Lajme

Manifestim i FSK-së për nderë të “Epopesë së UÇK-së”

Është mbajtur sot nga FSK manifestimi në nderim  të “Epopesë së UÇK-së”, për të përkujtuar sakrificën e Komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij, dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e vendit.

Manifestimi është organizuar nën patronatin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ku të pranishëm ishin të gjithë krerët shtetërorë.

Manifestimi filloi me ardhjen dhe rreshtimin e kuadrateve të FSK-së, para të cilëve parakaloj presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, shkruan kosovapress.

Presidentja në largim, Atifete Jahjaga ka deklaruar se sot është dita që simbolizon bashkimin për ta ndërtuar shtetin, pa e sfiduar demokracinë e brishtë të Kosovës.

Ajo tha se duhet hequr dorë nga inatet dhe egot personale, për të punuar për realizimin e aspiratave të shtetit.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se Kosova duhet të ndërtojë identitetin e saj, që ka dal nga e kaluara e lavdishme e saj, ku gjenerata të tëra janë sakrifikuar për lirinë dhe sigurinë e këtij vendi.

Përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari në manifestimin për nderë të Epopesë së UÇK-së, ka porositur që të qohet deri në fund amaneti i të gjithë atyre që ranë për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Manifestimi për nder të Epopesë së UÇK-së, përfundoi me një program artistik të përgatitur nga Forcat e Sigurisë së Kosovës.