Lajme

Kamenica me vizion zhvillimor dhe urban modern

LOGOS-i zviceran ndihmon Kamenicën për të ndërtuar një plan të qëndrueshëm hapësinor për banim, industri, turizëm, mjedis, ekonomi, etj.

Në kuadrin e aktiviteteve të projektit zviceran LOGOS, ditë më parë në Kamenicë u mbajt një takim pune me drejtorë të drejtorive komunale si dhe me zyrtarë të tjerë komunalë të Kamenicës dhe Ranillugut, ku u trajtua vizioni për të ardhmen e Kamenicës dhe të Ranillugut si komunë e sapoformuar.

Kryesuesi i takimit, Ilir Kastrati, drejtor i Urbanizmit në Kamenicë, njoftoi të pranishmit lidhur me vizionin, parimet dhe caqet e planit zhvillimor komunal dhe urban si pjesë e fazës së dytë të projektit LOGOS. Në këto punime mori pjesë edhe një grup zyrtarësh komunalë nga Ranillugu, udhëhequr nga Milutin Popoviq, drejtor i Urbanizmit dhe koordinator i Planit Zhvillimor Komunal dhe Urban të Ranillugut.

Në emër të koordinatorit të Projektit LOGOS, Norbert Pijls, përshëndeti konsulenti i LOGOS-it, Ismajl Baftjari. Ndërsa Ramush Ismajli, në emër të grupit, bëri prezantimin e hapit të parë të fazës së dytë. Ai tha se në këtë kapitull përshkruhet e ardhmja e grupeve punuese, institucioneve, sektorëve dhe i të gjithë qytetarëve të Kamenicës.

“Hartimi i Planit zhvillimor komunal është një dokument që përcakton rregullimin dhe shfrytëzimin e territorit të komunës për dhjetëvjetëshin e ardhshëm, prandaj për realizimin e këtij dokumenti janë mobilizuar shumë resurse njerëzore e intelektuale brenda dhe jashtë Komunës së Kamenicës”, tha veç tjerash z. Ismajli.

Në draftprojektin që prezantoi ai bëhej fjalë për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të baraspeshuar të komunës së Kamenicës, duke synuar ndërprerjen e trendeve të zhvillimit të paqëndrueshëm të dekadave të kaluara dhe periudhës së pasluftës. Me këtë plan synohet një Kamenicë e qëndrueshme me zona urbane banimi, zona industriale, zona rekreative turistike me kahe pozitive për mjedisin, ekonominë dhe popullatën.

Më tutje z. Ismajli theksoi se caqet zhvillimore të komunës lidhen me shfrytëzimin e arsyeshëm dhe racional të hapësirës. Por, për të arritur vizionin dhe qëllimet e planit në nivelin komunal dalin edhe detyra konkrete që lidhen me përcaktimin e vendit dhe të rolit të Komunës së Kamenicës në kuadër të shtetit të Kosovës.

Në këtë takim u paraqit edhe konsulenti i LOGOS-it, z. Dritan Shutina. Ai prezantoi të dhëna nga qytete dhe vendbanime të ndryshme të Republikës së Shqipërisë që kishin rezultuar si të suksesshme, e që do të shërbenin si model edhe për Republikën e Kosovës, përkatësisht për Kamenicën.

Të ndarë në 4 grupe pune, pjesëmarrësit diskutuan materialin dhe deklaratën e vizionit nëpër fusha të ndryshme tematike.

Udhëheqësit e grupeve referuan për të ardhmen e dy komunave. Ata u përqendruan në fushën e demografisë dhe atë sociale, në zhvillimin ekonomik, në shfrytëzimin e tokës dhe të mjedisit dhe në ndërtimin e infrastrukturës.

Këta zyrtarë synojnë për brezin e ri një avancim në zhvillimin e ekonomisë, të arsimit, bujqësisë, qendrave spitalore rekreative, qendrave turistike, modernizimin e rrugëve, krijimin e liqeneve artificiale, shkolla me salla sportive e me pishina etj.

Milutin Popoviq, drejtor për Urbanizëm, Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Ranillugut

Takimi i sotëm bazohet në bashkëpunimin ndërkomunal ndërmjet Komunës amë të Kamenicës, prej së cilës ka dalë Komuna e re e Ranillugut. Është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi ndërmjet dy kryetarëve.

Grupi punues i cili punon sot aktualisht është duke punuar Planin urban të zhvillimit si për Kamenicën, ashtu edhe për Ranillugun. Pjesëmarrja jonë këtu në bashkëpunim me Komunën amë është që të marrim një ndihmesë më të madhe në fushën e kuadrove.

Gjeografikisht jemi shumë të lidhur njëra komunë me tjetrën, kështu që edhe ligji na lejon që në planin e përbashkët të punojmë bashkërisht sa u përket investimeve përkatëse si në infrastrukturë, ashtu edhe në bujqësi, blegtori, pemëtari, etj.

Ilir Kastrati, drejtor i Urbanizmit dhe i Planifikimit Hapësinor të Kamenicës

Sa i përket ndihmës së LOGOS-it zviceran, ne si komunë jemi me fat që jemi përzgjedhur të na ndihmojnë në bërjen e Planit zhvillimor dhe urban të komunës sonë, sepse edhe ashtu jemi ndër komunat e fundit në nivel të Kosovës.

Konsulentët e tyre vazhdimisht na trasojnë rrugën për bërjen e Planit zhvillimor komunal. Falë LOGOS-it, një përvojë të madhe e kemi marrë edhe gjatë një vizite që e kemi bërë në disa komuna të Kroacisë.

Sesioni i sotëm është hapi i parë i fazës së dytë, pra vizioni për komunën që e kemi bërë edhe më herët me punëtorët, me rrethin e ngushtë dhe ekipin e gjerë të komunës. Pritet që së shpejti të kemi edhe nja dy punëtori që do të realizohen jashtë komunës së Kamenicës.