sepse janë shtetas të një vendi i cili së paku gjeografikisht është në Evropë.