Shqiptari nga Kosova diplomon në Inxhinieri Hapësinore në Suedi me veshje kombëtare

Një tjetër histori suksesi shqiptare vjen nga Suedia, ku Aulon Nura, me rrënjë nga Kosova, ka përfunduar me sukses studimet master në Inxhinieri Hapësinore në KTH Royal Institute of Technology, një nga universitetet më të njohura teknike në Evropë, shkruan albinfo.ch.

Pas përfundimit të studimeve, ai është angazhuar profesionalisht në OHB Sweden, kompani suedeze e specializuar në industrinë e prodhimit të satelitëve dhe teknologjisë hapësinore. Atje, Auloni po aplikon njohuritë dhe përvojën e fituar gjatë viteve të studimeve në fushën e inxhinierisë së avancuar.

Gjatë ceremonisë së diplomimit, ai tërhoqi vëmendje edhe me një simbolikë të veçantë kulturore, duke u paraqitur me veshje kombëtare shqiptare. Ky gjest u pa si një mënyrë dinjitoze për të përfaqësuar identitetin dhe origjinën e tij shqiptare në një moment të rëndësishëm akademik.

Arritja e tij konsiderohet një sukses frymëzues për të rinjtë shqiptarë në diasporë, veçanërisht në fusha të avancuara si teknologjia hapësinore dhe inxhinieria moderne. /Albinfo.ch

 

Aulon Nura

Gjermania po humb gjithnjë e më shumë të rinj të arsimuar, Zvicra mbetet destinacioni kryesor

Gjermania po përballet me një rritje të emigrimit të qytetarëve të saj, veçanërisht të të rinjve të arsimuar, ndërsa gjithnjë e më shumë persona po zgjedhin të ndërtojnë jetën dhe karrierën jashtë vendit. Kështu shkruan mediumi zviceran RTS, duke iu referuar të dhënave të fundit për migrimin.

Sipas raportimit, gjatë vitit 2025 rreth 289 mijë shtetas gjermanë u larguan nga vendi, niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 2016. Në bilancin neto, Gjermania humbi mbi 96 mijë qytetarë, një shifër që tejkalon popullsinë e disa qyteteve të mesme gjermane.

Mediumi zviceran thekson se pjesa më e madhe e atyre që po largohen janë të rinj dhe të kualifikuar. Afro dy të tretat e emigrantëve janë të moshës 25 deri në 40 vjeç, ndërsa tre në katër prej tyre kanë arsim të lartë. Kjo situatë po konsiderohet shqetësuese për ekonominë gjermane, e cila tashmë përballet me mungesë të fuqisë punëtore të specializuar, transmeton albinfo.ch.

Një studim i publikuar nga Fondacioni Konrad Adenauer në maj të vitit 2026 tregon se arsyet e largimit janë të ndryshme. Disa qytetarë shprehen të shqetësuar për emigracionin dhe sigurinë, ndërsa të tjerë përmendin rritjen e polarizimit politik dhe forcimin e partisë së ekstremit të djathtë AfD. Gjermanët me prejardhje migrante raportojnë gjithashtu ndjenja diskriminimi.

Destinacioni më i preferuar për gjermanët që largohen është Zvicra, e ndjekur nga Austria dhe Spanja. Shumë prej tyre vlerësojnë se në këto vende gjejnë cilësi më të lartë jetese dhe mundësi më të mira profesionale.

Tendenca pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Një sondazh i publikuar në mars 2026 tregon se një në pesë të rinj gjermanë po mendon të largohet përgjithmonë nga vendi.

Ekspertët paralajmërojnë se ky fenomen mund të thellojë sfidat demografike dhe ekonomike të Gjermanisë, e cila prej vitesh përballet me plakjen e popullsisë dhe mungesën e punëtorëve të kualifikuar.

 

Albian Hajdari flet për largimin nga Zvicra dhe vendimin për t’iu bashkuar Dardanëve

Mbrojtësi kosovar Albian Hajdari ka folur hapur për periudhën e vështirë që kaloi para se të vendoste t’i bashkohej përfaqësueses së Kosovës.

Në një intervistë për mediat zvicerane, Hajdari zbuloi se një grumbullim me pak hapësirë loje te Zvicra e bëri të reflektonte seriozisht për të ardhmen e tij ndërkombëtare. Sipas tij, mungesa e minutave në fushë krijoi dyshime nëse po merrte drejtimin e duhur në karrierën e tij me kombëtaren, transmeton albinfo.ch.

