Universitetet zvicerane paralajmërojnë se plani “10 milionë” mund të dëmtojë kërkimet

Nëse popullsia e Zvicrës arrin 9.5 milionë, Këshilli Federal do të detyrohet të frenojë ndjeshëm imigracionin; me 10 milionë, madje mund të detyrohet të ndërpresë marrëveshjet ndërkombëtare.

Kjo do të përbënte “një ndërhyrje radikale dhe do të dëmtonte rëndë jo vetëm ekonominë zvicerane, por edhe kërkimin”, tha për SonntagsBlick Luciana Vaccaro, presidente e Swissuniversities.

Paralajmërimi i saj bazohet në një opinion ligjor të porositur nga Swissuniversities. Sipas analizës, propozimi i paraqitur nga Partia Popullore Zvicerane (SVP), i cili do të shkojë në votim më 14 qershor, mund të shkaktojë të ashtuquajturën klauzolë gijotine, duke vënë në rrezik marrëveshjet dypalëshe të Zvicrës me Bashkimin Evropian.

“Nëse arrijmë pragun prej 10 milionësh dhe na kërkohet të ndërpresim marrëveshjet që lidhen me lëvizjen e lirë të personave, rrezikojmë përsëri të përjashtohemi nga Horizon Europe, Erasmus+, Digital Europe ose Euratom – disa nga programet kryesore kërkimore në botë. Kjo do të ishte shkatërruese”, tha Vaccaro, transmeton albinfo.ch.

Gjysma e profesorëve nga jashtë

Universitetet zvicerane renditen ndër më të mirat në nivel global, kryesisht sepse tërheqin studiues të nivelit të lartë dhe mbajnë partneritete të forta ndërkombëtare, shtoi ajo. “Rreth gjysma e profesorëve të universitetit në Zvicër vijnë nga jashtë dhe dy të tretat e projekteve kryesore kërkimore janë të ankoruara ndërkombëtarisht.”

Sipas Vaccaro-s, përfitimet e kërkimit shtrihen përtej akademisë. Rreth gjysma e themeluesve të startup-eve në Zvicër nuk kanë pasaportë zvicerane dhe një pjesë e konsiderueshme e patentave përfshijnë shtetas të huaj. “Ne përfitojmë jashtëzakonisht shumë nga ky talent”, tha ajo.

Lideri gjerman dhe ai francez i bëjnë thirrje Kurtit për përparim në dialogun me Serbinë

Përmes letrave të urimit pas rizgjedhjes së Albin Kurtit në krye të Qeverisë, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz i kanë kërkuar atij angazhim në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ata i kanë shprehur mbështetjen e tyre në këtë proces.

Merz ka shkruar se para Qeverisë qëndrojnë detyra sfiduese, duke shprehur bindjen se ajo do t’i marrë vendimet e duhura për integrimin e nevojshëm euroatlantik të Kosovës, ku në to përfshihen edhe përparimet e mëtejshme në dialogun me Serbinë.

“Me rastin e rizgjedhjes suaj, ju përgëzoj përzemërsisht. Gëzohem që së bashku me ju të vazhdojmë të thellojmë marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore midis vendeve tona. Para jush dhe qeverisë suaj qëndrojnë detyra sfiduese. Jam i bindur se, me përvojën tuaj, do të merrni vendimet e duhura dhe të nevojshme për integrimin e mëtejshëm euro-atlantik të Kosovës. Në këtë përfshihen edhe përparime të mëtejshme në dialogun e normalizimit me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ju siguroj se Kosova, në këto detyra, ka në Gjermani një partner të fortë dhe të besueshëm në krahun e saj”, thuhet në letër, transmeton albinfo.ch.

Në anën tjetër Macroni ka shkruar se Franca gjithashtu do të vazhdojë të qëndrojë krah Kosovës dhe do t’i mbështesë përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

“Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit kanë përcaktuar drejtimin dhe u takon të dyja palëve të zbatojnë angazhimet e ndërmarra, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ju e njihni përkushtimin tim ndaj objektivit të ribashkimit të kontinentit tonë: Franca është e bindur se vendi i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në rrugën e saj evropiane. Franca do të vazhdojë gjithashtu të mbështesë pa u lodhur përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat përbëjnë një dimension thelbësor të këtij procesi afrimi me Bashkimin Evropian”, thuhet ndër të tjera në letrën e tij.

Presidenti amerikan i jep Teheranit 48 orë afat për hapjen e Ngushticës së Hormuzit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka dhënë 48 orë afat Iranit që “të hapë plotësisht” Ngushticën e Hormuzit, ose në të kundërtën do të “shkatërrojë” termocentralet e Iranit, që do të ishte një përshkallëzim i madh në luftën që tashmë kërcënon të dalë jashtë kontrollit.

“Nëse Irani nuk e HAP PLOTËSIHTISH, PA KËRCËNIM Ngushticën e Hormuzit brenda 48 ORËSH nga ky moment, Shtetet e Bashkuara do të godasin dhe do të shkatërrojnë plotësisht TERMONCENTRALET E TYRE, DUKE NISUR NGA MË I MADHI”, shkroi ai në Truth Social, transmeton albinfo.ch.

Trump nuk ka dhënë detaje se cilat termocentrale do të jenë në shënjestër të SHBA-së dhe ky paralajmërim vjen një ditë pasi Trump tha se po e shqyrtonte “uljen e intensitetit” të operacioneve ushtarake.

