Britania do të përdorë inteligjencë artificiale për verifikimin e moshës së azilkërkuesve

Britania e Madhe pritet të përdorë inteligjencë artificiale për të ndihmuar në përcaktimin e moshës së azilkërkuesve, me qëllim identifikimin e personave të rritur që paraqiten si të mitur në kufi. Kjo nismë, e cila pritet të nisë vitin e ardhshëm, ka nxitur reagime dhe kritika nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe punonjësit socialë.

Sipas Ministrisë së Brendshme britanike, sistemi i bazuar në analizën e fytyrës do të përdorë fotografitë e marra gjatë regjistrimit për të ndihmuar zyrtarët të vlerësojnë nëse një person që deklaron se është nën 18 vjeç është në të vërtetë i rritur.

Teknologjia është zhvilluar në kuadër të një kontrate prej 322 mijë paundësh (rreth 432 mijë dollarë) me kompaninë IT Akhter Computers dhe do të kalojë në faza të tjera testimi përpara se të përdoret gjerësisht në mesin e vitit 2027.

Qeveria britanike thotë se testimet fillestare kanë treguar “saktësi dhe performancë premtuese”, duke argumentuar se kjo do të ndihmojë në parandalimin e abuzimeve me sistemin e azilit. Ministri për Sigurinë Kufitare dhe Azilin, Alex Norris, deklaroi se disa të rritur kanë keqpërdorur sistemin duke u paraqitur si fëmijë dhe duke marrë mbështetje që u takon të miturve.

Sistemi pritet të testohet fillimisht në qendrën e përpunimit Western Jet Foil në Dover, ku aktualisht kryhen kontrolle të moshës përmes dokumenteve, intervistave dhe vlerësimit të pamjes.

Megjithatë, organizatat si Human Rights Watch kanë shprehur shqetësime, duke argumentuar se teknologjia nuk është ende e provuar dhe mund të rrezikojë mbrojtjen e fëmijëve të cenueshëm.

Kjo nismë vjen edhe pas një raporti qeveritar që kërkon përmirësim të trajnimeve, shkëmbim më të mirë të të dhënave dhe bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve në procesin e vlerësimit të moshës. Raporti paralajmëroi gjithashtu se gabimet në këtë proces mund të çojnë si në trajtimin e të rriturve si fëmijë, ashtu edhe në të kundërtën, me pasoja të rënda për sigurinë.

Studim: Testi gjenetik mund t’i ndihmojë miliona paciente me kancer gjiri të shmangin kimioterapinë

Miliona paciente me kancer të gjirit mund të mos kenë më nevojë për kimioterapi, falë një testi të ri ADN-je që ndihmon mjekët të përcaktojnë se kush përfiton realisht nga ky trajtim dhe kush jo. Kjo del nga një studim ndërkombëtar i raportuar nga BBC.

Hulumtimi tregon se më shumë se dy të tretat e grave të përfshira në studim mund të trajtoheshin vetëm me terapi hormonale, duke shmangur efektet e rënda anësore të kimioterapisë, si lodhja, të përzierat, rënia e flokëve dhe dobësimi i sistemit imunitar.

Studimi, i udhëhequr nga University College London (UCL), përfshiu mbi 4,000 paciente nga disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë, Suedinë, Australinë, Zelandën e Re dhe Tajlandën.

Shkencëtarët përdorën testin gjenetik “Prosigna”, i cili analizon aktivitetin e 50 gjeneve që lidhen me zhvillimin e kancerit të gjirit dhe vlerëson rrezikun e rikthimit të sëmundjes. Pacientet me rezultat të ulët nuk morën kimioterapi, dhe megjithatë kishin një shkallë mbijetese pesëvjeçare prej 93.7%, pothuajse e ngjashme me 94.9% të atyre që morën kimioterapi.

Zakonisht, trajtimi i kancerit të gjirit përfshin kirurgji për heqjen e tumorit, ndërsa kimioterapia përdoret për të ulur rrezikun e rikthimit të sëmundjes, sidomos në rastet kur kanceri është përhapur në nyjet limfatike.

Sipas studiuesve, kjo metodë mund të ndihmojë mbi 5,000 paciente në vit vetëm në sistemin shëndetësor britanik (NHS) që të shmangin kimioterapinë pa rrezikuar shëndetin e tyre.

Një pjesëmarrëse në studim, 64-vjeçarja Karen Bonham, tha se lajmi ishte një “lehtësim i madh” dhe e përshkroi si një përvojë që i ndryshoi jetën, pasi arriti të shmangë kimioterapinë dhe të trajtohet me terapi hormonale dhe radioterapi.

Studiuesit theksojnë se rezultatet janë një hap i rëndësishëm drejt mjekësisë së personalizuar, ku trajtimi përshtatet sipas biologjisë së tumorit të çdo pacienteje, jo vetëm sipas kritereve të përgjithshme klinike.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse këto gjetje vlejnë edhe për pacientet nën moshën 40 vjeç.

Dollari bie në vlerë, euro forcohet në tregjet ndërkombëtare

Vlera e dollarit amerikan ka vazhduar rënien në tregjet valutore edhe gjatë javës së dytë me radhë, e ndikuar nga raportimet për bisedime mes SHBA-së dhe Iranit lidhur me vazhdimin e armëpushimit dhe mundësinë e heqjes së kufizimeve për lundrim në Ngushticën e Hormuzit.

Indeksi i dollarit, i cili mat forcën e monedhës amerikane kundrejt gjashtë valutave kryesore botërore, ra me 0,44 për qind duke arritur në 98,81 pikë.

Në raport me euron, dollari u dobësua me 0,63 për qind, ndërsa në fund të javës një euro u këmbye me 1,1678 dollarë. Ndaj jenit japonez, dollari mbeti pothuajse i pandryshuar, në nivelin 159,20 jen për dollar.

Ministria e Financave e Japonisë njoftoi se ka shpenzuar 11,7 trilion jen (rreth 73,5 miliardë dollarë) për ndërhyrje në tregun valutor gjatë muajit të kaluar, me qëllim forcimin e jenit dhe uljen e presioneve inflacioniste.

Në anën tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se po shqyrtohen vendime të rëndësishme lidhur me Iranin, duke përsëritur qëndrimin se Teherani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore. Ai shtoi gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur për lundrim të lirë.

Sipas analistëve, pasiguria në Lindjen e Mesme po ndikon në pritjet e investitorëve, duke bërë që dollari të mos ketë një drejtim të qartë në treg.

Presion shtesë mbi monedhën amerikane kanë ushtruar edhe të dhënat e fundit ekonomike, sipas të cilave inflacioni në SHBA në muajin prill ka shënuar rritjen më të shpejtë në tre vitet e fundit, kryesisht për shkak të çmimeve të energjisë. Ndërkohë, rritja ekonomike në tremujorin e parë ishte 1,6 për qind në bazë vjetore, më e ulët se parashikimet fillestare.

Lorian Musa ngjitet në majën e podiumit në Biel/Bienne

Në turneun e karatesë të zhvilluar në Biel/Bienne të Zvicrës, Lorian Musa realizoi një paraqitje të jashtëzakonshme, duke fituar vendin e parë në kategorinë U18 -61 dhe duke u ngjitur me meritë në majën e podiumit.

Përballë disa prej garuesve më të mirë të kategorisë së tij, Loriani tregoi siguri, disiplinë dhe nivel të lartë teknik. Në çdo ndeshje ai demonstroi kontroll të plotë të situatës, me goditje të sakta dhe veprime të mirëkoordinuara, duke mos u lënë shumë hapësirë kundërshtarëve për të reaguar. Shpejtësia, preciziteti dhe vendosmëria e tij u shndërruan në armët kryesore që e çuan drejt fitores.

Ky sukses vjen si rezultat i punës së vazhdueshme dhe përkushtimit të tij në sport, por edhe i mbështetjes profesionale të trajnerëve Olivier Knupfer dhe Iliana Bartolotta, si dhe i gjithë stafit të ekipit kombëtar zviceran të karatesë.

Si pjesëtar i ekipit kombëtar të Zvicrës, Lorian Musa po vazhdon të dëshmojë se është një nga talentet më premtuese të brezit të ri. Fitorja në Bienne është një tjetër dëshmi e rrugëtimit të tij të suksesshëm dhe e potencialit që ai zotëron për të arritur rezultate të mëdha edhe në arenën ndërkombëtare.

Me talentin, disiplinën dhe përkushtimin që e karakterizojnë, Lorian Musa po ndërton hap pas hapi një të ardhme të ndritur në karate, duke na bërë të besojmë se medaljet dhe sukseset më të mëdha janë ende përpara tij.

Shtëpia e Bardhë publikon raportin, kjo është gjendja shëndetësore e presidentit Trump

Shtëpia e Bardhë ka publikuar një raport të ri për gjendjen shëndetësore të presidentit Donald Trump, ku janë dhënë detaje për disa ndryshime fizike, por vlerësohet se është në gjendje të mirë shëndetësore.

Sipas raportit, Trump ka mavijosje të lehta në duar dhe kyçe të fryra, të cilat cilësohen si jo shqetësuese ndërsa thuhet se ai ka shtuar rreth 6 kilogramë në peshë krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas mjekut presidencial, funksionet e tij kardiovaskulare, respiratore dhe neurologjike janë në gjendje të mirë dhe ai rezulton në formë të përgjithshme të qëndrueshme, pavarësisht angazhimeve të shumta ditore, transmeton albinfo.ch. Raporti shton se presidenti ka arritur sërish rezultat maksimal në një test konjitiv që përdoret për vlerësimin e kujtesës dhe funksioneve mendore.

Trump është rreth 190 cm i gjatë dhe peshon rreth 108 kg dhe klasifikohet në kategorinë e mbipeshës. Për këtë arsye, mjekët i kanë rekomanduar më shumë aktivitet fizik dhe kujdes në menaxhimin e peshës, si dhe vazhdimin e trajtimit për kolesterolit.

Britanikët mbështesin ndalimin e rrjeteve sociale

Prindërit mbështesin me shumicë dërrmuese kufizimet në stilin australian për mediet sociale për fëmijët, tha sekretarja britanike e Teknologjisë, Liz Kendall.

Ministritë po shqyrtojnë një ndalim të medieve sociale për fëmijët nën 16 vjeç dhe më shumë se 80 000 persona i janë përgjigjur një konsultimi nëse do të futen kufizime.

Një opsion është një ndalim në stilin australian që u ndalon fëmijëve nën 16 vjeç të kenë llogari në mediet sociale, shkruan ATSh, transmeton albinfo.ch.

Propozime të tjera në konsultim janë ndalimet e aplikacioneve dhe kufizimet për veçoritë që krijojnë më shumë varësi.

Në një intervistë me ”Sunday Mirror”, sekretarja e Teknologjisë, Liz Kendall tha se një ndalim ishte “padyshim në diskutim”, ndërsa zbuloi se nëntë në 10 prindër kishin mbështetur kufizimet në stilin australian.

Ajo tha se “ka qenë një përgjigje vërtet dërrmuese nga prindërit dhe mendoj se prindërit po kërkojnë ndihmë dhe mbështetje. Ata e dinë se ka disa gjëra të mira që fëmijët mund të marrin prej saj medieve sociale, por janë të shqetësuar për atë që po shohin”.

Rreth 42 410 prindër iu përgjigjën konsultimit, duke sugjeruar se dhjetëra mijëra e kanë mbështetur një ndalim.

Komentet e Kendall janë treguesi më i fortë deri më tani se qeveria po përgatitet të prezantojë një ndalim.

Kryeministri britanik Keir Starmer premtoi veprime brenda “javëve, jo muajve” në një takim të martën me prindërit e fëmijëve, vdekjet e të cilëve ishin të lidhura me mediet sociale.

Por, komisionerja e fëmijëve e Skocisë, Nicola Killean, ka vënë në dyshim efektivitetin e një ndalimi, duke thënë se do të bënte “pak për të adresuar çështjet themelore siç janë algoritmet”.

Në paraqitjen e saj për konsultimin e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ajo tha se provat mbi ndalimet ishin “të kufizuara, të përziera dhe ende në zhvillim”, duke shtuar se “kufizimet e përgjithshme mund të rrezikojnë zhvendosjen e përgjegjësisë nga platformat tek fëmijët”.

Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj mbron titullin

Mbrëmjen e djeshme 30 maj 2026, boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj, ka mbrojtur në titullin kampion bote të kategorisë IBO, në kategorinë “criuserweight” (pesha deri 93kg).

Në stadiumin “OVO Arena Wembley” të Londrës, ai mundi me vendim unanim të gjyqtarëve britanikun Austine Nnamdi, transmeton albinfo.ch.

Një fitore disi e vështirë, por e merituar e boksierit lezhjan, që ishte përgatitur për t’u përballur me një tjetër rival, amerikanin Muhsin Cason.

Por, ku i fundit, për arsye shëndetësore u detyrua të tërhiqej pak ditë para sfidës dhe vendin e tij e zuri britaniku Nnamdi.

Gjithsesi, Uldedaj bëri një paraqitje të mirë në ring, duke rivalizuar dhe patur epërsi shumicën e 12 raundeve, duke e merituar fitoren.

Për boksierin shqiptar, shifrat janë të jashtëzakonshme: 22 fitore e vetëm 1 humbje në karrierë, kjo është hera e parë që e mbron titullin e fituar tetorin e vitit të kaluar.

Të shumtë ishin tifozët kuqezinj në stadium për të mbështetur boksierin shqiptar, që nuk i zhgënjeu, duke fituar e duke mbrojtur titullin.

Zvicra mund të prezantojë “martesën e lehtë” për çiftet

Zvicra mund të krijojë së shpejti një formë të re ligjore partneriteti, e njohur si “martesa e lehtë” (marriage-lite), e frymëzuar nga modeli francez PACS (Pacte civil de solidarité). Kjo do t’u mundësonte çifteve të rregullojnë zyrtarisht marrëdhënien e tyre pa u martuar, transmeton albinfo.ch.

Propozimi synon të krijojë një status ligjor që qëndron mes martesës tradicionale dhe bashkëjetesës së thjeshtë. Ai do të ishte i hapur si për çiftet heteroseksuale, ashtu edhe për ato të të njëjtit seks.

Sipas modelit të propozuar, partnerët do të mund të rregullojnë çështje si trashëgimia, pronësia e përbashkët dhe disa të drejta ligjore pa hyrë në institucionin e martesës. Megjithatë, kjo formë partneriteti nuk do të ofronte domosdoshmërisht të gjitha të drejtat dhe detyrimet që sjell martesa.

Debati vjen në një kohë kur format tradicionale të familjes po ndryshojnë. Në Zvicër, shumë çifte jetojnë së bashku pa u martuar, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë mënyra për t’i përshtatur ligjet me realitetet e reja shoqërore.

Procesi i konsultimit publik tashmë ka nisur dhe pritet të zgjasë disa muaj përpara se parlamenti të vendosë nëse do ta miratojë këtë formë të re partneriteti.

Austria planifikon një rritje vjetore prej 100 milion € për shërbimet e kujdesit

Ministrja e Çështjeve Sociale e Austrisë, Korinna Schumann (SPÖ) të premten përshkroi “masat fyese” të planifikuara të përfshira në buxhetin e dyfishtë të propozuar nga qeveria 2027/28, duke përfshirë investime të mëdha në kujdesin për të moshuarit, uljen e varfërisë së fëmijëve dhe mbështetjen për njerëzit që luftojnë me aksesin digjital.

Duke folur në ditën e Konferencës Shtetërore të Çështjeve Sociale në Hagenberg të Austrisë së Epërme, Schumann tha se 100 milionë euro në vit do të ndahen për sektorin e kujdesit gjatë dy viteve të ardhshme. 20 milionë euro të tjera në vit janë planifikuar për atë që qeveria e quan “jetesë analoge”, ndërsa 60 milionë euro në vit parashikohen për të luftuar varfërinë mes fëmijëve dhe të rinjve.

Ministri i Financave Markus Marterbauer (SPÖ) kishte përshkruar tashmë paketën më të gjerë të “masave fyese” në fund të prillit. Paketa arrin 600 milionë euro për programet e tregut të punës, kujdesin për të moshuarit dhe edukimin e fëmijërisë së hershme, pavarësisht planeve më të gjera shtrënguese të qeverisë.

Sipas zyrës së Schumann-it, investimi vjetor prej 100 milionë euro në shërbimet e kujdesit synon të forcojë shërbimet e kujdesit celular, të përshkruara si një shtyllë kryesore e infrastrukturës së kujdesit të Austrisë, raporton theinternational, transmeton albinfo.at.

Ministria tha se shërbimet celulare i lejojnë njerëzit të marrin mbështetje mjekësore dhe kujdesi në shtëpitë e tyre, ndërsa gjithashtu lehtësojnë presionin mbi kujdestarët e familjes dhe reduktojnë nevojën për qëndrime në spital.

“Kujdesi fillon atje ku njerëzit jetojnë – në shtëpi,” tha Schumann në një deklaratë për Agjencinë e Shtypit Austriak. “Me këto fonde fyese, ne po forcojmë veçanërisht shërbimet celulare dhe një nga shtyllat më të rëndësishme të sistemit tonë të kujdesit.”

Qeveria gjithashtu planifikon të shpenzojë 20 milionë euro çdo vit për programet që mbështesin “jetesën analoge”. Nisma synon të ndihmojë njerëzit që nuk mund të marrin pjesë plotësisht në jetën digjitale të vazhdojnë aksesin e shërbimeve përmes kanaleve jo digjitale.

Financimi do të mbështesë këshillimin, asistencën, trajnimin dhe shërbimet e mbështetjes digjitale. “Digjitalizimi nuk duhet të përjashtojë askënd,” tha Schumann.

60 milionë euro shtesë në vit janë planifikuar për të luftuar varfërinë e fëmijëve dhe të rinjve. Sipas ministrisë, masat synohen të jenë me prag të ulët dhe jodiskriminuese, në mënyrë që fëmijët që përballen me sfida të shumta sociale ose paaftësi të mund të përfitojnë.

Financimi pritet të mbështesë shërbime të tilla si programet e ndërhyrjes së hershme, mësimdhënien, mentorimin, mbështetjen e tranzicionit, kujdesin falas për fëmijët për pushime dhe këshillimin social.

Schumann tha se luftimi i varfërisë së fëmijëve do të thotë “krijimi i mundësive” dhe sigurimi i asnjë fëmije të mbetur prapa për shkak të varfërisë ose kushteve të vështira të jetesës.

Detajet e sakta të buxhetit të Austrisë 2027/28 janë ende në negociata. Ministri i Financave Marterbauer pritet të prezantojë buxhetin më 10 qershor.

UBS shkurtoi qindra vende pune në fazën e reduktimit

UBS ka shkurtuar disa qindra vende pune në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, si pjesë e marrjes së Credit Suisse, sipas agjencisë së lajmeve Bloomberg.

Raundi i fundit i reduktimeve thuhet se prek kryesisht punonjësit në role mbështetëse, por në disa raste edhe këshilltarët e klientëve, raportoi Bloomberg, duke cituar burime me njohuri për ngjarjet. UBS nuk pranoi të komentojë mbi informacionin për agjencinë e lajmeve AWP.

Megjithatë, një zëdhënëse e UBS tha se banka do të shkurtojë sa më pak staf të jetë e mundur, në Zvicër dhe globalisht, si pjesë e integrimit të Credit Suisse. Siç u njoftua në vitin 2023, reduktimet do të shtrihen në disa vite dhe do të ndodhin kryesisht përmes luhatjeve natyrore, pensioneve të parakohshme, lëvizshmërisë së brendshme dhe brendësimit të roleve të jashtme, transmeton albinfo.ch.

