Kushtet e pasigurta të punës, shkaku kryesor i vdekjes së 19-vjeçarit shqiptar në Angli

Një aksident tragjik në një kantier ndërtimi në Londër ka marrë jetën e një 19-vjeçari shqiptar, duke nxjerrë në pah problemet serioze me kushtet e sigurisë në vendin e punës.

Siç ka shkruar ditë më parë albinfo.ch, viktima, i identifikuar me inicialet R.Ll., ishte duke punuar në çmontimin e skelave në katin e 12-të të një ndërtese në zonën e Actonit, kur ndodhi incidenti fatal. Sipas të dhënave nga hetimet, i riu kishte shkelur mbi një bosht ventilimi të mbuluar në mënyrë të pasigurt, i cili u shemb, duke e bërë atë të rrëzohej nga një lartësi e madhe.

Autoritetet britanike për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë kanë konstatuar se kushtet në kantier nuk përmbushnin standardet minimale të sigurisë. Hapësira ku ndodhi aksidenti ishte e mbuluar vetëm me materiale të përkohshme dhe të papërshtatshme, si karton gipsi dhe shkumë çatie, të cilat nuk garantonin mbrojtje për punëtorët, transmeton albinfo.ch.

Po ashtu, hetimet zbuluan mungesë të theksuar të kontrollit dhe inspektimeve rutinë, pasi zona e kopshtit të çatisë nuk ishte përfshirë fare në kontrollet e sigurisë. Kjo bëri që rreziku të mos identifikohej me kohë dhe punëtorët të mos paralajmëroheshin për rrezikun potencial.

Rasti është cilësuar nga autoritetet si “plotësisht i shmangshëm”, duke theksuar se me masa elementare sigurie, tragjedia mund të ishte parandaluar.

Si pasojë e shkeljeve të konstatuara, kompania ndërtimore përgjegjëse është shpallur fajtore për mosrespektim të rregullave të punës në lartësi dhe është gjobitur me mijëra funte, si dhe është detyruar të mbulojë shpenzimet gjyqësore.

Ngjarja ka rikthyer në fokus rëndësinë e respektimit rigoroz të standardeve të sigurisë në sektorin e ndërtimit, sidomos për punëtorët e rinj, të cilët shpesh ekspozohen ndaj rreziqeve të larta në mungesë të mbrojtjes adekuate./Albinfo.ch.

Erdhi për pushime në Kosovë, mërgimtari vritet nga e dashura

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Podujevën dhe mbarë opinionin publik, ku tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një incidenti të përgjakshëm me armë zjarri, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje në fshatin Majac, ku një mërgimtar 43-vjeçar nga Kosova, i identifikuar si I.B, u qëllua për vdekje nga e dashura e tij.

Sipas informacioneve 31-vjeçarja, e cila dyshohet si autore e krimit, fillimisht qëlloi me armë zjarri I.B . Më pas, ajo qëlloi edhe një grua 73-vjeçare, e cila ishte bashkëshortja e xhaxhait të saj, përpara se të drejtonte armën nga vetja dhe të kryente vetëvrasje.

Si pasojë e të shtënave, tre persona humbën jetën në vendin e ngjarjes, duke e kthyer këtë rast në një nga ngjarjet më të rënda të ditëve të fundit në Kosovë, transmeton tutje albinfo.ch.

I.B , i cili jetonte jashtë Kosovës, kishte ardhur për pushime në vendlindje, për festën e Fitër Bajramit, ndërsa motivet e kësaj tragjedie ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht.

Familja e viktimës ka konfirmuar lajmin e rëndë përmes një njoftimi prekës, duke shprehur dhimbjen për humbjen e të afërmit të tyre.

“Te Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”, thuhet në njoftim. “Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se ndërroi jetë vëllau ynë I.B. Lusim Allahun ta ketë marrë në mëshirën e Tij”.

Familjarët kanë bërë të ditur se për kohën dhe vendin e ceremonisë së varrimit do të njoftojnë në vijim.

Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet që çuan në këtë akt tragjik./Albinfo.ch

Gjermani: Ndërron jetë 3-vjeçari nga Kosova pas rënies në lum

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Gjermani, ku një fëmijë vetëm 3 vjeç, me prejardhje nga Kosova, ka ndërruar jetë pas një incidenti tragjik, transmeton albinfo.ch.

Vogëlushi, i identifikuar Z.K dyshohet se kishte rënë në lumin Sieg, në qytetin e Siegenit, gjatë një aktiviteti ku ndodhej së bashku me fëmijë të tjerë dhe nën mbikëqyrje.

Rasti u raportua edhe nga mediat gjermane, përfshirë RTL West, të cilat njoftuan se fëmija ishte gjetur në ujë në gjendje të rëndë. Ai ishte reanimuar në vendin e ngjarjes dhe më pas ishte transportuar me urgjencë në spital, ku u trajtua në gjendje kritike, transmeton tutje albinfo.ch.

Sipas informacioneve vogëlushi kishte qëndruar për disa ditë në gjendje kome, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Familja e të ndjerit është me prejardhje nga fshati Nepolë i Pejës, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura detajet lidhur me ceremoninë e varrimit.

Autoritetet gjermane pritet të zbardhin plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike./Albinfo.ch

Kosova nuk planifikon të ul akcizën dhe TVSH-në për naftën

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se qeveria po ndjek me kujdes rritjen e çmimeve të derivateve, por heqja e TVSH-së dhe akcizës nuk përbëjnë zgjidhje të mundshme.

Në një prononcim për media, ajo u përgjigj ndaj kërkesave të AAK-së për lirimin nga TVSH-ja dhe heqjen e akcizës për naftën, duke theksuar se fokusi kryesor mbetet parandalimi i abuzimeve me çmimet nga operatorët ekonomikë.

Sipas ministres, ndryshimi i akcizës kërkon miratim të Kuvendit, ndërsa lirimi nga TVSH-ja nuk shihet si një alternativë e efektshme për qytetarët. “TVSH-ja nuk ka qenë asnjëherë opsion sepse është e vështirë të monitorohet. Madje mund të ndodhë që hiqet TVSH-ja, por çmimi mbetet i njëjtë, pasi operatorët ekonomikë nuk e ulin atë,” tha Kusari-Lila.

Ajo shtoi se çdo ndryshim i akcizës ndikon direkt në të hyrat e buxhetit dhe, në situatën aktuale, kjo nuk është e mundur. Prioritet mbetet monitorimi i marzhës së fitimit për të siguruar që çmimi në tregun lokal të mos rritet artificialisht për shkak të luhatjeve të bursës.

“Jemi duke ndjekur situatën me kujdes për të parandaluar çdo abuzim me çmimin dhe po planifikojmë masa strategjike për t’i rezistuar pasojave të tregut botëror,” tha ministrja.

Sistemi arsimor zviceran nuk arrin objektivat e planifikuara

Raporti i ri mbi arsimin në Zvicër tregon se një nga objektivat kryesore arsimore po dështon. Studiuesi arsimor, Stefan Wolter, shpjegon pse është thelbësore ruajtja e ekuilibrit midis arsimit profesional dhe atij të përgjithshëm dhe pse inteligjenca artificiale nuk mund të zëvendësojë edukimin.

Sipas raportit, vetëm pak më shumë se 90% e të rinjve 25-vjeçarë kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, krahasuar me objektivin e vendosur prej 95%. Ky tregues është pak më i ulët se në sondazhin e mëparshëm, transmeton albinfo.ch.

“Është e vështirë të përcaktohet shkaku i saktë, sepse vendimet e marra në shkollën fillore reflektohen në statistikat e tilla vetëm pas 15 vjetësh. Por një gjë është e qartë: një diplomë është shumë e rëndësishme. Personat pa arsim profesional ose diplomë të mesme kanë më shumë gjasa të mbeten të papunë, të varen nga ndihmat sociale dhe të kenë pension më të ulët. Kostoja afatgjatë për individin dhe shoqërinë është e madhe,” shpjegon Wolter.

Kantonet më të suksesshme

Kantonet me sisteme të forta të arsimit profesional performojnë më mirë. Pjesa e diplomave të arsimit të përgjithshëm – shkollat e larta akademike dhe ato profesionale – duhet të jetë rreth 20%, por mesatarja zvicerane është mbi 30%. Wolter thekson se politikanët dhe administrata shpesh janë konkurrentët më të mëdhenj të arsimit profesional, sepse janë përgjegjës për arsimin e përgjithshëm.

PISA dhe performanca e nxënësve

Performanca e nxënësve në testet PISA ka rënë që nga viti 2015. Sipas Wolter, kjo ndodh për dy arsye: pritshmëritë e tregut të punës rriten vazhdimisht, dhe në të njëjtën kohë performanca reale në të njëjtat teste ka rënë. Ky është një trend ndërkombëtar, dhe shkaqet e tij nuk janë ende të qarta. Megjithatë, rënia në Zvicër është më e lehtë se në shumë vende të tjera.

Roli i inteligjencës artificiale

Pyetja që ngrihet është nëse inteligjenca artificiale mund të zgjidhë hendekun e aftësive profesionale. Wolter paralajmëron:

“AI është një ilaç i ëmbël. Mund të duket se aftësitë nuk janë më kaq të rëndësishme, sepse AI mund të përkthejë ose të llogarisë gjithçka, por e kundërta është e vërtetë. AI tregon fuqinë e saj të vërtetë vetëm në duart e ekspertëve. Ajo nuk fal gabime logjike apo gjuhë të pasakta.”

Kjo do të thotë se në shkollë duhet të përqendrohemi më shumë në aftësitë specifike të lëndëve. Nxënësit mund të arrijnë rezultate të jashtëzakonshme duke kombinuar njohuritë e tyre me AI-në.

Arsimi i detyruar dhe integrimi

Modelet gjithëpërfshirëse janë aktualisht subjekt debati. Wolter thekson se integrimi i fëmijëve me nevoja të veçanta funksionon më mirë dhe nuk dëmton të tjerët, për sa kohë shpërndarja brenda klasave është e balancuar. Ai paralajmëron se segregimi i plotë dështonte për shkak të mungesës së mësuesve të trajnuar dhe sepse shpesh ka një efekt njëkahësh: 80% e fëmijëve të ndarë në klasën e parë mbeten të ndarë deri në fund të shkollës fillore.

Kosovë: Plagoset inspektori i IPK-së në Prishtinë, Policia jep detaje

Një inspektor i Inspektoratit Policor të Kosovës ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri që ndodhën të hënën në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

Policia njoftoi se rreth orës 21:00 mori informata për të shtëna me armë zjarri në rrugën “B”. Njësitet policore u nisën menjëherë në vendngjarje, ku u konstatua se një person mashkull ishte plagosur dhe u dërgua për trajtim mjekësor.

“Rreth orës 21:00 morëm informatën për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘B’ në Prishtinë. Njësitet tona policore shkuan menjëherë në vendngjarje, ku u raportua se një person ishte plagosur. Ai u dërgua për ndihmë mjekësore. Hetimet për zbardhjen e rastit kanë filluar, ndërkohë që personi i dyshuar është identifikuar dhe është në kërkim,” njoftoi Flora Ahemeti nga Policia e Kosovës.

Nestlé në gjyq për deponitë pranë Vittel

Nestlé Waters, dega e ujërave minerale e konglomeratit zviceran Nestlé, ka filluar gjyqin në Nancy, Francë, për mbajtjen e deponive të paligjshme pranë Vittel dhe Contrexéville. Kompania akuzohet se ka lejuar rrjedhjen e mikroplastikës në ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë, duke rrezikuar shëndetin, florën dhe faunën.

Hetimet kanë zbuluar mbeturina si shishe plastike, qelq, polimerë, mbeturina ndërtimi dhe karroceri makinash, që datojnë nga vitet 1960. Rreth dhjetë vende janë të prekura; shtatë prej tyre janë pastruar tashmë, ndërsa për tre të tjerat po zhvillohen studime dhe diskutime për zgjidhje afatgjata.

Shoqata France Nature Environnement (FNE) e konsideron situatën një “bombe kohore” mjedisore, duke vënë në dukje nivele mikroplastike deri në 30 milion herë më të larta se në lumën Seine. Gjyqi pritet të zgjasë deri të premten.

Tragjedia e Vjenës: I lënduari është Nazmi Muharremi – flet vëllai që ia shpëtoi jetën

Dita e 17 marsit ishte tragjike për kryeqytetin austriak ku si pasojë e shembjes së konstrukteve të betonit(plloça e betonit) të disa ballkoneve humbën jetën katër punëtorë, ndër ta: tre shtetas nga Kosova dhe një qytetar nga Novi Pazari. I vetmi që ka shpëtuar nga kjo ngjarje tragjike ishte një shqiptar nga Maqedonia e Veriut.

Edhe pse kanë kaluar afër një javë nga ky rast, ende nuk ka qenë i ditur për opinionin identiteti i tij. Platforma mediale shqiptare në Austri, albinfo.at, ka arritur të siguroj edhe emrin e të lënduarit.

Shqiptari i lënduar është Nazmi Muharremi, 45 vjeç nga fshati Mateç, komuna e Kumanovës. Prej shumë vitesh banues në Vjenë bashkë më familjen e tij.

Albinfo.at ka vizituar sot spitalin „Unfallkrankenhaus“ në  Meidling (Bezirku 12) në Vjenë, aty ku Nazmiu po merr trajtimet intensive mjekësore.

Pasi sipas rregullores së spitalit nuk na u lejua hyrja në spital për të vizituar të lënduarin Nazmiun, para derës së spitalit takuam vëllain e tij, Elmazin, bashkë më disa familjarë të tjerë. Elmazi ishte dëshmitar i kësaj ngjarje dhe njeherit “heroi” i vetëm i cili duke mos kursyer vetën, arriti që nga rrënojat ta nxjerr vëllain e tij dhe t’ia shpëton jetën.

I tronditur ende nga ngjarja që kishte parë më sy, Elmazi tregon që gjendja shëndetësore e Nazmiut është stabile. “Gjendja shëndetësore e Nazmiut është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën. Është i lënduar në mushkëri, brinjë dhe në njërin krah. Lëndimet tjera trupore janë më të vogla. Vetëdijen e ka të plotë dhe çdo ditë duket se shëndeti i tij është duke u përmirësuar”, tha fillimisht ai.

Sipas Elmazit, pallati ku ishin duke punuar është ndërtim i vjetër dhe është duke u rinovuar. Apartamentet nuk kishin ballkone. Me renovimin e ri, është planifikuar të ndërtohen ballkone për secilin apartament në pjesën e brendshme të pallatit, pra në pjesën e oborrit.

Plani ishte të betonohen gjashtë ballkone të atij pallati për gjashtë apartamente. Prej kompanisë kontraktuese iu është thënë që të fillohet ndërtimi i ballkoneve nga kati i epërm dhe të vazhdohet më katet pasuese të poshtë. Gjithnjë siç rrëfen Elmazi, atë ditë ata i kanë betonuar tre ballkone dhe ishin duke punuar në ballkonin e katërt.

 

“Ndihmomë o vëlla se vdiqa”

Si dëshmitar i gjithë ngjarjes tragjike, Elmazi tregon për gjithë tmerrin që ka parë me sy dhe si arriti të shpëtoi të gjallë vëllain e tij, Nazmiun.

„ Në ato momente unë isha poshtë tek dera e hyrjes së pallatit. Papritmas kam dëgjuar britma të mëdha të kolegëve. Kam shikuar se çfarë ndodhi, dhe kam parë që i gjithë konstruksioni i ballkoneve duke përfshirë betonin, drunjtë, hekura dhe gjithçka tjetër ka rënë në tokë. Nën gjithë ato rrënoja ishin edhe vëllai im e katër kolegët e punës. Nuk dëgjohej asnjë zë më. I shokuar kam vrapuar sipër shkallëve duke bërtitur emrin e vëllait me shpresën që mos rastësisht është diku lartë. Pasi nuk e gjeta, kam rënë sërish poshtë në oborr të rrënojat. Unë vazhdoja të thërrisja emrin e vëllait dhe befasisht kam parë në një gërmadhë helmetën e punës. Kur jam afruar, kam dëgjuar një zë që thërriste: „ Ndihmomë o vëlla se vdiqa“. Aty e kam kuptuar se është Nazmiu. Nuk më ka interesuar fare rreziku i  jetës sime dhe kam marr menjëherë për t’i larguar rrënojat. Kur kam gjetur trupin e tij, kam parë që lidhëza e kapelës së xhaketës që kishte veshur, iu kishte lidh të fyti. Merrte frymë vetëm me një pjesë të vogël të gojës. Kam arrit më ia këput lidhësen dhe ngadalë bashkë me një koleg boshnjak, më ka ndihmuar që ta nxjerrim të gjallë jashtë gërmadhave. Në gjithë trupin ishte i gjakosur dhe i lënduar. Disa brinjë i kishte të thyer, dorën e palëvizshme, por fatmirësisht arriti ta normalizoj frymëmarrjen“, rrëfen Elmazi gjithë rastin tragjik. Ai thotë se i gjithë aksioni i tij për të shpëtuar të vëllain ka zgjatur afërisht 8-10 minuta.

„Bashkë me kolegun kemi tentuar të hymë në gërmadha për të nxjerr edhe trupat e tjerë të tragjedisë, por në ato momente kanë ardh policia dhe emergjenca dhe nuk na kanë lejuar të afrohej askush tjetër derisa kanë intervenuar njësitë e shpëtimit“, thotë 49 vjeçari, Elmaz Muharremi.

Pas gjithë kësaj tragjedie, kush është fajtori?

Një pyetje e vazhdueshme që bëhet, është për të gjetur fajtorin e gjithë kësaj tragjedie. Për këtë, Elmazi shprehet: „Unë nuk e di se kush fajtori, sepse këtë do ta dëshmojnë ekspertet e kësaj fushe. Për bindjen time, gabimi ishte te kompania kontraktuese e cila na ka urdhëruar që ballkonet të betonohen duke filluar nga kati i epërme. Pesha e rëndë e betoneve pa i dhënë kohë për me u forcuar dhe duke punuar me shpejtësi për të kursyer punëtorët, kohën dhe mjetet e punës, ka bërë që betonet mos ta kenë forcën e nevojshme dhe si pasojë, e gjithë konstruksioni i ballkoneve është shembur“, thotë ai për albinfo.at, duke shtuar se, dëshmitari kryesor i cili ka parë nga lartë gjithë ngjarjen e tragjedisë është drejtuesi i vinçit si dhe kamerat të cilat kanë qenë të vendosura në vinç.

I mllefosur me institucionet maqedonase, Elmazi thotë se nuk kanë pasur asnjë mbështetje qoftë edhe morale për këtë aksident. „Nuk kemi pasur as edhe një telefonatë, as nga ambasada e Maqedonisë së Veriut në Austri dhe as nga ndonjë politikan shqiptar nga Maqedonia. Kur vjen koha e zgjedhjeve kërkojnë nga diaspora të mbushin autobusët për të shkuar me votuar, ndërsa kur vjen momenti për mbështetje, as që e çajnë kokën për qytetarët e tyre në mërgim“.

Pas gjithë kësaj ngjarje tragjike, Elmazi ndihet i lumtur që ka arrit të shpëtojë vëllain e tij, por me lot në sy, ai shprehu ngushëllimet për familjet që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi. „Vëllai shpëtoj por humba katër shokë të mi. Ngushëllime ma të sinqerta për familjet, miqtë dhe të afërmit e tyre. Në këto momente të vështira, ndajmë dhimbjen me ta dhe lutemi qe të gjejmë forcën për të përballuar bashkërisht humbjen e tyre“, theksoi ndër të tjera, Elmaz Muharremi.

 

Ngjarja tragjike e Vjenës ka tronditur opinionin e gjerë austriak dhe komunitetin shqiptar në Austri. Hetimet e autoriteteve shtetërore austriake janë duke vazhduar për të nxjerr një raport të detajuar rreth këtij aksidenti të tmerrshëm dhe vdekjeprurës.

Swiss pezullon fluturimet drejt Dubai dhe Tel Aviv deri në fund të majit

Aviokompanisë Swiss i është dashur të zgjasë pezullimin e fluturimeve drejt Dubai dhe Tel Aviv deri më 31 maj, për shkak të shqetësimeve për sigurinë. Kompania e justifikon këtë vendim me tensionet e larta që vazhdojnë në rajon pas sulmeve izraelito-amerikane ndaj Iranit dhe kundër-sulmeve të Teheranit ndaj Izraelit dhe disa shteteve të Gjirit.

Pasagjerët e prekur nga pezullimi mund të ndryshojnë rezervimin pa pagesë për një datë më vonë ose të kërkojnë rimbursim të plotë të biletës.

Në Zvicër po diskutohet një mbishpagim prej 50 frangash për të dekurajuar vizitat në urgjencë

Pacientët që shkojnë në urgjencë pa një delegacion mjekësor duhet të tatohen, sipas Këshillit Kombëtar, i cili këtë javë miratoi me një diferencë të ngushtë një projekt parlamentar për këtë qëllim, kundër këshillës së Këshillit Federal. Një tekst që përçan kryesisht klasën politike.

I miratuar në Këshill Nacional me 96 vota, kundër 91 dhe 3 abstenime, teksti i ish-Këshilltarit Kombëtar Thomas Weibel (PVL/ZH) synon të lehtësojë urgjencat e presionuara duke krijuar një efekt financiar pengues. “Urgjencat nuk duhet të jenë një dritare universale, por të mbeten një vend për urgjenca të vërteta”, tha raportuesi i komisionit Cyril Aellen (PLR/GE).

Sipas këtij projekti, kantonet duhet të kenë mundësinë të rrisin pjesën e të siguruarit me 50 franga nëse ky i fundit shkon në urgjencë pa u dërguar atje nga një mjek, një qendër telemjekësie ose një farmacist. Parashikohen përjashtime, veçanërisht për gratë shtatzëna dhe fëmijët.

Ashtu si qeveria, edhe qendra e majtë e kritikoi projektin. Valérie Piller Carrard (PS/FR) e konsideroi këtë të fundit “joefektive, joreale dhe thellësisht të pabarabartë”.

Disa folës theksuan një numër të madh rastesh që meritojnë urgjenca, por që do t’i nënshtroheshin taksës, siç janë frakturat, rrëzimet nga të moshuarit ose goditjet në tru, nëse personat e prekur sillen në urgjencë nga të afërmit ose një taksi në vend të një ambulance. Moshyrja në çështje nuk u miratua dhe dosja tani është në duart e Këshillit të Shteteve.

Një barrë administrative për Këshillin Federal

Qendra do të kishte dashur që zbatimi të bëhej në nivel kombëtar në vend që t’u delegohej kantoneve. Nga ana e saj, e majta gjithashtu nuk ka arritur të përjashtojë njerëzit që jetojnë në një EMS ose konsulent për një urgjencë psikiatrike.

Në dritën e debatit të gjallë dhe emocional, Ministrja e Shëndetësisë Elisabeth Baume-Schneider vuri në dukje se projekti nuk ishte i thjeshtë. Nga ana e saj, ajo hodhi poshtë një mbingarkesë administrative dhe kosto shtesë për ofruesit e shërbimeve dhe siguruesit. Dhe për të kujtuar se projekti do të prekte mezi gjysmën e popullsisë së rritur. Pa sukses.

Një dëshirë për të rifokusuar rolin e emergjencave

E ftuar në programin e Forumit, Këshilltarja e PLR-së së Fribourg-ut, Johanna Gapany, vlerësoi se ka “një mosfunksionim në sistem”. Sipas saj, “shqetësimi” i Këshillit Kombëtar është pikërisht përmirësimi i organizimit aktual në mënyrë që, “që tani e tutje, emergjencat të mund të luajnë vërtet rolin e tyre”, raporton RTS, transmeton albinfo.ch.

“Për mua, është e rëndësishme që emergjencat të mund të luajnë rolin e tyre dhe të funksionojnë siç duhet”, tha ajo. “Dhe nëse është ky mjet ose nëse është kjo masë që na bën thirrje ta konsiderojmë atë një përparësi, atëherë e konsideroj një gjë të mirë ta trajtojmë këtë temë që tani e tutje”.

Penalizimi i pacientëve më të prekshëm

Brigitte Crottaz, një këshilltare kombëtare socialiste e Vaud-it dhe mjeke, e hodhi poshtë me forcë projektin që ajo e konsideron si një “central të vërtetë gazi”. Ajo ndjeu se zbatimi do të ishte i rëndë, kompleks dhe joefektiv, veçanërisht për mjekët dhe siguruesit, të cilët do të përfundonin me “punë shtesë” dhe kontrolle administrative “të padobishme”.

Për të, pajisja nuk është as relevante dhe as e synuar. Ajo kujtoi se urgjencat më të presionuara janë urgjencat pediatrike, të cilat as nuk do të preken.

Së fundmi, Brigitte Crottaz theksoi rrezikun e penalizimit të padrejtë të pacientëve. “Kjo është vërtet diskriminuese, sepse prek njerëzit e sëmurë që tashmë e kanë tejkaluar të drejtën e tyre dhe që do të tatohen ende. Dhe nëse heqin dorë nga konsultimi për shkak të kësaj takse, sëmundja e tyre mund të evoluojë më seriozisht dhe do të kushtojë shumë më tepër. Në asnjë rrethanë nuk do të bëjmë kursime me këtë,” denoncoi ajo.

Trump: SHBA dhe Irani gati t’i zgjidhin mosmarrëveshjet

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar se ka udhëzuar Departamentin e Mbrojtjes të shtyjë të gjitha sulmet ajrore kundër termocentraleve iraniane dhe infrastrukturës energjetike për një periudhë pesëditore.

Përmes një postimi në Truth Social, ai ka deklaruar se kjo është rezultat i suksesit të takimeve dhe diskutimeve të vazhdueshme.

Sipas tij, gjatë dy ditëve të fundit, Uashingtoni dhe Teherani kanë pasur “biseda shumë të mira dhe produktive në lidhje me një zgjidhje të plotë dhe totale të armiqësive tona në Lindjen e Mesme”.

“Kam kënaqësinë të raportoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendi i Iranit kanë patur, gjatë dy ditëve të fundit, biseda shumë të mira dhe produktive lidhur me një zgjidhje të plotë të armiqësive tona në Lindjen e Mesme. Bazuar në tonin e këtyre bisedave të thella, të detajuara dhe ndërtuese, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, kam udhëzuar Departamentin e Luftës të shtyjë çdo sulm ushtarak kundër centraleve elektrike dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesë-ditore, në varësi të suksesit të takimeve dhe diskutimeve në vazhdim”, ka shkruar ai, transmeton albinfo.ch.

“Polici” i rremë ndalohet në Nyon – gjobitet pasi mashtronte qytetarët

Një burrë në të 50-at është dënuar në kantonin Vaud pasi u shtir si oficer policie dhe kreu kontrolle të rreme në disa qytete, përfshirë Nyon dhe Rolle.

Sipas autoriteteve, ai përdorte një jelek reflektues dhe një distinktiv të rremë për t’u dukur si zyrtar, duke ndaluar qytetarë dhe madje edhe një motoçiklist, duke u bazuar në rregulla të sajuara, transmeton albinfo.ch.

Burri ka pranuar se ka vepruar i vetëm, duke pretenduar se qëllimi i tij ishte të ndihmonte dhe se dëshironte të bëhej roje sigurie.

Gjykata e ka shpallur fajtor për uzurpim të funksionit publik, ndërsa i është shqiptuar një gjobë me kusht.

Rasti ka ngritur shqetësime për sigurinë publike, pasi persona të paautorizuar mund të abuzojnë me besimin e qytetarëve duke u paraqitur si autoritete.

 

Zvicër, Raporti i Arsimit 2026: Çdo i shtati student mbetet pa diplomë edhe pas 8 vitesh

Sipas Raportit të Arsimit 2026 në Zvicër, një në shtatë studentë nuk arrin të marrë diplomë edhe pas tetë vitesh studimi.

Ky raport, i cili analizon sistemin arsimor nga niveli fillor deri te arsimi i lartë, publikohet çdo katër vjet dhe shërben si bazë për politikat arsimore në vend, transmeton albinfo.ch.

Të dhënat tregojnë se, megjithëse shumë studentë regjistrohen në universitete, një pjesë e konsiderueshme nuk arrin ta përfundojë studimin brenda një periudhe të gjatë kohore.

Ekspertët theksojnë se kjo lidhet me faktorë të ndryshëm, përfshirë vështirësitë akademike, ndryshimin e drejtimit të studimeve, si dhe kombinimin e studimeve me punën.

Raporti nënvizon nevojën për mbështetje më të madhe për studentët, në mënyrë që të rritet përqindja e atyre që diplomojnë dhe të përmirësohet efikasiteti i sistemit arsimor.

Zviceranët dyshojnë në aftësinë mbrojtëse të vendit të tyre

Një pjesë e madhe e qytetarëve në Zvicër nuk janë të bindur se vendi është mjaftueshëm i përgatitur për t’u mbrojtur nga kërcënimet moderne, sipas një sondazhi të fundit.

Një sondazh i publikuar në Zvicër tregon se besimi i qytetarëve në kapacitetet mbrojtëse të vendit mbetet i brishtë. Shumë zviceranë shprehin dyshime nëse ushtria është e gatshme të përballet me sfida serioze të sigurisë, sidomos në një kontekst global gjithnjë e më të tensionuar, transmeton albinfo.ch.

Rezultatet tregojnë një perceptim të përhapur se mbrojtja kombëtare nuk është në nivelin e duhur, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve kërkojnë investime më të mëdha në ushtri dhe modernizim të kapaciteteve ushtarake.

Këto shqetësime vijnë në një kohë kur autoritetet zvicerane kanë paralajmëruar për boshllëqe në sistemin e mbrojtjes, veçanërisht ndaj kërcënimeve të reja si sulmet kibernetike dhe dronët. Së fundmi, qeveria ka propozuar rritje të ndjeshme të buxhetit ushtarak për të përforcuar mbrojtjen ajrore dhe kapacitetet teknologjike.

Edhe zyrtarë të lartë kanë pranuar më herët se ushtria zvicerane nuk është plotësisht e përgatitur për çdo lloj kërcënimi, duke theksuar nevojën për reforma dhe investime të reja.

Debati për sigurinë dhe mbrojtjen pritet të intensifikohet edhe më tej, pasi zhvillimet ndërkombëtare dhe konfliktet globale po ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e qytetarëve për sigurinë kombëtare.

Cyrihu tenton sërish rritjen e pagave për politikanët lokalë, pas refuzimit nga qytetarët

Këshilli Komunal i Cyrihut rikthen në tavolinë planin për rritjen e kompensimeve, këtë herë me një model më të moderuar, pas dështimit të propozimit të parë në referendum.

Këshilli Komunal i Cyrihut po shqyrton një propozim të ri për rritjen e pagesave për anëtarët e tij, duke bërë një përpjekje të dytë pasi një plan i mëparshëm u refuzua nga qytetarët në vitin 2025.

Drafti i ri synon të jetë më i balancuar dhe të reflektojë ngarkesën reale të punës së këshilltarëve.

Sipas modelit të propozuar, anëtarët do të përfitojnë një kompensim bazë prej 500 frangash në muaj, si dhe 140 franga për çdo seancë dyorëshe. Për çdo orë shtesë do të paguhen edhe 70 franga, ndërsa për mbledhjet e komisioneve parashihen tarifa më të larta për shkak të përgatitjes më intensive, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Propozimi përfshin gjithashtu mbështetje shtesë për familjarët, ku prindërit do të marrin 100 franga në muaj për çdo fëmijë, si ndihmë për kujdesin ndaj tyre.

Vitin e kaluar, një plan më ambicioz për rritjen e pagave – nga rreth 16 mijë në 28 mijë franga në vit – u refuzua nga votuesit, pas kritikave të ashpra nga partitë konservatore si SVP dhe FDP, të cilat e cilësuan rritjen si të tepruar.

Edhe këtë herë, kundërshtimet politike pritet të jenë të forta, ndërsa mbetet e paqartë nëse propozimi i ri do të kalojë vetëm në këshill apo do t’i nënshtrohet sërish votimit të qytetarëve.

Panairi i librit në Gjenevë tërheq 60 mijë vizitorë në edicionin jubilar

Panairi i librit në Gjenevë ka mbyllur me sukses edicionin e tij të 40-të, duke tërhequr rreth 60 mijë vizitorë gjatë pesë ditëve të organizimit. Organizatorët e kanë vlerësuar këtë edicion jubilar si një arritje të rëndësishme kulturore, ku morën pjesë rreth 800 autorë dhe 250 ekspozues.

Sipas një njoftimi për media, përveç numrit të lartë të vizitorëve, ky përvjetor dëshmon edhe njëherë aftësinë e panairit për të bashkuar publikun dhe për të ruajtur, vit pas viti, një ngjarje madhore kulturore në Zvicrën frankofone.

Organizatorët theksuan gjithashtu qasjen e larmishme të panairit ndaj botës frankofone. Nga shtëpitë botuese të pavarura lokale, te botuesit nga Franca, Belgjika, Quebec-u dhe kontinenti afrikan, si dhe nga autorët e njohur te zërat e rinj – panairi paraqiti gjallërinë dhe pasurinë e botës së librit.

Alarm global: Lufta në Lindjen e Mesme mund të shkatërrojë ekonomitë nëse zgjat mbi 6 muaj

Patrick Pouyanne, drejtori ekzekutiv i gjigantit francez të naftës Patrick Pouyanne, tha të dielën se nëse konflikti në Lindjen e Mesme zgjat më shumë se gjashtë muaj, efektet mbi ekonomitë në mbarë botën do të jenë të ndjeshme.

“Skenari më i keq është që, nëse kjo situatë vazhdon përtej gjashtë muajsh, të gjitha ekonomitë globale do të përballen me pasoja reale,” theksoi Pouyanne.

Ai shpjegoi se bllokimi i Ngushticës së Hormuzit nga Irani, si hakmarrje për sulmet e SHBA-së dhe Izraelit, ka kufizuar furnizimin botëror me naftë, duke ngritur shqetësime për inflacionin dhe rritjen më të ngadaltë ekonomike.

“Rreth 20% e naftës së prodhuar globalisht kalon zakonisht përmes kësaj ngushtice,” tha ai. “Por tani, me këtë bllokim, rreth 10 milionë fuçi naftë në ditë nuk mund të arrijnë tregun. Nuk mund ta kompensojmë këtë mungesë me burime të tjera.”

Megjithatë, Pouyanne shtoi se një konflikt që do të zgjasë vetëm disa muaj mund të menaxhohet falë rezervave të kompanive. “Nëse kriza zgjat tre ose katër muaj, mund ta përballojmë. Por një gjë mbi gjashtë muaj do të ishte një tronditje e madhe për ekonominë globale,” paralajmëroi ai.

Drejtori ekzekutiv shprehu shpresën se zgjidhja do të vijë sa më shpejt për të shmangur ndikime të mëdha ekonomike.

Kriza e papritur e çmimit të arit: Pse po bie çmimi?

Ari konsiderohet përgjithësisht një investim i sigurt, por që nga marsi çmimi i tij ka rënë mbi 10%. Kjo ka shkaktuar pasiguri në tregje dhe ka ngjallur pyetjen: A po humb ari reputacionin e tij si strehë e sigurt?

Eksperti i arit, Robert Vitye, nuk sheh arsye për shqetësim. Ai thotë se kjo nuk është automatikisht një shenjë dobësie fundamentale. “Kriza e papritur e çmimit të arit” pritet të jetë vetëm afatshkurtër. Imaru Casanova, specialiste e investimeve në ar, ndan të njëjtin mendim, duke shtuar se rënia e fundit nuk do të thotë se ari po humb rolin e tij si strehë e sigurtë, transmeton albinfo.ch.

Pse po bie çmimi i arit?

Ekspertët përmendin disa arsye kryesore:

1. Normat e larta të interesit

Një shkak kryesor është lufta në Iran që filloi në fillim të marsit, duke rritur ndjeshëm çmimet e energjisë – benzinë, naftë, gaz dhe lëndë të tjera djegëse. Kjo mund të rrisë më tej inflacionin. Në këtë situatë, bankat qendrore janë më pak të prirura për të ulur normat e interesit dhe mund t’i rrisin ato. Casanova shpjegon: “Rishikimi i pritshmërive për normat e interesit, veçanërisht perspektiva e pak reduktimeve nga Rezerva Federale e SHBA-së, ka rritur kthimet reale dhe ka forcuar dollarin amerikan.”

Pasiguria në tregje po bën që investitorët të tërheqin para dhe të shesin ari për të ruajtur likuiditetin, duke ulur më tej çmimin.

2. Rënia e çmimeve të aksioneve

Kriza në Lindjen e Mesme ka shkaktuar gjithashtu krizë besimi midis kompanive të kapitalit privat dhe fondeve të tyre, sidomos në SHBA. Investitorët po tërheqin fondet për javë me radhë, të pakënaqur nga rezultatet dhe të shqetësuar për pasigurinë. Këto tërheqje kanë rritur kërkesën për likuiditet, duke shtyrë investitorët të shesin sasi të mëdha ari dhe duke ulur çmimin.

Casanova shpjegon se ky fenomen nuk është i ri: “Në fazën fillestare të një shoku, ari shpesh bie së bashku me asetet e tjera për shkak të mungesës së parasë. Megjithatë, ari zakonisht stabilizohet dhe rikuperohet sa më shpejt që investitorët të pozicionohen sërish – dhe ky model duket se vazhdon të vlejë.”

Çmimi mund të vazhdojë të luhatet

Ekspertët theksojnë se pavarësisht dobësisë afatshkurtër, ari mbetet një strehë e sigurt. Në ditët në vijim, çmimi mund të vazhdojë të luhatet për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe pasigurive makroekonomike. Megjithatë, pas viteve të rritjes së pandalshme, situata aktuale mund të paraqesë një mundësi tërheqëse për investitorët me horizont afatmesëm, shton Vitye.

Kafeja përmirëson humorin: e vërtetë apo e gabuar?

Sipas një studimi të Deloitte, zviceranët konsumojnë mesatarisht dy deri në tre filxhanë kafe në ditë, më shumë se fqinjët francezë dhe italianë. Shpesh ky zakon lidhet me nevojën për një “rritje” energjie në mëngjes. Shkencërisht, efekti ekziston: kafeina bllokon receptorët e adenosinës (molekula e lodhjes) dhe stimulon prodhimin e dopaminës (neurotransmetuesi i kënaqësisë).

Megjithatë, për konsumatorët e rregullt, ky “boost” i mëngjesit shpesh nuk përkthehet në një përfitim të qëndrueshëm të mirëqenies. Profesori Yasser Khazaal shpjegon se për një pije të rregullt, përmirësimi i humorit lidhet më shumë me lehtësimin e simptomave të mungesës së kafeinës, si lodhja dhe irritimi që zhvillohen gjatë natës, sesa me një shtesë reale të mirëqenies përtej nivelit bazë, transmeton albinfo.ch.

Psikologia Laura Juliano, e cituar në një artikull të New York Times, përforcon këtë pikë: përfitimi real ndodh kryesisht tek konsumatorët e rastësishëm. Një studim i vitit 2025 i publikuar në Scientific Reports tregon se efekti pozitiv është më i dukshëm në dy orë e gjysmë pas zgjojes, duke ndihmuar në tejkalimin e “ngërçit të gjumit”.

Balancë delikate mes mirëqenies dhe ankthit

Si stimulant, kafeina aktivizon pjesën e sistemit nervor përgjegjëse për reagimin “lufto ose ik”, duke përgatitur trupin për stres. Kjo rrit ritmin e zemrës dhe tensionin, sikur të ishte ankth. Efekti bëhet i dukshëm mbi 200 mg për dozë ose 400 mg në ditë, rreth katër espresso. Tek personat më të ndjeshëm, kjo mund të shkaktojë nervozizëm ose rrahje të shpejta të zemrës. Konsumi i vonshëm mund të prishë gjumin, duke krijuar një cikël ku lodhja kërkon më shumë kafe, duke rritur ankthin.

Idetë se kafeja mund të luftojë depresionin janë të paqarta. Një meta-analizë e vitit 2023 në Frontiers in Nutrition tregon lidhje mes konsumit të lartë dhe rrezikut më të ulët për depresion, por kjo nuk do të thotë se kafeja është trajtim.

Përfitimi real i kafeinës është më i dukshëm tek të porsakonsumuarit, dhe shumica e ekspertëve këshillojnë një konsum të moderuar: një deri dy filxhanë në ditë.

Si trukon kafeina trurin

Një molekulë kyçe në ciklin tonë zgjuarsi–gjumë është adenosina. Ajo prodhohet nga truri dhe akumulohet gjatë ditës, duke u lidhur me receptorët për të dërguar sinjalin e lodhjes. Kafeina, me strukturën e ngjashme molekulare, hyn në konkurrencë për të njëjtët receptorë, por nuk aktivizon sinjalin e lodhjes. Truri mbetet në gjendje vigjilence artificiale: lodhja maskohet, por nuk zhduket.

Britania e Madhe drejt krijimit të një brezi pa duhan, a do ta ndjekë edhe Zvicra këtë politikë?

Britania e Madhe po afrohet drejt të qenit vendi i dytë në botë, pas Maldiveve, që krijon një brez pa duhan duke ndaluar shitjen e tij për personat e lindur nga viti 2009 e më pas. Ky vendim, i njoftuar nga Mbreti Charles III dy vjet më parë, është miratuar nga të dy dhomat e Parlamentit britanik.

Disa ndryshime të vogla duhet të finalizohen para miratimit mbretëror, i cili pritet në javët e ardhshme. Ky ndalim i fazuar do të nisë me personat e lindur në 2009, pastaj në 2010, 2011 e kështu me radhë, derisa duhani të zhduket plotësisht në të gjithë vendin.