Në përgjigje të ultimatumit të Trumpit, komanda e ushtrisë së Iranit, sipas medias shtetërore iraniane, citohet të ketë thënë se nëse sulmohen karburantet dhe infrastruktura e energjisë, e gjithë infrastruktura e energjisë që i përket SHBA-së në rajon do të shënjestrohet.

Çka e bën Shqipërinë speciale për ta vizituar verës

Ndërsa afrohemi drejt verës së 2026, shumë turistë po kërkojnë destinacione pushimesh që jo vetëm ofrojnë përvoja të paharrueshme, por gjithashtu janë miqësore me portofolin, shkruan Claudia Franco Alcántara në një artikull të botuar në revistën argjentinase të udhëtimit “InTriper”.

Në këtë kuadër, një destinacion “ka dalë mbi të tjerët”, duke premtuar diell, kulturë dhe aventurë – pa qenë e nevojshme për të shpenzuar shumë, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Pse duhet të zgjidhni një destinacion ekonomik?

Zgjedhja e një destinacioni të përballueshëm nuk do të thotë sakrifikim i përvojave.

Në fakt, shumë herë këto vende ofrojnë autenticitet dhe sharm që destinacionet më të frekuentuara dhe më të shtrenjta nuk e kanë.

Duke zgjedhur një destinacion ekonomik, është e mundur të:

  • Eksploroni më shumë falë kostove të ulëta të aktiviteteve dhe akomodimit.
  • Shijoni vendet kulturore larg turmave të vizitorëve.
  • Shfrytëzoni më mirë buxhetin për të provuar gastronominë lokale.

Për më tepër, duke zgjedhur rajone më pak të njohura, mbështesni ekonomitë lokale që varen nga turizmi për të zhvilluar dhe përparuar.

Destinacioni i verës 2026

Vendi që konsiderohet si më ekonomik për pushimet e verës është Shqipëria.

Kjo perlë në juglindje të Evropës ofron peizazhe mahnitëse, plazhe të paprekura dhe histori të pasur që reflektohet në arkitekturën dhe traditat e saj.

Çfarë e bën Shqipërinë kaq speciale?

Shqipëria, shpesh e lënë pas dore për shkak të fqinjëve më të njohur si Greqia dhe Kroacia, po shfaqet si destinacioni perfekt për turistët që duan të eksplorojnë Evropën në një mënyrë më autentike dhe me kosto shumë më të ulët.

Plazhe mbresëlënëse

Shqipëria ka një vijë bregdetare të gjatë përgjatë detit Adriatik dhe atij Jon, duke ofruar plazhe magjepsëse që mund të konkurrojnë me çdo vend tjetër në Evropë.

Vende si Ksamili dhe Dhërmiu ofrojnë ujëra të kristalta dhe rërë të artë pa turmat që mbushin destinacionet e tjera mesdhetare.

Pasuri kulturore dhe historike

Nga rrënojat romake në Butrint, një sit i shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO deri tek rrugicat e kalldrëmta të Gjirokastrës, “qyteti i gurtë”, Shqipëria është e pasur me histori.

Vizitorët mund të eksplorojnë rrënojat e qytetërimeve të së shkuarës ndërsa shijojnë mikpritjen shqiptare.

Gastronomia që kënaq shijen

Kuzhina shqiptare është një kënaqësi për shqisat, duke kombinuar ndikimet mesdhetare dhe ballkanike.

Gatimet janë të pasura dhe të freskëta, dhe ngrënia në Shqipëri është jo vetëm e shijshme, por edhe jashtëzakonisht e përballueshme.

Mos humbisni të provoni byrekun, e mbushur me djathë, spinaq ose mish.

Lidhje të lehta dhe përballueshmëri e pakrahasueshme

Udhëtimi në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më i lehtë, me një numër gjithnjë e më të madh fluturimesh direkte nga qytete të ndryshme evropiane.

Tansporti është i lirë dhe efikas, duke e bërë vendin një destinacion të menaxhueshëm për ata që duan të eksplorojnë pa ngut.

Akomodim për të gjitha shijet dhe buxhetet

Nga hostelet ekonomike deri te hotelet “boutique” me sharm, Shqipëria ofron opsione akomodimi për çdo lloj vizitori.

“Airbnbs” ose shtëpitë e mikpritjes i mundësojnë vizitorëve të përjetojnë jetën lokale me një çmim të arsyeshëm.

Këshilla për të shijuar maksimalisht udhëtimin në Shqipëri

Për të përfituar sa më shumë nga eksperienca në Shqipëri, merrni parasysh:

  • Rezervoni paraprakisht për të siguruar tarifat më të mira për fluturimet dhe akomodimin.
  • Merrni me qira një makinë për të eksploruar peizazhin e bukur dhe fshatrat e vogla.
  • Komunikoni me vendasit për të zbuluar thesarë të fshehur dhe për të marrë rekomandime autentike.
  • Vizitojeni vendin gjatë jashtë sezonit veror për të shmangur turmat dhe për të përfituar çmime më të mira.

Vizita në Shqipëri nuk është vetëm një vendim i zgjuar ekonomikisht, por një mundësi për të zbuluar një destinacion në gjendjen e tij më të pastër dhe të paprekur.

Me mrekullitë e saj natyrore, pasurinë kulturore dhe mikpritjen e ngrohtë, Shqipëria është destinacioni ideal për pushime të paharrueshme dhe të përballueshme në 2026.