UBS tha tashmë menjëherë pas blerjes së Credit Suisse në 2023 se do të synonte të eliminonte funksionet e dyfishta. Sipas shifrave të fundit tremujore, numri i punonjësve të drejtpërdrejtë ra në 101,594 pozicione me kohë të plotë në fund të marsit 2026, nga 103,177 në fund të 2025. Qarqet e industrisë kanë besuar prej kohësh se numri i punonjësve mund të bjerë në rreth 80,000 në afat të gjatë. Në përgjithësi, sipas Bloomberg, fuqia punëtore tashmë është tkurrur me rreth 17,500 pozicione që nga blerja e Credit Suisse.

Vetë UBS nuk ka treguar një objektiv numerik. Por për Zvicrën, banka konfirmoi në shkurt pritshmërinë e saj për rreth 3,000 pushime nga puna si pjesë e integrimit.

CEO Sergio Ermotti deklaroi në atë kohë se shumica e këtyre shkurtimeve do të ndodhin në gjysmën e dytë të 2026 dhe në fillim të 2027. Konteksti është në veçanti migrimi tashmë i përfunduar kryesisht i ish-klientëve të Credit Suisse në sistemet UBS.

Time Out rendit qytetet më të mira europiane për kulturë në vitin 2026

Revista ndërkombëtare Time Out ka publikuar renditjen e qyteteve më të mira për kulturë në vitin 2026, bazuar në të dhëna të mbledhura nga më shumë se 24 mijë banorë qytetesh në mbarë botën, transmeton albinfo.ch.

Në krye të listës është renditur Londra, e cila u vlerësua për skenën e saj teatrore, muzetë, galeritë dhe hapjet e reja kulturore, përfshirë V&A East Storehouse dhe rihapjen e Muzeut të Londrës në Smithfield.

Sipas raportit, rreth 90 për qind e banorëve të Londrës vlerësuan pozitivisht teatrin, ndërsa muzetë dhe galeritë morën po ashtu nota shumë të larta.

Vendin e dytë e zuri Parisi, i cili ishte qyteti i vetëm në listë që mori vlerësim perfekt për kulturën nga banorët vendas. Mes ekspozitave më të përmendura janë retrospektivat artistike në Grand Palais dhe Musée des Arts Décoratifs.

Në vendin e katërt u rendit Berlini, i cili vazhdon të konsiderohet një qendër e rëndësishme e artit alternativ dhe festivaleve kulturore. Time Out veçoi ngjarje si Berlinale, Berlin Art Week dhe Karneval der Kulturen.

Madridi u rendit i teti falë muzeve ikonike si Museo del Prado dhe Museo Reina Sofía, si dhe kalendarit të pasur me festivale dhe aktivitete artistike.

Ndërsa Firence, e njohur si “muzeu në qiell të hapur”, u vlerësua për trashëgiminë e saj të Rilindjes dhe ekspozitat e mëdha artistike, përfshirë retrospektivën e Mark Rothko në Palazzo Strozzi.

Në dhjetëshen e parë u përfshi edhe Krakovi, i cili u vlerësua për arkitekturën historike, muzetë dhe festivalet kulturore, përfshirë Festivalin e Kulturës Hebraike./Albinfo.ch

10 qytetet më të mira për kulturë sipas Time Out:
Londra
Parisi
New York City
Berlini
Cape Town
Melbourne
São Paulo
Madridi
Firence
Krakovi

Hamburg nën tingujt e “Jehonës së Origjinës” nga Flaka Goranci

Në Hamburg është mbajtur një mbrëmje e veçantë muzikore me interpretimin e artistes Flaka Goranci, e cila ka sjellë projektin “Jehona e Origjinës” para një publiku të gjerë dhe të veçantë në Gjermani, shrkaun albinfo.ch.

Koncerti u përshkrua si një natë e mbushur me muzikë, emocion, lidhje dhe energji të fortë artistike, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe të paharrueshme për të pranishmit.

Artistja shprehu mirënjohje të thellë për publikun dhe për organizatën Kosova in Hamburg, e cila kontribuoi në realizimin e këtij eventi kulturor dhe në sjelljen e diasporës më pranë muzikës dhe identitetit artistik shqiptar.

Në mesazhin e saj pas koncertit, Goranci theksoi se reagimi i publikut, ngrohtësia dhe entuziazmi e bënë këtë natë të paharrueshme, duke e përmbyllur me premtimin për rikthim në Hamburg në të ardhmen.

Ky koncert u vlerësua si një tjetër dëshmi e fuqisë së muzikës për të lidhur kultura dhe për të sjellë emocione përtej kufijve. /Albinfo.ch

Paraburgim për autorin e dyshuar të sulmit në Winterthur

Pas sulmit me thikë të enjten në stacionin e trenit në qytetin Winterthur, Zyra e Prokurorit Federal ka marrë përsipër hetimin. Ajo po zhvillon procedura penale kundër autorit të dyshuar për akuza të shumta për vrasje në tentativë, si dhe për pjesëmarrje ose mbështetje të një organizate terroriste, transmeton albinfo.ch.

Për më tepër, është kërkuar paraburgim, deklaroi Zyra e Prokurorit Federal.

