Lajme

Zvicra po ndjek me interes zgjedhjet e diasporës së Maqedonisë

Tatjana von Steiger: Është e sigurt se Zvicra do të jetë prezent këtu, në një ose formë tjetër

Tatjana von Steiger Weber, kreu i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim në Maqedoni, në një intervistë për Albinfo.ch thotë se Zvicra po ndjek me interes zgjedhjet në Maqedoni, kjo për shkak të procesit por edhe faktit se një deputet i diasporës mund të vijë nga Zvicra.

Znj. von Stegier Weber gjithashtu shpalos edhe lidhjet që ka Zvicra me Maqedoninë por edhe aktivitetin e Agjencisë që ajo drejton.

albinfo.ch: Maqedonia është në një moment parazgjedhor, për herë të parë do të votojë diaspora dhe mendohet se deputeti nga Evropa do të jetë nga Zvicra, si e shikoni këtë gjë?

Tatjana von Steiger: Pa dyshim që ka një rëndësi simbolike, sepse nëse deputeti do të vijë nga Zvicra do të tregojë se ka një numër të madh të diasporës atje, nga të cilët 90 përqind janë shqipfolës. Kjo gjë do të jetë edhe një indikator për lidhjen e fortë mes Maqedonisë dhe Zvicrës.

albinfo.ch: A mendoni se një gjë e tillë mund të ndikojë në përcjelljen e përvojave zvicerane në Maqedoni, si diçka që synon edhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim?

Tatjana von Steiger: Ne mbështesim fuqishëm ndarjen e dijes, mund ta quajmë edhe si një proces që njihet si “brain gain”. Eksperienca të njerëzve që kanë jetuar në Zvicër, që njohin vlerat, kulturën dhe vinë dhe i ndajnë këto dije. Dhe po nëse përfaqësuesi i diasporës mund të përforcojë edhe më shumë këto lidhje, e shikoj si diçka pozitive, si shtesë e asaj që ekziston. E shikoj si diçka shumë pozitive.

albinfo.ch: A e bën Zvicrën më të interesuar ky element i votimit të diasporës për këtë proces zgjedhor në Maqedoni?

Tatjana von Steiger: Për ne ky është një element shtesë interesi për zgjedhjet. Por zgjedhjet ne do ti vëzhgojmë edhe për aspektet të tjera.

albinfo.ch: Si mund ta përshkruani rëndësinë e agjencisë tuaj për Maqedoninë?

Tatjana von Steiger: Rëndësinë e agjencisë e shikoj në disa nivele. Doja të filloja me marrëdhëniet e fuqishme që kemi me qytetarët e Maqedonisë dhe me Maqedoninë si vend. Kjo edhe për shkak të numrit të madh të diasporës që jetojnë në Zvicër dhe që vinë nga Maqedonia. Aspekte tjera të rëndësishme të marrëdhënieve tonë janë ngjashmëritë, Zvicra ashtu si dhe Maqedonia është vend i vogël, të dyja janë vende malore dhe aspekte të tjera. Gjithashtu ndajmë sfida të përbashkëta si mbrojtja e natyrës dhe gara me globalizimin.

Zvicra ka histori të ndryshme, megjithatë janë vende të një kontinenti dhe prandaj Zvicra është e interesuar për stabilitetin jo vetëm të Maqedonisë por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor. Ne shohim potencial veç lidhjeve kulturore, edhe ato ekonomike. Jemi të interesuar për bashkëpunim të mirë, prandaj Zvicra pas pavarësisë së Maqedonisë në vitet ’90, filloj bashkëpunimin  cili vazhdon edhe më sot.

albinfo.ch: Fokusi i Agjencisë tuaj është demokratizimi dhe mjedisi, pse këto fusha?

Tatjana von Steiger: Sa i përket demokratizmit dhe zbatimit të ligjit ne punojmë me tre nën çështje, njëra nga të cilat është decentralizimi. Kjo fushë është me rëndësi për ne, mund të themi se zhvillimi i këtij aspekti është diametralisht i kundërt në dy vendet. Në Zvicër si një vend tejet i decentralizuar zhvilloi një strukturë të centralizuar, kurse në Maqedoni procesi ishte i kundërt. Megjithatë Zvicra beson se mund të ndajë disa nga eksperiencat e saj dhe mund të mbështesë Maqedoninë në zhvillimin e disa qasjeve dhe rrugëve, të cilat Maqedonia ka vendosur ti ndërmarrë. Njëra nga këto është mbështetja e Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNjVL). Kjo bashkësi e komunave është verifikuar se ka qenë e rëndësishme në procesin e decentralizimit pas miratimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Gjithashtu mbështesim programe që mbështesin pjesëmarrjen e qytetarëve, diçka që sipas ligjit duhet ta bëjnë komunat, por për të cilën gjë ka mungesë instrumentesh, dijesh dhe kapacitetesh. Ne po zhvillojmë instrumentin e Community Foreign Program, i cili po zbatohet nga më së paku 37 komuna, që ka për qëllim pjesëmarrjen e qytetarëve, që sjell transparencë më të madhe.

