Lajme

Rama shpall fitoren, Berisha i thotë të presë konfirmimin

Berisha: Basha është përpara në garën për Tiranën por do të pritet të dalë rezultati i KQZ të cilin "nuk do ta vëmë në diskutim"

Kryetari aktual i bashkisë së Tiranës shpalli fitoren e tij në mandatin e katërt duke thënë se ka fituar me dhjetë vota diferencë përballë rivalit demokrat Lulzim Basha.

Në një dalje për media, i rrethuar nga ovacione të të pranishmëve, z.Rama tha se kishte fituar në kushte të pabarabarta dhe akuzoi mazhorancën se kishte bërë manipulime në zgjedhjet e 8 majit dhe procesin zgjedhor në tërësi.

Kryesocialisti Edi Rama ka shprehur një sërë falënderimesh duke nisur nga familja e tij, shqiptarët që e votuan si dhe diplomatët e huaj të atashuar në Shqipëri, transmeton noa.com.

“Në çdo vend të botës, një proces i ndarë në vota që shkojnë me shifra të tilla që nuk i kalojnë gishtat e njërës dorë apo e të dy duarve, ka një legjitimitet të atillë për t’u rishqyrtuar nga qeliza në qelizë”.

Këtë paralajmërim e bëri sot kryeministri Sali Berisha duke pohuar kështu heshturazi se nuk kishte shpresa që Basha të ketë fituar bashkinë e Tiranës por njëkohësisht duke paralajmëruar se nëse Rama shpallet fitues nuk do ta ketë të lehtë që ta gëzojë mandatin e katërt.

Në një dalje të jashtëzakonshme për shtyp në orën 16.20 të së shtunës, Berisha tha se ky proces ka përfunduar me një ngushticë të paimagjinueshme, duke shtuar: “Sipas database të PD ka përfunduar me fitoren e Bashës dhe sipas database të PS me fitoren e Ramës”.

Berisha siguroi se vendi ynë ka një sistem që i bën këto shqyrtime duke theksuar se “ne nuk mund të hedhim as fijen më të vogël të dyshimit”.

Ndaj, – tha Berisha, – i bëj thirrje të gjitha palëve që të presin, me interes sigurisht, finalizimin e procesit.

Duke iu rikthyer rezultatit, Berisha tha se KQZ në përputhje me ligjin është i detyruar të shpallë vetëm atë rezultat që gjendet në procesverbalet e qendrave të votimit, me të dhënat e tabelave të atyre zonave.

Duke përfunduar fjalën nga selia e PD, kryedemokrati bëri thirrje “për kontroll të emocioneve në të gjitha krahët”.

Berisha tha që “të presim shqyrtimin dhe fjalën finale të KQZ”. Kurse shtoi: “Ftoj edhe kandidatët që të pranojnë këtë qëndrim, si qëndrimin më me interes të secilit prej tyre”.

Berisha theksoi dhe një herë se sipas tij dhe PD Basha është përpara në garën për Tiranën por shtoi se do të pritet që të dalë rezultati i KQZ të cilin premtoi se “ne nuk do ta vëmë në diskutim”.