Si do të ndryshojë Kuvendi i Kosovës

Teksa numërimi i votave me postë dhe me kusht po vazhdon në Kosovë, sipas rezultateve të deritanishme ka ndryshuar ndarja e vendeve që partitë kanë fituar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në bazë të votave të numëruara deri në orën 15:30 të 6 janarit, Lëvizja Vetëvendosje pritet të ketë 57 deputetë në legjislaturën e dhjetë të Kuvendit të Kosovës, që ka 120 vende.

Votat me postë dhe ato me kusht duket se ia kanë siguruar edhe një deputet LVV-së të Albin Kurtit, që i fitoi bindshëm zgjedhjet e parakohshme duke marrë mbi 50 për qind të votave, raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.

Partia Demokratike e Kosovës e Bedri Hamzës, pritet të ketë 23 deputetë, aq sa siguroi me votat e rregullta.

Me rezultatet aktuale, Lidhja Demokratike e Kosovës e Lumir Abdixhikut duket se ka humbur një deputet, pasi parashihet që të ketë 14 deputetë – nga 15 sa kishte pas numërimit të votave të rregullta.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt mbetet në numrin e njëjtë të deputetëve, përkatësisht me gjashtë.

Ndërkaq, Lista Serbe – partia e serbëve të Kosovës që është e afërt me Beogradin – pritet të ketë nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se pret që të shpallë rezultatet përfundimtare më herët seç kishte planifikuar, përkatësisht para 19 janarit.

Pas përfundimit të numërimit të votave me kusht dhe postë, pritet të numërohen edhe ato të personave me nevoja të veçanta. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit morën pjesë rreth 45 për qind të gati 2 milionë qytetarëve me të drejtë vote.

Vërshimet, reagon Presidentja e Kosovës: Situata kërkon kujdes maksimal

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se situata e krijuar nga vërshimet nëpër vend kërkon kujdes maksimal.

Ajo ka shprehur mirënjohje për institucionet e qytetarët për reagimin e shpejt, derisa ka thënë se gjatë ditës ka komunikuar me kryetarët e komunave të prekura.

Osmani ka theksuar se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave po punon pareshtur bashkë me organet e rendit, ndërsa ka shtuar se Forca e Sigurisë së Kosovës është në gatishmëri të plotë të ofrojë mbështetje nëse paraqitet nevoja, transmeton albinfo.ch.

“Situata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente. Bashkëpunimi i ngushtë dhe reagimi profesional mbeten vendimtare për përballimin me sukses të kësaj situate”, ka shkruar ajo në Facebook.

Vendet me gjendjen më të rëndë pas vërshimeve në Kosovë

Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Kosovës.

Në kryeqytet disa rrugë janë mbushur me ujë duke e bërë të vështirë qarkullimin e automjeteve.

Në Skenderaj, kryetari i Komunës, Sami Lushtaku ka shkruar se reshjet e natës së mbrëmshme të cilat po vazhdojnë edhe sot kanë sjellë vërshime në disa zona, duke shkaktuar vështirësi për një numër familjesh.

“Ekipet emergjente të zjarrfikësve që nga mesnata janë të angazhuara në terren dhe po përcjellin situatën me kujdes të shtuar. Në bashkëpunim me të gjitha ekipet e emergjencave në kuadër të komunës, do të vazhdojmë të jemi pranë qytetarëve për tu përballur së bashku me këtë situate”, ka shkruar ai në Facebook, transmeton albinfo.ch.

Edhe në Malishevë për shkak të reshjeve të dendura është vërshuar parkingu nëntokësor, pak ditë pas përurimit të tij.

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar se, sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, reshjet pritet të vazhdojnë dhe si pasojë mund të ketë vështirësi në qarkullimin rrugor, mbingarkesë të kanalizimit dhe ujërave atmosferike, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime dhe rrezik për rrëshqitje lokale të dheut në zona të ndjeshme.

“Apelojmë te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të shmangin zonat e përmbytura dhe të raportojnë çdo situatë që paraqet rrezik për sigurinë publike. Institucionet përkatëse të Kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës”, thuhet në njoftim të Komunës.

Edhe Komuna e Drenasit ka njoftuar për vërshime në shumë segmente rrugore.

“Sipas informacioneve nga terreni, rruga Drenas–Grabovc, zona e Çiktovës së Vjetër, Qendra zejtare në Drenas si dhe qendra e Komoranit janë prekur më së shumti nga vërshimet e shkaktuara nga sasia e madhe e reshjeve. Qytetarët raportojnë edhe për zona të tjera në Komunën e Drenasit si të prekura nga vërshimet”, thuhet në njoftim teksa është përmendur se komuna i ka paralajmëruar qytetarët që të mos prekin rrjedhat e natyrshme të ujit nga ndërtimet apo mbulimin e kanaleve. “Për ndërhyrjet e paligjshme të cilat kanë bllokuar këto rrjedha të natyrshme të ujit, zyrtarët do të ndërmarrin masa për t’i tejkaluar ato si dhe veprimet ligjore ndaj shkaktarëve të këtyre ndërhyrjeve me pasojë për pronën private dhe publike”.

Kjo komunë ka apeluar për kujdes të shtuar e që qytetarët të zgjedhin rrugë dhe zona alternative ku të munden.

Në anën tjetër, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se nga datat 3-5 janar, në pjesën perëndimore të Kosovës, janë regjistruar reshje të konsiderueshme të shiut, të cilat kanë ndikuar dukshëm në rritjen e niveleve dhe prurjeve të ujit.

Tutje ka njoftuar se kryesisht bëhet fjalë për lumenjtë që rrjedhin nga Alpet Shqiptare dhe si pasojë, mund të kenë dalë nga shtretërit e tyre.

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka njoftuar se janë në gjendje gatishmërie për të menaxhuar vërshimet nga reshjet e shiut.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se janë në terren dhe po ndërhyjnë për  të përmirësuar kushtet e qarkullimit.

 

Votat e diasporës i sigurojnë VV-së edhe një mandat, PDK humb një deputet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e 92 kutive të votimit me postë, rreth 26,500 vota, të cilat tashmë janë përfshirë në rezultatin kumulativ. Këto vota kanë ndihmuar Lëvizjen Vetëvendosje të sigurojë një mandat shtesë, duke e çuar numrin e deputetëve në 57, ndërsa PDK ka humbur një, duke zbritur në 22.

Sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, mandati i 57-të i VV-së është fituar me diferencë minimale, rreth 160 vota më shumë se PDK-ja në nivel kombëtar. Ky rezultat është kryesisht për shkak të performancës së lartë të VV-së në votat me postë (rreth 72%) dhe performancës më të dobët të LDK-së në të njëjtat vota, krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, transmeton albinfo.ch.

Ai shton se me rreth 20,000 vota të tjera me postë dhe rreth 10,000 vota me kusht ende për t’u numëruar, ndryshimet në shpërndarjen e mandateve janë të mundshme vetëm nëse këto vota devijojnë ndjeshëm nga trendet aktuale. Nëse jo, shpërndarja pritet të mbetet 57-22-15-6

Votat me postë: VV prin bimdshëm

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e votave me postë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Nga 92 vendvotime të procesuar (100% e totalit), partitë kanë marrë sa vijon:

Lëvizja VETËVENDOSJE! – 72.20% ose 19,344 vota

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 10.15% ose 2,720 vota

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 9.56% ose 2,560 vota

AAK – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 3.90% ose 1,045 vota

Numërimi i votave me postë përfshiu mbi 27,000 fletëvotime të pranuara para Vitit të Ri nga kutitë postare në Bernë dhe Berlin. Për më tepër, rreth 20,000 pako të tjera me fletëvotime janë tërhequr nga kutitë postare jashtë Kosovës më 2 dhe 5 janar, nga qytete si Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera, Kopenhagë, Tiranë, Vjenë, Bruksel, Hagë, Podgoricë, Oslo, Shkup, Otavë, Ljublanë, Romë dhe Prishtinë. Këto vota pritet të numërohen gjatë ditëve në vijim, transmeton albinfo.ch.