Fokusi i hetimit tani është te motivi i sulmit në Winterthur. Ky po shqyrtohet me kujdes, shkruan sda.ch. “Kjo përfshin gjithashtu një shqyrtim të plotë të të dhënave të autorit të dyshuar”, deklaroi Zyra e Prokurorit Federal (BA) në përgjigjen e saj. Fokusi kryesor aktualisht është hipoteza e një sulmi të motivuar nga terrorizmi.

Prezumimi i pafajësisë zbatohet deri në marrjen e një vendimi ligjërisht të detyrueshëm.

Zyra e Prokurorit Federal po e merr incidentin shumë seriozisht. “Kjo nënvizon se fenomeni i terrorizmit të motivuar nga xhihadistët mbetet shumë i pranishëm në Zvicër”, tha një zëdhënës. Luftimi i këtij fenomeni ka qenë një përparësi strategjike për BA për disa vite. BA mori përsipër hetimin nga Zyra e Prokurorit Publik të Cyrihut të premten pasdite.

Fokusi kryesor është në hipotezën e një sulmi të motivuar nga terrorizmi, ndërsa e kaluara e të dyshurit gjithshtu po hetohet në mënyrë gjithëpërfshirëse.

I dyshuari 31-vjeçar ka sulmuar dhe plagosur tre persona me thikë.

Austri: Humb jetën një 23-vjeçar nga Tetova, trupi i është gjetur në liqenin Faaker

Një 23-vjeçar nga fshati Saraqinë i Tetovës ka humbur jetën në Austri, teksa trupi i tij është gjetur në liqenin Faaker, pasi ishte raportuar i zhdukur që nga e hëna.

Raportohet se shkaku i vdekjes ende nuk është konfirmuar dhe është urdhëruar autopsi, teksa sipas mediave austriake, pasi në breg të liqenit u gjetën sende që i përkisnin të zhdukurit, filloi një operacion i madh kërkimi nga policia, zjarrfikësit dhe shërbimet e shpëtimit në ujë, transmeton albinfo.at.

Bëhet e ditur se në kërkim u përfshinë edhe 12 zhytës, një helikopter policie dhe disa njësi emergjente, ndërsa zona u bllokua dhe pushuesit u evakuuan.

Trupi është gjetur në fund të liqenit pas rreth 40 minutash kërkimi nën ujë.

IKD: 25 kandidatë për deputetë të përfshirë në raste penale, prin VV-ja

Një raport nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka dalë në përfundim se 25 kandidatë për Kuvend të Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit, janë të përfshirë në raste penale.

Hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, tha se nga 902 kandidatët e certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 25 prej tyre rezultojnë të përfshirë në raste penale.

“Në zgjedhjet e parakohshme të 7 shkurtit do të marrin pjesë 21 subjekte politike të cilat janë çertifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e në të cilat bëjnë pjesë gjithsej 902 kandidatë. Nga këta 902 kandidatë, bazuar në të dhënat e Institutit të Kosovës për Drejtësi, rezulton se 25 prej tyre janë të përfshirë në raste penale. Shprehur në përqindje i bie se 2.77% e totalit të listave të kandidatëve janë persona të cilët kanë ose dënime të formës së prerë ose aktakuza aktive”, tha ai, transmeton albinfo.ch.

Sipas tij, 15 kandidatë kanë aktakuza aktive, ndërsa 13 të tjerë kanë pasur dënime penale në të kaluarën.

“15 prej tyre janë me aktakuza aktive, ndërkaq 13 të tjerë janë persona të cilët në të kaluarën kanë pasur dënime penale. Ndërkaq janë evidentuar edhe 3 raste, 3 kandidatë të cilët përpos aktakuzës aktive në të njëjtën kohë kanë edhe dënime penale”, ka deklaruar Shala.

Ai ka bërë të ditur se VV-ja ka numrin më të madh të kandidatëve me probleme me ligjin.

“Sa i përket subjekteve politike, numrin më të madh të kandidatëve të cilët kanë probleme me ligjin e mban Lëvizja Vetëvendosje me gjithsej 13 kandidatë, që në raport me listën e përgjithshme prej 902 kandidatëve pjesëmarrja e këtij subjekti është 1.44%. AAK dhe Lista Serbe kanë nga 3 kandidatë të cilët kanë probleme me ligjin që përbën 0.33% të listës së përgjithshme. PDK-ja me 2 kandidatë që përbën 0.22% të listës së përgjithshme, ndërkaq katër subjekte të tjera kanë të përfshirë nga 1 kandidat i cili ka probleme me ligjin”, u shpreh ai.

Ai shtoi se veprat penale që dominojnë janë ato që lidhen me korrupsionin zyrtar dhe përdorimin e armës.

“Sa i përket kapitujve të veprave penale për të cilat ose janë dënuar ose akuzohen kandidatët në fjalë, sipas kapitujve dominojnë veprat penale të korrupsionit zyrtar, ndërkaq sipas veprave penale, vepra më e shpeshtë është vepra e përdorimit të armës”, tha ai.

Pacienti zviceran i prekur nga hantavirusi lirohet nga spitali

I vetmi pacient me hantavirus i trajtuar në Zvicër u largua nga Spitali Universitar i Cyrihut pas dy javësh.

