Luzern voton për masa të reja për më shumë banesa

Në qytetin e Luzernit më 14 qershor qytetarët do të votojnë për dy propozime që kanë për qëllim krijimin e më shumë hapësirave banesore. Nismat vijnë si përgjigje ndaj mungesës së banesave dhe kanë shkaktuar debat politik, veçanërisht nga qarqet borgjeze që shprehin kundërshtim, transmeton albinfo.ch.

Një nga propozimet kryesore parasheh vendosjen e të ashtuquajturit “e drejtë e blerjes paraprake” për komunën. Kjo do të nënkuptonte se qyteti i Luzernit do të informohej për shitjen e ndërtesave më të mëdha banesore apo komplekseve të reja ndërtimore dhe do të kishte mundësi t’i blejë ato përpara palëve të tjera.

Sipas planit, qyteti do të kishte një afat prej tre muajsh për të vendosur nëse do ta shfrytëzojë këtë të drejtë. Në rast blerjeje, pronat mund të shndërrohen në banesa me qira të përballueshme apo banesa me karakter jo-fitimprurës.

Në rast se iniciativa miratohet, masa do të hynte në fuqi në vitin 2027 dhe do të aplikohej vetëm në situata kur ka mungesë banesash, konkretisht kur shkalla e zbrazëtisë së banesave bie në 1.5 për qind ose më pak. Përjashtim nga kjo rregull do të bëjnë parcelat më të vogla, si shtëpitë individuale apo pronat në bashkëpronësi. /Albinfo.ch

Mbyllet papritur hoteli luksoz “Seehof” në Davos

Një nga hotelet më të njohura dhe tradicionale në Davos të Zvicrës, hoteli luksoz “Seehof”, do të mbyllë papritur dyert më 14 qershor, duke i dhënë fund operimit gjatë sezonit veror, transmeton albinfo.ch.

Lajmi ka surprizuar jo vetëm turistët dhe punonjësit, por edhe sektorin hotelier në rajon, pasi “Seehof” konsiderohet një prej simboleve të mikpritjes elitare në Davos.

Sipas mediave zvicerane, kompania gjermane që menaxhon hotelin, Revo Hospitality Group, ka vendosur të ndërpresë aktivitetin veror me arsyetimin e optimizimit të “sinergjive” me një hotel tjetër të grupit.

Megjithatë, pas vendimit qëndrojnë edhe vështirësi serioze financiare. Në muajin janar, rreth 140 kompani bija të grupit Revo kishin paraqitur kërkesë për falimentim, duke ngritur pikëpyetje për stabilitetin ekonomik të kompanisë.

Pavarësisht mbylljes gjatë verës, menaxhmenti ka bërë të ditur se synon ta rikthejë funksionimin e hotelit në sezonin dimëror, kur Davosi mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara turistike dhe ekonomike në Zvicër.

Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar edhe hotelieri i njohur zviceran Ernst “Aschi” Wyrsch, i cili e cilësoi situatën si një lajm të trishtueshëm për Davosin dhe traditën hoteliere të qytetit.

Nga 1 qershori, aviokompanitë përfitojnë deri në 6 euro për çdo mërgimtar që sjellin në Kosovë

Nga 1 qershori do të nisë zbatimi i programit të Qeverisë për subvencionimin e linjave ajrore që transportojnë mërgimtarët drejt Kosovës gjatë sezonit veror, transmeton albinfo.ch.

Vlen të theksohet se aviokompanitë do të përfitojnë nga 3 deri në 6 euro subvencion për secilin pasagjer që sjellin në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Programi, i quajtur “Mbështetja e Konektivitetit për sezonin veror 2026”, përfshin fluturimet nga shtete si Zvicra, Gjermania, Austria, Turqia, Belgjika, Franca, Suedia, Finlanda, Norvegjia dhe Danimarka — vende ku jeton një pjesë e madhe e diasporës kosovare.

Sipas kritereve të përcaktuara, kompanitë ajrore do të marrin:

  • 3 euro për çdo pasagjer nëse realizojnë mbi 85 për qind të fluturimeve të planifikuara;
  • 6 euro për pasagjerët shtesë në fluturime mbi planifikimin bazë, nëse avionët mbushen mbi 80 për qind;
  • si dhe 6 euro për pasagjer në rast të hapjes së linjave të reja me kapacitet të lartë të udhëtarëve.

Verifikimi i performancës së kompanive do të bëhet në fund të sezonit veror të aviacionit, më 24 tetor.

Qeveria në detyrë ka arsyetuar këtë masë me nevojën për ruajtjen e linjave ajrore dhe shmangien e anulimeve të mundshme për shkak të rritjes së kostos së karburantit në tregun ndërkombëtar.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se masa nuk lidhet me zgjedhjet, por me sezonin veror dhe ruajtjen e konektivitetit ajror të Kosovës me Evropën.

“Bëhet fjalë për një mbulim të një gjendjeje jo të zakonshme që po e bëjnë edhe shtete tjera dhe nuk ka të bëjë me muajin qershor, por me komplet stinën e verës”, ka deklaruar Kurti.

Megjithatë, vendimi ka nxitur reagime të shumta politike dhe kritika nga opozita, pasi është miratuar vetëm pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

Kundërshtarët e qeverisë kanë ngritur dyshime se subvencionimi i biletave për diasporën mund të interpretohet si tentativë për ndikim elektoral dhe favorizim të votës së mërgatës, e cila tradicionalisht ka mbështetur në masë të madhe Vetëvendosjen./Albinfo.ch

Pianistja kosovare Lule Elezi mban recital në Pallatin mbi Ujë në Varshavë

Pianistja e njohur kosovare Lule Elezi do të mbajë një koncert recital në një prej hapësirave më mbresëlënëse kulturore në Poloni – Pallatin mbi Ujë, i njohur zyrtarisht si Pallati në Ishull, në kuadër të Parkut Mbretëror Łazienki në Varshavë, transmeton albinfo.ch.

Përmes një njoftimi publik, artistja e cilësoi këtë paraqitje si një privilegj të veçantë, duke theksuar rëndësinë historike dhe artistike të sallës ku do të performojë.

“Një privilegj i veçantë të performoj në këtë hapësirë ikonike, ku tradita e muzikës klasike dhe atmosfera krijojnë një përjetim unik klasik”, ka shkruar Elezi.