Përveç votave me postë, Komisioni ka filluar edhe numërimin e votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta. Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht në 38 komuna, janë evidentuar mbi 9,900 votues me kusht dhe 2,860 votues me nevoja të veçanta.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se numërimi i të gjitha votave, përfshirë edhe votat që mbeten nga jashtë vendit dhe të personave me nevoja të veçanta, pritet të përfundojë gjatë kësaj jave.

Substancë toksike në produktet Beba detyron Nestlé të bëjë një tërheqje të madhe

Kompania ushqimore Nestlé ka nisur një nga tërheqjet më të mëdha të produkteve në historinë e saj, duke tërhequr nga tregu sasi të caktuara qumështi pluhur për foshnja në disa vende. Arsyeja është dyshimi për praninë e një substance toksike.

Produktet e prekura i përkasin markave Beba dhe Alfamino, të cilat shiten në disa shtete, përfshirë Zvicrën, Gjermaninë dhe Austrinë. Nestlé u ka bërë thirrje prindërve që të ndalojnë menjëherë përdorimin e produkteve nga seritë e prekura dhe t’i kthejnë ato në pikat e shitjes.

Sipas kompanisë, kjo tërheqje po bëhet si masë paraprake. Deri më tani nuk është raportuar asnjë rast sëmundjeje i lidhur me konsumimin e këtyre produkteve.

Cilët produkte janë të prekur

Tërheqja përfshin kryesisht markën Beba, por edhe produkte speciale si Alfamino. Nestlé ka publikuar njoftime zyrtare në vendet e prekura, së bashku me listat e serive (batch-eve) që duhet të kthehen.

Një zëdhënës i kompanisë i tha agjencisë së lajmeve AWP se tërheqja pason testime të gjera të kryera në disa objekte të Nestlé, pa specifikuar se për cilat njësi bëhet fjalë.

Dy mostra të kontaminuara u zbuluan në Austri

Sipas autoriteteve austriake, më shumë se 800 produkte, të prodhuara në mbi dhjetë fabrika në mbarë botën, janë prekur nga kjo masë. Shkaku lidhet me një defekt teknik gjatë procesit të pastrimit në një nga objektet e një furnizuesi, çka ka çuar në ndotjen e një vaji të përdorur si përbërës.

Substanca e zbuluar quhet cereulide, një toksinë rezistente ndaj nxehtësisë, e cila mund të shkaktojë të përziera dhe të vjella, por nuk shumohen më tej brenda produktit. Autoritetet shëndetësore në Austri theksuan se, për shkak të përqendrimeve shumë të ulëta, nuk ekziston rrezik për shëndetin.

Nestlé e cilësoi praninë e cereulides në vajra si jashtëzakonisht të pazakontë dhe njoftoi se po bashkëpunon ngushtë me furnizuesin për të kryer një analizë të plotë të shkakut.

Masa për sigurimin e furnizimit

Si reagim, Nestlé ka vendosur të kalojë përkohësisht te furnizues alternativë dhe po rrit kapacitetet e prodhimit në disa fabrika për të garantuar furnizimin e tregut. Kompania kishte kryer edhe një tërheqje diskrete gjatë festave të fundvitit, duke larguar produktet e prekura nga raftet.

Analistët: Rrezik i ulët për kompaninë

Reagimet e para nga analistët tregojnë se incidenti nuk konsiderohet serioz për Nestlé. Banka Helvetische vlerëson se përmasat e tërheqjes lidhen kryesisht me strukturën globale të prodhimit dhe shpërndarjes së kompanisë, dhe jo me nivelin e rrezikut real.

Në përgjithësi, rasti shihet si i menaxhueshëm nga pikëpamja operative, rregullatore dhe reputacionale.

Qeveria zvicerane ngrin asetet e lidhura me Maduron e Venezuelës

Çdo pasuri në Zvicër që i përket kreut të shtetit venezuelian Nicolás Maduro, i cili është arrestuar nga Shtetet e Bashkuara, do të ngrihet me efekt të menjëhershëm si një masë paraprake. Kjo u vendos nga qeveria zvicerane të hënën.

Sipas një deklarate nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (FDFA), qeveria zvicerane dëshiron të sigurojë që asnjë pasuri që i përket Maduros dhe personave të tjerë të afërt me të nuk mund të dalë jashtë vendit. Anëtarët e qeverisë aktuale të Venezuelës nuk preken nga ngrirja, shtoi ajo.

Ngrirja është një shtesë ndaj sanksioneve kundër Venezuelës që kanë qenë në fuqi që nga viti 2018. Këto tashmë përfshinin ngrirje të pasurive. Sipas FDFA-së, ngrirjet e reja synojnë njerëzit që ende nuk janë sanksionuar në Zvicër.

Baza për këtë hap është Akti për Ngrirjen dhe Kthimin e Pasurive të Paligjshme të mbajtura nga Personat e Huaj Politikisht të Ekspozuar (FIAA). Sipas FDFA-së, arsyet për humbjen e pushtetit nuk janë vendimtare për një ngrirje të tillë. Gjithashtu nuk është vendimtare nëse humbja e pushtetit është shkaktuar në mënyrë të ligjshme apo në shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Faktori vendimtar për këtë hap është fakti që ka ndodhur një humbje e pushtetit, transmeton albinfo.ch. Kjo do të thotë se tani është e mundur që vendi i origjinës të fillojë procedurat e ndihmës ligjore në lidhje me pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme në të ardhmen.

Ngrirja duhet t’i bëjë të mundura procedurat e tilla në të ardhmen. Dhe nëse vërtetohet se pasuritë janë fituar në mënyrë të paligjshme, Zvicra synon t’i vërë ato në dispozicion të popullit të Venezuelës, shkroi FDFA.

Shtrenjtohet uji, KRU “Prishtina” publikon tarifat e reja

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka publikuar tarifat e reja për periudhën 2026-2028.

Bëhet e ditur se këto tarifa hyjnë në fuqi nga ky muaj.

Tarifa për shërbime të ujësjellësit për konsumatorët shtëpiakë, është 0.63 euro për metër kub, që është rritje prej 40 % krahasuar me tarifat e kaluara. Ndërsa tarifa për shërbimet e ujërave të ndotur është 0.12 euro për metër kub, që është një rritje afro 60% për qind për dallim nga tarifat e kaluara.

Për konsumatorët komercial dhe institucional tarifa e re është 0.82 euro për metër kub krahasuar me 0.62 sa ishte në tarifat e kaluara, sa i përket shërbimeve të ujësjellësit. E për shërbime të ujërave të ndotura tarifa e re është 0.28 euro, krahasuar me 0.17 sa ishte në tarifat e vjetra, transmeton albinfo.ch.

“Bazuar në Ligjin Nr. 05/L – 042, ARRU përcakton tarifat e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, duke siguruar që ato të jenë të drejta, të arsyeshme dhe të mbështesin qëndrueshmërinë financiare të ofruesve të shërbimeve. Tarifat caktohen për: Shërbimet e ujësjellësit dhe të ujërave të ndotura; Furnizimin me ujë të pa-trajtuar me shumicë; Ujin e trajtuar me shumicë. Tarifa llogaritet duke pjesëtuar kërkesën për të ardhura me vëllimin e ujit të shitur, duke marrë parasysh efikasitetin në arkëtimin e të ardhurave. Kërkesa për të ardhura përbëhet nga tre komponentë kryesorë: shpenzimet operative, mirëmbajtja kapitale dhe kthimi në Bazën Rregullatore të Aseteve. KRU “Prishtina” ka paraqitur kërkesa për periudhën 2026–2028, të cilat përfshijnë: Shpenzime operative për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm me ujë dhe shërbimeve të kanalizimit, duke përfshirë rritjen e kostove për personelin dhe energjinë elektrike; Projekte kapitale dhe mirëmbajtje të rrjetit dhe makinerive ekzistuese, për të reduktuar defektet dhe ndërprerjet në shërbim; Investime për modernizimin e aseteve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për konsumatorët. Edhe me tarifat e aprovuara, KRU “Prishtina” mbetet e përkushtuar të ofrojë shërbime të qëndrueshme, cilësore dhe pa ndërprerje për qytetarët”, thuhet në njoftim.

Iriqi shpallet kafsha zvicerane e vitit 2026

Iriqi është shpallur Kafsha e Vitit 2026 nga organizata e ruajtjes së natyrës Pro Natura. Një nga kafshët e egra më të dashura të Zvicrës, iriqi përballet me një zhdukje graduale të habitateve të përshtatshme.

Iriqi ka qenë i pranishëm në Zvicër për rreth 20,000 vjet, shkroi Pro Natura në një njoftim për shtyp të hënën. Jetëgjatësia e iriqit mund të shpjegohet me tokën bujqësore të përshtatur me stilin e tij të jetesës, me bimë me lartësi mesatare dhe insekte dhe krimba të mjaftueshme për t’u ushqyer.

Megjithatë, kjo situatë ka ndryshuar ndjeshëm gjatë shekullit të kaluar, paralajmëron Pro Natura. Gardhet, grumbujt e gjetheve dhe degët janë bërë më të rralla, përrenjtë janë kanalizuar nën tokë dhe prodhimi bujqësor është bërë më intensiv, duke bërë që iriqi të humbasë shumicën e habitateve të tij në zonat bujqësore.

Përballë këtij fenomeni, iriqi ka gjetur një habitat alternativ në kopshtet dhe parqet e fshatrave dhe qyteteve. Ky ndryshim nuk është pa rrezik, megjithatë, pasi afërsia e njerëzve, makinave dhe kositëseve të barit është shpesh fatale për iriqët.

Si për iriqët e rinj ashtu edhe për ata të rritur, çështja e ushqimit është qendrore. Edhe pse iriqët nuk e kanë problem të shijojnë çdo gjë që u del përpara, ata mund të tretin vetëm ushqimin me origjinë shtazore, siç transmeton Pro Natura.

Prandaj, ajo specializohet në insekte dhe bie në dimër kur mungojnë insektet. Megjithatë, ushqimi i insekteve tenton të jetë më i rrallë gjatë pjesës tjetër të vitit, duke e bërë detyrën e iriqëve edhe më të vështirë, shkruan albinfo.ch.

Pro Natura thekson se iriqi është klasifikuar si “potencialisht i kërcënuar” në Zvicër që nga viti 2022 dhe në Bashkimin Evropian që nga viti 2024. Në mars të vitit 2026, organizata po lançon një projekt të quajtur “Bonjour nature” (Përshëndetje natyrë), i cili synon të mbështesë njerëzit që duan të krijojnë kopshtet e tyre në një mënyrë natyrale në Zvicër.

Ulet çmimi i naftës pas sulmit të SHBA-së në Venezuelë

Pas sulmit të SHBA-së në Venezuelë, ku u arrestua presidenti Nicolas Maduro me bashkëshorten e tij, çmimi i naftës ka shënuar rënie.

Tregjet treguan rënie të çmimeve të naftës, çmimi i Brent crude ra rreth 60.15 dollarë për fuçi, ndërsa WTI ishte nën presion në tregjet globale, shkruan TheGuardian, transmeton albinfo.ch.

Presidenti amerikan Donald Trump ka vënë rezervat e mëdha të naftës venezueliane në qendër të strategjisë së tij për ndryshimin e regjimit, duke sugjeruar se kompanitë amerikane të naftës mund të shpenzojnë miliarda dollarë për rindërtimin e infrastrukturës energjetike të vendit.

Megjithatë, analistët vërejnë se rënia e çmimeve nuk është vetëm për shkak të ngjarjes ushtarake, por edhe për faktin që Venezuela aktualisht prodhon relativisht pak naftë në masë globale (shumë më pak se më parë për shkak të viteve të mospërmirësimit, sanksioneve dhe uljes së prodhimit), dhe tregjet globale janë ende të mbingopura me furnizim.

Festat zyrtare austriake dhe pushimet shkollore për vitin 2026

Planifikimi i punës, udhëtimit ose kohës familjare në Austri kërkon një pasqyrë të qartë të festave zyrtare dhe datave të pushimeve shkollore. Më poshtë është një udhëzues i plotë dhe i azhurnuar për festat zyrtare në Austri në vitin 2026 dhe pushimet shkollore në Vjenë për vitin shkollor 2025/2026.

Austria ka disa festa zyrtare në të gjithë vendin në vitin 2026. Shumica e bizneseve, zyrave dhe shkollave janë të mbyllura në këto ditë, me përjashtime të kufizuara.

1 Janar – Dita e Vitit të Ri

6 Janar – Epifania (Nata e Dymbëdhjetë)

6 Prill – E Hëna e Pashkëve

1 Maj – Dita e Punës

14 Maj – Dita e Ngjitjes në Qiell

25 Maj – E Hëna e Djathit të Shenjtë (E Hëna e Pentekostit)

4 Qershor – Korpi i Krishtit

15 Gusht – Ngjitja në Qiell e Marisë

26 Tetor – Festa Kombëtare Austriake

1 Nëntor – Dita e Gjithë Shenjtorëve

8 Dhjetor – Konceptimi i Papërlyer

Shënim: Dyqanet lejohen ligjërisht të hapen në këtë ditë

25 Dhjetor – Dita e Krishtlindjeve

26 Dhjetor – Dita e Shën Stefanit (Dita e Boksit)

Këto data janë veçanërisht të rëndësishme për punonjësit, punëdhënësit, udhëtarët dhe familjet që organizojnë pushime në Austri.

PUSHIME SHKOLLËRORE NË VJENË 2025/2026

Kalendari shkollor i Vjenës ndryshon pak nga provincat e tjera austriake, shkruan theinternational. Datat e mëposhtme vlejnë posaçërisht për shkollat ​​e Vjenës, transmeton albinfo.at.

Pushimet e Vjeshtës: 27 Tetor – 31 Tetor 2025

Pushimet e Krishtlindjeve: 24 Dhjetor 2025 – 6 Janar 2026

Pushimet semestrale: 2 Shkurt – 8 Shkurt 2026

Pushimet e Pashkëve: 28 Mars – 6 Prill 2026

Pushimet e Pentekostit: 23 Maj – 25 Maj 2026

Pushimet e Verës: 4 Korrik – 6 Shtator 2026

Pushimet shkollore janë të rëndësishme për prindërit që planifikojnë kujdesin për fëmijët, udhëtimet familjare ose koordinimin e orareve të punës me fëmijët në moshë shkollore.

Shqipëri: Paga reale mesatare sot vlen 140 euro më pak se në 2020-n

A e keni vënë re se edhe pse mund të merrni më shumë para, në fund të muajit ato ju dalin gjithmonë e më pak?!

Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe qirave po zbeh vlerën reale të të ardhurave, sidomos nga pagat.

Të dhënat e INSTAT treguan se në tremujorin e tretë, paga reale mesatare bruto ishte 69,630 lekë ose 16,4% më e ulët se paga mesatare nominale prej 83,300 lekësh në të njëjtën periudhë.

Paga reale për shkak të efekteve inflacionit është 140 euro më e ulët se paga nominale në qershor-shtator 2025, transmeton albinfo.ch.

Paga reale mesatare mujore bruto është indeksuar me inflacionin (2020=100) nga INSTAT. Kjo do të thotë se me rreth 83 mijë lekë, një shqiptar blen sot të njëjtat mallra që në vitin 2020 i blinte me rreth 70 mijë lekë.

Paga nominale mesatare mujore bruto në Shqipëri nga viti 2014 në 2025 është rritur ndjeshëm, po nuk është shoqëruar në të njëjtën masë me përmirësim të fuqisë reale blerëse të të punësuarve, përkundrazi.

