Lajme

Testisi i majtë i luanit të bronztë

Më në fund u bëra gati për të shkuar në Shkup. Nuk e di më se a shkoj apo kthehem! Dilemë karakteristike kjo e një mërgimtari. Zakonisht 1/3 e valixhes më mbushet me aparatin për fotografim dhe pajisje të tjera përcjellëse si rezultat i dëshirës time të pashuar që ta fotografoj këtë qytet.

Në çdo të shkuar shkrepja me qindra fotografi që kur të kthehesha në shtëpi për t`i parë në kompjuter, të vija në përfundim se këto fotografi u përngjanin plotësisht fotografive që kisha bërë herën e fundit, ndërsa ato të herës së fundit u përngjanin fotografive të herës së parafundit. Dhe, kështu për vite me radhë. Sikur asgjë të mos ndryshonte në këtë qytet. Dhe, në fakt nuk ndryshonte. Ose, së paku nuk kishte ndonjë ndryshim i cili vlente të fotografohet.

Kjo ishte arsyeja kryesore që këtë herë të mos e marr aparatin tim me vete. Kështu valixhja ime ishte  gjysmë e mbushur me shpresë se në të kthyer do ta mbushi me ndonjë kile djathë dhensh të cilin doganierët zviceran, po të ma kishin gjetur, gjithsesi që do të ma kishin konfiskuar. Dhe, si është tipike, aparati asnjëherë nuk është aty kur të duhet.

Kjo ma kujtoj një mikun tim fotograf Burim Myftiun, të cilin kur e kanë pyetur se cili është moment më i mirë për të fotografuar ka thënë: “Momenti kur nuk e ke aparatin me vete”. Unë gjendesha para një momenti të këtillë kur kisha nevojë për aparatin tim për të fotografuar “ndryshimin” në qytetin tim.

 Statuja e Shën Klimentit dhe Shën Naumit pranë Urës së Gurit me pamje drejtuar kah Çarshia e Vjetër

Ishte natë kur me taksi kthehesha për në shtëpi dhe më ra në sy statuja e një luani të madh. Kisha lexuar dhe parë mjaft lidhur me hallakamën për “ridekorimin” e Shkupit, por nuk kisha parë ende asgjë.

Të nesërmen megjithatë huazova një aparat për ta regjistruar këtë fenomen të përdhosjes së qytetit tim duke vendosur statuja vend e pa vend dhe të tendencës që asnjëra prej atyre të mos ndërlidhet me shqiptarët.

Megjithatë, diçka kishte të bën me shqiptarët. Statujat e Shën Kirilit dhe Metodit, së bashku me ato të Shën Klimentit edhe Naumit, ishin drejtuar kah hapësirat shqiptare të Shkupit, kah Bit Pazari. Nuk duhet të jesh ekspert i komunikimit që të kuptosh mesazhin e këtillë. Ngushëllim të vetëm e kisha që së paku statuja e Skënderbeut të hipur në kalë, e cila ishte 128 metra më larg, do t’ju rrinte ballë.

Demoralizimi im më i madh ishte kur, mes tjerash, pash fondamentin mbi të cilin do të vendosej statuja e Lekës së Madh. Ishte më e lartë se Skënderbeu ynë, bile edhe më e lartë se kurora në kokën e tij. Në atë fondament pritej të vendoset statuja e Lekës së Madh, të hipur në kalë, me shpatë në dorë dhe me fytyrë jo mikpritëse të drejtuar, mund të paramendoni, sërish kah shqiptarët.

Statuja e Skënderbeut në Çarshinë e Vjetër

Dhe, në gjithë këtë parodi të “tipave në kuaj”, siç ironikisht shprehen të rinjtë në Prishtinë, përshtypje më la komenti i një kryetari të një komune të vogël shqiptare i cili tha se po qe se qeveria do të kishte ndarë buxhet sa vlera e bishtit të luanit të bronztë, ai do të mundej të bëjë shumë për qytetarët e komunës së vet.

Në anën tjetër, një kryetar tjetër i një komune edhe më të vogël, po ashtu shqiptare, ishte edhe më modest, por edhe më cinik. Ai tha se po qe se qeveria do t’i kishte ndarë buxhet sa testisi i majtë i luanit të bronzte, ai po ashtu do të mund të bënte shumë për qytetarët e komunës së vet.