Lajme

Notat e muzikës klasike kosovaro-zvicerane

Shkollat muzikore zvicerane japin koncerte në Fusharrëz, Prizren, Ferizaj, Zllakuqan, Gjakovë, Istog, Mitrovicë, Gjilan dhe Prishtinë

Në grup nxënësish të shkollave të muzikës në Dornah dhe Birsfelden të kantonit të Bazelit, të organizuar në një orkestër të muzikës klasike, zhvilluan një turne dyjavor në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo vizitë është vazhdim i një projekti të filluar qysh para katër vjetësh me qëllim bashkëpunimin ndërkulturor në fushën e muzikës, të këtyre dy shkollave nga Zvicra me shkolla muzikore të qyteteve të ndryshme në Shqipëri dhe Kosovë. Udhëheqës të orkestrit ishin profesorët e muzikës Lukas Grajner (Greiner) dhe Adolf Cinstag (Zinsstag), ndërsa menaxher i turneut, Kasum Azemi.

Koncerti i parë u mbajt në qytetin e Pukës për të vazhduar në Fusharrëz, Prizren, Ferizaj, Zllakuqan, Gjakovë, Istog, Mitrovicë, Gjilan dhe në katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë. Vlen për t’u theksuar se këtij projekti i janë bashkuar edhe nga 5 nxënës të shkollave muzikore të Prizrenit, Gjilanit, Mitrovicës, Ferizajt dhe Prishtinës.

Në kuadër të turneut muzikor, më 27 prill 2011 u shfaq një koncert në teatrin e qytetit në Gjilan. Në përbërje të orkestrës kishte zviceranë dhe shqiptarë. Mbrëmjen e shpalli të hapur dirigjenti kosovar Kreshnik Gashi i cili edhe dirigjoi me orkestrin, të cilin e kishte shoqëruar edhe në vende tjera në Kosovë e Shqipëri.

Një përshëndetje për orkestrin, organizatorët e turneut dhe për mysafirët e pranishëm e bëri edhe drejtori i shkollës së mesme të muzikës z. Adhurim Rasimi. Ai në veçanti falënderoi udhëheqësin e orkestrit, profesorin Lukas Grajner si dhe menaxherin e turneut z. Kasum Azemin. “Ne, paraprakisht i kemi marrë partiturat për këngët respektive dhe i kemi ushtruar ato me nxënësit tanë, të cilët i kemi paraparë që të jenë pjesë e orkestrit gjatë këtij turneu”, tha z. Adhurim Rasimi.

Në këtë mbrëmje orkestrit iu bashkua edhe kori i shkollës së muzikës nga Gjilani, i cili, nën dirigjimin e profesorit Izet Kallaba, ekzekutoi pjesë nga vepra “Requiem” e Moxartit. “Organizimet e këtilla janë të mirëseardhura për shkëmbimin e përvojave, në fushën e muzikës, ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, mirëpo mungon përkrahja e mjaftueshme financiare institucionale”, tha z. Rasimi.

©albinfo.ch

Mikpritja e shqiptarëve

Në bisedën që zhvilluam pas koncertit me njërin nga udhëheqësit e orkestrit, Adolf Cinstag, ai shpreh përshtypjet e tij shumë pozitive nga turneu. “Jam shumë i impresionuar me mikpritjen e shqiptarëve të Kosovës dhe gjithashtu edhe me muzikalitetin e lartë të muzicientëve kosovarë.

Muzicientët që luajnë me ne janë shumë seriozë, ata e japin maksimumin nga vetja si dhe tregojnë shumë respekt për ne, mësuesit. Ata na parashtrojnë shumë pyetje dhe shfaqin interesim të madh për punën tonë. Shumica prej tyre dëshirojnë të bëhen muzicientë profesionistë, prandaj edhe shfaqin kureshtje dhe dëshirojnë të mësojnë sa më shumë.

Fitohet përshtypja se muzika për ata është gjithçka në jetë”. Rreth bashkëpunimit ndërmjet nxënësve shqiptarë dhe zviceranë z. Cinstag ngre një çështje tjetër, problemin me lëvizjen e lirë, gjegjësisht me vizat. “Momentalisht kemi probleme me sigurimin e vizave, sepse Zvicra kërkon garancion për njerëzit që vijnë nga ky vend. Kam dëgjuar se duhet që për çdo person të ftuar në Zvicër të garantohet një shumë parash prej 20 mijë frangash dhe kjo është një problem, këtë mund ta përballojë vetëm ndonjë institucion, kurse ne nuk kemi mundësi. Edhe ne për këtë turne nuk kemi pothuaj asnjë mbështetje financiare nga komunat tona. Unë, për shembull, kam qenë i detyruar të marr pushim pa pagesë”, shpreh shqetësimin e tij për një bashkëpunim më të thellë z. Cinstag.

Rreth qëllimit të turneut, Cinstag thotë: “thjesht, përforcimi i këtyre kontakteve. Tashmë është turneu i katërt në Kosovë dhe ne ishim shumë të impresionuar. Mbresëlënës ishin gjithmonë koret, zërat të cilët i interpretojnë fëmijët, por edhe të rriturit. Kjo pra na impresionon dhe kjo është diçka që nuk harrohet”, shprehet paksa me emocione z. Cinstag.

©albinfo.ch: Dirigjient Kushtrim Gashi

Instrumentet zvicerane në shkollat kosovare

Mungesa e instrumenteve në Kosovë është një problem i theksuar. Zviceranët që kanë ndërmarrë turneun, janë angazhuar edhe për sigurimin e instrumenteve për nxënësit kosovarë të shkollave të muzikës. 

“E gjithë kjo ka filluar para katër vjetësh, kur zonja Fankhauser më pyeti nëse unë kam instrumente. I thashë se inistrumentet që i kam më nevojiten për nxënësit e mi, por thirrne z. Grajner. Më pas ajo filloi bashkëpunimin me z. Grajner dhe shkuan me 100 instrumente në Gjakovë. Ata e kishin fituar projektin për një shkollë të muzikës. Vetë z. Grajner kishte sjellë disa instrumente si: violina, violonçela, piano etj. Gjithashtu disa instrumente ua kanë falur edhe  shkollave muzikore në Gjilan, Prizren, Ferizaj e Mitrovicë. Tani edhe unë kam njoftuar disa për të cilët do të përkujdesem që të marrin instrumente më të mira”, tha z.Cinstag.

Edhe fëmijët zviceranë, pjesëmarrës të turneut janë të ngazëllyer shumë me pritjen. Një numër syresh janë, tashmë, për të katërtën herë bashkë dhe ata kanë krijuar miqësi të mira dhe, ajo që është më e mira: pothuaj të gjithë fëmijët shqiptarë flasin një gjuhë të huaj, kështu që qoftë përmes gjermanishtes ose anglishtes, ata ndërtojnë miqësitë e tyre.