Lajme

Dafina Karameti: Pasionit për fotografinë dua t’ia kushtoj jetën time

Dafina është një vajzë me prejardhje nga Dibra, e cila tash e 5 vite jeton në Vjenë, ku ushtron profesionin e fotografes

Fotografia është bërë pjesë e pandashme e jetës sonë, pasi pothuajse secili nga ne përdorim kamerën për të kapur dhe dokumentuar momente të ndryshme në arkivin e kujtesës, përmes historisë vizuale.

Pasioni dhe një aparat fotografik është gjithçka që ju duhet për të shkrepur fotografi të mrekullueshme të natyrës, të ngjarjeve të rëndësishme, fotosesione për familjarët e miqtë tuaj etj. Në çdo rast, emocionet pozitive janë gjithmonë të pranishme.

Ky aktivitet është shndërruar nga pasion në profesion, për Dafina Karametin, e cila ka disa vjet që krijon art me fotografi.

Dafina është një vajzë me prejardhje nga Dibra, e cila tash 5 vjet jeton në Vjenë, ku dhe ushtron profesionin e fotografes.

Fotografia, pasion i trashëguar në tri gjenerata

Pasioni për artin dhe fotografinë për Dafinën nuk ka lindur rastësisht, pasi ky është trashëgim nga babai dhe gjyshi i saj, të cilët po ashtu kanë pasur këtë profesion dhe nga të cilët ka mësuar gjithçka. Gjithashtu edhe nëna e Dafinës është eksperte e kësaj fushës.

“Që kur isha shumë e vogël e shikoja babin me një aparat fotografik në dorë. Kjo më bëri kureshtare të mësoj se çka është profesioni i tij. Eventualisht do të prisja që ai të largohej, në mënyrë që të mund të merrja kamerën e tij dhe të mësoja se si ta përdorja. Ndërkohë, nëna ime është gjithashtu eksperte në programet e fotografisë, ajo editonte foto shumicën e kohës dhe unë ulesha e shikoja me orë të tëra. Fotografia ka rrjedhur në familjen tonë për gati një shekull, sepse edhe gjyshi im ka qenë fotograf”, nis rrëfimin e saj për albinfo.at, Dafina Karameti.

Sigurisht se për të arritur sukses duhet shumë përkushtim, kreativitet e frymëzim, gjë që për Dafinën nuk duket diçka e paarritshme, sepse ajo këtë punë e bën me shumë vullnet e dashuri dhe është e gatshme që t’i kushtojë jetën karrierës së saj dhe pasionit, i cili sa vjen e rritet.

“Gjithmonë jam udhëhequr nga emocionet e mia, çdoherë e gjeja veten në pozicion ku doja të shprehem në një mënyrë më të zhurmshme, doja që njerëzit ta shohin dhe jo vetëm ta dëgjojnë atë që ndjeja. Kështu u lidha me artin dhe fotografinë. Dokumentoja gjithçka, sepse shihja bukuri edhe në gjërat më të vogla. Dua të ndjek këtë karrierë dhe t’ia kushtoj jetën time, sepse kam lindur me këtë pasion, që vetëm rritet dita-ditës.“

Kur punën e bën me dashuri, sigurisht se është e vështirë të ndash krijimet tua nga njëra-tjetra, por për Dafinën janë shumë të veçanta fotosesionet me njerëzit e saj më të afërt.

„Fotosesionet që bëj me miqtë dhe familjen time janë të preferuarat e mia, sepse janë të mbushura me emocione të vërteta, të qeshura, të qara, çmenduri, liri, pa frikë se do të gjykohen nga të tjerët“, shprehet ajo për revistën albinfo.at.

Sfidat janë të pranishme në pothuajse çdo aktivitet e profesion, sigurisht se edhe fotografët ballafaqohen me situata të ndryshme në punën e tyre.

„Sfidë më vete është kur për shkak të pritjeve të mia si artiste, frikësohem se njerëzit nuk do ta pëlqejnë punën time. Mendoj se jam e detyruar të ndjek çdo trend në rrjetet sociale. Ka raste kur është e vështirë të gjej veten dhe atë që më frymëzon. Por ashtu si çdo gjë në jetë, frymëzimi shkon e vjen përsëri“.

Dafina është e shpejtë dhe e sigurt në përgjigjen e saj, kur pyetet se me kë do të bashkëpunonte për të krijuar vepra të bukura artistike.

„Asnjë më pak se të gjithë. Kam dëshirë të punoj me artistë në mbarë botën që kanë krijuar diçka unike, dua që klientët e mi të kenë besim tek unë për t’i dokumentuar ata dhe veprat e tyre.“ thotë ajo.

Dafina, së shpejti ekspozitë me fotografi të saj, të babait dhe gjyshit

Fotografja ndan me lexuesit e albinfo.at lajmin, se suksesi për të vetëm sa ka filluar dhe se ka plane që në të ardhmen e afërt të organizojë një ekspozitë shumë të veçantë.

„Gjithashtu në muajt e ardhshëm dua të bëj një ekspozitë me arkivin e babait dhe gjyshit tim, së bashku me timen. Dua që njerëzit të shohin se si ne të tre kemi një profesion, por pikëpamje të ndryshme për gjithçka, si ka ndikuar ky pasion tek ne dhe çfarë lloj arti kemi krijuar si tri gjenerata“,  shton tutje fotografja.

Secili nga ne mundohemi që me punën që bëjmë të përçojmë një mesazh te të tjerët që na duan e vlerësojnë punën tonë, kështu për fund Dafina ndan me ne mesazhin, që ajo dëshiron të përcjellë përmes fotografisë.

„Jeta është e gjitha vetëm një moment, është në duart tona të zgjedhim se si e shohim dhe çfarë nxjerrim prej saj. Pa marrë parasysh ku dhe kur, qoftë me diell apo shi, unë gjithmonë do të shoh bukurinë në të. Sepse kujtimet janë të pavdekshme“, përfundon Dafina Karameti.

Box

Fotosesionet

Kur punën e bën me dashuri, sigurisht se është e vështirë të ndash krijimet tua nga njëra-tjetra, por për Dafinën janë shumë të veçanta fotosesionet me njerëzit e saj më të afërt. „Fotosesionet që bëj me miqtë dhe familjen time janë të preferuarat e mia, sepse janë të mbushura me emocione të vërteta, të qeshura, të qara, çmenduri, liri, pa frikë se do të gjykohen nga të tjerët“.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI