Lajme
Pensionistët në Rusi dhe Bjellorusi mbesin pa pensionet zvicerane për shkak të sanksioneve
Dhjetëra përfitues të pensioneve zvicerane të pleqërisë dhe trashëgimisë (AVS), që jetojnë në Rusi dhe Bjellorusi, nuk kanë marrë pagesat e tyre prej muajsh, ndonëse kanë të drejtë ligjore për to. Problemi lidhet me interpretimin e gjerë të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj këtyre dy vendeve nga ndërmjetësit financiarë dhe bankat.
Zyra Qendrore e Kompensimit në Zvicër (CdC), e cila merret me pagesën e pensioneve për shtetasit që jetojnë jashtë vendit, ka bërë të ditur se që nga fillimi i vitit nuk ka mundur të realizojë pagesat për disa dhjetëra përfitues në Rusi dhe Bjellorusi.
Sipas CdC-së, pagesat e pensioneve AVS nuk janë të ndaluara nga ligji zviceran dhe nuk i nënshtrohen sanksioneve të vendosura nga Zvicra. Megjithatë, bankat zvicerane dhe institucionet financiare po zbatojnë masa më të ashpra për shkak të rrezikut që lidhet me sanksionet ndërkombëtare, veçanërisht ato të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.
Rreth 60 persona që jetojnë në Rusi dhe Bjellorusi janë prekur drejtpërdrejt, pasi kanë vetëm llogari bankare në këto vende. Ndërkohë, rreth 100 përfitues të tjerë që posedojnë llogari bankare në Zvicër vazhdojnë t’i marrin pensionet pa probleme.
Një prej të prekurve është pensionisti 76-vjeçar Hans Rudolf Knecht, i cili jeton në Bjellorusi. Ai ka deklaruar për mediumin zviceran Infosperber se që nga 1 shkurti 2026 ka mbetur pa asnjë pagesë pensioni.
Sipas raportimit, banka Postfinance ia kishte mbyllur llogarinë që në vitin 2023, me arsyetimin se profili i tij “nuk përputhej me politikën e kompanisë”. Më pas ai kishte udhëtuar në Zvicër për të hapur një llogari tjetër bankare, por transfertat drejt Bjellorusisë rezultuan të pamundura.
Për të pasur qasje në kursimet e tij, pensionisti detyrohet të udhëtojë drejt Zvicrës, përmes autobusit via Vilnius në Lituani ose me avion përmes Stambollit në Turqi.
Edhe bashkëshortja e tij bjelloruse, e cila përfiton pension zviceran, kishte marrë pagesat deri në fillim të vitit 2026, por më pas edhe asaj iu ndërprenë transfertat. Sipas raportimit, ajo nuk mund të hapë llogari bankare në Zvicër.
Postfinance ka deklaruar për Swissinfo se pagesat drejt Rusisë dhe Bjellorusisë nuk janë të ndaluara në parim, për sa kohë nuk përfshihen persona ose institucione të sanksionuara. Megjithatë, banka thekson se varet nga bankat korrespondente ndërkombëtare, të cilat aktualisht ose nuk lejojnë më transfertat drejt këtyre vendeve, ose aplikojnë tarifa shumë të larta.
“Për momentin kemi shteruar të gjitha mundësitë për të realizuar këto pagesa”, thuhet në deklaratën e Postfinance, duke shtuar se transfertat do të rifillojnë sapo të jetë e mundur në mënyrë ligjore dhe ekonomikisht të arsyeshme.
Nga ana tjetër, Zyra Qendrore e Kompensimit thotë se po bashkëpunon me bankat dhe personat e prekur për të gjetur zgjidhje alternative. Një nga rekomandimet mbetet hapja e një llogarie bankare në Zvicër ose në një shtet që nuk i nënshtrohet sanksioneve.
E-Diaspora
-
Kusari-Lila: “SHE LEADS 2026”, një platformë që fuqizon gruan në ekonomi Pa fuqizimin e plotë të grave në tregun e punës dhe në ndërmarrësi , nuk mund... -
Në kujtim të Basil Schader-it (19.10.1951 – 10.05.2026) -
Nga Shkodra në garën për Miss Belgium 2027, Griselda Stragu synon të shkëlqejë në skenën ndërkombëtare -
Arbenita Sopaj publikon librin e saj shkencor, kurorëzon një tjetër sukses akademik -
Cakolli: VV-ja mund ta formojë qeverinë nëse siguron 65 për qind të votave të diasporës
Jeta në Austri
-
Austria bie dakord për rregulla të reja për vetëvrasjen e asistuar Austria planifikon rregulla të reja për vdekjen e asistuar, duke balancuar autonominë e pacientit, mbrojtjet ligjore... -
Mbyllet procesi i votimit në Vjenë: Votuan 907 qytetarë -
Përfundon procesi i votimit në qendrat diplomatike të Kosovës në Evropë -
Procesi i votimit në Ambasadën e Kosovës në Austri, i rregullt dhe pa pengesa -
Alarm në Vjenë: Shumë mace bien nga dritaret, paralajmërohen dënime të larta












