E-Diaspora

Ermela Teli: Dua të flas përmes kinemasë 

Regjisorja shqiptare e filmit, që krijon në Zvicër, Ermela Teli: “Synoj të jem sa më pranë emocioneve të njerëzve, shqetësimeve të tyre, të flas me ndjesi të thella dhe jo sipërfaqësore apo të filtruara..."

Ermela Teli është regjisore e skenariste filmi por në jetën artistike fillimisht ka hyrë si aktore filmi. Dashamirësit e artit të shtatë e mbajnë mend atë si protagoniste në filmin “Tirana, Viti 0”, kur Ermela ishte vetëm 18 vjeçe.  

Ajo, prej disa vitesh jeton në Zvicër, në Lozanë ku vazhdon të bëjë punën që di me së miri, regjinë dhe skenarin e filmave.  

Pak muaj më parë, skenari i saj për filmin artistik “Red Fields” (Fushat e kuqe) ka marrë mbështetje financiare, veç tjerash, nga Media Desk Suisse Zyra Federale për Kulturë, e Zvicrës. Ky lajm shërbeu dhe si shkas për intervistën tonë me Ermela Telin. 

Albinfo.ch: Ju jeni regjisore e skenariste filmi dhe njëherësh, aktore. Na thoni, në cilin nga këto profesione jeni më shumë “në shtëpinë tuaj”, gjegjësisht, në cilin keni punuar më shumë, ose punoni aktualisht më dendur? 

Ermela Teli: Eksperienca e parë në kinema nis në vitin 1999, me rolin e Klarës në filmin ”Tirana, Viti zero” pjesëmarrës në Festivalin e Venecias. Më pas kam vazhduar punën si aktore dhe në filma të tjerë apo projekte të ndryshme në teatër. Ka qenë periudhë e bukur dhe shumë dinamike por më pas vendosa të shkëputesha për një përkushtim ndaj regjisurës. Regjisura është më pranë lirisë time krijuese dhe aty gjendem siç thoni ju më shumë “në shtëpinë time”. Prej vitit 2009 e deri tani, kam realizuar dokumentarë dhe filma të shkurtër apo video instalacione.  

Jetoni në Zvicër, në Lozanë. Sa kohë ka që keni lënë Shqipërinë dhe si jeni gjendur këtu? 

Nga Shqipëria jam larguar në vitin 2015. Një vendim shumë kompleks por i mirë justifikuar. Në fillim me bashkëshortin tim David, kemi jetuar në Çeki dhe një vit më pas u vendosëm në Zvicër. Punoja ndërkohë për projektin tim të parë të gjatë artistik RED FIELD (FUSHA E KUQE) me të cilin tashmë jam në një fazë pre produksioni. 

Kontakti i parë me Zvicrën ishte përmes familjes së Davidit dhe ishte një mirëseardhje e ngrohtë në një vend që fizikisht do të zëvendësonte më pas Shqipërinë. 

Kur vendosëm të jetonim në Zvicër, menjëherë, kam nisur prezantimin tim me shtëpi produksioni, për të njohur sa shumë kolegë dhe për të parë mundësi bashkëpunimi. Kështu, kontaktet e para nisën në festivalin e Locarnos, aty ku pata fatin të njihesha me producentin Xavier Grin, me të cilin bashkëpunoj tashmë për realizimin së shpejti të filmit tim të parë artistik të metrazhit të gjatë. 

Nga kjo shihet se keni pasur fatin të vazhdoni edhe këtu, karrierën artistike. Si njeri në vend të huaj, a jeni detyruar që të punoni edhe jashtë profesionit? 

Puna me skenarin, ka qenë dhe vazhdon të jetë një përkushtim i gjatë dhe mbështetja serioze e producentit timmundëson kohën e plotë për një punë profesionale dhe sigurisht artistike. Çdo ditë për mua është punë dhe lexim, kërkime historike dhe shkrim.  

Ndërkohë, jeta ime personale si grua dhe si nënë, bën që koha ime të jetë e mirë organizuar, me qëllim që jeta familjare dhe ajo profesionale të vazhdojnë rrjedhshëm. 