Pavarësisht nëse jeni një aventurier, një dashamirës i kulturës, apo thjesht kërkoni një vend për t’u relaksuar me pamje mahnitëse, Shqipëria premton një eksperiencë të papërsëritshme.

Është koha të rezervoni biletat dhe të përgatiteni për një aventurë të jashtëzakonshme në këtë vend magjepsës dhe ekonomik.

Vdekja e 19 vjeçarit shqiptar në Londër në vendin e punës, reagon familja e tij

Një 19-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pasi ka rënë në një bosht ventilimi në një aksident të cilësuar si “plotësisht i shmangshëm” në një kantier ndërtimi në Acton, Londër.

Viktima, R. Lleshi, po ndihmonte në çmontimin e skelave në kopshtin e çatisë në katin e 12-të të një pallati në ndërtim, në zonën e Ark Soane Academy në Mill Hill Road, raportojnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Sipas hetimeve, teksa ai shkeli mbi një bosht ventilimi, mbulesa e tij u shemb, duke e bërë të binte gjashtë kate poshtë, çka i shkaktoi vdekjen.

Autoriteti britanik për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë (HSE) konstatoi se hapësira ishte mbuluar vetëm me një fletë kartoni gipsi dhe shkumë çatie, masa këto të pamjaftueshme sigurie.

Po ashtu, u zbulua se inspektimet rutinë të objektit nuk përfshinin zonën e kopshtit të çatisë, duke bërë që rreziku të mos identifikohej dhe asnjë paralajmërim të mos i jepej ekipit të skelave.

Familja e të ndjerit deklaroi se fakti që vdekja e tij ishte plotësisht e shmangshme e bën humbjen edhe më të rëndë për ta. Babai i tij u shpreh se, megjithëse janë mirënjohës për hetimin dhe ndjekjen penale të përgjegjësve, asgjë nuk mund ta rikthejë djalin e tyre apo të lehtësojë dhimbjen.

Kompania e ndërtimit “Jerram Falkus Construction Limited”, punëdhënësi i viktimës, pranoi shkeljen e rregullave për punën në lartësi dhe u gjobit me 42,200 funte, si dhe u detyrua të paguajë 2,000 funte shtesë dhe 5,000 funte shpenzime gjyqësore nga Gjykata e Magjistraturës së City of London.

Zvicra planifikon park gjigant të çokollatës – investim qindra milionë franga

Zvicra ka prezantuar planet për ndërtimin e një parku të madh tematik të dedikuar çokollatës, një projekt ambicioz që synon të tërheqë turistë nga e gjithë bota dhe të forcojë imazhin e vendit si qendër globale e çokollatës.

Parku pritet të ndërtohet në Broc, në kantonin Fribourg, duke zgjeruar kompleksin ekzistues të fabrikës dhe muzeut të çokollatës Cailler.

Projekti parashikon një investim total prej rreth 400 milionë frangash zvicerane, përfshirë infrastrukturën shoqëruese si hotele dhe transport, transmeton albinfo.ch.

Sipas planeve, zona do të shtrihet në rreth 30 mijë metra katrorë dhe do të përfshijë hapësira interaktive ku vizitorët mund të përjetojnë botën e çokollatës përmes shijes, aromës dhe historisë së saj. Një vizitë e plotë mund të zgjasë deri në pesë orë.

Projekti gjithashtu parashikon restaurimin e ndërtesave të vjetra industriale dhe ndërtimin e serave me pemë kakaoje, si dhe një strukturë moderne në çati për aktivitete dhe shitje.

Për të reduktuar trafikun në zonë, parkimi do të zhvendoset jashtë kompleksit dhe vizitorët do të transportohen drejt parkut përmes një teleferiku, duke inkurajuar edhe përdorimin e transportit publik.

Megjithatë, projekti është përballur me shqetësime për ruajtjen e trashëgimisë, pasi fabrika Cailler është pjesë e listës së objekteve me rëndësi kombëtare. Planet janë rishikuar për të ruajtur karakterin historik të zonës.

Ky park pritet të shndërrohet në një nga atraksionet më të mëdha turistike në Zvicër, duke kombinuar traditën shumëvjeçare të prodhimit të çokollatës me një përvojë moderne për vizitorët.

Portieri i Kosovës më i miri i ndeshjes në Itali

Portieri i Kosovës, Arijanet Muriç, ka pasur një paraqitje mbresëlënëse në ndeshjen e së shtunës mbrëma në Serie A, duke ndihmuar Sassuolon të marrë një pikë të rëndësishme në udhëtimin te Juventusi.

Portieri dardan u shfaq vendimtar, duke ndalur penalltinë e Manuel Locatellit në minutën e 87-të, teksa realizoi edhe disa pritje të tjera vendimtare gjatë minutave shtesë. Ai gjithashtu bëri ndërhyrje të rëndësishme gjatë kohës së rregullt të ndeshjes dhe u konsiderua më i miri i kësaj ndeshjeje, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, Edon Zhegrova pati pak minuta në dispozicion te Juventusi, pasi u inkuadrua në lojë në minutën e 88-të.

Pas këtij barazimi, Juventusi zë vendin e pestë në tabelë me 54 pikë, ndërsa Sassuolo qëndron në mes të tabelës me 39 pikë.

 

Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik

Lamtumira e fundit dje iu dha tre kosovarëve që humbën jetën në një kantier ndërtimi në Vjenë. Trupat e pajetë të Pajtim Bajramit, Asllan Musliut dhe Idriz Zekajt  pas riatdhesimit, u prehen në paqe në varrezat e familjeve të tyre në Kosovë, raporton albinfo.at

Ndërkohë, në qarkun Alsergrund, të shtunën pasdite u mbajt një homazh përkujtimor për katër viktimat. U përsërit kërkesa për një hetim të plotë dhe tërësor të aksidentit.

Edhe disa ditë pas aksidentit tragjik në vendin e punës, tronditja shpirtërore tek popullata në Vjenë është ende e thellë. Dje pasdite, pikërisht në vendin ku ndodhi edhe rasti tragjik, u mblodhën qytetarë të shumtë për të përkujtuar katër viktimat, tre prej tyre shtetas kosovarë. “Po e organizojmë këtë aktivitet sepse është shumë e rëndësishme për ne të ofrojmë një hapësirë ​​ku së bashku të shprehim ngushëllimet, por edhe të tregojmë solidaritetin tonë me të afërmit e tyre dhe familjet e tyre”, tha kryetarja e qarkut(Bezirk) Saya Ahmad (SPÖ), shkruan orf.at, përcjell albinfo.at.

Personi i lënduar në gjendje të qëndrueshme

Aksidenti fatal në vendin e punës ndodhi të martën pasdite. Katër punëtorë ndërtimi vdiqën kur një konstruksion ndërtimi u shemb në oborrin e ndërtesës; tre ishin nga Kosova dhe një nga Novi Pazari. Betoni i lagësht pengoi operacionin e shpëtimit. Një punëtor tjetër ndërtimi u lëndua rëndë dhe u dërgua në spital; gjendja e tij aktuale është stabile. Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Vjenës, 120 personel emergjence u përfshinë në operacionin katër-orësh.

Kërkesa për një hetim të plotë dhe tërësor të aksidentit ishte pjesë e pashmangshme edhe në këtë tubim.

Christian Ringseis, drejtori shtetëror i Sindikatës së Ndërtimit dhe Punonjësve të Drurit, kërkon: “Shqetësimi ynë kryesor është të garantojmë dhe promovojmë një hetim të plotë dhe tërësor dhe zbatimin e sigurisë në punë në të gjitha fushat”. Përgjegjësia e përgjithshme e kontraktorit duhet të garantojë gjithashtu sigurinë për nënkontraktohet dhe të gjithë punëtorët e ndërtimit. “Siguria në kantieret e ndërtimit nuk duhet të delegohet dhe sigurisht që nuk duhet negociuar”, deklaroi Ringseis.

Raporti në Zyrën e Prokurorit Publik

Mund të duhen muaj për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit. Pas ekzaminimit policor të trupave të punëtorëve të ndërtimit të vdekur, faktet e përcaktuara dhe renditja e ngjarjeve iu dorëzuan Zyrës së Prokurorit Publik të Vjenës në një raport paraprak. Nëse sjellja neglizhencë apo kriminale mund të ketë kontribuar në aksidentin në vendin e punës është një çështje që i takon Zyrës së Prokurorit Publik për të vendosur. Autoriteti Ndërtues i Vjenës (MA 37) deklaroi të mërkurën se nuk kishte parregullsi në vetë kantierin e ndërtimit

Shoferi 87 vjeçar përplaset me grupin e kampit shkollor – një i vdekur

Një aksident i rëndë ndodhi në Sedrun të premten në mëngjes. Një shofer 87-vjeçar u përplas me një grup të kampit shkollor me shoqërues. Një grua 47-vjeçare, udhëheqësja e kampit, vdiq dhe dy adoleshentë u plagosën rëndë.

Lajmi ishte publikuar fillimisht në mbrëmjen e të premtes por ende nuk kishte konfirmim zyrtar për vdekjen e gruas së përmendur. Konfirmimi është bërë sot, nga policia Kantonale e Grubündenit.

Aksidenti ndodhi pak para orës 10 të mëngjesit të premten në një rrugë banimi në Sedrun, sipas Policisë Kantonale të Graubünden, trnsmeton albinfo.ch. Gjetjet fillestare tregojnë se shoferi 87-vjeçar shtypi aksidentalisht pedalin e gazit në vend të pedalit të frenave.

Makina përshpejtoi dhe goditi katër persona. Ata ishin anëtarë të një grupi të kampit shkollor me shoqërues. Një grua 47-vjeçare u plagos aq rëndë sa vdiq në vendngjarje. Sipas Blick, ajo ishte udhëheqësja e kampit. Dy vajza 13-vjeçare me lëndime të moderuara deri të rënda u transportuan me helikopter në spital.

Një djalë gjithashtu pësoi lëndime të lehta. Anëtarët e tjerë të grupit u përkujdesën nga një ekip kujdesi.

Prokuroria Publike e Graubündenit dhe policia kantonale po hetojnë tani rrethanat e sakta që çuan në aksident.

Musk shpallet përgjegjës për mashtrim

Miliarderi i teknologjisë Elon Musk është shpallur përgjegjës për mashtrim në lidhje me blerjen e ish-shërbimit të mikroblogjeve, Twitter.

Një gjykatë në shtetin amerikan të Kalifornisë arriti në përfundimin se Musk bëri dy deklarata mashtruese në vitin 2022 në lidhje me numrin e llogarive të rreme dhe profileve të spamit në platformë, transmeton albinfo.ch.

Aksionarët tani kanë të drejtë për dëmshpërblim. Shuma e dëmshpërblimit nuk është përcaktuar ende.