Futbollisti me prejardhje nga Kamenica tha se kishte nevojë të ndihej i vlerësuar dhe të kishte një rol më të rëndësishëm në ekip, duke theksuar se për çdo lojtar është e rëndësishme të ndiejë besimin e trajnerit dhe të ketë mundësi reale për të treguar vlerat e tij në fushë.

Hajdari kishte kaluar nëpër të gjitha grupmoshat e Zvicrës, madje kishte regjistruar edhe paraqitje me ekipin A të helvetikëve, por në vitin 2025 vendosi ta përfaqësojë Kosovën në nivel senior.

Që nga transferimi te “Dardanët”, mbrojtësi 23-vjeçar është shndërruar në një nga emrat më premtues të repartit defensiv të Kosovës, ndërsa vetë ai ka deklaruar se ndihet krenar për vendimin që ka marrë.

BE-ja i kërkon 9 vendeve evropiane të heqin kontrollet kufitare brenda Schengenit

Komisioni Evropian u ka bërë thirrje nëntë vendeve evropiane që të heqin kontrollet e brendshme kufitare të vendosura në hapësirën Schengen, duke argumentuar se këto masa duhet të mbeten të përkohshme dhe të përdoren vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Në vitet e fundit, disa shtete kanë rikthyer kontrollet kufitare për shkak të shqetësimeve që lidhen me emigracionin e paligjshëm, sigurinë, terrorizmin dhe ngjarje të mëdha ndërkombëtare.

Megjithatë, Brukseli thekson se lëvizja e lirë e personave është një nga shtyllat kryesore të zonës Schengen dhe se kufizimet afatgjata cenojnë këtë parim, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Sipas Komisionit Evropian, vendet duhet të përdorin masa alternative, si bashkëpunimi policor ndërkufitar, shkëmbimi i të dhënave dhe kontrollet e synuara, në vend të kontrolleve sistematike në kufijtë e brendshëm. Kjo do të ndihmonte në ruajtjen e sigurisë pa penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave.

Debati zhvillohet në një kohë kur çështjet e emigracionit dhe sigurisë po dominojnë diskutimet politike në shumë vende evropiane. Disa qeveri argumentojnë se kontrollet kufitare janë ende të nevojshme, ndërsa Brukseli kërkon rikthimin e plotë të funksionimit normal të Schengenit.

Zvicra udhëton në SHBA pa një futbollist

Sulmuesi i Zvicrës, Breel Embolo, nuk ka bërë udhëtimin për në SHBA, të martën, pasi dokumentet e tij të udhëtimit ishin duke u shqyrtuar.

“Fatkeqësisht, Breel Embolo, aktualisht nuk është në gjendje të udhëtojë për në SHBA me ekipin”, ka thënë federata zvicerane e futbollit, duke shtuar se autorizimi i udhëtimit të tij nuk ishte më i miratuar, transmeton albinfo.ch.

Bëhet fjalë për miratimin e njohur si ESTA, përkatësisht për Sistemin Elektronik për Autorizimin e Udhëtimit. Embolo është dashur të fluturojë nga Cyrihu në mesditën e së martës.

“Në 10:30 u njoftuam se kërkesa e tij për ESTA ishte vënë nën shqyrtim të mëtejshëm”, ka njoftuar federata, pa dhënë më shumë detaje.

Nuk është e qartë pse SHBA-ja ka shqetësime në lidhje me 29-vjeçarin Embolo, i cili kishte probleme të mëparshme me autoritetet në Gjermani dhe Zvicër rreth pandemisë COVID-19. Në federatë presin që Embolo të udhëtojë më vonë të martën apo më së largu të mërkurën për në SHBA.

Një shpikje zvicerane ndryshoi mënyrën si qërojmë perimet në mbarë botën

Një objekt i vogël dhe i zakonshëm që gjendet sot pothuajse në çdo kuzhinë ka origjinë zvicerane dhe konsiderohet një nga dizajnet më të suksesshme funksionale të shekullit XX. Bëhet fjalë për “Rex peeler”, veglën e njohur për qëruarjen e perimeve, e cila ndryshoi mënyrën e përgatitjes së ushqimit në mbarë botën, përcjell albinfo.ch.

I njohur gjithashtu si “Y-peeler”, ky mjet u shpik dhe u patentua në vitin 1947 nga Alfred Neweczerzal. Para shpikjes së tij, shumica e njerëzve përdornin thika për të qëruar perimet, një metodë më e ngadaltë dhe më pak praktike, që shpesh çonte edhe në humbje të ushqimit.

