Skip to content

Mbi 10 milionë gra dhe vajza rrezikojnë të mbeten pa shërbime shëndetësore për shkak të shkurtimeve të ndihmës

Foto ilustrim

Shkurtimet e ndihmës ndërkombëtare po rrezikojnë qasjen në shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues, si dhe në mekanizmat e mbrojtjes nga dhuna për miliona gra dhe vajza në mbarë botën, paralajmëron Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA).

Sipas UNFPA-së, nga 10 deri në 12 milionë gra dhe vajza mund të privohen nga këto shërbime nëse vazhdon mungesa e financimit, ndërsa gati një milion prej tyre kanë humbur tashmë qasjen në shërbimet që më parë i merrnin, sipas UN Women.

Pasojat janë veçanërisht të rënda në vende të prekura nga konfliktet dhe krizat humanitare, si Haiti, Afganistani, Jemeni, Sudani dhe Mianmari. Në Haiti, ku dhuna seksuale nga bandat e armatosura është e përhapur, organizatat humanitare po përballen me pamundësi për të ofruar shërbime për të mbijetuarat, përfshirë kontracepsionin emergjent dhe kujdesin mjekësor.

Sipas një raporti të UN Women, 84% e 855 organizatave të grave të anketuara në 52 kontekste krizash kanë raportuar rritje të kërkesës për ndihmë, ndërsa 88% nuk arrijnë t’u përgjigjen nevojave. Rreth 77% janë detyruar të largojnë punonjës, ndërsa katër nga dhjetë organizata kanë frikë se mund të mbyllin ose pezullojnë aktivitetet brenda një viti.

Në vitin 2025, 95% e fondeve amerikane për shëndetin seksual dhe riprodhues u ndërprenë. Ndërkohë, sipas OECD-së, ndihma zyrtare për zhvillim në të njëjtin vit ra për 23%, në 174.3 miliardë dollarë, rënia më e madhe vjetore e regjistruar.

Organizatat humanitare paralajmërojnë se mungesa e kujdesit mjekësor për të mbijetuarat e dhunës seksuale rrit rrezikun e shtatzënive të padëshiruara, infeksioneve dhe komplikimeve shëndetësore, ndërsa pasojat mund të shtrihen edhe te gjeneratat e ardhshme, duke përforcuar ciklet e varfërisë, shfrytëzimit dhe dhunës.