Bota
Pas arrestimit të Maduro-s, SHBA merr pushtetin në Venezuelë
Sipas Trump, Maduro u arrestua në një "fortesë" të ruajtur mirë, ndërsa përpiqej të arratisej në një strehë të fortifikuar
SHBA-ja në një operacion të madh ushtarak në Venezuelë, sipas Presidentit amerikan Donald Trump, rrëzuan nga pushteti kreun e shtetit Nicolas Maduro, dhe morën përkohësisht drejtimin e vendit.
Avionët luftarakë dhe helikopterët amerikanë sulmuan objektiva në Venezuelë të shtunën në mbrëmje, ndërsa trupat elitare arrestuan Maduron dhe gruan e tij dhe i nxorën jashtë vendit. Ndërkohë Maduro është nxjerrë në Amerikë edhe para organeve të drejtësisë.
Liderja e opozitës, María Corina Machado, flet për “orën e lirisë” për Venezuelën. Rusia dhe aleatët e tjerë të Maduros e dënuan ndërhyrjen, ndërsa BE-ja bëri thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar.
“Ne do ta udhëheqim vendin për aq kohë sa të duhet për të siguruar një tranzicion të sigurt, të rregullt dhe të shëndoshë”, tha Trump në një konferencë shtypi në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, raporton DW, transmeton albinfo.ch.
Ai kontestoi aftësinë e lideres së opozitës venezueliane, fituese e Çmimit Nobel për Paqe Machado, për të udhëhequr vendin, duke pretenduar se ajo nuk ka “mbështetjen e popullit” për këtë detyrë. Por zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez, siç tha Trump, tregoi gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar. Machado më parë bëri thirrje për emërimin e menjëhershëm të politikanit të opozitës dhe ish-kandidatit presidencial Edmundo González Urrutia si kreu i shtetit, ndërsa ai vetë foli për “orë vendimtare” për vendin.
Akuza, gjyq dhe interesa ekonomike
Sipas Trump, Maduro u arrestua në një “fortesë” të ruajtur mirë, ndërsa përpiqej të arratisej në një strehë të fortifikuar. Presidenti amerikan tha se e pa arrestimin drejtpërdrejt “si një shfaqje televizive”. Asnjë ushtar amerikan nuk u vra në operacion, të cilin ai e quajti “të shkëlqyer”. Trump postoi në rrjetet sociale një foto të Maduro-s me pranga dhe me një maskë të zezë mbi sy, në kuvertën e një anijeje luftarake amerikane.
Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka njoftuar se Maduro do të gjykohet në Nju Jork për “konspiracion narko-terrorizëm”. Ai ndërkohë është transferuar në Amerikë, prej nga janë parë edhe pamjet televizive dhe fotografitë. Trump e ka akuzuar vazhdimisht Venezuelën për inkurajim aktiv të kontrabandës së drogës në SHBA.
Qeveria në Karakas u kundërpërgjigj me akuza se qëllimi i vërtetë i SHBA-së është të marrë përsipër rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës. Trump ka konfirmuar se kompanitë amerikane të naftës do të fillojnë operacionet në Venezuelë, duke investuar miliarda dollarë dhe duke rindërtuar infrastrukturën për të rritur prodhimin e naftës.
Reagime dhe paralajmërime ndërkombëtare
Rusia, Irani dhe Kuba e dënuan ashpër operacionin amerikan. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, bëri thirrje për përmbajtje dhe respekt për të drejtën ndërkombëtare. Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se qeveria e tij po “monitoronte situatën” dhe se veprimi i SHBA-së ishte “kompleks”.
Në të njëjtën kohë, ai tha se zgjedhjet në të cilat Maduro mori pushtetin “nuk ishin legjitime”. Ministria e Jashtme gjermane lëshoi një paralajmërim udhëtimi për të gjithë Venezuelën, duke i këshilluar qytetarët e saj të qëndronin të sigurt.
Në Berlin të shtunën në mbrëmje pati protesta të vogla kundër ndërhyrjeve të Uashingtonit. Në protestat përpara Portës së Brandenburgut, e cila ndodhet pranë Ambasadës Amerikane, mund të shiheshin shenja të grupeve të krahut të majtë.
Ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot paralajmëroi se një “zgjidhje e përhershme politike nuk duhet t’i imponohet Venezuelës nga jashtë”, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres shprehu shqetësim të thellë për shkeljet e së drejtës ndërkombëtare.
Sipas gjeneralit amerikan Dan Caine, operacioni u përgatit për muaj me pjesëmarrjen e 150 avionëve. U mblodhën informacione të hollësishme për Maduron, ndërsa ai dhe gruaja e tij u dorëzuan pa rezistencë. Trump lëshoi gjithashtu paralajmërime të ashpra për udhëheqës të tjerë të krahut të majtë në rajon, veçanërisht në Kolumbi dhe Kubë. Këto vende, sikur edhe Rusia, kanë dënuar ndërhyrjen amerikane.
E-Diaspora
-
Sabahat Meta për albinfo.ch: Për 7 vite, Kino Kosova është shndërruar në një urë kulturore mes Kosovës dhe Zvicrës Nga 9 deri më 13 shtator, Berna do të jetë sërish nikoqire e festivalit Kino Kosova,... -
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë -
Nga Ferizaj në skenën e Miss World 2026, Blair Isufi: Ky rrugëtim është për Kosovën -
Konsullata e Kosovës në Gjenevë organizon aktivitete përkujtimore për personat e zhdukur -
Konferenca IV “Ekonomia shpëton Luginën” mbahet me 26 shtator në Bujanoc
Jeta në Austri
-
Matoshi transferohet nga Fc Thun te Sturm Graz i Austrisë Ai largohet nga kampioni aktual i Zvicres pas 7 vitesh, për një vlerë prej 1... -
Interesim i jashtëzakonshëm për ndeshjen Austri – Kosovë, shiten 40 mijë bileta -
Austri: Ministria e Financave paralajmëron për mashtrim me ndihmën familjare -
A do të shtrenjtohen hipotekat dhe kreditë nëpër Evropë? -
Austri: Meteorologët japin paralajmërim për stuhi













