Koronavirusi: çast pas çasti

Kosovë: Mbi 60 mijë punëtorë aplikojnë për kompensim të pagave

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se deri më tani kanë aplikuar mbi 60 mijë punëtorë të kompanive të ndryshme private në Kosovë, në mënyrë që të përfitojnë nga pako emergjente fiskale e Qeverisë së Kosovës.

Kështu u shpreh Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, për Radion Evropa e Lirë, se nga data 11 prill, kur ka filluar aplikimi në sistemin elektronik për përfitime nga pakoja fiskale, e deri më sot, në ATK kërkesa për kompensim dhe subvencionim të qirasë kanë paraqitur gjithsej 13,547 biznese.

Qeveria e Kosovës më 13 mars ka marrë vendim për mbylljen e bizneseve për shkak të frenimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri.

Por, për t’u dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive të tjera të shoqërisë, Qeveria e Kosovës, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179,6 milionë euro, e cila duhet të zbatohet nga ATK-ja.

Nga kjo vlerë 61 milionë euro janë ndarë për pagat e punëtorët në vlerë 170 respektivisht 130 euro për dy muajt e ardhshëm, që kanë humbur punën për shkak të pandemisë, subvencionim të qirasë për 50 për qind dhe kontributeve pensionale, përcjell Albinfo.ch.