Kosova

„Kur e bën dashin kopshtar!“

PJESA E PARE

Qeveria e re në Kosovë

Më 3 qeshor 2020 u rrëzua qeveria e minuar qysh para fillimit të punës së koalicionit VV-LDK. U krijua mjegull dhe u rrëzua me një shpejtësi dhe një vendosmëri që asnjëherë nuk kam patur mundësi ta shoh në ndonjë aksion ose vendimmarrje në Kosovë që nga paslufta (përjashtuar shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008). Këtë vendosmëri nuk kam patur mundësi ta shoh as në raport me Serbinë, si gjatë negociatave ashtu edhe me veprime reciproke ndaj sjelljeve të Serbisë karshi Kosovës. U rrëzua qeveria. Tash po vinin „shpëtimtarët“ e Kosovës. Shpejt u kthye në pozitë si për inati  edhe ministri që u shkarkua, sepse te ne, politikë bëhet edhe për inati. Zaten, komunen e Podujevës e kanë sjellur në një nivel që « ia ka lakmi » e gjithë Kosova, për atë e kanë sjellur ish-kryetarin për ta sjellur Kosovën në të njejtin nivel. Për ta luftuar korrupsionin sikur në komunë në kohën e tij. Së paku krijohet përshtypja që në shumicen e rasteve qeveria ka mbetur për t’u „rahatuar“ ata që kanë dështuar dhe janë para përfundimit të karrieres politike.

Pritjet nga kjo qeveri

Edhe bërja e koalicionit aktual tregonte që nuk ishin parimet ose programet partiake në rend të parë që i bënë bashkë direkt e indirekt të gjitha partitë që rrëzuan qeverinë e kaluar. Qëllimi i vetëm ishte rrëzimi i qeverisë dhe ardhja në qeveri për të vazhduar me avazin e vjetër. Më së voni kur u bënë propozimet e emrave për postet e ministrive u pa që, sidomos partitë që u futen në koalicion me LDK-në, nuk mendonin që do të qeverisnin gjatë së bashku. Gjithashtu më dukej se e dinin që veprimet e tyre për rrëzimin e qeverisë dukeshin të liga para popullit. Në fund vendosën që të dërgojnë emra pak a shumë të panjohur dhe që nuk kishin deri më tani shumë peshë në partitë e tyre. Pra, « i djegin » « garden e dytë » ose « garden e tretë »  që mos të « digjen » ata vet, pra, „garda e parë“, pasi që ruhen kur të kenë rastin për ndonjë qeveri më stabile dhe e cila për nga mënyra e ardhjes në pushtet do të ishte më pak e turpshme. Gjithashtu t’i ikin presionit për ta nënshkruar marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, sepse që nga paslufta nuk janë mësuar të rezistojnë shumë për të mirën e popullit.

Pandemia dhe Ministria e Shëndetësisë

Për t’na « shpëtuar » nga keqqeverisja dhe keqmenaxhimi i pandemisë erdhën « shpëtimtaret » dhe vendosën një minister në krye të shëndetësisë, i cili gjithçka mund të ishte, përveç udhëheqës dhe menaxhues i mirë i ministrisë së shëndetësisë. Nuk ishte problem profesioni i tij, por paaftësia për të menaxhuar, sepse fundja ka këshilltarë profesional në Kosovë mjaft.  Gjithastu kanë patur mjaftë informata nga vende të ndryshme perëndimore si për virusin ashtu edhe për rëndësinë e zbatimit strikt të masave. Ministri nuk duhet t’i dijë të gjitha, por duhet të ketë aftësinë të vlerësojë me mendje të shëndoshë sugjerimet dhe informatat, si dhe në fund të ketë guximin për vendimmarrje dhe të vendosë për më të mirën e mundshme, sipas vlerësimeve të ekspertëve që ka ne ekip. Ekspertët japin këshilla, vendimin e merr ministri. Në disa raste ministri edhe në një mënyrë të dhimbsej që shihej haptazi që nuk ndihej rehat në lëkuren e tij, sepse ishte aty ku nuk duhej të ishte asnjëherë. Me një qeveri të tillë nuk është befasi që eskaloi gjendja. E qeveria e kaluar ose menaxhonte më mirë ose kishte fatin që pandemia ishte në fazen e fillimit. Këtë nuk mund ta di më, sepse nuk paten kohë për të na treguar në praktikë, fillimi nuk dukej i keq.