Suksesi i këtij projekti është mundësuar sidomos nga mbështetja masive e popullsisë: në maj, një sondazh YouGov mbi 11,000 të rritur në Angli tregoi se pothuajse dy të tretat e të anketuarve ishin gati që Britania e Madhe të bëhej vend ku askush nuk pi duhan.

Britania e Madhe, shembull për shëndetin publik

Lisa McNally, drejtoreshë e Shëndetit Publik në Worcestershire dhe profesore nderi në Universitetin e Birmingham-it, vë në dukje se Britania tashmë ka një tregues të mirë: vetëm 12% e popullsisë pi duhan. Megjithatë, çdo vit mbi 125,000 të rinj nga 18 deri 25 vjeç fillojnë të pinë duhan.

“Përtej përfitimeve të dukshme shëndetësore — duhani shkakton rreth 80,000 vdekje çdo vit sipas qeverisë — kjo qasje gjeneracionale duhet të dërgojë mesazhin se duhani nuk do të ndalohet thjesht për të rriturit, por brezat e ardhshëm nuk duhet të përdorin kurrë këtë produkt,” shpjegon Britta Matthes, studiuese në Grupin e Kontrollit të Duhanit në Universitetin e Bath-it.

Ajo shton se, megjithëse Britania mbledh rreth 8 miliardë paund në taksa nga duhani, kostot në shëndetësi, shoqëri dhe produktivitet tejkalojnë 20 miliardë paund, gjë që bën këtë ligj tërheqës jo vetëm për publikun, por edhe për politikanët.

Megjithatë, ka pasur përpjekje për të lehtësuar këtë ligj, përfshirë kërkesa për përjashtime për produktet e ngrohura të duhanit ose për cigaret, apo për rritjen e moshës ligjore për shitjen e duhanit në 21 vjeç. Të gjitha këto sugjerime janë refuzuar, megjithëse zbatimi i ligjit mbetet një sfidë e vërtetë.

“Ky ligj është i ndryshëm nga ligjet tradicionale për moshën e shitjes. Ai duhet të tregojë se duhani nuk ndalohet vetëm për të rriturit, por që brezat e ardhshëm nuk duhet të konsumojnë kurrë,” nënvizon Matthes.

Inspirimi nga Zelandë e Re

Një precedent u dha Britanisë së Madhe nga Zelandë e Re, e cila kishte miratuar politikën e një brezi pa duhan në 2022, por më pas u tërhoq pas ndryshimeve qeveritare dhe ardhjes në pushtet të një partie më konservatore.

Lisa McNally thekson se pirja e duhanit nuk ofron liri, por kufizon shëndetin, sidomos me moshën. Ajo shton se shteti ka “detyrimin moral të krijojë një mjedis ku njerëzit mund të jenë sa më të shëndetshëm, duke u dhënë më shumë liri sesa duhani mund të ofrojë ndonjëherë.”

Situata në Zvicër

Në Zvicër, politika e një brezi pa duhan po tërheq interes. Luc Lebon, drejtues i Programit të Parandalimit të Duhanit në Uni Santé për kantonin e Vaudit, thotë: “Shumica e duhanpirësve fillojnë para moshës 18-20 vjeç. Kjo masë duket e rëndësishme për të kufizuar aksesin e të rinjve te produktet e duhanit.”

Një sondazh i vitit 2025 mbi 1,000 zviceranë frankofonë tregoi se tetë nga dhjetë persona e konsiderojnë duhanin si një varësi, jo si liri. Rreth gjysma mbështet propozimin britanik, veçanërisht të rinjtë 20-30 vjeç, duke treguar një denormalizim të pirjes së duhanit.

Rreth një e katërta e popullsisë zvicerane pi duhan. Zvicra renditet ndër vendet më pak efektive në parandalim, për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe ndikimit të industrisë. Unioni Zvicran i Arteve dhe Zejtarive mbron lirinë ekonomike dhe kundërshton çdo kufizim të tregtisë së duhanit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon taksa më të larta, ndalim të reklamave dhe mbështetje të lirë për ndalimin e duhanit.

Kriza e naftës: Sllovenia vendos kufizime për furnizimin me naftë, ushtria përfshihet në shpërndarje

Teksa çmimet e karburanteve vazhdojnë të rriten dhe të rëndojnë buxhetin e qytetarëve në rajon, Sllovenia ka ndërmarrë masa të forta për të përballuar mungesat e naftës.

Qeveria ka vendosur kufizime të menjëhershme në pikat e karburantit, duke lejuar furnizim deri në 50 litra në ditë për qytetarët dhe deri në 200 litra për bizneset.

Këto masa do të mbeten në fuqi deri në një njoftim të ri.

Për shkak të situatës së konsideruar serioze, autoritetet kanë angazhuar edhe ushtrinë për të ndihmuar në shpërndarjen e karburantit dhe për të siguruar furnizimin në të gjithë vendin.

Ndërkohë, kompanive të karburanteve u është kërkuar të rrisin bashkëpunimin për të përshpejtuar furnizimin dhe për të shmangur mungesat në treg. Operatorët janë të obliguar të raportojnë rregullisht gjendjen në pikat e shitjes.

Autoritetet nuk përjashtojnë masa shtesë në ditët në vijim, ndërsa kryeministri Robert Golob ka paralajmëruar se po shqyrtohet edhe mundësia e kufizimit të shitjes së karburantit për shtetasit e huaj.

Protesta e opozitës në Tiranë: Mbi 1400 forca policore të angazhuar

Mbi 1400 forca policore janë angazhuar sot për mbarëvajtjen e protestës së thirrur nga opozita në orën 18:00.

Policia e Shtetit ka vendosur efektivë policie jo vetëm te Kryeministria, por edhe te Parlamenti dhe institucione të tjera teksa njoftohet se grupe me punonjës policie do të jenë të dislokuar edhe në disa zona të kryeqytetit, raporton a2cnn, transmeton albinfo.ch.

Drejtori i komanduar i Policisë, Sokol Bizhga ka zhvilluar mbledhje me vartësit e tij ku i ka dhënë porositë lidhur me protestën ku detyra kryesore është garantimi i sigurisë së qytetarëve dhe ruajtja e qetësisë duke iu shmangur provokimeve nëse do të ketë nga protestuesit.