Pagat nominale dhe ajo reale kishin diferenca të balancuara para pandemisë, por më pas hendeku erdhi në zgjerim nga rritja e çmimeve, sidomos në qira dhe ushqime.

Paga nominale u rrit ndjeshëm, nga rreth 60 mijë lekë në vitin 2022 në mbi 83 mijë lekë në vitin 2024 dhe fillim 2025. Megjithatë, paga reale rritet shumë më ngadalë dhe në disa tremujorë madje shënon rënie krahasuar me ritmin e pagës nominale.

Raporti i pagës reale ndaj pagës nominale bie në mënyrë të vazhdueshme, duke zbritur nga rreth 94% në fillim të vitit 2022 në rreth 83–83% në vitet 2024–2025. Kjo tregon se një pjesë gjithnjë e më e madhe e rritjes së pagave po gërryhet nga inflacioni.

Ndonëse punonjësit marrin paga nominalisht shumë më të larta sot krahasuar me një dekadë më parë, por fuqia reale blerëse e këtyre pagave është përkeqësuar ndjeshëm në vitet e fundit. Pagat më larta nuk kanë arritur të kompensojë rritjen e çmimeve, duke bërë që përfitimi real për të punësuarit të jetë më i ulët sesa sugjeron rritja nominale e të ardhurave.

Diferenca ndërmjet pagës reale dhe asaj nominale po thellohet për shkak se rritja e tyre nuk erdhi nga produktiviteti në ekonomi, por nga presionet e fuqisë punëtore. Rritja e pagave me vendime e stimuloi edhe me shume rritjen e çmimeve duke e ulur në vërtetë vlerën reale të pagave.

Qytetarët zviceranë paralajmërohen të mos udhëtojnë drejt Venezuelës

Ministria e Jashtme e Zvicrës (FDFA) ka lëshuar një paralajmërim udhëtimi të dielën, duke i paralajmëruar qytetarët zviceranë të mos udhëtojnë drejt Venezuelës, transmeton albinfo.ch.

“Është e pasigurt nëse siguria mund të garantohet në të gjithë vendin pas operacioneve ushtarake të kryera më 3 janar 2026. Situata është shumë e tensionuar dhe evolucioni i saj mbetet i pasigurt.”

Për më tepër, “demonstrata me përleshje të dhunshme janë të mundshme”, tha FDFA, duke shtuar se “ekziston rreziku që udhëtarët e huaj të arrestohen, të merren në pyetje dhe të ndalohen. Ndihma konsullore nuk mund të garantohet në rast ndalimi.”

Janari pa alkool: Miliona zviceranë marrin pjesë në sfidën vjetore

Në Zvicër, çdo vit rritet numri i njerëzve që provojnë një muaj pa alkool, pjesë e iniciativës Dry January. Në 2023, midis 800,000 dhe 1.1 milion të rritur morën pjesë në këtë sfidë, e cila synon të nxisë vetëdijesimin për konsumimin e alkoolit dhe të përmirësojë shëndetin.

Janari pa alkool nuk kërkon abstinencë të rreptë, por më shumë reflektim mbi zakonet personale të konsumit. Studimet tregojnë se pjesëmarrësit përfitojnë në shëndetin e mëlçisë, cilësinë e gjumit dhe mirëqenien psikologjike. Për më tepër, 72% e pjesëmarrësve raportojnë se vazhdojnë të konsumojnë më pak alkool edhe pas gjashtë muajsh, transmeton albinfo.ch.

Fushata ka fituar karakter social dhe kolektiv: miqtë, familjet dhe edhe kompanitë mund të marrin pjesë së bashku, duke përdorur aplikacione dhe sisteme motivuese për të mbajtur pjesëmarrësit të angazhuar. Trendin e kanë përforcuar edhe mediat sociale dhe ofrimi i pijes pa alkool në bare dhe restorante.

Janari si fillim i vitit shihet si një moment ideal për nisje të reja dhe vendime të shëndetshme. Fushata Dry January është sot një nga iniciativat më të suksesshme në Zvicër për parandalimin e konsumit të tepruar të alkoolit, duke kombinuar shëndetin, argëtimin dhe ndërgjegjësimin social.

BBC: Trump synon të shfrytëzojë naftën e Venezuelës: A mund të funksionojë plani i tij?

Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se synon të përdorë rezervat e naftës së Venezuelës, duke pretenduar se SHBA mund ta “drejtojë” vendin drejt një tranzicioni të sigurt. Ai planifikon që kompanitë amerikane të investojnë në vendin e Amerikës së Jugut, i cili ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, për të nxjerrë në përdorim një burim që deri tani është pjesërisht i pashfrytëzuar.

Trump theksoi se firmat amerikane do të rikuperojnë infrastrukturën e dëmtuar të naftës dhe do të fillojnë të gjenerojnë fitime për Venezuelën.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë për sfida të mëdha: investimi do të kushtonte miliarda dollarë dhe rikthimi i prodhimit në nivele të larta mund të marrë një dekadë.

Sa naftë ka Venezuela?

Venezuela zotëron rreth 303 miliardë fuçi rezervash të provuara, por prodhimi aktual është shumë më i ulët. Eksodi i stafit të kualifikuar dhe kontrollet e rrepta mbi kompaninë shtetërore PDVSA kanë ulur ndjeshëm prodhimin që nga vitet 2000.

Në nëntor, vendi prodhoi vetëm 860,000 fuçi në ditë, rreth një të tretën e niveleve të para 10 viteve, dhe më pak se 1% të konsumit botëror të naftës. Rezervat janë të tipit “të rëndë dhe të thartë”, që janë më të vështira për t’u rafinuar dhe kryesisht përdoren për asfalt dhe naftë industriale, ndërsa SHBA prodhon zakonisht naftë “të lehtë dhe të ëmbël” për benzinë.

Sanksionet amerikane dhe izolimi ekonomik kanë penguar investimet e huaja dhe rikonstruksionin e industrisë së naftës në Venezuelë, duke e bërë këtë projekt të sfidueshëm.

Krans-Montana: Nuk plotësohen kushtet për paraburgimin e pronarëve të “Le Constellation”

Prokuroria Publike e Valais-it njoftoi të dielën se aktualisht nuk plotësohen kriteret për paraburgimin e çiftit që menaxhon barin “Le Constellation” në Crans-Montana, dy ditë pas aktakuzës kundër tyre.

Sipas prokurores Beatrice Pilloud, nuk ka dyshime se të pandehurit mund të shmangen nga procedurat penale ose dënimi i pritshëm duke u larguar. Gjithashtu, rreziku i përsëritjes së krimit ose bashkëpunimi për të fshehur prova nuk po merret parasysh, transmeton albinfo.ch.

Çifti akuzohet për vrasje nga neglizhenca, dëmtime trupore nga neglizhenca dhe zjarrvënie nga neglizhenca. Kujtohet se derisa të shpallet një dënim përfundimtar, vazhdon të vlejë parimi i pafajësisë.

Kurti paralajmëron mundësinë e zgjedhjeve të reja nëse nuk zgjidhet presidenti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ekziston mundësia, jo vetëm teorike, por edhe reale, që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje në rast se nuk arrihet zgjedhja e presidentit të ri.

Katër muaj para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani, Kurti thekson se është ende e paqartë nëse do të mbështesë një mandat të dytë për të. Ai thekson se një tregues për situatën politike do të jetë miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat kërkohet edhe mbështetje nga deputetët e opozitës.

Në një intervistë për KosovaPress, Kurti tha se prioritet janë konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë dhe miratimi i buxhetit, para se të diskutohet rizgjedhja e presidentes. “Nëse nuk arrijmë të zgjedhim ose të rizgjedhim presidenten deri më 4 mars, ekziston mundësia reale e zgjedhjeve të reja, por kjo mundësi kërkon që buxheti të jetë i miratuar paraprakisht. Nuk është e arsyeshme të flasim për hapin e katërt pa përfunduar tre të parët”, tha Kurti.

Ai theksoi nevojën e një takimi me Osmanin për të diskutuar për një mandat të dytë, duke theksuar se sigurimi i 80 votave në Kuvend për zgjedhjen e presidentit është sfidë e madhe. “Në zgjedhjet e fundit nuk arritëm 61 vota, ndërsa 80 është një numër shumë më i lartë”, shtoi Kurti.

Duke folur për qëndrimin e partive opozitare, ai pranoi se nuk mund të parashikohet sjellja e tyre në muajt e ardhshëm, duke kujtuar se bllokadat gjatë vitit 2025 kanë qenë të papritura. “Pa mbështetjen e deputetëve të opozitës, as marrëveshjet ndërkombëtare dhe as zgjedhja e presidentit nuk mund të realizohen”, përfundoi ai.

Emigrantët e rikthyer në Shqipëri, sa e kanë të lehtë në tregun e punës

Shqipëria po përjeton një rritje të ndjeshme të emigrantëve që kthehen në vend, por integrimi i tyre në tregun e punës mbetet një sfidë serioze.

Të dhënat më të fundit nga Anketa Kombëtare e Migracionit 2024, e realizuar nga INSTAT në bashkëpunim me Bankën Botërore, tregojnë se kthimi i emigrantëve është përshpejtuar sidomos pas vitit 2015, me kulmin në vitet e fundit, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Por kur janë kthyer emigrantët shqiptarë?

Sipas raportit, 45% e emigrantëve të rikthyer janë kthyer në periudhën 2020-2024, ndërsa kthimet në periudhat para vitit 2010 janë dukshëm më të ulëta. Ky trend lidhet me krizat ekonomike në vendet pritëse, pandeminë COVID-19, si dhe pasiguritë ligjore dhe të punësimit jashtë vendit.

Arsyet e kthimit janë kryesisht jo pozitive nga pikëpamja ekonomike. Arsyeja më e shpeshtë lidhet me familjen, e ndjekur nga humbja e vendit të punës ose pamundësia për të gjetur punë në vendin pritës. Një pjesë tjetër janë kthime pas përfundimit të kontratave sezonale, ndërsa një grup më i vogël përmend se është kthyer pasi ka arritur objektivat financiare. Sipas të dhënave vetëm rreth 6% e emigrantëve të rikthyer deklarojnë se janë kthyer sepse kishin fituar dhe kursyer mjaftueshëm.

Kjo tregon se shumica e kthimeve nuk ndodhin për shkak të përmirësimit të kushteve në Shqipëri, por si pasojë e vështirësive jashtë saj.

Vetëm rreth gjysma e emigrantëve të rikthyer janë të punësuar, dhe integrimi në tregun e punës është veçanërisht i vështirë gjatë vitit të parë pas kthimit. Raporti thekson se emigrantët e rikthyer janë fillimisht më pak të punësuar se popullsia jo-emigrante, por kjo diferencë zvogëlohet me kalimin e viteve.

Burrat kanë norma punësimi më të larta, ndërsa gratë shpesh mbeten jashtë tregut të punës ose orientohen drejt vetëpunësimit informal. Në shumë raste, aftësitë e fituara jashtë vendit nuk përputhen me kërkesat e tregut shqiptar.

Rritja e çmimeve të apartamenteve në Tiranë

Të blesh një apartament në Tiranë sot është më e vështirë se tre vite më parë, për shkak të rritjes së shpejtë të çmimeve që nuk ndjekin rritjen mesatare të të ardhurave të familjeve të shtresës së mesme, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht projektet më të reja në afërsi të zonave periferike po shiten me çmime deri në 2,000 euro/m² (projekti Tirana Tower me dy kulla që po ndërtohet në Porcelan), ndërsa në ish-Bllok, çmimi i apartamenteve ka arritur në 5,500 euro/m².

Në Shqipëri, paga mesatare mujore bruto për vitin 2024, sipas INSTAT, arriti në 77,5 mijë lekë në muaj, ose rreth 770 euro. Pagat në Shqipëri mbeten rreth 30% më të ulëta se në vendet e tjera të rajonit, ku kryeson Serbia, me pagë mesatare bruto prej 1,150 eurosh në muaj.

Teksa të ardhurat vijojnë të mbeten në vendnumëro, rritja e çmimeve të apartamenteve nuk ndalet, duke e bërë të pamundur për shtresën e mesme sipas ekspertëve që të përballojë blerjen e një apartamenti.

Brenda 9 muajve të 2025-s, sipas të dhënave të zyrave të shitjeve në terren, çmimet e apartamenteve në disa zona të kryeqytetit kanë shënuar rritje të shpejtë. Krahasuar me muajin shkurt 2025, çmimet janë rritur nga 10% deri në 33%, në varësi të zonës dhe objektit.

Të dhënat e matjeve nga disa idekse njëherësh tregojnë që në Tiranë, rritja e çmimeve të apartamenteve është përshpejtuar. Në 6-mujorin e parë të 2025-s, të dhënat e Indeksit Fischer të Bankës së Shqipërisë, treguan se çmimet e banesave në vend u rritën me 14.6% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me 41.7% në krahasim me 2024.

Deri në qershor 2025, sipas indeksit “Keydata”, çmimi mesatar për një metër katror apartament arriti në 1,830 euro. Çmimi mesatar është llogaritur mbi bazë të dhënash për çmimet e apartamenteve ekzistuese, pra për ndërtesa të ndërtuara 5, 10 apo 15 vite më parë.

Në krahasim me 2005-n, viti më i hershëm kur ka filluar llogaritja, çmimet janë 2.8 herë më të larta. Çmimi mesatar i apartamenteve në 20 vite është gati trefishuar krahasuar me vitin 2005.

Në 2024, Shqipëria u rendit gjithashtu ndër vendet që kanë shënuar rritjen më të lartë të çmimeve në Evropë, sipas raportit “Për indeksin e pasurive të paluajtshme 2025”, i hartuar nga kompania ndërkombëtare “Deloitte”.

Në raport theksohej se çmimi mesatar i shitjeve të apartamenteve në vend arriti në 1,620 euro/m². Krahasuar me 2023, çmimi mesatar u rrit me rreth 17%. Në raport, Shqipëria renditej e dyta pas Polonisë për rritjen më të lartë të shitjes së pronave.

Në Poloni, niveli i rritjes ishte 19.3%, por sipas ekspertëve theksohet se kjo rritje u ndikua nga zbatimi i politikave subvecionuese të shtetit për strehim.

Sipas të dhënave të indeksit të “Deloitte”, në Tiranë, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve arriti në 2,000 euro/m². Në zonat e qendrës si ish-Blloku apo sheshi “Skënderbej”, çmimet mesatare të shitjes arritën nga 3,000 deri në 3,500 euro/m².

E llogaritur nga “Monitor”, sipas metodologjisë së prezantuar nga “Deloitte”, sot, për të blerë një apartament 70 metër katror në Tiranë, një qytetari shqiptar i nevojiten rreth 19 paga vjetore bruto, shumë më tepër sesa në qytetet më pak të përballueshme të Europës si Athina apo Amsterdami.

Për shkak të ritmit të shpejtë të çmimeve që nuk ndjekin rritjen e të ardhurave të familjeve, Stela Dhami nga “Colliers Albania”, vë në dukje se përballueshmëria e blerjes së një apartamenti në Shqipëri është më e ulët sesa në vendet e Bashkimit Evropian.

“Në Shqipëri, raporti midis çmimit të shitjes së pasurisë së paluajtshme me të ardhurat mesatare është një raport i largët. Një çifti me të ardhura mesatare i duhen diku te 15–19 vite për të blerë një apartament.

Standardi në vendet e BE-së, duke marrë një mesatare, varion midis 10–12 viteve. Ka shumë faktorë që hyjnë në këtë analizë, por kryesorët janë: çmimet e larta të pasurive të paluajtshme në raport me të ardhurat mesatare familjare; kostot e larta të kredive hipotekore, të cilat mbeten me kushte financiare të vështira për xhepin e familjeve shqiptare”.