Në një deklaratë të përbashkët, avokatët e Musk e përshkruan vendimin si një pengesë dhe shprehën besim në fitimin e apelit.

Miliarderi i teknologjisë Elon Musk pritet të paguajë dëmshpërblim për mashtrimin që lidhet me blerjen e shërbimit të mikroblogjeve Twitter.

Musk akuzohet për shtypjen e qëllimshme të çmimit të aksioneve të Twitter para blerjes së vitit 2022. Kjo dyshohet se përfshinte rinegocimin e çmimit të blerjes ose ndalimin e blerjes. Çështja ka të bëjë me deklaratat e bëra nga Musk në lidhje me numrin e llogarive të rreme dhe profileve të spamit në Twitter.

Juria tani u ka dhënë dëmshpërblim aksionarëve të Twitter. Shuma e saktë ende duhet të llogaritet. Musk mund të apelojë vendimin.

Aargau: Një ton kanabis u sekuestrua

Policia kantonale e Cyrihut çmontoi një plantacion kërpi në Spreitenbach (AG) të enjten, duke sekuestruar një ton kanabis në një ndërtesë. Oficerët gjetën gjithashtu armë dhe para të gatshme. Tre burra u arrestuan.

Gjatë inspektimit të një ndërtese të dyshimtë në Spreitenbach, policia kantonale e Cyrihut, gjatë një kontrolli të një gjermani 36-vjeçar, gjeti prova marihuane dhe rreth 30,000 euro në para të gatshme. Burri u arrestua.

Një orë më vonë, u arrestuan dy burra të tjerë. Ata, një kosovar 26-vjeçar dhe një shqiptar 29-vjeçar, u arrestuan gjithashtu për vepra penale të lidhura me drogën dhe shkelje të rregullave të qasjes, raporton RSI, transmeton albinfo.ch.

Gjatë një bastisjeje në objekt dhe tre kontrolleve të tjera në shtëpi në kantonin e Cyrihut, policia kantonale e Cyrihut sekuestroi rreth 24,000 bimë të paligjshme kanabisi dhe rreth një ton produkte kanabisi që përmbajnë THC.

Policia gjithashtu konfiskoi disa armë, municione, një jelek antiplumb dhe rreth 11,000 franga zvicerane në para të gatshme.

Në Spreitenbach, policia kantonale e Cyrihut u mbështet nga homologu i Argovës dhe, për sa i përket mbledhjes së provave, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i Cyrihut.

Për momentin, policia e Argovës nuk ka lëshuar asnjë deklaratë për këtë çështje. Shënimi i policisë së Cyrihut nuk shpjegon pse ajo ishte përgjegjëse për supremacinë në operacion.

Granit Xhaka rrëfen sakrificat e familjes,

Ylli kosovar i futbollit, Granit Xhaka, ka ndarë një rrëfim emocional në një intervistë për kanalet zyrtare të Premier League, ku foli për sakrificat e familjes dhe rrugëtimin e tij drejt suksesit.

Gjatë intervistës, Xhaka u ndal te fëmijëria e tij dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm i prindërve, të cilët punonin pa pushim për t’u siguruar kushte më të mira për fëmijët e tyre. Në një moment, mes kujtimeve të forta, ai nuk arriti t’i mbajë emocionet dhe shpërtheu në lot.

“Kam qenë lider që në moshën katërvjeçare, sepse prindërit e mi punonin gjithë ditën dhe bënin edhe punë shtesë. Vëllai im ishte pesë vjeç, unë katër, por unë mbaja përgjegjësinë e shtëpisë. Kishim ditë kur qëndronim vetëm deri në 18 orë,” rrëfeu ai.

Futbollisti theksoi se nuk mund ta imagjinojë që vajzat e tij të kalojnë një përvojë të tillë sot, duke e krahasuar realitetin e tij të atëhershëm me rolin aktual si prind.

Ai kujtoi edhe përkushtimin e nënës së tij, e cila niste punën që në orët e hershme të mëngjesit dhe vazhdonte gjatë gjithë ditës, duke u kujdesur gjithashtu për familjen.

“Ne kurrë nuk e harrojmë prej nga vijmë. Si baba sot, nuk mund ta imagjinoj t’i lë fëmijët vetëm për kaq gjatë. Por nëse beson në diçka dhe punon fort, mund ta arrish,” u shpreh Xhaka.

Rrëfimi i tij prekës ka marrë vëmendje të madhe, duke rikthyer në fokus jo vetëm suksesin e tij në futboll, por edhe historinë e sakrificës dhe përkushtimit familjar që qëndron pas tij./Albinfo.ch

https://youtube.com/shorts/_Fx17no70sQ?si=r5pwzlsZH5Tes3wb

Përplasje fatale në Itali: 30-vjeçari shqiptar qëllohet për vdekje pas një sherri

Ngjarja ndodhi pranë një klubi në zonën e Olmos, viktima u qëllua me katër plumba.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një përplasje mes disa shqiptarëve ka përfunduar tragjikisht me humbjen e jetës së një 30-vjeçari. Sipas informacioneve, sherri ka nisur për shkak të interesit për të njëjtën vajzë, shkruan albinfo.ch.

Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, midis të premtes, 20 mars dhe të shtunës, 21 mars, në zonën përpara një klubi pranë rrethrrotullimit të Olmos. Përplasja mes personave të përfshirë ka eskaluar deri në përdorimin e armës së zjarrit.

Viktima, 30 vjeç, është qëlluar me katër plumba dhe ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të përfshirë.

Detajet mbi motivin dhe dinamikën e plotë të konfliktit mbeten ende nën hetim, ndërsa ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali dhe më gjerë./Albinfo.ch

Ambasadori gjerman në Kosovë kërkon institucione stabile për avancimin drejt BE-së

Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, ka theksuar se vendit i nevojiten institucione stabile për të avancuar në rrugën drejt integrimit evropian dhe për të thelluar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, përcjell albinfo.ch. 

Rudolph deklaroi se partnerët ndërkombëtarë presin që aktorët politikë në Kosovë të veprojnë në interes të vendit dhe të mbështesin stabilitetin institucional. Sipas tij, një qasje e tillë është thelbësore për vazhdimin e agjendës së përbashkët në fushat ekonomike, politike dhe të sigurisë.

Ambasadori theksoi se Gjermania synon të bashkëpunojë me institucione që kanë mandat të qartë dhe legjitim, duke nënvizuar se stabiliteti politik është kusht i domosdoshëm për përparimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Ai shtoi se bashkëpunimi ekonomik, tregtia, investimet dhe projektet zhvillimore luajnë rol të rëndësishëm në këtë proces.

“Nuk kam asnjë ide se si do të vendosë Gjykata Kushtetuese dhe thjesht nuk më përket mua. Ajo që është me rëndësi për ne është që të kemi institucione stabile me të cilat do të punojmë…”, u shpreh Rudolph, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë institucionale dhe bashkëpunimit me të gjitha palët politike në vend.

Duke folur për marrëdhëniet ekonomike, ambasadori gjerman vlerësoi se tregtia mes Kosovës dhe Gjermanisë është në nivel të mirë, por mbetet e pabalancuar. Ai theksoi se ekziston hapësirë e madhe për rritjen e eksporteve nga Kosova drejt tregut gjerman.

Gjithashtu, Rudolph përmendi rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit zhvillimor përmes organizatës gjermane Giz duke përfshirë fusha si energjia, mjedisi, menaxhimi i mbeturinave dhe zhvillimi rajonal, si pjesë e mbështetjes për Kosovën në procesin e integrimit evropian.

Sa i përket zbatimit të Ligjit për të huajt, ambasadori theksoi rëndësinë e kujdesshme në implementim, në mënyrë që të mos cenohen shërbimet shëndetësore dhe arsimore, veçanërisht për komunitetet pakicë. Ai tha se partnerët ndërkombëtarë kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet për këtë çështje, duke kërkuar që zbatimi të bëhet në mënyrë që të ruhet qasja në shërbimet bazike.

Në fund, Rudolph vlerësoi lartë rolin e diasporës kosovare në Gjermani, duke e cilësuar atë si një urë të rëndësishme lidhëse mes dy vendeve, jo vetëm në aspektin ekonomik dhe diplomatik, por edhe në afrimin e shoqërive dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. /Albinfo.ch 

Akademia Ballkanike e Pianos bëhet pjesë e sistemit prestigjioz Trinity College London

Një arritje e rëndësishme për arsimin artistik në rajon është shënuar së fundmi, pasi International Piano Balkan Academy është bërë zyrtarisht pjesë e sistemit global të Trinity College London, një nga institucionet më të vjetra dhe më prestigjioze në botë në fushën e artit dhe edukimit muzikor, shkruan albinfo.ch. 

Ky bashkëpunim ndërkombëtar krijon një urë të rëndësishme mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës, duke sjellë mundësi të reja zhvillimi për studentët e akademisë. Përmes këtij partneriteti, ata do të kenë qasje në një rrjet global artistik dhe arsimor, duke përfituar nga programe studimi të standardeve ndërkombëtare dhe bashkëpunime me institucione të njohura të muzikës.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, një mirënjohje e veçantë i është shprehur edhe Giuseppe Devastato për kontributin e tij në forcimin e këtij partneriteti, përmes angazhimit dhe punës së tij në Londër dhe Spanjë.

Sipas njoftimit zyrtar, në ditët në vijim pritet të publikohen detaje të reja mbi programet e studimit dhe mundësitë akademike që do të ofrohen për studentët në kuadër të këtij bashkëpunimi ndërkombëtar. Ky zhvillim pritet të ketë ndikim pozitiv në avancimin e arsimit muzikor në Kosovë dhe më gjerë në rajon. /Albinfo.ch 

Në Londër hapet ekspozita “Metamorph” e artistes Gabi Pallaska

Në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Londër do të hapet ekspozita “Metamorph” nga artistja Gabi Pallaska, më 22 mars, nga ora 13:00 deri në 16:00, transmeton albinfo.ch.

Kjo ekspozitë sjell një përjetim të veçantë vizual për publikun, duke eksploruar temat e transformimit, ngjyrës dhe emocioneve përmes një qasjeje bashkëkohore artistike. Përmes veprave të saj, Pallaska synon të krijojë një dialog të ndjeshëm mes artit dhe shikuesit, duke e ftuar atë në një dimension tjetër të perceptimit.

Ngjarja pritet të mbledhë artdashës, përfaqësues të komunitetit dhe të ftuar të ndryshëm, duke e kthyer këtë ekspozitë në një moment të rëndësishëm kulturor në Londër.

