Lajme
Ministria dhe komunat, koordinohen për pritjen e mërgimtarëve
Ministri i Diasporës, Valon Murati u takua me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, me atë të Vushtrrisë, Bajram Mulaku, si dhe me kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashi
Ministri i Diasporës, Valon Murati po i koordinon përpjekjet me kryetarët e komunave të Kosovës, për t’i pritur dhe akomoduar sa më mirë bashkatdhetarët gjatë qëndrimit të tyre në vendlindje. Murati dhe bashkiakët po i bashkërendojnë përpjekjet, që institucionet lokale të angazhohet me orar shtesë për diasporën.
Në këtë vazhdë, ministri i Diasporës, sot u takua me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, me atë të Vushtrrisë, Bajram Mulaku, si dhe me kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashi.
Në të tria takimet u bisedua për përgatitjet e komunave për t’i pritur bashkatdhetarët, thuhet. Po ashtu, siç thuhet në njoftimin për media, në takime u diskutua edhe për zhvillimin ekonomik, për politikat e komunave, si dhe për çështjen e investimeve nga diaspora.
Ministri Murati me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, bisedoi edhe për problemet, me të cilat ballafaqohen investitorët nga diaspora, për sigurimin e investimeve, për fuqinë punëtore, për problemet me energjinë elektrike e për çështje të tjera. “Ne, si MeD, po bëjmë përpjekje që të jemi kanali zyrtar mes investitorëve nga diaspora dhe institucioneve tona. Në këtë drejtim, komunat luajnë një rol mjaft të rëndësishëm që përmes projekteve konkrete të bëhen investime nga diaspora”, tha Murati.
Në takim me kryetarin Bahtiri, ministri i Diasporës u informua për aktivitetet kulturore që do t’i organizojë kjo komunë, për zgjatjen e orarit nëpër shërbimet komunale, në mënyrë që bashkatdhetarëve t’u krijohen lehtësi për nxjerrjen e dokumenteve që u nevojiten.
Edhe kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku, tha se kjo komunë i ka bërë përgatitjet e duhura për pritjen e bashkatdhetarëve. Përparësi e kësaj komune është se këto ditë nis edhe aktivizimi i aparateve për nxjerrjen e dokumenteve, proces ky që do t’ua lehtësojë dukshëm punën bashkatdhetarëve.
Por, krahas pritjes së bashkatdhetarëve, ministri Murati dhe kryetarët e komunave biseduan edhe për krijimin e kushteve të favorshme që investitorët nga diaspora të investojnë në komuna, si dhe për mundësinë e mbajtjes së takimeve të përbashkëta të bizneseve vendëse dhe atyre të diasporës, në mënyrë që të ndërtohen marrëdhënie bashkëpunimi për investime të përbashkëta.
Edhe në komunën e Obiliqit, orari në administratën komunale do të zgjatet varësisht prej kërkesave të bashkatdhetarëve.
Ministri Murati kërkoi që aktivitetet e organizuara në këto komuna të shfrytëzohen edhe për regjistrimin e diasporës, në kuadër të fushatës “Ti je pjesë e atdheut”, proces ky shumë i rëndësishëm, si dhe sugjeroi që komunat të jenë të mobilizuara gjatë kohës së qëndrimit të bashkatdhetarëve tanë në Kosovë.
Takimet e ministrit Murati do të vazhdojnë edhe nesër, në komunën e Skenderajt dhe atë të Drenasit.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Yll Gashi vazhdon aventurën me Bayern Munichun, rinovon kontratën deri në vitin 2028 Talenti me prejardhje nga Kosova fiton besimin e klubit bavarez dhe pritet të jetë pjesë e... -
Amerikë
Desarta Rapushaj përfundon me sukses programin prestigjioz Fulbright në “Michigan State University” -
Zvicër
Fillojeta Makshana shpallet më e mira në gjuhën gjermane në komunën e Payernit të Zvicrës -
Paradoksi i kohës sonë: Arritjet e grave rriten, por edhe dhuna në familje -
AlphaTECH sjell zgjidhje të integruara të kallëpimit për projektet e ndërtimit
Jeta në Austri
-
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë Lorik Kelmendi zuri vendin e parë në garën “AI Mini CTF”, Senad Mehmeti u rendit i... -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve












