Propozimi për një taksë kombëtare mbi pasurinë, i bërë nga Këshilltarja Kombëtare e GLP-së, Barbara Schaffner, ka nxitur një debat të gjerë politik në Zvicër. E lindur në Cyrih, Schaffner argumenton se sfidat e mëdha financiare të vendit kërkojnë jo vetëm optimizim të shpenzimeve federale, por edhe identifikimin e burimeve të reja të të ardhurave – dhe një taksë kombëtare mbi pasurinë, sipas saj, do të ishte më e përshtatshme se një taksë trashëgimie, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.
Megjithatë, Këshilli Federal e ka hedhur poshtë idenë, duke iu referuar një raporti të mëparshëm që theksonte se ekzistojnë shumë arsye për të mos vendosur një taksë të tillë, përfshirë efektin negativ ndaj ekonomisë dhe largimin potencial të të pasurve nga Zvicra.
Kritika të forta kanë ardhur nga partitë e qendrës dhe të djathtës. Philipp Matthias Bregy, kreu i grupit parlamentar të Qendrës, shprehu skepticizëm për futjen e taksave të reja si zgjidhje për problemet buxhetore; ai paralajmëroi gjithashtu për rreziqet që do të sillte një largim nga federalizmi, pasi taksat mbi pasurinë vendosen aktualisht nga kantonet dhe jo nga qeveria federale.
Edhe kryetari i grupit parlamentar të SVP-së, Thomas Aeschi, e refuzoi ashpër këtë propozim. Ai sugjeroi, në vend të kësaj, reduktimin e burokracisë, rishikimin e pagave në administratën federale dhe kursime në fusha si ndihma për zhvillim dhe azili, transmeton albinfo.ch.
Nga ana tjetër, propozimi ka gjetur përkrahje në krahun e majtë. Bashkëkryetari i grupit SP, Samuel Bendahan, tha se një taksë e moderuar mbi pasurinë do të sillte më shumë drejtësi fiskale dhe nuk do të prekte ndërmarrjet e vogla dhe të mesme: “Edhe me një taksë të ulët mbi pasurinë, Zvicra do të mbetej parajsë tatimore për miliarderët,” theksoi ai.
Pavarësisht mbështetjes së kufizuar në parlament, çështja mbetet një temë e nxehtë në debatin publik, ndërkohë që vendi përballet me presione financiare gjithnjë e më të mëdha dhe kërkon mënyra të qëndrueshme për të ruajtur balancën buxhetore.