Ambasada e Kosovës fton të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në këtë ngjarje artistike dhe të përjetojnë nga afër botën krijuese të artistes./Albinfo.ch 

Këshilli Federal kërkon katër miliardë franga për forcimin e ushtrisë

Me afërsisht 3.4 miliardë franga zvicerane, Këshilli Federal synon të pajisë më mirë ushtrinë, veçanërisht kundër sulmeve nga distanca dhe në hapësirën kibernetike. Ai ka miratuar mesazhin përkatës për Parlamentin. Kjo shumë është plotësuar me ndarje shtesë prej rreth gjysmë miliardi frangash, transmeton albinfo.ch.

Mesazhi i Ushtrisë 2026, i prezantuar të premten nga Ministri i Mbrojtjes Martin Pfister, përqendrohet në zgjerimin e mbrojtjes ajrore tokësore, mbrojtjen kundër dronëve dhe aftësive shtesë në hapësirën kibernetike, shkruajnë mediat zvicerane duke ju referuar burimeve të informimit të institucioneve federale.

Këshilli Federal deklaroi se kjo do të forcojë mbrojtjen kundër kërcënimeve më të mundshme – sulmeve nga distanca dhe konflikteve hibride.

Përveç një ndarjeje të angazhimit prej afërsisht 3.4 miliardë frangash zvicerane, qeveria po kërkon disa ndarje shtesë nga Parlamenti. Njëra prej këtyre, afërsisht 400 milionë franga zvicerane, ka për qëllim të mbulojë kostot shtesë të pretenduara nga SHBA për rreth tridhjetë avionë luftarakë F-35.

Nga ana tjetër, nevojiten edhe 100 milionë franga zvicerane për të zbatuar masat e ndërtimit për avionët e rinj dhe për të rinovuar një qendër komande dhe kontrolli.

Makina godet një grup nxënësish – Mendohet se ka humbur jetën një person

Një aksident i rëndë trafiku ndodhi në Sedrun, Graubünden, të premten në mëngjes. Një makinë raportohet se ka goditur një grup nxënësish.

Të premten në mëngjes, një makinë me sa duket ka goditur disa nxënës dhe udhëheqësen e tyre në Sedrun, Graubünden. Gazeta “Blick” raportoi për incidentin, duke cituar hetimin e saj në vendngjarje, përcjell albinfo.ch. Sipas raportit të medias, udhëheqësja vdiq në aksident, dhe dy vajza u plagosën dhe u dërguan në spital.

Nxënësit ishin nga një kanton tjetër dhe po qëndronin në një kamp.

Një burrë i moshuar thuhet se deshi të kthehej në rrugën kryesore, por në vend të kësaj e kaloi atë dhe u përplas me grupin në trotuarin përballë.  Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, burri me sa duket i ngatërroi pedalet e gazit dhe të frenave.

Policia e kantonit Graubünden tha për Blick se do të publikonte informacione të mëtejshme më vonë të shtunën dhe ende nuk ka dhënë detaje në lidhje me operacionin në Sedrun, Graubünden.

Austri: Kosovarja shkakton aksident me makinë, lëndohet rëndë çiklistja

Një makinë dhe një çikliste janë përplasur në Lienz.

Të enjten, më 19 mars, ndodhi një aksident trafiku në rrethin e Lienz: Rreth orës 13:00, një grua 41-vjeçare nga Kosova po drejtonte një makinë në Lienz. Duke u përpjekur të kthehej djathtas nga një rrugë lokale, sipas deklaratës së saj, ajo kishte humbur kontrollin e automjetit për shkak të një problemi shëndetësor, transmeton albinfo.at.

Si pasojë, ajo u përplas me një çikliste 60-vjeçare e cila po ngiste biçikletën në një korsi biçikletash, shkruan dolomitenstadt.at. Gruaja 60-vjeçare austriake pësoi lëndime të rënda dhe u dërgua me ambulancë në Spitalin e Lienzit.

Shoferja e makinës dhe pasagjerët e saj nuk u lënduan, por makina dhe biçikleta pësuan dëme të konsiderueshme.

Janë nisur drejt Kosovës trupat e viktimave nga aksidenti në Vjenë

Trupat e pajetë të tre shtetasve të Kosovës, që humbën jetën në aksidentin fatal në një kantier ndërtimi në Alsergrund, Vjenë, janë nisur sot pasdite për në Kosovë, njofton Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri.

Sipas njoftimit të Ambasadës, në koordinim të ngushtë me familjarët dhe autoritetet kompetente austriake, janë përmbyllur të gjitha procedurat e nevojshme lidhur me rastin tragjik të ndodhur në Austri.

“Trupat e pajetë të shtetasve tanë, Asllan Musliu, Istref Zekaj dhe Pajtim Bajrami, të cilët humbën jetën në këtë aksident, janë nisur sot pasdite për në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ambasada shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e të ndjerëve dhe mirënjohje për bashkatdhetarët që treguan solidaritet në këto momente të vështira.

“Në këto momente të vështira, shprehim edhe një herë ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e të ndjerëve, të afërmit e tyre dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje. Njëherazi, shprehim mirënjohjen tonë për bashkatdhetarët tanë, të cilët, me interesimin dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar, treguan solidaritet në këto momente të vështira”, theksohet në njoftim.

Sipas raportimit të mediave në Austri, ngjarja e së martës ka ndodhur kur gjatë punimeve në betonimin e kulmit të një objekti është shembur një pjesë e konstruksionit, bashkë me skelet në të cilat kanë qenë duke punuar pesë punëtorë. Katër burra humbën jetën: tre shqiptarë nga Kosova dhe një shqiptar nga Sanxhaku.