Edhe për ekspertin e ekonomisë, Elvin Meka, njëkohësisht edhe Dekan i Fakultetit të Ekonomisë në “Tirana Business University”, blerja e një apartamenti është bërë e papërballueshme për shtresën e mesme në Tiranë, për shkak të rritjes së çmimeve që nuk sinkronizohet me rritjen e të ardhurave.

“Ky kërcim i fortë i çmimeve të banesave e ka rritur ndjeshëm trysninë mbi të gjithë qytetarët shqiptarë, rezidentë në Shqipëri, e veçanërisht banorët e kryeqytetit, të cilët përballen tashmë me një treg të pasurive të paluajtshme thuajse i papërballueshëm dhe i aksesueshëm, në një pjesë të mirë të ofertës së tij, nga pjesa më e madhe e popullatës me të ardhura të mesme dhe të ulëta. Sot është e dukshme që, personat dhe familjet me të ardhura mesatare, e kanë të pamundur t’i përgjigjen nivelit aktual të çmimeve të banesave, jo vetëm në zonat qendrore, por dhe ato periferike, ku çmimet vijojnë të rriten thuajse në sinkron me ritmin e rritjes së tyre në zonat qendrore dhe ato të parapëlqyera”, pohon ai.

Qiratë tejkalojnë kufijtë e rekomanduar nga standardet ndërkombëtare

Përveç kostove të larta për blerjen e një apartamenti në Tiranë, edhe përballueshmëria e qirasë mujore mbetet një sfidë e madhe për familjet. Çmimet në rritje të tregut të banesave po ndikojnë drejtpërdrejt në buxhetin familjar, duke e bërë strehimin gjithnjë e më të papërballueshëm për një pjesë të madhe të qytetarëve.

Sipas koeficientit ndërkombëtar që përdoret për vlerësimin e përballueshmërisë së strehimit, qiraja konsiderohet e përballueshme kur nuk kalon 30% të të ardhurave mujore të familjes ose individit.

Kur qiraja kalon mbi 30%, ajo konsiderohet e papërballueshme dhe sinjalizon stres financiar te një familje për strehimin. Nëse arrin mbi 50%, kjo gjendje quhet “housing cost burden” ekstrem, që rrit rrezikun e pasigurisë në strehim.

“Janë bërë studime të vazhdueshme që shqyrtojnë raportin midis të ardhurave dhe shpenzimeve mujore të një familje, për arritjen në rregullin e artë, sipas të cilit një familje nuk duhet të shpenzojë më shumë se 30% të të ardhurave mujore për banim”, thekson Stela Dhami eksperte e tregut të pasurive të patundshme.

Deri në muajin tetor, sipas të dhënave të agjencive imobiliare, në zonat pranë qendrës së Tiranës, çmimet mesatare të qirave për apartamentet 1+1 variojnë nga 600 deri në 900 euro në muaj, ndërsa në periferi, qiratë janë midis 400 dhe 500 euro.

Në vitin 2024, të ardhurat mesatare mujore të disponueshme për frymë (të ekuivalentuara) ishin 51,000 lekë. Një familje me 3 anëtarë dhe me të ardhura mujore prej 153,000 lekësh (51 mijë lekë llogariten nga INSTAT të ardhurat mujore për frymë), nëse paguan një qira prej 60,000 lekësh në muaj, po shpenzon rreth 40% të të ardhurave të saj mujore për strehim.

Sipas këtij koeficienti, shuma maksimale që kjo familje duhet të paguajë për qira, që të konsiderohet e përballueshme sipas standardeve ndërkombëtare, është rreth 47,430 lekë, që mund të përballohet vetëm qiraja për apartamente 1+1 në zonën e Freskut dhe Kinostudios.

Ndërsa për zona si ish-Blloku, Komuna e Parisit, Liqeni Artificial, Rruga e Elbasanit apo stadiumi “Air Albania”, koeficienti i përballueshmërisë llogaritet mbi 40%.

Por në Shqipëri, shpenzimet për ushqime vijojnë të zënë gati 40% të buxhetit të familjeve, mbi mesataren e vendeve të BE-së dhe rajonit. Mesatarja e Bashkimit Evropian është rreth 13% dhe e rajonit, nën 35%.

Në vitin 2024, sipas të dhënave të INSTAT mbi buxhetin e familjeve, familjet shqiptare shpenzuan mesatarisht 93 mijë lekë në muaj për konsum, një rritje prej 1,5% krahasuar me vitin 2023. Edhe pse shpenzimet totale janë rritur, struktura e buxhetit të familjeve ka mbetur pothuajse e pandryshuar, me ushqimin që vijon të zërë peshën më të madhe.

Shpenzimet mujore në vitin 2024 për grupin “ushqime dhe pije joalkoolike” përbëjnë 39,6% të shpenzimeve mujore, po aq sa një vit më parë, me një shumë mesatare prej 36,879 lekësh.

Si kanë ndryshuar çmimet e apartamenteve brenda 2025-s?

Sipas një vëzhgimi në terren të “Monitor” brenda nëntë muajve në 2025, çmimet e apartamenteve në Tiranë kanë shënuar rritje të ndjeshme, ku zonat me shtrenjtimin më të shpejtë rezultojnë të jenë ish-Blloku, pranë Liqenit Artificial, Porcelani dhe zona pranë Parkut Olimpik.

Në rrugën “Xhanfise Keko” në zonën e Porcelanit te projekti “Tirana Tower” ku përfshihet ndërtimi i dy kullave njëra prej së cilës do të jetë 34-katëshe, apartamentet ofrohen me çmime që nisin nga 1,800 deri në 2,000 euro/m² (në varësi të pozicionit dhe katit të apartamentit). Projekti ndodhet në fazën e parë të zhvillimit dhe parashikohet të përfundojë brenda katër viteve.

Sipas zyrës së shitjes, çmimet ndryshojnë sipas vendndodhjes së apartamentit, dhe deri në katin e 15-të, çmimi është 1,800 euro/m². Mbi këtë kat, çmimi i ofruar nis nga 2,000 euro/m². Në muajin shkurt, sipas të dhënave të mbledhura nga zyrat e shitjes në një nga objektet e përfunduara të kompanisë “Arlis” në rrugën “Xhanfise Keko”, çmimet varionin deri në 1500 euro/m². Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet në këtë zonë rezultojnë se janë rritur nga 20 deri në 33%.

Në të njëjtën zonë, një tjetër zhvillues i kompleksit rezidencial 9-katësh (përballë ish-ambienteve të kompanisë “Aleat”) ofron apartamente me çmim  1,600 euro/m² që përfaqëson një rritje prej rreth 7% krahasuar me muajin shkurt.

Vendi i parkimit ka mbetur i pandryshuar për zonën, vijon të shitet 25 mijë euro.

Pas pandemisë së Covid-19, më 2021, çmimi maksimal i shënuar në këtë zonë arriti 800 euro/m². Krahasuar me katër vite më parë, çmimet e shitjes së apartamenteve të zonës janë rritur rreth 1.5 herë.

Çmimet e apartamenteve kanë shënuar rritje edhe te një nga komplekset e reja rezidenciale që po ndërtohet pranë Parkut Olimpik. Aktualisht sipas zyrës së shitjes, çmimet e apartamenteve variojnë nga 2,500 deri në 3,000 euro/m². Në katet më të larta, apartamentet ofrohen me çmime 3,200 euro/m².

Në muajin shkurt të këtij viti, në të njëjtin projekt, çmimet e shitjes së apartamenteve nisnin nga 2,400 deri në 2,700 euro/m². Brenda 9 muajve, çmimet janë rritur nga 4 deri në 11%. Projekti është në fazat e para të zhvillimit.

Prej 2024-s, me fillimin e rrethimit të zonës, u ofruan çmime shitje nga 2,200 deri në 2,900 euro/m². Kompleksi rezidencial parashikohet të përfundojë brenda 3 viteve.