Shpëtimi i marrëdhenieve me miqtë tanë dhe stërzmadhimi i veprimeve të qeverive

Kjo qeveri si detyrë kryesore ia vuri vetes t‘i „shpëtojë“ marrëdhëniet me miqtë tanë ndërkombëtarë e sidomos me Amerikën. Në një kohë kur të gjitha vendet e botës po luftonin me pandeminë dhe për ta mbrojtur jetën e qytetarëve, ata filluan me «diplomacinë» e tyre të «dëshmuar» dhe në krye me ish-minsitrin e punëve të jashtme. Ish-ministrin, sepse presidenti e deshi aty. Udhëheqësit e LDK-së e lejuan këtë, pasi që në njërën anë përsëri nuk kishin guximin „t’ia prishnin“ presidentit, i cili është i zgjedhuri i tyre dhe i cili i futi apo i „kontrabandoj“ ata në qeveri. Siç thuhet, njëra dorë e lanë tjetren. Dhe, një pjesë e udhëheqësve të LDK-së nuk është mësuar t’ia prish presidentit qejfin.

Më në fund u pergatit takimi historik në Shtëpinë e Bardhë. Shpejt u nënshkrua marrëveshja, siç e quan qeveria, „historike“. Nuk pritej diçka tjetër, sepse te ne në Kosovë secila qeveri secilen punë të saj e reklamon si historike. Ajo ndoshta edhe mund të jetë marrëveshje „historike“, por nuk do të thotë patjetër që është e mirë, sepse në histori hynë edhe marrëveshjet e këqija e jo vetëm të mirat.

Kjo marrëveshje më duket më shumë është një marrëveshje „historike“ për zbatim të marrëveshjeve „historike“ të nënshkruara nga qeveritë e kaluara dhe për të vazhduar më pastaj përsëri me një marrëvesje tjetër të nënshkruar në Prishtinë për të zbatuar marrëveshjen „historike“ për zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme „historike“.

Më duket që disa qeveri, perveç qeverisë së parafundit, nënshkruan pak a shumë të njejtat marrëveshje njëherë gjatë qeverisjes së tyre, ashtu siç i liberalizuan vizat secila qeveri edhe atë bile çdo vit. Për dallim nga liberalizimi i vizave, te marrëveshjet nuk rridhej shampanjë. Te qeveritë tona të krijohet përshtypja që qeveritë te ne janë vetëm për tema dhe punë „të medha“. Nuk kanë shumë dëshirë të merren me „punë të vogla“, si shëndetësinë, luftimin e korrupsonit, zvogëlimit të papunësisë. Jo, këto tema janë bezdisëse për ata, sepse këta janë për punë ndërkombëtare, duke nënshkruar gati se, secilin vit nga një marrëveshje, për t’u futur disi në histori ose per t’u mbajtur në mend ose respektuar në arenën ndërkombëtare. Kjo shihet edhe te puna e minsitrave, të cilët pa marrë parasysh a është p.sh. i shëndetësisë, bujqësisë apo i ndonjë ministrie tjetër, merret edhe me liberalizim të vizave edhe me dialogun, në vend si t’i kryejnë detyrat në ministritë e tyre.

Megalomania dhe pompoziteti është një nga karakteristikat kryesore të qeverive të deritanishme, pa përjashtuar edhe qeverinë e kaluar, e cila për një kohë të shkurtër arriti „ta zvogëloj papunësinë“ në një nivel rekord dhe në një afat rekord prej disa javëve. Këtë bile në kohë pandemie, kur një pjesë e ekonomisë shkonte drejt mbylljes.

Nga Orhan Spahiu,  jurist në Zvicër

  • Ky është një opinion i autorit dhe nuk pasqyron domosdosmërisht qëndrimin e redaksisë.

Pjesa e dytë publikohet nesër në plaformën albinfo.ch