albinfo.ch: Puna e Agjencisë tuaj ka fokus edhe te mjedisi, sa mendoni se keni bërë ndryshim në Maqedoni nëpërmjet punës tuaj për këtë aspekt?

Tatjana von Steiger: Ne besojmë se mbështetja që kemi dhënë në këtë fushë ka pasur ndikimin e vet. Kjo në mënyrë specifike te programi i edukimit për mjedisin. Ky program filloi si një veprim vullnetar në disa shkolla në gjithë vendin, me mësues dhe nxënës entuziastë, që sot Ministria e Arsimit të jetë partneri kryesor si dhe OJQ OXO që mbështet implementimin. Ky program edukativ për mjedisin tani do institucionalizohet dhe do të përfshihet që nga shkollimi parashkollor e deri tek shkollat e mesme. Edukimi për mbrojtjen e mjedisit do të përfshihet në kurikulat edukative por do të përfshijë edhe trajnime për mësuesit, nxënësit prindër. Mbështetja për këtë nismë do të zgjasë deri në vitin 2013.

albinfo.ch: Siç edhe shpjeguat Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe bashkëpunim është në Maqedoni prej disa vjetësh, por çfarë do të veçonit nga angazhimet në periudhën në vijim?

Tatjana von Steiger: Ne kemi një numër programesh që janë duke u zbatuar ose të cilat përgatisin faza të tjera.

Njëra prej tyre është mbështetja e shoqërisë civile. Këtë e bëjmë me një program që parashikon dhënien e granteve. Programi përpiqet kryesisht  që të përforcojë kapacitet institucionale të organizatave civile. Besojmë se ky sektor ka një rol të rëndësishëm por këtë duhet ta bëjë në një mënyrë sa më të pavarur.

Një program tjetër i rëndësishëm po zhvillohet me parlamentin. Zvicra është duke mbështetur Kuvendin e Maqedonisë në ndërtimin e Institutit Parlamentar, një qendër kërkimi dhe analize.

Më duhet të përmend gjithashtu edhe një fushë tjetër, mbështetja e Maqedonisë për trajtimin e ujërave të ndotur. Zvicra është donatori më i madh në këtë fushë. Dy programe kanë filluar në këtë fushë, njëra është impianti i ri për trajtimin e ujërave të ndotur në Gjevgjeli. Program ky që ka edhe një rëndësi politike sepse përfshin edhe Greqinë dhe nuk ka nevojë të tregojë se pse është ai i rëndësishëm. Dhe programi tjetër ka të bëjë me zbatimin e një ligji të miratuar para pak kohësh rreth menaxhimit të ujërave. Programi zbatohet në rajonin e Bregallnicës dhe përfshin projekte të vogla infrastrukturore por përfshinë edhe qytetarët në procesin e vendim marrjes.

Një program tjetër që ndërmerret ka të bëjë me mbrojtjen e natyrës. Do të donim të ndërmarrim një program ombrellë për mbrojtjen e natyrës, me të cilin duam të tregojmë se mbrojtja e natyrës nuk është diçka për të cilinë njerëzit flasin, por ndërmarrin veprime dhe kanë interes edhe për arsye ekonomike.

Në Programin e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, strategjia parashikon veprime deri në vitin 2012, por a do të thotë kjo se pas këtij viti nuk do të ketë më ndihmë për Maqedoninë?

Në Maqedoni nuk është prezent vetëm Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim por dhe Sekretariati Shtetëror për çështje Ekonomike që financon kryesisht programin për ujërat. Kam dy përgjigje për pyetjen e bërë.

Njëra është se disa nga programet që ne implementojmë do të vazhdojnë përtej vitit 2012.

Përgjigjja tjetër është se Zvicra është duke punuar për një kornizë të re të bashkëpunimit të saj, jo vetëm me Ballkanin Perëndimor por edhe më gjerë, prandaj dhe nuk mund të themi në formë të prerë nëse do të vazhdojmë të jemi prezent këtu deri sa nuk ka një vendim nga parlamenti.

Megjithatë është e sigurt se Zvicra do të jetë prezent këtu, në një ose formë tjetër.