Lajme

Zvicra kërkon lehtësimin e eksportit të armëve

Këshilli Federal i Zvicrës po kërkon ndryshimin e ligjit për materialet luftarake, me synim lehtësimin e eksportit dhe rieksportit të pajisjeve ushtarake. Qytetarët zviceranë do të votojnë për këtë çështje më 29 nëntor.

Qeveria zvicerane argumenton se rregullat aktuale janë tepër kufizuese dhe kanë dobësuar konkurrueshmërinë e industrisë vendase të armatimit, veçanërisht pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Reforma do t’i jepte Këshillit Federal më shumë hapësirë për të autorizuar eksportin e armëve drejt vendeve që kanë rregulla të ngjashme me Zvicrën, edhe në rastet kur ato janë të përfshira në konflikte të armatosura. Në listën e vendeve të përfshira janë disa shtete të BE-së, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Australia dhe Japonia.

Sipas qeverisë, bëhet fjalë kryesisht për pajisje dhe komponentë që nuk lidhen drejtpërdrejt me konfliktet. Me rregullat e reja, për shembull, kompanitë zvicerane mund të kenë mundësi të furnizojnë SHBA-në me komponentë për avionët F-35.
Këshilli Federal do të ruante të drejtën e vetos dhe do të mund të ndalonte transferimin e armëve në raste kur do të kishte shqetësime lidhur me sigurinë ose neutralitetin e Zvicrës.

Qeveria thotë se reforma do të ndihmonte industrinë zvicerane të armatimit të mbetet pjesë e zinxhirëve ndërkombëtarë të furnizimit dhe do të kontribuonte në ruajtjen e vendeve të punës dhe kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Ndryshimi i ligjit është kundërshtuar nga një aleancë ku bëjnë pjesë Partia Socialdemokrate, të Gjelbrit, Partia Popullore Ungjillore dhe organizata joqeveritare. Pas referendumit të kërkuar nga kundërshtarët e reformës, çështja do të vendoset përfundimisht nga qytetarët zviceranë më 29 nëntor/albinfo.ch/