Koncerti organizohet nga Muzeu Mbretëror Łazienki në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare Frederic Chopin në Varshavë, ndërsa mbështetet edhe nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës.

Paraqitja e Lule Elezit në këtë skenë prestigjioze konsiderohet një tjetër prezantim i rëndësishëm ndërkombëtar i artit dhe kulturës kosovare në Evropë./Albinfo.ch

Trajneri i ri Maran: Kombëtarja ka nevojë për gola

Pas publikimit të listës së lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut, trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka dalë në konferencë për media ku ka sqaruar zgjedhjet e tij.

Tekniku italian u shpreh se do të kishte preferuar një listë më të zgjeruar, në mënyrë që të njihte më mirë futbollistët që mund të jenë pjesë e rëndësishme e kuqezinjve në të ardhmen.

“Do të kisha dashur një listë më të gjatë, me më shumë lojtarë të grumbulluar për këto dy ndeshje miqësore, sepse dua të njoh më mirë lojtarët dhe të kuptoj kush mund të jetë më funksional për Kombëtaren në vazhdim. Janë ndeshje përgatitore, por shumë të rëndësishme për ne”, deklaroi Maran, transmeton albinfo.ch.

Trajneri theksoi gjithashtu rëndësinë e repartit ofensiv, duke nënvizuar se skuadra ka nevojë për më shumë gola dhe lojë sulmuese.

“Skuadrat që kam drejtuar kanë shënuar gjithmonë shumë gola, madje kanë arritur edhe rekorde. Ky është një sinjal pozitiv, sepse kur shënojmë më shumë, do të thotë se ndërtojmë më mirë lojën. Nëse realizojmë më shumë gola, rezultatet do të jenë edhe më të favorshme. Kjo Kombëtare ka nevojë për gola”, shtoi ai.

Maran foli edhe për mungesën e Ivan Balliut në listë, duke zbuluar se mbrojtësi i ka kërkuar kohë për të marrë një vendim mbi të ardhmen e tij me Kombëtaren shqiptare.

“Kam folur me Ivan Balliun disa ditë më parë dhe ai ishte shumë i sinqertë me mua. Më kërkoi pak kohë për të vendosur nëse do të vazhdojë me Kombëtaren shqiptare. E kuptoj dhe e respektoj plotësisht këtë zgjedhje”, përfundoi trajneri kuqezi.

Kryebashkiaku i Tiranës mbetet në burg, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Veliajt

Gjykata e Lartë në Tiranë, e ka rrëzuar rekursin e kryebashkiakut të kryeqytetit të Shqipërisë, Erion Veliaj.

Bëhet e ditur se gjykata la në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO-së për të lënë në burg kryebashkiakun, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe, Veliaj ndodhet në paraburgim që nga shkurti i vitit 2025 për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.

Fillon montimi i avionit të parë zviceranë F-35

Dorëzimi i avionëve luftarakë F-35 në Zvicër ka arritur një moment të ri historik me montimin e avionit të parë që fillon në fabrikën e Lockheed Martin në Georgia, Shtetet e Bashkuara.

Prodhimi i komponentëve të parë për avionët zviceranë ka filluar tashmë, deklaroi armasuisse. Fazat e ardhshme të prodhimit dhe montimit do të pasojnë në muajt në vijim, transmeton albinfo.ch.

Më shumë se 2,100 nënkontraktorë në të gjithë botën janë aktivë në zinxhirin e prodhimit.

Tetë F-35-at e parë do të përdoren për të trajnuar pilotët zviceranë nga mesi i vitit 2027 në Arkansas, SHBA. Dorëzimi në Zvicër pritet një vit më vonë.

F-35-at e mbetur do të dorëzohen nga vendi i montimit përfundimtar në Cameri, Itali.

Kosovë: Hapet aplikimi për përfitim të 100 eurove për punëtorët e sektorit privat

Ministri në detyrë i Financave në Kosovë, Hekuran Murati, ka njoftuar se është hapur aplikimi për përfitim të 100 eurove si mbështetje nga Qeveria në detyrë për punëtorët e sektorit jopublik.

Ai ka thënë se aplikimi mund të bëhet duke plotësuar formularin në vijim: https://apps.atk-ks.org/Subvencionim

“Secili i punësuar duhet të aplikojë individualisht, dhe të sigurohet që të dhënat e plotësuara të jenë të sakta. Llogaria bankare duhet patjetër të jetë në emër të përfituesit. Aplikimet që përmbajnë gabime, refuzohen”, ka shkruar ai, transmeton albinfo.ch.

Bëhet e ditur se afati i aplikimit do të jetë deri më 5 qershor 2026.

“Kush mund të aplikojë: – Punëtorët në sektorin privat; – Punëtorët në entitete jo-publike (OJQ); – Punëtorët në entitete publike por që nuk marrin pagë nga buxheti përmes listës së pagave (Ndërmarrjet Publike, RTK etj)”, ka shkruar Murati.

Nga kjo mbështetje mund të përfitojnë ata që kanë të ardhura mujore bruto jo më shumë se 1,000 euro teksa punëtori duhet të jetë i deklaruar në ATK nga punëdhënësi me deklaratën e muajit prill (që është bërë deri me 15 maj).

Si mund të mësojë Tirana nga përvoja e Zvicrës në menaxhimin e ujërave të ndotura dhe atyre atmosferike?

Përmes Sekretariatit Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO), ne po mbështesim kryeqytetin e Shqipërisë në ecjen drejt një menaxhimi të integruar të ujërave të ndotura dhe atyre atmosferike, me asistencë teknike nga ECOPSIS dhe Eawag Sandec, ka njoftuar Ambasada e Shqipërisë në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Si pjesë e këtij bashkëpunimi, profesionistë shqiptarë të ujërave të ndotura nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë së fundmi vizituan Zvicrën për të eksploruar praktikat më të mira në trajtimin e ujërave të ndotura, planifikimin e sistemeve dhe menaxhimin operacional.

Menaxhimi efikas dhe modern i ujërave të ndotura është kyç për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, mbrojtjen e burimeve ujore, ruajtjen e mjedisit dhe mundësimin e qyteteve të zhvilluara dhe turizmit të qëndrueshëm.

