Lajme

Shqiptari dyshohet si autori kryesor i vrasjes mafioze të berberit 26-vjeçar në Itali

Hetimet zbardhin ekzekutimin e Francesco Diviestit, trupi i të cilit u dogj në një zonë të izoluar në Alta Murgia

Një operacion i përbashkët mes autoriteteve italiane dhe shqiptare ka çuar në ekzekutimin e 15 masave të sigurisë ndaj personave të dyshuar për përfshirje në një vrasje mafioze dhe aktivitete të tjera kriminale mes Italisë dhe Shqipërisë, përcjell albinfo.ch.

Operacioni është zhvilluar me urdhër të Gjykatës së Barit dhe Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Tiranë, në kuadër të hetimeve të koordinuara nga Drejtoria Distrektuale Antimafia e Barit (DDA) dhe Prokuroria e Posaçme shqiptare, me mbështetjen e Eurojust.

Në qendër të hetimeve është vrasja e 26-vjeçarit Francesco Diviesti, i cili u ekzekutua një vit më parë dhe më pas trupi i tij u dogj në një zonë të izoluar të Alta Murgias, në Itali.

Sipas hetuesve, ndaj 15 personave – mes tyre katër gra – rëndojnë akuza të ndryshme, përfshirë vrasje të paramenduar me rrethana mafioze, tentativë zhvatjeje, armëmbajtje pa leje, ndihmë pas kryerjes së krimit, shkelje të masave parandaluese dhe pastrim ndërkombëtar parash nga Italia drejt Shqipërisë.

Autoritetet italiane bëjnë të ditur se ndër personat kryesorë të hetuar ndodhet edhe shqiptari I.G., 41 vjeç, i identifikuar si personi që kontrollonte dhe menaxhonte shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonën e Barlettës. Ai dyshohet si organizatori kryesor i vrasjes.

Sipas hetimeve, konflikti që çoi në ekzekutimin e Diviestit nisi për një borxh prej 500 eurosh, që më pas ishte ulur në 300 euro, lidhur me marrjen me qira të një automjeti në favor të të dyshuarit kryesor.

Prokurori shtesë i Barit, Giuseppe Gatti, deklaroi se viktima kishte kundërshtuar kilometrazhin e makinës së marrë me qira, veprim që sipas hetuesve u interpretua si sfidë ndaj autoritetit të 41-vjeçarit shqiptar.

“Një fyerje që, sipas logjikës së vjetër mafioze, duhej larë me gjak”, është shprehur Gatti.

Hetimet tregojnë se pas vrasjes, trupi i 26-vjeçarit u dogj mes gomave për të zhdukur gjurmët e krimit dhe për të dërguar një mesazh frikësues ndaj kujtdo që sfidon grupin kriminal.

Prokurori Roberto Rossi e cilësoi djegien e trupit si “një mesazh për të gjithë: kush gabon, paguan me gjak”.

Ndërkohë, autoritetet theksojnë se klima e frikës e krijuar nga grupi kriminal ka ndikuar edhe te dëshmitarët. Një mik i viktimës, pasi kishte bashkëpunuar fillimisht me hetuesit, më vonë kishte tërhequr deklaratat nga frika për sigurinë e tij. /Albinfo.ch