Zhvillim

Radikalizmi nuk e prish tolerancën fetare te shqiptarët

Përfaqësuesit e Bashkësisë Islame dhe Kishës Katolike në Kosovë, thonë se shqiptarët si popull kanë mbijetuar falë tolerancës fetare. Sipas tyre xhihadizmi nuk e thyen këtë vlerë

Pjesëmarrja e një numri të konsiderueshëm të kosovarëve në luftën qytetare në Siri e Irak përkrah ISIS-it, nuk e ka lëkundur harmoninë fetare ndërmjet shqiptarëve në Kosovë. Madje, vlera e pathyeshme me të cilën krenohen shqiptarët, sipas klerikëve kosovarëve, është toleranca fetare që e kanë myslimanët si shumicë dhe katolikët.

Përfaqësuesit e bashkësive fetare në Kosovës, myslimanë dhe katolikë, të intervistuar nga Albinfo.Ch thonë se s’ka asnjë frymë radikaliste që mund t’i përçajë shqiptarët.

Sipas një hulumtimi të cilin e publikoi disa ditë më parë televizioni shtetëror kroat HRT, del se, në proporcion me numrin e banorëve, Kosova ka numrin më të madh në Evropë të shtetasve që luftojnë përkrah xhihadistëve për shtetin islamik (ISIS).

HRT, ndërkaq, kishte realizuar një hulumtim në pjesën lindore të Kosovës, në Kaçanik, ku 22 burra nga kjo qytezë janë të evidentuar si luftëtarë mercenarë ose vullnetarë në luftërat fetare.

Ndërkohë, edhe pse Policia e Kosovës ka arrestuar apo ka hetuar më shumë se 100 burra e gra që kanë qenë, ose kanë rekrutuar, kosovarë për në luftës e ISIS. Por, sipas MPJ-së, Kosova është një vend i sigurt dhe nuk rrezikohet nga ndonjë sulm i radikalëve islamikë.

Analisti amerikan i çështjeve ballkanike, Daniel Server, në një intervistë për programin “New Bugajski Hour” të gazetarit Janus Bugajski, ka thënë se Kosova dhe disa shtete të rajonit të Ballkanit, mund të jenë, “vende në të cilat radikalizmi islamik mund t’ia zë vendin tolerancës ndërfetare”.

Por çfarë thonë në Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) për mirëbesimin fetar?

Ahmet Sadriu është zëdhënës i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK). Ai tha për “Albinfo.Ch” se toleranca ndërfetare është një realitet historik dhe vlerë e përgjithshme e popullit shqiptar, dhe ajo, në asnjë mënyrë, nuk mund të rrezikohet nga kurrfarë radikalizmi.

“Toleranca ndërfetare është thellë e mishëruar dhe kultivuar me gjenerata të tëra nga paraardhësit tanë, e tani e trashëguar edhe nga gjeneratat e tashme. Ky është një thesar me të cilin ne krenohemi dhe angazhohemi ta ruajmë dhe përcjellim edhe tek gjeneratat që vijnë pas nesh”, deklaroi Sadriu.

Toleranca ndërfetare është një kulture, virtyt dhe edukatë të cilën, siç tha ai, e kanë përcjell të parët tanë. “Nëse kosovarët kanë diçka me të cilën mund të krenohen para popujve tjerë, është pikërisht kjo vlerë, toleranca ndërfetare, e cila mund t’u ofrohet si model edhe popujve tjerë”, tha Ahmet Sadriu.

Duke e komentuar çështjen e pjesëmarrjes së kosovarëve në luftërat fetare, Ahmet Sadriu thotë se BIK-u tashmë është distancuar nga ata individë dhe nga veprimet e tyre, ndërsa, sipas tij, ky fakt nuk ka ndikuar aspak në prishjen e mirëbesimit fetar mes shqiptarëve myslimanë dhe katolikë.

“Edhe këto ngjarjet aktuale, ky ballafaqim me dukurinë e radikalizmit të dhunshëm, i cili kurrë nuk ka qenë më parë prezent të ne, është një nga tentativat e vazhdueshme nga armiqtë tanë që të na përçajnë mes vete. Por nuk do t’ia arrijnë këtij qëllimi. Ne si Bashkësi Islame kurrsesi nuk do të lejojmë që diçka e tillë t’i ndodh popullit tonë”, thotë zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu.

Mst./ Toleranca fetare ka shpëtuar shqiptarët

Don Shan Zefi, kancelar ipevnor i Ipeshkvisë së Kosovës, në një prononcim për “Albinfo.Ch”, tha se edhe përkundër trandjeve që reflekton në Kosovë konflikti fetar në Irak dhe Siri, shqiptarët e Kosovës, të krishterët dhe myslimanët, po vazhdojnë t’i ruajnë marrëdhëniet e tyre vëllazërore.

“Ne shqiptarët nuk duhet të mjaftohemi vetëm me tolerancën fetare, këtë vlerë ne duhet ta ngremë në një shkallë më të lartë. Ne duhet të duhemi mes vete sepse jemi vëllezër, kemi një gjak, një gjuhë, një traditë dhe një kanun. Do të ishte një turp i madh që shqiptarët e besimeve të ndryshme të mos jenë tolerantë mes vete”, deklaroi ai.

Falë tolerancës fetare ndër shekuj, sipas Zefit, shqiptarët kanë mbijetuar si popull i veçantë, dhe po kjo vlerë “do të jetë një shtysë për bashkimin e shqiptarëve në shekujt e ardhshëm, dhe kështu ne do të jemi një familje madhe”.

Sipas tij, Kisha Katolike i qëndron afër Bashkësisë Islame në këtë kohë kur ajo po përballet me vështirësitë e radikalizmit islamik.

“Bashkësia Islame e Kosovës sot ndodhet përballë një sfide, do të thosha edhe politike, por unë mendoj se kjo me kohë do të tejkalohet dhe me kohë njerëzit do ta kuptojnë se ne nuk kemi absolutisht asnjë alternativë tjetër përveçse të jemi të bashkuar. Të gjithë, jo vetëm Bashkësia Islame, por edhe ne si Kishë Katolike, duhet t’i themi jo radikalizmi çfarëdo qoftë ai, mysliman apo i krishterë”, tha Shan Zefi.

Sipas të dhënave që jep Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, rreth 100 shtetas kosovarë luftojnë në Siri dhe Irak nëpër njësitet e dy organizatave terroriste “Al Nusra” dhe “Al Kaeda”, ndërsa rreth 40 janë vrarë deri tani në luftime.

Ndërsa në Ballkan, shqiptarët janë të ndarë në tri konfesione, Mysliman, Katolik dhe Ortodoks. Po ashtu në masë të madhe është e përhapur edhe bektashizmi, si sekt i veçantë i myslimanizmit, madje qendra botërore e tyre është në Tiranë.