Nga një fëmijëri e integruar në Cyrih drejt një zëri me peshë në shoqërinë zvicerane

Ka rrugë që nuk bëjnë zhurmë, por që ndërtohen me një qëndrueshmëri të heshtur dhe marrin kuptim me kalimin e viteve. Rrugëtimi i Shirete G. Limanit nis herët në Cyrih, në një kohë kur integrimi nuk përjetohej si përpjekje e vështirë, por si një rrjedhë e natyrshme e jetës. Ajo u rrit mes dy botësh pa u ndier e ndarë prej asnjërës, duke e kthyer këtë përvojë në një themel të qetë mbi të cilin ndërtoi gjithë rrugën e saj.

“Integrimi atëherë ishte më i lehtë. Ndoshta sepse kishte më pak barriera, por edhe sepse kishte më shumë besim.”

 

Shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Cyrih, përpara se të ndiqte formimin komercial – një drejtim që kërkon disiplinë dhe saktësi. Më pas, qëndrimi në San Diego shënoi një hap të rëndësishëm në hapjen e saj ndaj botës. Aty u përqendrua në gjuhën angleze dhe përfundoi me sukses provimin TOEFL, duke fituar një siguri të re në komunikim dhe në përballjen me mjedise të reja.

E pajisur me këtë formim, ajo hyri në sektorin bankar, ku për më shumë se 18 vjet punoi si specialiste e letrave me vlerë. Ishte një profesion që kërkonte përqendrim të vazhdueshëm dhe përgjegjësi të lartë, por edhe një raport të qartë me detajin dhe saktësinë.

Megjithatë, rrugëtimi i saj nuk mbeti i kufizuar në këtë drejtim. Përballja me sfida të rënda personale dhe shëndetësore e ndali ritmin e zakonshëm dhe e shtyu drejt një reflektimi më të thellë mbi jetën.

 

Nga kjo përvojë lindi libri i saj, “Shërimi përmes lutjeve dhe urtësisë”, një tekst që mbështetet mbi përjetime reale dhe mbi një kërkim të brendshëm për qetësi.

“Kur kthehem pas dhe mendoj për vështirësitë e jetës sime, e kuptoj se lutjet kanë qenë vendimtare. Ato më kanë dhënë qetësi dhe më kanë ndihmuar të gjej një drejtim, edhe kur gjithçka dukej e paqartë.”

Për të, lutja nuk mbetet vetëm një akt shpirtëror, por shndërrohet në një mënyrë për të vendosur rend në mendime dhe për të ruajtur ekuilibrin në kohë të vështira.

“Lutjet më kanë mësuar të ndalem, të mendoj dhe të veproj me vetëdije. Ato janë bërë mbështetja ime më e fortë.”

Në vitet e fundit, kjo përvojë është kthyer edhe në angazhim publik. Shirete Gilten Limani Sinani, eksperte e financave, specialiste e letrave me vlerë dhe autore, është pjesë e jetës politike në Cyrih si anëtare e Partisë Socialdemokrate (SP). Për të, ky angazhim nuk është një kthesë e papritur, por një vazhdim i natyrshëm i rrugës së saj.

“Jam shumë e lumtur që jam pjesë e SP-së. Kjo më ka dhënë vullnet të ri për jetën dhe më ka shtyrë të ndaj përvojën time, në mënyrë që edhe të tjerët të kenë mundësi të arrijnë atë që kam arritur unë.”

Në kandidimin e saj për Këshillin Komunal të Cyrihut, ajo arriti të marrë rreth 4000 vota, duke mbetur shumë pranë mandatit – një rezultat që flet për një besim të ndërtuar hap pas hapi.

Ndërkohë, ajo po punon për një libër të dytë në fushën e financave, me synimin që njohuritë e saj t’i bëjë të kuptueshme dhe të dobishme për një rreth më të gjerë njerëzish.

Rrugëtimi i Shirete G. Limanit nuk kërkon vëmendje të menjëhershme. Ai ndërtohet ngadalë, mbi përvojën dhe mbi një dëshirë të qartë për të mos e mbajtur për vete atë që ka mësuar nga jeta. Në këtë qasje të qetë qëndron edhe pesha e saj: në aftësinë për ta kthyer përvojën personale në një hapësirë ku edhe të tjerët mund të gjejnë drejtim.

 

Trump: Pa SHBA, NATO-ja është tigër prej letre

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka përshkallëzuar gjuhën duke i quajtur frikacakë aleatët e NATO-s.

Trump ka përdorur gjuhë të ashpër për shkak të refuzimit të vendeve anëtare që ta ndihmojnë SHBA-në për të hapur Ngushticën e Hormuzit në Iran.

“Pa SHBA-në, NATO-ja është tigër prej letre. Ata nuk donin t’i bashkoheshin luftës për të ndalur një Iran me fuqi bërthamore. Tani ajo betejë është FITUAR, dhe me pak rrezik për ta, ata ankohen për çmimet e larta të naftës që detyrohen të paguajnë, por nuk duan të ndihmojnë për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, një manovër e thjeshtë ushtarake që është arsyeja e vetme për çmimet e larta të naftës”, ka shkruar ia në “Truth Sociale”. “Shumë e lehtë për ta për ta bërë, me fare pak rrezik. FRIKACAKË, dhe ne do ta KUJTOJMË!”, ka thënë ai, transmeton albinfo.ch.