Trajtimi i mëtejshëm spitalor nuk është më i nevojshëm, i tha spitali agjencisë së lajmeve Keystone-SDA.

Burri ishte infektuar në prill në anijen turistike “Hondius” në të cilën kishte shpërthyer hantavirusi. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) regjistroi tre vdekje në këtë kontekst; ekuipazhi i anijes u karantinua. Zvicerani dhe gruaja e tij e morën anijen më 24 prill. Ai u sëmur, gruaja mbeti pa simptoma, por hyri në vetëizolim si masë paraprake, transmeton albinfo.ch.

Zviceranë të tjerë të prekur

Përveç çiftit, një tjetër zviceran ishte në bordin e “Hondius”. Ai ishte pjesë e ekuipazhit dhe jeton në kantonin e Aargaut. Burri gjithashtu mbeti pa simptoma, por iu desh të vetëkarantinohej si person kontakti për 42 ditë dhe u ekzaminua në spitalin kantonal të Aaraut, siç kishte njoftuar spitali javën e kaluar.

Përveç kësaj, Zyra Federale e Shëndetit Publik (FOPH) urdhëroi izolim në shtëpi për një person që jetonte në Gjenevë. Ajo kishte qenë në një fluturim nga ishulli i Shën Helenës për në Johanesburg në fillim të majit – në të njëjtin fluturim kishte një person të sëmurë rëndë me hantavirus.

Greqia vendos masa të reja në kufi, ndikohet edhe kufiri me Maqedoninë e Veriut

Autoritetet greke kanë paralajmëruar masa të reja për të përshpejtuar kontrollet dhe për të ulur pritjet në pikat kufitare Evzoni dhe Kipi, pas zbatimit të sistemit të ri evropian EES.

Vendimi është marrë sot në Selanik, në një takim të thirrur nga zëvendësministri grek i Punëve të Brendshme, Konstandinos Gulekas, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, shërbimeve të sigurisë dhe autoriteteve lokale, raporton tv21, transmeton albinfo.ch.

Sipas Gulekasit, fluksi i turistëve dhe i transportit tregtar drejt Greqisë po rritet vazhdimisht, ndërsa kontrolli i detyrueshëm i të dhënave biometrike për çdo person që hyn ose del nga vendi po shkakton vonesa shtesë gjatë kontrolleve policore. Ndërkohë, ministri grek për Mbrojtjen e Qytetarëve, Mihalis Hrisohoidis, deklaroi se Greqia është e detyruar ta zbatojë legjislacionin evropian, duke shtuar se për sistemin EES ka marrë ankesa edhe nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Në Vjenë hapet ekspozita “Atdheu në mendjen time” me punimet e nxënësve shqiptarë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, në Vjenë do të hapet ekspozita e nxënësve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe me titull “Atdheu në mendjen time”, shkruan albinfo.ch.

Ekspozita do të mbahet më 30 maj 2026, duke filluar nga ora 11:00, në adresën Prinz Eugen Straße 8–10, në kryeqytetin austriak.

Përmes vizatimeve dhe punimeve artistike, fëmijët shqiptarë në diasporë do të sjellin kujtimet, imagjinatën dhe dashurinë për atdheun, në një aktivitet që synon promovimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar.

Programi do të shoqërohet edhe me pika kulturore-artistike të përgatitura nga vetë nxënësit.

Aktiviteti organizohet nga mësuesit e gjuhës shqipe në Vjenë, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri./Albinfo.ch

Luzern voton për masa të reja për më shumë banesa

Në qytetin e Luzernit më 14 qershor qytetarët do të votojnë për dy propozime që kanë për qëllim krijimin e më shumë hapësirave banesore. Nismat vijnë si përgjigje ndaj mungesës së banesave dhe kanë shkaktuar debat politik, veçanërisht nga qarqet borgjeze që shprehin kundërshtim, transmeton albinfo.ch.

Një nga propozimet kryesore parasheh vendosjen e të ashtuquajturit “e drejtë e blerjes paraprake” për komunën. Kjo do të nënkuptonte se qyteti i Luzernit do të informohej për shitjen e ndërtesave më të mëdha banesore apo komplekseve të reja ndërtimore dhe do të kishte mundësi t’i blejë ato përpara palëve të tjera.

Sipas planit, qyteti do të kishte një afat prej tre muajsh për të vendosur nëse do ta shfrytëzojë këtë të drejtë. Në rast blerjeje, pronat mund të shndërrohen në banesa me qira të përballueshme apo banesa me karakter jo-fitimprurës.

Në rast se iniciativa miratohet, masa do të hynte në fuqi në vitin 2027 dhe do të aplikohej vetëm në situata kur ka mungesë banesash, konkretisht kur shkalla e zbrazëtisë së banesave bie në 1.5 për qind ose më pak. Përjashtim nga kjo rregull do të bëjnë parcelat më të vogla, si shtëpitë individuale apo pronat në bashkëpronësi. /Albinfo.ch

Mbyllet papritur hoteli luksoz “Seehof” në Davos

Një nga hotelet më të njohura dhe tradicionale në Davos të Zvicrës, hoteli luksoz “Seehof”, do të mbyllë papritur dyert më 14 qershor, duke i dhënë fund operimit gjatë sezonit veror, transmeton albinfo.ch.