Kosova merr nën kontroll stacionin hekurudhor në Zveçan

Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, ka deklaruar në Zveçan se marrja nën kontroll e stacionit hekurudhor nuk ka lidhje me fushatën zgjedhore, por me zbatimin e ligjit dhe vendosjen e rendit në të gjithë territorin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Me praninë e disa ministrave në detyrë dhe asistimin e Policisë së rajonit të veriut, autoritetet kosovare kanë marrë të enjten nën kontroll objektin e stacionit hekurudhor në Zveçan, pranë kompleksit “Trepça”.

Gjatë aksionit është larguar mbishkrimi në alfabetin cirilik nga objekti dhe është vendosur një tabelë e re në gjuhën shqipe dhe serbe, si dhe flamuri i Kosovës.

I pyetur nga gazetarët nëse ky veprim lidhej me fillimin e fushatës zgjedhore, Sveçla e ka mohuar një gjë të tillë.

“Jo, kjo është pjesë e detyrës sonë për të siguruar që rendi dhe ligji të jenë të pranishëm kudo, përfshirë të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Ky është një nga institucionet e fundit që ende funksiononte nën struktura paralele dhe ilegale të Serbisë”, ka deklaruar Sveçla, sipas transmetimit të “Kossev”.

Ai shtoi se çdo institucion që vlerësohet si “ilegal dhe paralel” do të jetë subjekt i veprimeve të institucioneve kompetente.

Sa i përket të ardhmes së stacionit hekurudhor dhe mundësisë së funksionalizimit të tij, Sveçla tha se objekti është pjesë e rrjetit hekurudhor të Kosovës dhe do të përfshihet në projektet e rindërtimit të infrastrukturës hekurudhore në vend.

Edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, bëri të ditur se pas Zveçanit, veprime të ngjashme pritet të ndërmerren edhe në Leposaviq dhe Leshak. /Albinfo.ch

Zvicra voton në shtator për neutralitetin shtetëror

Qytetarët zviceranë do të votojnë më 27 shtator në një referendum të ri federal lidhur me neutralitetin e vendit, ka njoftuar Këshilli Federal të mërkurën, përcjell albinfo.ch.

Votimi ka të bëjë me të ashtuquajturën “Iniciativa për Neutralitetin”, e cila vjen pas pakos së referendumeve të planifikuara pas 14 qershorit.

Iniciativa, e quajtur “Mbrojtja e neutralitetit zviceran”, është propozuar nga grupi politik Pro Schweiz, një organizatë e lidhur me Partinë Popullore Zvicerane (SVP), e njohur për qëndrimet e saj konservatore dhe populiste.

Ajo synon që neutraliteti i Zvicrës të sanksionohet në Kushtetutë si “i përhershëm dhe i armatosur”, duke kërkuar gjithashtu që vendi të mos marrë pjesë në aleanca ushtarake apo mbrojtëse, përfshirë NATO-n.

Debati rreth kësaj iniciative pritet të jetë një nga temat kryesore politike në prag të votimit të shtatorit. /Albinfo.ch

Kurti: Xhandarmëria do të mbushë boshllëkun mes Policisë dhe Ushtrisë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se themelimi i xhandarmërisë është një domosdoshmëri për vendin, duke përmendur situatën e sigurisë dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, përcjell albinfo.ch. 

Në një konferencë për media, Kurti tha se xhandarmëria do të ketë rol të rëndësishëm në sistemin e sigurisë së Kosovës, duke plotësuar boshllëkun ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Sipas tij, ky mekanizëm do të ketë mandat të qartë për mbrojtjen dhe kontrollin e vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në të gjithë territorin e Kosovës.

“Xhandarmëria do të ketë mandat të qartë: sigurimin e vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në tërë Republikën e Kosovës, operacione kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, duke përfshirë ato me karakter paraushtarak, parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare, menaxhimin e situatave të rrezikut të lartë, si dhe sigurimin e infrastrukturës kritike”, deklaroi Kurti.

Ai shtoi se modeli i xhandarmërisë nuk është i panjohur në Evropë, duke theksuar se struktura të tilla funksionojnë edhe në shtete të tjera evropiane si pjesë e sistemit të sigurisë kombëtare./Albinfo.ch

Shqiptarët në Mal të Zi drejt unifikimit politik

Skena politike shqiptare në Mal të Zi po hyn në një fazë të re konsolidimi, pasi partitë shqiptare pritet të bashkohen në një subjekt të vetëm politik nën ombrellën e Forumit Shqiptar. Nëse finalizohet, ky do të jetë organizimi i parë i unifikuar politik i shqiptarëve në nivel shtetëror në Mal të Zi, përcjell albinfo.ch.

Sipas burimeve jozyrtare të cituara nga Radio Televizioni i Malit të Zi (RTCG), marrëveshja përfshin bashkimin e Alternativës Shqiptare, Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve dhe Unionit Nacional Shqiptar në një strukturë të përbashkët politike.

Ky hap konsiderohet rezultat i bashkëpunimit të deritanishëm politik mes partive shqiptare, i cili ka sjellë sukses të dukshëm në skenën politike malazeze. Ndër arritjet kryesore përmenden qeverisja me shumicë absolute në komunën e Tuzit, sigurimi i dy mandateve parlamentare në nivel shtetëror, si dhe përfaqësimi me dy poste ministrore në Qeverinë e Malit të Zi.

Burime pranë procesit të negociatave bëjnë të ditur se një shtysë shtesë për bashkimin e plotë kanë dhënë edhe sondazhet e fundit të opinionit publik, të cilat tregojnë rritje të mbështetjes për Forumin Shqiptar, veçanërisht në Ulqin, ku kjo forcë politike po konsiderohet si një nga alternativat më të fuqishme shqiptare.

Sipas të njëjtave burime, një nga objektivat strategjike të Forumit Shqiptar mbetet marrja e drejtimit të komunës së Ulqinit pas zgjedhjeve të ardhshme lokale.

RTCG raportoi gjithashtu se është pothuajse e sigurt që në krye të subjektit të bashkuar do të jetë Nik Gjeloshaj, ndërsa rol të rëndësishëm në procesin e bashkimit kanë pasur edhe Ivan Ivanaj dhe Ferhat Dinosha.

Njohës dhe pjesëmarrës të procesit e vlerësojnë këtë zhvillim si konsolidimin më të madh politik të faktorit shqiptar në Mal të Zi që nga rikthimi i pavarësisë së vendit. /Albinfo.ch

Punëtorë pa të drejta – ky është qëllimi i «Iniciativës për qëndrueshmëri»

Historia jonë – përgjegjësia jonë

Kur kohët e fundit e shoqërova një gazetare nëpër qytetin tim, Wil, e kuptova sa krenar mund të jem për gjeneratën e prindërve tanë. Unë i përkas gjeneratës së dytë me origjinë jashtë Zvicrës, pjesëtarët e së cilës quhen edhe “sekondo”. Menjëherë pranë stacionit të trenit në Wil kaluam pranë një ndërtese zyrash, të cilën axha im e kishte ndërtuar si punëtor sezonier. Edhe babai im punoi në kantiere të ndryshme, para se të gjente punë në një fabrikë. Si pjesëtarë të gjeneratës së parë të migrantëve, ata kontribuan në mirëqenien e këtij vendi duke kryer punët më të rënda. Por u deshën 14 vjet derisa babai im arriti ta sillte familjen në Zvicër – unë isha tetë vjeç kur erdha në këtë vend. Që kur jam vetë prind, e kuptoj edhe më mirë sa të vështira ishin ato vite për të gjitha familjet e prekura.

Shumë prej jush e njohin këtë histori. Baballarët dhe gjyshërit tuaj erdhën nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, nga Shqipëria. Erdhën për të punuar në ndërtimtari, në fabrika, në pastrim. Punuan fort – çdo ditë. Por nuk u lejohej të sillnin familjet e tyre. Muaj të tërë kalonin vetëm. Pa të drejta. Pa siguri. Kur shefi thoshte «ik», ti ikje.

Ky ishte Statuti i Sezonierëve – një kapitull i errët i historisë zvicerane. Ai e kufizonte qëndrimin e «punëtorëve mysafirë» (Gastarbeiter) në nëntë muaj në vit. Sezonierët ndërtuan, riparuan, mbollën dhe gatuajtën për Zvicërn. Morën paga të ulëta, paguajtën taksa, por pothuajse nuk kishin të drejta. Pas këtij sistemi qëndrojnë dhjetëra mijëra familje të copëtuara. Fëmijë që duhej të fshiheshin ditën nëpër dollapa e bodrume – të ashtuquajturit «fëmijët e dollapit», «Schrankenkinder» në gjermanisht. Fëmijë që nuk guxonin të shkonin në shkollë, te mjeku, as të luanin jashtë. Nëna që kishin vetëm zgjedhjen traumatizuese: t’i linin fëmijët pas ose t’i fshihnin pranë vetes. Punëtorë që në kufirin e Chiassos duhej të zhvisheshin edhe në të ftohtë të acartë dhe të renditeshin në radhë për t’u bërë radiografi.

Bashkimi familjar ishte i ndaluar për kohë të gjatë dhe më vonë i lejuar vetëm me kushte të rrepta. Ndërrimi i vendit të punës ose i vendbanimit nuk ishte i parashikuar. Nëse një grua mbetej shtatzënë, duhej të largohej. Vetëm në vitin 2002, me futjen e lëvizjes së lirë të personave, iu dha fund këtij statuti të padenjë. Falë saj, babai im mundi ta sillte familjen. Unë munda të shkoja në shkollë këtu, të studioja – dhe sot jam deputet në Parlamentin e Zvicrës. Kjo ishte e mundur vetëm sepse Zvicra e hoqi Statutin e Sezonierëve.

Më 14 qershor, pikërisht kjo e arritur do të hidhet në referendum.

 

Çfarë do vërtet kjo iniciativë – dhe pse na prek neve

iniciativa e partisë politike SVP me titullin «Jo Zvicrës 10 milionëshe! (Iniciativa për qëndrueshmëri)» reklamohet me fotografi kiçi të peizazheve dhe familjeve që ecin nëpër livadhe alpine. Ky është mashtrim. Kjo iniciativë nuk do ta ndalonte rritjen e popullatës. Ekonomia zvicerane varet nga imigrimi – zhvillimi demografik dhe dalja në pension e gjeneratës me më shumë fëmijë e bëjnë këtë të pashmangshme.

Iniciativa ndjek një qëllim tjetër. Ia vlen ta lexosh tekstin me kujdes. Vendimtare është: Në popullatën e përhershme rezidente, e cila duhet të kufizohet, numërohen vetëm ata që jetojnë më shumë se dymbëdhjetë muaj në Zvicër. Thënë troç: migrantët duhet të vazhdojnë të vijnë për të punuar – por jo për një vit të plotë dhe jo me familjen e tyre. SVP nuk do më pak të huaj. Ajo do punëtorë pa të drejta. Njerëz që kujdesen për pleqtë tanë, ndërtojnë shtëpitë tona, pastrojnë zyrat tona – por vijnë pa familje, pa të drejtë qëndrimi të përhershëm dhe pa mbrojtje.

Ky është Statuti i Sezonierëve me veshje të re. Emër tjetër, efekt i njëjtë.

Çfarë ndodh konkretisht? Zvicra ka sot 9,2 milionë banorë. Për pak vite do të jenë 9,5 milionë. Atëherë hyn në fuqi masa e parë:

Bashkimi familjar kufizohet. Kush do ta sjellë bashkëshortin, fëmijët, prindërit – nuk mund ta bëjë këtë. Kjo bëhet më e vështirë ose e pamundur. Refugjatët me qëndrim të përkohshëm nuk marrin më të drejtë qëndrimi.

Kur numri i popullsisë arrin në 10 milionë vjen masa e dytë: marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare duhet të anulohen – sipas Qeverisë së Zvicrës edhe Konventa e të Drejtave të Njeriut, Konventa e Refugjatëve dhe Konventa e të Drejtave të Fëmijëve. Në fund, anulimi i lëvizjes së lirë të personave. Kthehen kontingjentet. Mbrojtja e pagave bie.

SVP ka mësuar nga gabimet e veta. Ndryshe nga iniciativa kundër imigrimit masiv të vitit 2014, teksti i iniciativës këtë herë është i qartë. Ai synon qartësisht një ndarje të shoqërisë në dy pjesë: lart sunduesit e vendosur. Poshtë migrantët pa të drejta.

 

Çfarë do të thotë kjo për mërgatën shqiptare

Tani po ju flas drejtpërdrejt juve – mërgatës shqiptare në Zvicër. Sepse kjo iniciativë na prek veçanërisht neve.

Bashkimi familjar: Shumë prej nesh kanë ende familje në vendlindje. Prindër, vëllezër e motra, bashkëshortë. Kush do t’i sjellë këtu, edhe sot e ka të vështirë. Pas kësaj iniciative do të jetë edhe më e vështirë – ose e pamundur. Paramendoni: babai juaj është vetëm në Kosovë. Nëna juaj është e sëmurë. Ju doni ta sillni këtu. Përgjigja: Jo. Kufiri është i mbyllur.

Statusi i qëndrimit: Nuk bëhet fjalë vetëm për ardhësit e rinj. Bëhet fjalë për të gjithë ata që tashmë jetojnë këtu. Kush ka lejen e qëndrimt B: vazhdimi i saj bëhet i pasigurt. Kush ka lejen C: edhe ajo nuk është më e sigurt nëse bien marrëveshjet bilaterale me BE-në. Kush do pasaportën zvicerane: natyralizimi bëhet më i vështirë, kohët e pritjes më të gjata, arbitrariteti më i madh.

Pagat: Pa marrëveshjet bilaterale bie mbrojtja e pagave. Sot kontrollohen mbi 37’000 firma nëse paguajnë paga të drejta. Pa këto kontrolla, shefi thotë: «Pse duhet të të paguaj 28 franga në orë? Tjetri e bën për 15.» Studimet tregojnë: pagat bien me 1,7 deri në 4,7 përqind. Me një pagë prej 5000 frangash, kjo do të thotë 235 franga më pak – çdo muaj. Pothuajse 3000 franga më pak në vit. Dhe kjo prek pikërisht degët ku punojnë shumë prej nesh: ndërtimtari, gastronomi, pastrim, kujdes shëndetësor, transport.

Pensioni dhe sigurimet shëndetësore: AHV-së i mungojnë deri në vitin 2060 rreth 8 miliardë franga, nëse më pak të rinj paguajnë. Kontributi për sigurimin shëndetësor rritet për 250 franga për person në vit – për një familje me katër persona janë 1000 franga më shumë. Dhe SVP-ja do njëkohësisht ta rrisë moshën e pensionit në 67 vjeç. Dy vjet më gjatë në kantier, në pastrim, në kujdes – për njerëz që me 65 vjeç shpesh janë fizikisht të shkatërruar.

Klima politike: Kur një iniciativë thotë se në Zvicër «ka tepër prej jush», kjo e ndryshon atmosferën në të gjithë vendin. Në vendin e punës, në shkollë, në komunë. Kush jeton këtu prej 20 vjetësh, paguan taksa dhe punon, paraqitet prapë si «problem». Këtë e njohim. Dhe me këtë iniciativë do të jetë edhe më keq.

 

Një «kurrë më!»

Suksesi i Zvicrës, një vend pa lëndë të para, bazohet në një formulë të provuar: demokraci e qëndrueshme dhe e drejtë, kulturë e balancës sociale, imigrim dhe integrim i njerëzve të motivuar e të talentuar. Migrantët kanë ndërtuar firma si Nestlé dhe Swatch, të cilat ende sot krijojnë vende pune. Nuk guxon të ndodhë që vendi ynë, i cili ekonomikisht varet nga popullata migrante, njëkohësisht t’ia heqë asaj të drejtat.

Rikthimi i Statutit të Sezonierëve është qëllimi i vërtetë i kësaj iniciative. Një JO e fuqishme më 14 qershor është një gjest që thotë «kurrë më!» – kurrë më nuk duam të kthehemi te Statuti i padenjë i Sezonierëve. Kurrë më nuk duhet të fshihen fëmijë nëpër dollapa. Kurrë më nuk duhet të ndahen familje me vite të tëra.

Hannah Arendt e ka quajtur të drejtën për të drejta si të drejtën më themelore: të drejtën për të qenë fare pjesë e një bashkësie politike që të mbron. Një demokraci që ia mohon këtë të drejtë më shumë se një të katërtës së popullatës së vet, është një demokraci e mangët.

Çfarë mundeni të bëni ju? Kush ka pasaportën zvicerane: votoni JO më 14 qershor. Me postë ose në kutinë e votimit. Kush nuk ka të drejtë vote: flisni me fqinjët tuaj, me kolegët e punës, me miqtë zviceranë. Thuani atyre: «Të lutem voto JO – për mua. Sepse unë nuk mundem, por ti mundesh.» Shpërndajeni këtë artikull. Diskutoni në familje, në shoqatë, në punë. Çdo votë është e rëndësishme.

Një JO më 14 qershor është një angazhim që të gjithë njerëzit që jetojnë dhe punojnë në këtë vend, të trajtohen me dinjitet. Debati mbi përkatësinë dhe të drejtën e shtetësisë do të vazhdojë edhe pas kësaj. Ne nuk kemi nevojë për një demokraci diskriminuese dhe përjashtuese, por për një demokraci të gjallë dhe të vërtetë.

Arbër Bullakaj (40) është deputet në Parlamentin e Zvicrës nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës. Baza e tij elektorale është në kantonin St. Gallen. Ai është sipërmarrës në fushën e teknologjisë informative nga qyteti i Wil-it (kantoni St. Gallen). Ai është i biri i një ish-punëtori sezonal dhe bashkëiniciator i Iniciativës për Demokraci, e cila synon lehtësimin e procedurave për marrjen e shtetësisë në Zvicër.

Arbër Bullakaj është deputet në Parlamentin e Zvicrës nga radhët e Partisë Socialdemokrate (SP).

 

 

 

 

 

Vala ekstreme e të nxehtit godet Evropën, shtatë viktima në Francë

Një valë e hershme dhe ekstreme e të nxehtit po përfshin një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore, duke shkaktuar viktima, alarm shëndetësor dhe temperatura rekord në disa shtete evropiane, përcjell albinfo.ch.

Autoritetet franceze kanë konfirmuar se shtatë persona kanë humbur jetën si pasojë e drejtpërdrejtë ose të tërthortë nga temperaturat e larta që kanë goditur vendin gjatë ditëve të fundit.

“Ajo që mund të them sot është se ka pasur shtatë vdekje të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me vapën”, deklaroi zëdhënësja e qeverisë franceze, Maud Bregeon, për televizionin TF1.

Sipas agjencisë Meteo France, temperatura më e lartë është regjistruar pranë Hossegor, në jugperëndim të Francës, ku termometri arriti në 37.1 gradë Celsius. Autoritetet paralajmërojnë se temperaturat në disa zona të vendit mund të kalojnë 36 gradë edhe gjatë ditëve në vijim.

Meteorologët francezë kanë bërë të ditur se kjo ka qenë dita më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë në muajin maj që nga fillimi i matjeve zyrtare. Temperatura mesatare kombëtare arriti në 24.4°C, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 23.7°C të vendosur në vitin 1944.

Temperatura rekord janë regjistruar edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas Met Office, e hëna ishte dita më e nxehtë e muajit maj në historinë e matjeve meteorologjike, me temperatura që arritën deri në 34.8°C në Kew Gardens, në jugperëndim të Londrës.

Agjencia britanike e motit e cilësoi këtë fenomen si “jashtëzakonisht të pazakontë për Mbretërinë e Bashkuar, madje edhe gjatë mesit të verës”.

Edhe Spanja po përballet me temperatura ekstreme. Shërbimi meteorologjik Aemet paralajmëroi se në disa rajone temperaturat do të lëvizin mes 36 dhe 38 gradë Celsius, ndërsa në zona të caktuara mund të arrijnë deri në 40°C.

Ndërkohë, tetë departamente në Francë janë vendosur në alarm portokalli për vapën, niveli i dytë më i lartë i paralajmërimit meteorologjik, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të shmangin ekspozimin e gjatë në diell dhe të marrin masa mbrojtëse.

Ky është rasti i parë që Franca aktivizon sistemin kombëtar të alarmit për vapën që në muajin maj, që nga krijimi i tij në vitin 2004. /Albinfo.ch

Shqiptari dyshohet si autori kryesor i vrasjes mafioze të berberit 26-vjeçar në Itali

Një operacion i përbashkët mes autoriteteve italiane dhe shqiptare ka çuar në ekzekutimin e 15 masave të sigurisë ndaj personave të dyshuar për përfshirje në një vrasje mafioze dhe aktivitete të tjera kriminale mes Italisë dhe Shqipërisë, përcjell albinfo.ch.

Operacioni është zhvilluar me urdhër të Gjykatës së Barit dhe Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Tiranë, në kuadër të hetimeve të koordinuara nga Drejtoria Distrektuale Antimafia e Barit (DDA) dhe Prokuroria e Posaçme shqiptare, me mbështetjen e Eurojust.

Në qendër të hetimeve është vrasja e 26-vjeçarit Francesco Diviesti, i cili u ekzekutua një vit më parë dhe më pas trupi i tij u dogj në një zonë të izoluar të Alta Murgias, në Itali.

Sipas hetuesve, ndaj 15 personave – mes tyre katër gra – rëndojnë akuza të ndryshme, përfshirë vrasje të paramenduar me rrethana mafioze, tentativë zhvatjeje, armëmbajtje pa leje, ndihmë pas kryerjes së krimit, shkelje të masave parandaluese dhe pastrim ndërkombëtar parash nga Italia drejt Shqipërisë.

Autoritetet italiane bëjnë të ditur se ndër personat kryesorë të hetuar ndodhet edhe shqiptari I.G., 41 vjeç, i identifikuar si personi që kontrollonte dhe menaxhonte shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e Barlettës. Ai dyshohet si organizatori kryesor i vrasjes.

Sipas hetimeve, konflikti që çoi në ekzekutimin e Diviestit nisi për një borxh prej 500 eurosh, që më pas ishte ulur në 300 euro, lidhur me marrjen me qira të një automjeti në favor të të dyshuarit kryesor.

Prokurori shtesë i Barit, Giuseppe Gatti, deklaroi se viktima kishte kundërshtuar kilometrazhin e makinës së marrë me qira, veprim që sipas hetuesve u interpretua si sfidë ndaj autoritetit të 41-vjeçarit shqiptar.

“Një fyerje që, sipas logjikës së vjetër mafioze, duhej larë me gjak”, është shprehur Gatti.

Hetimet tregojnë se pas vrasjes, trupi i 26-vjeçarit u dogj mes gomave për të zhdukur gjurmët e krimit dhe për të dërguar një mesazh frikësues ndaj kujtdo që sfidon grupin kriminal.

Prokurori Roberto Rossi e cilësoi djegien e trupit si “një mesazh për të gjithë: kush gabon, paguan me gjak”.

Ndërkohë, autoritetet theksojnë se klima e frikës e krijuar nga grupi kriminal ka ndikuar edhe te dëshmitarët. Një mik i viktimës, pasi kishte bashkëpunuar fillimisht me hetuesit, më vonë kishte tërhequr deklaratat nga frika për sigurinë e tij. /Albinfo.ch

A po bëhen kosovarët një nga komunitetet kryesore që marrin shtetësinë gjermane?

Viti 2025 ka sjellë një rekord historik në Bavari të Gjermanisë jugore sa i përket dhënies së shtetësisë gjermane. Por, a po shndërrohen kosovarët në një nga komunitetet më të integruara dhe më të përfaqësuara në këtë proces?

Referuar të dhënave të publikuara nga gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”, rreth 60 mijë persona kanë marrë shtetësinë gjermane në Bavari gjatë vitit të kaluar, duke shënuar nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në këtë land, transmeton albinfo.ch.

Në mesin e komuniteteve që kanë përfituar më së shumti nga ky proces renditen edhe qytetarët me origjinë nga Kosova. Raporti tregon se rreth 4100 kosovarë janë pajisur me pasaportë gjermane, duke e vendosur Kosovën në vendin e tretë për nga numri i shtetësive të fituara, së bashku me Rusinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Para Kosovës renditen vetëm Turqia me 6495 shtetësi të dhëna dhe Siria me 4979.

Sipas Zyrës së Statistikave të Bavarisë, numri total prej 59’573 shtetësive të dhëna është afro 10 për qind më i lartë krahasuar me vitin paraprak. Ndërkohë, krahasuar me vitet 2021 dhe 2022, shifra është dyfishuar, ndërsa në raport me vitin 2014 është katërfishuar.

Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, e ka cilësuar këtë zhvillim si një sinjal pozitiv për integrimin në Gjermani, duke theksuar se marrja e shtetësisë përfaqëson një vendim të vetëdijshëm për t’u bërë pjesë e shoqërisë gjermane.

Megjithatë, ai ka kërkuar rikthimin e rregullave më të ashpra për fitimin e shtetësisë, duke propozuar që periudha minimale e qëndrimit të rikthehet nga pesë në tetë vjet.

Aktualisht, ligji i reformuar në verën e vitit 2024 u mundëson aplikantëve të marrin shtetësinë pas pesë vitesh qëndrimi dhe të mbajnë edhe dyshtetësinë.

Për të përfituar pasaportën gjermane, aplikantët duhet të dëshmojnë njohuri të gjuhës gjermane, të jenë financiarisht të pavarur, të kalojnë testin e shtetësisë dhe të mos kenë precedentë penalë./Albinfo.ch

Pianistja Fatjona Maliqi mahnit publikun me performancën në Kalanë Neckarhausen në Gjermani

Pianistja shqiptare Fatjona Maliqi ka emocionuar publikun me një performancë të veçantë artistike në Kalanë historike Neckarhausen në Gjermani, në një koncert që u karakterizua nga atmosferë e ngrohtë dhe pritje entuziaste nga të pranishmit, shkruan albinfo.ch.

Përmes një reagimi publik, artistja ka shprehur mirënjohjen dhe emocionet e përjetuara gjatë kësaj mbrëmjeje, duke theksuar se interpretimi në këtë ambient unik ishte një përvojë e paharrueshme.

“Atmosfera ishte me të vërtetë e veçantë dhe u preka thellë nga thirrjet ‘Bravo!’ dhe duartrokitjet e përzemërta”, është shprehur Maliqi.

Ajo ka theksuar se momente të tilla ia rikujtojnë forcën që muzika ka për të bashkuar njerëzit dhe për të krijuar emocione që mbeten gjatë në kujtesë.

Pianistja shqiptare falënderoi komunën Edingen-Neckarhausen, shtetin gjerman Baden-Württemberg dhe veçanërisht organizatorin z. Grosch për mikpritjen dhe organizimin e mbrëmjes artistike.

“Këto kujtime do t’i mbaj me vete për një kohë të gjatë”, ka shtuar ajo.

Performanca e Fatjona Maliqit vjen si një tjetër sukses i artistëve shqiptarë në skenat ndërkombëtare, duke promovuar kulturën dhe talentin shqiptar para publikut evropian. /Albinfo.ch

Mësuesit në Zvicër kërkojnë rregulla të detyrueshme për vapën në klasa

Vala e të nxehtit që ka përfshirë Zvicrën gjatë ditëve të fundit po ndikon edhe në shkollat e vendit. Organizata ombrellë e mësuesve zviceranë po kërkon masa urgjente dhe rregulla të detyrueshme për mbrojtjen nga nxehtësia në klasa.

Sipas një dokumenti të publikuar nga kjo organizatë, shumë ndërtesa shkollore nuk janë të përgatitura për temperaturat e larta të verës. Në të theksohet se “mungesa e hijezimit, izolimi i dobët dhe objektet e përkohshme bëjnë që klasat të nxehen shpejt dhe të ftohen shumë ngadalë”.

Temperaturat në Zvicër ditët e fundit kanë kaluar mbi 30°C, duke e bërë mësimin në klasa të vështirë për nxënësit dhe mësuesit.

Organizata kërkon që të vendosen rregulla të unifikuara në gjithë vendin për menaxhimin e nxehtësisë në shkolla, të ngjashme me rekomandimet e Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO), i cili për ambientet e zyrave përcakton një temperaturë optimale prej 23 deri në 26°C.

Tre nivele masash të propozuara

Mësuesit propozojnë një model me tre faza:

Deri në 26°C: mësimi zhvillohet normalisht

Nga 26 deri në 30°C: shkollat duhet të bëjnë rregullime, si zhvendosja e orëve në hapësira më të freskëta

Mbi 30°C: mësimi i rregullt të pezullohet

Në raste të temperaturave shumë të larta, propozohet që nxënësit të kalojnë kohë në ambiente më të freskëta, si në natyrë apo në pyll.

Masa afatgjata të kërkuara

Përveç zgjidhjeve të përkohshme, organizata kërkon edhe masa afatgjata si:

gjelbërimi i oborreve të shkollave

ndërtimi dhe rinovimi i ndërtesave me standarde që mbrojnë nga nxehtësia

instalimi i klimatizimit, idealisht i furnizuar nga energjia diellore

Sipas mësuesve, mbrojtja nga nxehtësia nuk duhet të varet nga buxheti i kantoneve apo komunave, por të jetë e garantuar në mënyrë të njëtrajtshme në gjithë vendin.

Shkëmbimi i të dhënave mes shërbimeve policore në qendër të debatit politik në Zvicër

Shkëmbimi i të dhënave ndërmjet shërbimeve policore në Zvicër po shndërrohet në një temë të rëndësishme debati politik dhe institucional. Ndërsa kantonet dhe Partia e Qendrës e mbështesin parimisht projektin, partitë e majta dhe organizatat për mbrojtjen e të dhënave paralajmërojnë rreziqe serioze për mbikëqyrje masive.

Platformë kombëtare për shkëmbimin e informacionit policor

Autoritetet zvicerane po shqyrtojnë krijimin e një platforme kombëtare konsultimi, e cila do t’u mundësonte shërbimeve policore në kantone dhe në nivel federal të shkëmbejnë informacion në mënyrë më të shpejtë dhe të koordinuar. Për realizimin e këtij projekti kërkohet ndryshim i legjislacionit federal.

Në mes të shkurtit, Këshilli Federal hodhi në konsultim dy projekte:

krijimin e një baze kushtetuese për këtë sistem, dhe

një rishikim të pjesshëm të Ligjit Federal për Sistemet e Informacionit Policor të Konfederatës (FIAS).

Mbështetje e gjerë për qëllimin kryesor

Në përgjigjet e tyre ndaj konsultimit, Partia Liberale Radikale (FDP) dhe Partia Popullore Zvicerane (SVP) e mbështesin në parim projektin e Këshillit Federal.

Sipas FDP-së, në një kontekst të rritjes së krimit ndërkufitar, një platformë e tillë është e domosdoshme. Ndërkohë, SVP shpreh rezerva lidhur me zgjerimin e kompetencave federale, duke theksuar se mund të rrezikohet autonomia e kantoneve.