Në zonën e ish-Bllokut, brenda 9 muajve, çmimet e shitjes rezultojnë se janë rritur me 500 euro/m² apo 10% në të njëjtin objekt.

Në ndërtimin që po zhvillohet përballë bar “Rebeca”, sipas zyrës së shitjes, nga 5,000 euro/m² që ofroheshin në muajin shkurt, aktualisht çmimet e apartamenteve kanë arritur në 5,500 euro/m². Për ambiente zyrash, çmimet e shitjes arrijnë deri në 7,000 euro/m² sipas zyrës së shitjeve.

Në zonën pranë Liqenit Artificial pritet të nisë ndërtimi i një projekti të ri që përfshin zhvillimin e 5 kullave. Sipas zyrës së shitjeve të projektit, çmimet e apartamenteve do të variojnë sipas pozicionit dhe orientimit, duke filluar nga 2,800 – 3,000 euro/m², dhe deri në 3,500 euro/m² për apartamentet me pamje më të favorshme.

Një kompleks i ri rezidencial në zonën e “Liqenit të Thatë” është duke u zhvilluar nga kompania “Fratari Construction”, me pritshmëri që shitja e apartamenteve të nisë që në fazën e karabinës. Sipas drejtuesve të kompanisë, çmimet në këtë projekt do të variojnë nga 1,800 deri në 2,400 euro/m², në varësi të katit dhe orientimit të apartamentit.

Përveç këtij zhvillimi, kompania ka në plan të ndërtojë edhe një kompleks tjetër të madh rezidencial në zonën e Kasharit, me kapacitet strehimi për rreth 12 mijë familje. Ky projekt do të ketë 17 objekte rezidenciale, përfshirë një ndërtesë 27-katëshe me funksion hotelerie. Çmimet në këtë kompleks pritet të nisin nga 1,400 euro/m².

Hajredin Fratari, drejtues i kompanisë, u shpreh se në të dy projektet ka interes konkret për blerje. Në zonën e Liqenit të Thatë, kërkesa dominohet nga blerës me kredi, kryesisht sipërmarrës vendas. Ndërsa në projektin e Kasharit, në këtë fazë të parë të interesimit dhe prenotimeve, theksohet interesimi i shqiptarëve të emigruar prej dekadash, të cilët parashikojnë të kthehen në atdhe për të kaluar vitet e pleqërisë.

Edhe në zona të tjera periferike të Tiranës vijojnë të ofrohen apartamente me çmime shitjeje 1,400 euro/m², siç është zona e Freskut dhe Shkozës. Në këto zona, çmimet kanë mbetur të pandryshuara krahasuar me vjet.

Edhe në vijën e dytë të ndërtimit në Bulevardin e Ri vijojnë të ofrohen apartamente me çmime të njëjta si në fillim të vitit, në nivelet e 1800 deri në 1900 euro/m².

Faktorët që kanë ndikuar te rritja e çmimeve

Shtrenjtimi i shpejtë i çmimeve të apartamenteve në Tiranë, sipas ekspertëve, është ndikuar nga një sërë faktorësh, përfshirë rritjen e kërkesës për prona nga turizmi, të kostos së ndërtimit nga materialet dhe taksat deri te kanalizimi i parasë informale në sektorin e ndërtimit me qëllim pastrimin e tyre.

Stela Dhami, nga “Colliers Albania”, nënvizon se arsyet kryesore se përse Tirana po shikon një rritje të lartë të çmimit të pasurive të paluajtshme janë shtrenjtimi i kostos së ndërtimit dhe kërkesës në rritje për investim në sektorin e pasurive të paluajtshme. Shumë apartamente në Tiranë, sipas zonjës Dhami, po blihen për dhënie me qira ditore apo funksionojnë si klinika dentare apo mjekësore.

“Rritja e çmimeve të shitjes së apartamenteve, së pari është ndikuar, nga rritja e kostove të ndërtimit, ku përfshihen materialet e ndërtimit që pas pandemisë së Covid-19 dhe kostoja e fuqisë punëtore.

Kjo ka ardhur për disa arsye, si nga ndryshimi logjistik dhe ulja e rendimentit prodhues në botë, duke pasur parasysh edhe situatën gjeopolitike, por edhe prej emigracionit që po ndodh në vend në dekadën e fundit.

Së dyti, nga rritja e barrës fiskale për sektorin e ndërtimit. Taksat në ndërtim janë një barrë e konsiderueshme për ndërtuesit që kryesisht transmetohet te blerësit nëpërmjet çmimeve më të larta të shitjes.

Së treti, nga mungesa e tokës për zhvillim në zonat e qendrës, si dhe nga rritja e kostos së kompensimit ndaj pronarëve të truallit, që  edhe më shumë po i shtyn ndërtuesit të rrisin çmimet.

Rritja e çmimeve ndërkohë është justifikuar edhe nga rritja e kërkesës për banim nga banorë vendas të cilët: 1) Blejnë për arsye banimi për veten ose fëmijët e tyre; 2) Për arsye investimi, duke ditur që pasuritë e paluajtshme mbeten investimi i vetëm i prekshëm nga blerësit; 3)

Për arsye biznesi sidomos në zonat e qendrës së qytetit, ku shumë prej apartamenteve janë kthyer për qira ditore nëpërmjet ofrimit të tyre nga platforma ndërkombëtare Airbnb, ose në funksion të biznesit në lulëzim të turizmit dentar e mjekësor”, – argumenton zonja Dhami.

Profesor Doktor Elvin Meka nënvizon se kjo situatë nuk është thjesht rezultat i kërkesës së tregut për strehim, por pasojë e një sërë faktorësh të tjerë që kanë deformuar balancat.

Nga rritja e turizmit dhe orientimi i tregut drejt qirave afatshkurtra, te kërkesa në rritje nga blerës jorezidentë, kanalizimi i flukseve të parasë informale, rritja e kostove të ndërtimit dhe mungesa e mekanizmave kontrollues mbi spekulimin e çmimeve, të gjitha kanë bashkëvepruar për të prodhuar këtë realitet. “Kjo mospërputhje ka qenë e pranishme thuajse gjithmonë në treg, por vitet e fundit, divergjenca dhe hendeku mes tyre është bërë shumë e thellë, e kjo për disa arsye.

Së pari, një aspekt lidhet me rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme në rrafsh global, pas pandemisë Covid-19, prirje që as Shqipëria nuk u anashkalua e që u lidh kryesisht me një rritje të përgjithshme të kërkesave për to, si dhe për qëllime të rritjes së kërkesës turistike, që shënoi rritje domethënëse pas hapjes nga pandemia.

Së dyti, rritja e shpejtë e kostove të ndërtimit, kryesisht si pasojë e problematikave të tregut të brendshëm me fuqinë punëtore (rritja e shpejtë e kësaj kostoje dhe vetë materialeve të ndërtimit), politika fiskale (taksa e ndikimit në infrastrukturë), etj.

Së treti, rritja e theksuar e kërkesës nga jorezidentët (përfshirë dhe shqiptarët me banim jashtë vendit) për rezidenca banimi.

Së katërti, problematikat me rivlerësimin e mundshëm të këtyre pasurive (që nuk u materializua si proces, duke sjellë një ulje të dukshme të ofertës në treg), si dhe amnistia fiskale dhe penale e shpallur por e jetësuar (që krijoi pritshmëri të lartë dhe rrjedhimisht dhe një fluks të lartë hyrjesh të parave në sektorin e ndërtimit).

Së pesti, kanalizimi i flukseve informale (ekonomia gri dhe ajo e zezë), të cilat përdorin përgjithësisht kanalin e tregut të pasurive të paluajtshme për pastrimin e tyre.

Së gjashti, rritja e fortë e sektorit të turizmit dhe kërkesës për qira afatshkurtër, që nxiti një kërkesë të shtuar nga individët për blerje të banesave, edhe nëpërmjet kredive bankare, që kanë njohur një rritje të madhe gjatë 2-3 viteve të fundit. Këtu mund të konsiderohet dhe efekti i “instinktit të turmës”, që potencon edhe më shumë blerjen e pasurive të paluajtshme, në periudha të rritjes së shpejtë të çmimeve. Së shtati, rritja e qëndrueshme ekonomike ka mundësuar më shumë disponibilitet për investime nga grupe të caktuara shoqërore për të investuar në pasuri të paluajtshme.