Lajmi ka surprizuar jo vetëm turistët dhe punonjësit, por edhe sektorin hotelier në rajon, pasi “Seehof” konsiderohet një prej simboleve të mikpritjes elitare në Davos.

Sipas mediave zvicerane, kompania gjermane që menaxhon hotelin, Revo Hospitality Group, ka vendosur të ndërpresë aktivitetin veror me arsyetimin e optimizimit të “sinergjive” me një hotel tjetër të grupit.

Megjithatë, pas vendimit qëndrojnë edhe vështirësi serioze financiare. Në muajin janar, rreth 140 kompani bija të grupit Revo kishin paraqitur kërkesë për falimentim, duke ngritur pikëpyetje për stabilitetin ekonomik të kompanisë.

Pavarësisht mbylljes gjatë verës, menaxhmenti ka bërë të ditur se synon ta rikthejë funksionimin e hotelit në sezonin dimëror, kur Davosi mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara turistike dhe ekonomike në Zvicër.

Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar edhe hotelieri i njohur zviceran Ernst “Aschi” Wyrsch, i cili e cilësoi situatën si një lajm të trishtueshëm për Davosin dhe traditën hoteliere të qytetit.

Nga 1 qershori, aviokompanitë përfitojnë deri në 6 euro për çdo mërgimtar që sjellin në Kosovë

Nga 1 qershori do të nisë zbatimi i programit të Qeverisë për subvencionimin e linjave ajrore që transportojnë mërgimtarët drejt Kosovës gjatë sezonit veror, transmeton albinfo.ch.

Vlen të theksohet se aviokompanitë do të përfitojnë nga 3 deri në 6 euro subvencion për secilin pasagjer që sjellin në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Programi, i quajtur “Mbështetja e Konektivitetit për sezonin veror 2026”, përfshin fluturimet nga shtete si Zvicra, Gjermania, Austria, Turqia, Belgjika, Franca, Suedia, Finlanda, Norvegjia dhe Danimarka — vende ku jeton një pjesë e madhe e diasporës kosovare.

Sipas kritereve të përcaktuara, kompanitë ajrore do të marrin:

  • 3 euro për çdo pasagjer nëse realizojnë mbi 85 për qind të fluturimeve të planifikuara;
  • 6 euro për pasagjerët shtesë në fluturime mbi planifikimin bazë, nëse avionët mbushen mbi 80 për qind;
  • si dhe 6 euro për pasagjer në rast të hapjes së linjave të reja me kapacitet të lartë të udhëtarëve.

Verifikimi i performancës së kompanive do të bëhet në fund të sezonit veror të aviacionit, më 24 tetor.

Qeveria në detyrë ka arsyetuar këtë masë me nevojën për ruajtjen e linjave ajrore dhe shmangien e anulimeve të mundshme për shkak të rritjes së kostos së karburantit në tregun ndërkombëtar.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se masa nuk lidhet me zgjedhjet, por me sezonin veror dhe ruajtjen e konektivitetit ajror të Kosovës me Evropën.

“Bëhet fjalë për një mbulim të një gjendjeje jo të zakonshme që po e bëjnë edhe shtete tjera dhe nuk ka të bëjë me muajin qershor, por me komplet stinën e verës”, ka deklaruar Kurti.

Megjithatë, vendimi ka nxitur reagime të shumta politike dhe kritika nga opozita, pasi është miratuar vetëm pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

Kundërshtarët e qeverisë kanë ngritur dyshime se subvencionimi i biletave për diasporën mund të interpretohet si tentativë për ndikim elektoral dhe favorizim të votës së mërgatës, e cila tradicionalisht ka mbështetur në masë të madhe Vetëvendosjen./Albinfo.ch

Pianistja kosovare Lule Elezi mban recital në Pallatin mbi Ujë në Varshavë

Pianistja e njohur kosovare Lule Elezi do të mbajë një koncert recital në një prej hapësirave më mbresëlënëse kulturore në Poloni – Pallatin mbi Ujë, i njohur zyrtarisht si Pallati në Ishull, në kuadër të Parkut Mbretëror Łazienki në Varshavë, transmeton albinfo.ch.

Përmes një njoftimi publik, artistja e cilësoi këtë paraqitje si një privilegj të veçantë, duke theksuar rëndësinë historike dhe artistike të sallës ku do të performojë.

“Një privilegj i veçantë të performoj në këtë hapësirë ikonike, ku tradita e muzikës klasike dhe atmosfera krijojnë një përjetim unik klasik”, ka shkruar Elezi.

Koncerti organizohet nga Muzeu Mbretëror Łazienki në bashkëpunim me Shoqatën Ndërkombëtare Frederic Chopin në Varshavë, ndërsa mbështetet edhe nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës.

Paraqitja e Lule Elezit në këtë skenë prestigjioze konsiderohet një tjetër prezantim i rëndësishëm ndërkombëtar i artit dhe kulturës kosovare në Evropë./Albinfo.ch