Edhe Partia e Qendrës (Die Mitte) e mbështet projektin, duke theksuar se krimi i organizuar, terrorizmi dhe “turizmi kriminal” nuk njohin më kufij kantonalë apo shtetërorë. Sipas saj, bashkëpunimi i strukturuar policor është gjithnjë e më i domosdoshëm për sigurinë e brendshme.

Partia kërkon që projektet e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore të procedohen sa më shpejt në Parlament, duke theksuar nevojën për veprim urgjent pas vonesave të akumuluara.

Kritika për bazë ligjore të pamjaftueshme

Organizata “Société Numérique” e kundërshton plotësisht projektin, duke argumentuar se ai rrit rrezikun e abuzimit dhe cenon të drejtën për vetëvendosje mbi të dhënat personale. Sipas saj, baza ligjore e propozuar është e pamjaftueshme.

Organizata kritikon gjithashtu lidhjen e këtij projekti me ndryshime të tjera ligjore që, sipas saj, kanë vetëm lidhje të dobët me temën kryesore. Në vend të një reforme të thellë sistemike, ajo propozon digjitalizim dhe përmirësim të strukturave ekzistuese administrative.

Edhe Partia Socialiste shpreh shqetësime për mbrojtjen e të dhënave, duke paralajmëruar se një procedurë e automatizuar që lejon qasje në baza të mëdha të të dhënave policore pa shqyrtim rast pas rasti është problematike për sundimin e ligjit dhe privatësinë.

Gjenevë: Votimi për hapjen e dyqaneve të dielave më 14 qershor

Në kantonin e Gjenevës, qytetarët do të votojnë më 14 qershor për një ndryshim të ligjit që rregullon orarin e hapjes së dyqaneve, i cili parashikon lejimin e hapjes së dyqaneve dy të diela në vit, përveç 31 dhjetorit, pa e kushtëzuar këtë me një marrëveshje kolektive të zgjeruar në sektor.

Kjo lehtësim i rregullave, i mbështetur nga e djathta politike, kundërshtohet nga sindikatat, të cilat paralajmërojnë për përkeqësim të kushteve të punës në një sektor tashmë të ndjeshëm.

Në Gjenevë janë zhvilluar edhe më herët votime për këtë çështje. Në vitin 2016, qytetarët kishin miratuar hapjen e dyqaneve tre të dielave në vit, përveç 31 dhjetorit, i cili trajtohet si e diel në kanton, me kusht që të ekzistonte një marrëveshje kolektive pune (CLA).

Debat mbi kushtet e punës dhe ekonominë

E djathta politike argumenton se ndryshimi është i nevojshëm për të mbështetur bizneset lokale, të cilat përballen me konkurrencë të fortë nga tregtia online dhe blerjet jashtë vendit. Sipas tyre, kërkesa për marrëveshje kolektive duhet të hiqet, pasi prej vitit 2017 nuk janë nënshkruar më marrëveshje të reja të tilla, duke krijuar pasiguri për tregtarët.

Një vendim i fundit i Gjykatës Federale Supreme në vitin 2025 ka ndikuar gjithashtu në situatë, duke vlerësuar se kushtëzimi i hapjes së të dielave me marrëveshje kolektive mund të jetë në kundërshtim me ligjin federal.

Sindikatat, të cilat kanë iniciuar referendumin, argumentojnë se liberalizimi i orarit të së dielës do të përkeqësojë kushtet e punës dhe do të dobësojë mbrojtjen e punonjësve. Sipas tyre, premtimet për punë vullnetare dhe rritje page prej 100% janë vetëm një “maskë”.

Pasiguri ligjore

Nëse ndryshimi i ligjit për orarin e hapjes së dyqaneve (LHOM) miratohet, situata do të qartësohet. Por nëse refuzohet, pritet që të vazhdojë pasiguria ligjore dhe çështja mund të përfundojë sërish në gjykatë.

Vendimi i Gjykatës Federale Supreme mund të interpretohet në dy mënyra: ose ligji aktual lejon hapjen e dyqaneve deri në tre të diela pa marrëveshje kolektive – siç e interpretojnë e djathta dhe Këshilli i Shtetit – ose ai e bën të gjithë rregullimin të pazbatueshëm, duke eliminuar hapjet e së dielës, siç e interpretojnë e majta dhe sindikatat.

Ky votim në Gjenevë ka edhe rëndësi kombëtare. Këshilli Federal ka mbështetur së fundmi parimin e hapjes së dyqaneve deri në 12 të diela në vit, krahasuar me katër aktualisht, duke lënë megjithatë hapësirë të madhe për kantonet që ta rregullojnë vetë këtë çështje.

OKB kritikon Zvicrën për kthimin e azilkërkuesve në Burundi

Një ekspert i Kombeve të Bashkuara ka kritikuar Zvicrën për kthimin e azilkërkuesve burundezë në vendin e tyre, duke paralajmëruar se kjo praktikë mund të shkelë parimin ndërkombëtar të moskthimit (non-refoulement).

Fortuné Gaëtan Zongo, raportues special i OKB-së për të drejtat e njeriut në Burundi, tha se vlerësimi i autoriteteve zvicerane për situatën në Burundi është i pamjaftueshëm dhe se kthimet mund të jenë të rrezikshme për të deportuarit. Sipas tij, garancitë për procese të drejta gjyqësore nuk mjaftojnë për të justifikuar kthimin e tyre.

Sipas të dhënave të cituara, rreth 700 kërkesa azili janë refuzuar në katër vitet e fundit, ndërsa që nga viti 2024 janë kryer 17 dëbime të detyruara, përfshirë 11 vetëm në prill.

Një avokate në Gjenevë që përfaqëson disa të kthyer ka raportuar raste arrestimesh, ndalimesh dhe në disa raste edhe abuzimesh pas kthimit, përfshirë detyrime për pagesa dhe një rast të raportuar të dhunës seksuale.

Zongo dhe një koalicion prej rreth 40 organizatash joqeveritare kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të kthimeve drejt Burundit. Zvicra, sipas tyre, është ndër vendet e pakta evropiane që vazhdon këto praktika pavarësisht paralajmërimeve për situatën e të drejtave të njeriut në vend.