Nuk kam kërkuar punë jashtë profesionit, pasi nuk ka qenë pikësynim imi. Kinemaja është një dashuri e fortë dhe dua të flas përmes saj dhe të jem e dobishme si çdo profesionist tjetër në një fushë tjetër. 

Projekti i filmit tuaj Red Field është mbështetur nga Zyra Federale për Kulturë. Na flisni për këtë projekt: është bashkëprodhim i Zvicrës me vende tjera, keni mbështetje edhe nga ato vende? Çfarë teme ka filmi, ku dhe kur do ta xhironi? 

Red Field, tregon historinë e një djali të ri, të burgosur nga regjimi totalitar në Shqipëri, që kryen një akt rebelimi duke luajtur një muzikë të ndaluar në radio. Kjo do të bëhet shkak i prishjes së ekuilibrit të brishtë familjar duke shkaktuar tragjedi. 

Skenari deri tani ka marrë mbështetje serioze nga Zvicra si: Media Desk Suisse dhe duke vazhduar me grantin e Shoqatës së Autorëve Zviceranë (SSA) në Festivalin e Locarnos dhe me Zyrën Federale të Kulturës. Kemi ende punë për të mbyllur aspektin financiar të projektit me qëllim që të nisim xhirimet në vitin 2021. 

Në bashkëproduksion është edhe Shqipëria me producent Genc Përmetin dhe mbështetja pritet edhe nga Shqipëria që për mua, mbi të gjitha, do të jetë një përmbushje shpirtërore. Ndërkohë, produksioni kryesor në Zvicër është në diskutime për të zhvilluar edhe marketingun e distribucionit. 

Duke parë punën tuaj të deritashme fitohet përshtypja se në filmat tuaj ju dallon një angazhim i fortë social, kritik. Na thoni: ku jeni më e fokusuar, cilat tema i preferoni dhe do t`i realizonit më me dëshirë? 

Unë synoj të jem sa më pranë emocioneve të njerëzve, shqetësimeve të tyre, të flas me ndjesi të thella dhe jo sipërfaqësore apo të filtruara. Për këtë arsye, çdo temë që trajtoj, fokuson probleme sociale, politike gjithashtu. 

Pas projektit Red Field, dua të bëj një film kushtuar gruas. Arsyeja nuk është sepse jam regjisore grua dhe dua të flas domosdoshmërisht me zërin e një gruaje, por sepse eksperienca personale dhe jo vetëm, më kanë bërë të njoh ngjarje që shihen si tabu jo vetëm në Ballkan.  

Sipas përvojës tuaj, a gëzon mbështetje të duhur filmi nga institucionet në Zvicër? 

Deri tani mendoj se puna ime këtu është zhvilluar me hapat e duhur dhe kjo vërtet më bën entuziaste dhe më gëzon për të ardhmen e komunitetit artistik këtu. Kam njohur regjisor/e të talentuar dhe kuptohet që këtu kultura hibride e artistëve që vijnë nga vende të ndryshme, e pasuron kinemanë me ide dhe projekte artistike. Mendoj se mbështetja e shtetit është jo vetëm pozitive por edhe motivuese për krijuesit, mjafton që gjthësecili nga ne të mbajë gjallë frymëzimin dhe vullnetin për punë sa më të mira artistike. 

Në Zvicër, e rrethuar me shqiptarë 

Vitin e parë, unë dhe David banonim në një lagje ku ndihesha si “në shtëpinë time” pasi diku për shembull, në një ballkon valëvitej një flamur shqiptar. Shpesh, rrugëve me kapte veshi ndonjë fjalë në shqip dhe menjëherë ktheja kokën dhe përshëndesja në shqip. Kështu, nuk më kanë munguar bashkatdhetarët dhe më kanë bërë të ndihem si e rrethuar nga të afërm. Më pas pata rastin të takohesha me një komunitet studentësh shqiptarë, të cilët më ftuan të prezantoja filmat e mi në Universitetin e Fribourg-ut për të më njohur si krijuese dhe ishte kënaqësi e madhe. Mbi të gjitha ishte ndjenjë e bukur të njihesha me të rinj aq të mençur dhe të shkolluar, vërtet që ndjeva krenari për arritjet e tyre.