Së teti, si një vend në zhvillim, Shqipëria po kalon thuajse të njëjtin proces të rritjes së çmimit të pasurive të paluajtshme që është parë edhe në tregje dhe ekonomi të ngjashme dhe në stade të përafërta zhvillimi.

Të marra të gjithë së bashku, këta faktorë kanë kushtëzuar një rritje të fortë dhe më të shpejtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme në raport me rritjen e përgjithshme të të ardhurave (pra ritmi i rritjes së të ardhurave në ekonomi ka qenë më i ulët sesa efekti i faktorëve që nuk lidhet drejtpërdrejt me rritjen ekonomike)”, nënvizon ai.

Pas arrestimit të Maduro-s, SHBA merr pushtetin në Venezuelë

SHBA-ja në një operacion të madh ushtarak në Venezuelë, sipas Presidentit amerikan Donald Trump, rrëzuan nga pushteti kreun e shtetit Nicolas Maduro, dhe morën përkohësisht drejtimin e vendit.

Avionët luftarakë dhe helikopterët amerikanë sulmuan objektiva në Venezuelë të shtunën në mbrëmje, ndërsa trupat elitare arrestuan Maduron dhe gruan e tij dhe i nxorën jashtë vendit. Ndërkohë Maduro është nxjerrë në Amerikë edhe para organeve të drejtësisë.

Liderja e opozitës, María Corina Machado, flet për “orën e lirisë” për Venezuelën. Rusia dhe aleatët e tjerë të Maduros e dënuan ndërhyrjen, ndërsa BE-ja bëri thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar.

“Ne do ta udhëheqim vendin për aq kohë sa të duhet për të siguruar një tranzicion të sigurt, të rregullt dhe të shëndoshë”, tha Trump në një konferencë shtypi në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, raporton DW, transmeton albinfo.ch.

Ai kontestoi aftësinë e lideres së opozitës venezueliane, fituese e Çmimit Nobel për Paqe Machado, për të udhëhequr vendin, duke pretenduar se ajo nuk ka “mbështetjen e popullit” për këtë detyrë. Por zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez, siç tha Trump, tregoi gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar. Machado më parë bëri thirrje për emërimin e menjëhershëm të politikanit të opozitës dhe ish-kandidatit presidencial Edmundo González Urrutia si kreu i shtetit, ndërsa ai vetë foli për “orë vendimtare” për vendin.

Akuza, gjyq dhe interesa ekonomike

Sipas Trump, Maduro u arrestua në një “fortesë” të ruajtur mirë, ndërsa përpiqej të arratisej në një strehë të fortifikuar. Presidenti amerikan tha se e pa arrestimin drejtpërdrejt “si një shfaqje televizive”. Asnjë ushtar amerikan nuk u vra në operacion, të cilin ai e quajti “të shkëlqyer”. Trump postoi në rrjetet sociale një foto të Maduro-s me pranga dhe me një maskë të zezë mbi sy, në kuvertën e një anijeje luftarake amerikane.

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka njoftuar se Maduro do të gjykohet në Nju Jork për “konspiracion narko-terrorizëm”. Ai ndërkohë është transferuar në Amerikë, prej nga janë parë edhe pamjet televizive dhe fotografitë. Trump e ka akuzuar vazhdimisht Venezuelën për inkurajim aktiv të kontrabandës së drogës në SHBA.

Qeveria në Karakas u kundërpërgjigj me akuza se qëllimi i vërtetë i SHBA-së është të marrë përsipër rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës. Trump ka konfirmuar se kompanitë amerikane të naftës do të fillojnë operacionet në Venezuelë, duke investuar miliarda dollarë dhe duke rindërtuar infrastrukturën për të rritur prodhimin e naftës.

Reagime dhe paralajmërime ndërkombëtare

Rusia, Irani dhe Kuba e dënuan ashpër operacionin amerikan. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, bëri thirrje për përmbajtje dhe respekt për të drejtën ndërkombëtare. Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se qeveria e tij po “monitoronte situatën” dhe se veprimi i SHBA-së ishte “kompleks”.

Në të njëjtën kohë, ai tha se zgjedhjet në të cilat Maduro mori pushtetin “nuk ishin legjitime”. Ministria e Jashtme gjermane lëshoi ​​një paralajmërim udhëtimi për të gjithë Venezuelën, duke i këshilluar qytetarët e saj të qëndronin të sigurt.

Në Berlin të shtunën në mbrëmje pati protesta të vogla kundër ndërhyrjeve të Uashingtonit. Në protestat përpara Portës së Brandenburgut, e cila ndodhet pranë Ambasadës Amerikane, mund të shiheshin shenja të grupeve të krahut të majtë.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot paralajmëroi se një “zgjidhje e përhershme politike nuk duhet t’i imponohet Venezuelës nga jashtë”, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres shprehu shqetësim të thellë për shkeljet e së drejtës ndërkombëtare.

Sipas gjeneralit amerikan Dan Caine, operacioni u përgatit për muaj me pjesëmarrjen e 150 avionëve. U mblodhën informacione të hollësishme për Maduron, ndërsa ai dhe gruaja e tij u dorëzuan pa rezistencë. Trump lëshoi ​​gjithashtu paralajmërime të ashpra për udhëheqës të tjerë të krahut të majtë në rajon, veçanërisht në Kolumbi dhe Kubë. Këto vende, sikur edhe Rusia, kanë dënuar ndërhyrjen amerikane.

Trump: Venezuela do të drejtohet nga SHBA-ja

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar sot se Venezuela do të drejtohet nga SHBA-ja, menjëherë pas kapjes së presidentit, Nicolas Maduro, duke theksuar se kjo masë është e përkohshme dhe ka për qëllim të garantojë një tranzicion të sigurt dhe të kontrolluar të pushtetit.

“Ne do të drejtojmë vendin deri në momentin kur të mund të bëjmë një tranzicion të sigurt, të duhur dhe të drejtë,” tha Trump gjatë një konference për media nga klubi i tij privat, Mar-a-Lago, në Florida, teksa theksoi se ky veprim është një masë e domosdoshme për të shmangur destabilizimin e vendit dhe për të siguruar që ndryshimi i pushtetit të kryhet pa rrëmujë, transmeton albinfo.ch.

“Nuk duam të përfshihemi në situatën ku dikush tjetër të marrë pushtetin, dhe kemi të njëjtën situatë që kemi pasur gjatë periudhës së gjatë të viteve të fundit. Prandaj, ne do të drejtojmë vendin,” shtoi lideri amerikan, duke lënë të kuptohet se SHBA-ja do të ketë kontroll të drejtpërdrejtë mbi Venezuelën për një periudhë të pacaktuar derisa të krijohen kushtet për një qeverisje stabile dhe legjitime.

Trump nuk dha asnjë afat kohor se sa do të zgjasë ky tranzicion i pushtetit, duke lënë hapësirë për spekulime mbi kohëzgjatjen e përfshirjes amerikane dhe hapat e mëtejshëm që mund të ndërmerren për rikthimin e stabilitetit në Venezuelë.

Vazhdojnë pritjet e gjata në dalje të Kosovës

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë, në përditësimin e fundit ka njoftuar se po vazhdojnë pritjet e gjata në disa prej pikave kufitare, sidomos në dalje të Kosovës.

Pritjet më të gjata janë regjistruar në dalje të vendit në Merdarë, 150 minuta, apo dy orë e gjysmë, transmeton albinfo.ch.

Një orë janë regjistruar pritje te Dheu i Bardhë.

Deri në 20 minuta janë pritjet për të dalë përmes pikës në Bërnjak, Jarinje dhe Muçibabë.