Sport

Taulanti: Jemi vëllezër, por kjo në fushë nuk ka rendësi

“Unë kam babë e nënë shqiptarë dhe do të jap maksimumin për Shqipërinë. Tani a është vëllai im apo dikush tjetër në anën kundërshtare, nuk ka fare rëndësi.

(KEYSTONE/Georgios Kefalas)
(KEYSTONE/Georgios Kefalas)

Albinfo.ch: Keni pasur një sezon të jashtëzakonshëm me Baselin dhe me kombëtaren shqiptare. Tani ju pret një sfidë shumë e madhe në lojën e parë kundër Zvicrës që ka po ashtu shumë lojtarë me prejardhje shqiptare. Ka vëllain tënd e mbi gjitha përfaqësuesja zvicerane është një ekip ku edhe ti vetë ke luajtur deri në grupmoshat U21. Si e vlerësoni çfarë prisni nga kjo përballje?

Taulant Xhaka: Po pres shumë, kam shumë emocione sepse do të luaj kundër vëllait tim. Kemi familjen afër që do të na shikojë dhe dhashtë zoti fiton më i miri. Tani, a është vëllai im apo unë, më me rëndësi është që ky turnir do të jetë një kënaqësi për krejt botën dhe jo vetëm për ne.

Albinfo.ch: A është vështirë të luash kundër një vendi që të ka rritur e të ka bërë ky që je sot?

Taulant Xhaka: Po normalisht që është vështirë sepse me përfaqësuesen e Zvicrës kam kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e futbollit dhe sot duhet të luaj kundër shokëve të mi, kundër vëllait tim. Por unë kam babë e nënë shqiptarë dhe do të jap maksimumin për Shqipërinë. Tani a është vëllai im apo dikush tjetër në anën kundërshtare, nuk ka fare rëndësi.

Albinfo.ch: Je rritur në Zvicër, por kur luan me Shqipërinë shihet se himnin kombëtar e këndon me shumë zemër. Çfarë dallimi ka këtu?

Taulant Xhaka: Unë normalisht që e këndoj himnin me zemër se kam dy prindërit shqiptarë, kam rrënjë shqiptare, kam krejt familjen time në Kosovë dhe unë kam pasur gjithmonë dëshirë të luaj për Shqipërinë prandaj kjo është një kënaqësi për mua.

Albinfo.ch: Si është atmosfera në ekipin shqiptar momentalisht?

Taulant Xhaka: Atmosfera është shumë e mirë, ne tani e dimë që jemi në Evropian, në Francë. Dhashtë zoti e kemi pak fat e të tregojmë lojë të mirë, mirëpo mbetet të shohim.

Albinfo.ch: A dëshiron të fitosh kundër Zvicrës?

Taulant Xhaka: Nëse do zoti, po!

Albinfo.ch: Vëllai yt Graniti ka deklaruar se Zvicra do të fitojë dy me zero ndaj Shqipërisë. Cila është përgjigja juaj për të?

Taulant Xhaka: Përgjigjja ime është: nëse nuk fitojmë, ne do të barazojmë.

Albnifo.ch: Dihet që jeni në një grup shumë të vështirë: Zvicra, Franca dhe loja e fundit kundër Rumanisë, prej cilit ekip mendoni të merrni pikë?

Taulant Xhaka: Ne kemi treguar që mund të përballemi me ekipe të mëdha. Kemi mundur Portugalinë në fazën kualifikuese, me Francën kemi fituar lojën testuese, Danimarkës i kemi marrë pikë. Të gjithë i kemi rrahur, edhe Serbinë. Por ne duhet të prezantohemi si ekip aty dhe të luajmë për fitore. Me kualifikim ne jemi futur në histori, tani na mbetet të shkojmë të qetë e të luajmë, pastaj do shohim a do të fitojmë a jo.

Albinfo.ch: Përballja mes vëllezërve është e vështirë, por mund të ketë edhe përparësi. A mund të ndodh që pak para fillimit të lojës të marrësh nga Graniti udhëzime se si do të paraqitet Zvicra kundër jush?

Taulant Xhaka: Është normale që të shkëmbejmë sms-ë apo të telefonoj me të. Por Graniti luan me Zvicrën dhe ai aty duhet ta japë maksimumin, kurse unë për Shqipërinë, tani të shohim, shpresoj të fitojë më i miri.

Albinfo.ch: Ju të dytë njiheni si mesfushorë agresivë në fushë, si do ta menaxhoni përballjen ndaj vëllait, do të luani njësoj apo do të jeni më të kujdesshëm ndaj njëri tjetrit?

Taulant Xhaka:Po edhe kjo mund të ndodh sepse kur je ne fushë nuk pyet shumë a e ke vëlla apo jo, kjo s’ka rëndësi.

Albinfo.ch: Tifozëria shqiptare të vlerëson ty si lojtarin më të mirë të kombëtares. Ç’mendim ke ti?

Taulant Xhaka: Besoj se po, kam luajtur një kualifikim shumë të mirë. Por besoj që kemi lojtarë edhe më të mirë se unë, është Cana njëri ndër më të mirët e kombëtares. Tani kemi lojtarë të tjerë shumë të mirë në skuadër.

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

letemps5
Article paru dans « Le Temps », dans le cadre d’une opération commune avec « Albinfo.ch »