Dizajni i thjeshtë, por jashtëzakonisht funksional, e bëri menjëherë të njohur këtë vegël kuzhine. I prodhuar nga një copë e vetme alumini, “Rex peeler” ishte i lirë, i lehtë për përdorim dhe i përshtatshëm si për personat e djathtë ashtu edhe për ata të majtë.

Falë efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së tij, ky mjet u përhap shpejt në shumë vende të botës dhe vazhdon të përdoret edhe sot në kuzhina profesionale dhe familjare. Për shumë dizajnerë industrialë, ai mbetet një shembull klasik i kombinimit perfekt mes thjeshtësisë, funksionalitetit dhe estetikës.

Sot, “Rex peeler” konsiderohet jo vetëm një vegël praktike kuzhine, por edhe një ikonë e dizajnit zviceran që dëshmon se edhe shpikjet më të vogla mund të kenë ndikim global. /Albinfo.ch

Koncerti “ARIADITA” në Washington: një mbrëmje muzikore që bashkoi kultura dhe emocione

Washington, D.C. u mbajt koncerti “ARIADITA”, një mbrëmje e veçantë muzikore me interpretimin e pianisteve Ariane Haering dhe Ardita Statovci, të cilat sollën në skenë një program të pasur artistik për piano me katër duar, transmeton albinfo.ch.

Koncerti u përshkrua si një përvojë e mbushur me muzikë, lidhje njerëzore dhe emocion, duke festuar fuqinë e artit për të kapërcyer kufijtë dhe për të ndërtuar ura mes kulturave të ndryshme.

Programi përfshiu një përzgjedhje veprash të njohura dhe moderne, duke nisur nga eleganca e Mozart compositions, përmes lirizmit poetik të Smetanës, deri te veprat e Piperku/Aliçkaj, intensiteti i Honegger, ndjeshmëria e Amy Beach dhe energjia e Poulenc.

Në një mesazh pas koncertit, artistet shprehën mirënjohje për publikun dhe theksuan se bashkëpunimi artistik mes tyre ka sjellë një energji të veçantë që vazhdon të rritet dhe të evoluojë.

Koncerti “ARIADITA” u prit me duartrokitje të ngrohta dhe u vlerësua si një mbrëmje që ndërthur mjeshtërinë muzikore me ndjeshmërinë artistike, duke lënë gjurmë te publiku në kryeqytetin amerikan. /Albinfo.ch

 

Koncerti Zvicerano-Kosovar bashkon diplomacinë, kulturën dhe miqësinë në SHBA

Rama reagon sërish për Zvërnecin

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, në një kohë kur në Zvërnec janë regjistruar incidente dhe protesta kundër projektit të zhvillimit në zonë.

Në reagimin e tij, Rama ka sjellë si shembull resortin e njohur “Costa Navarino” në Greqi, duke e përdorur si argument për të mbrojtur projektet e mëdha turistike dhe investimet strategjike, të cilat sipas tij shpesh përballen me kundërshti dhe “paragjykime të tepruara” në fazën e tyre të parë.

“Costa Navarino mund të quhet ndryshe historia e zakonshme e lajmëtarëve të katastrofës, atyre që nuk ëndërrojnë, por paragjykojnë ëndrrat e të tjerëve,” shkruan Rama, duke theksuar se projekte të ngjashme fillimisht janë përballur me protesta, peticione dhe parashikime për dëme mjedisore, por më pas janë kthyer në histori suksesi.

Ai sjell në vëmendje zhvillimin e zonës së Messinisë në Greqi, duke e cilësuar sot si një nga destinacionet turistike më prestigjioze në Evropë, me mijëra vende pune dhe përfitime ekonomike, por edhe me tregues të përmirësuar mjedisorë sipas tij, përfshirë ulje të emetimeve dhe përdorim të energjisë së rinovueshme, transmeton albinfo.ch.

Duke iu referuar debatit për investimet, Rama thekson se “jo çdo projekt është automatikisht i mirë”, por sipas tij zhvillimi nuk mund të refuzohet apriori. “Nëse do të ishte dëgjuar gjithmonë kori i atyre që thonë ‘nuk bëhet’, sot nuk do të kishte aeroporte, porte, autostrada apo qytete moderne,” shkruan ai.

Eliza Dushku nderohet me doktoratë “Honoris Causa”

Aktorja me origjinë shqiptare Eliza Dushku është nderuar me titullin “Doktor Honoris Causa” nga Lesley University gjatë ceremonisë së diplomimit të vitit 2026, shkruan albinfo.ch.

Universiteti e vlerësoi Dushkun për transformimin e saj profesional nga një figurë e njohur e Hollywood-it në një zë të rëndësishëm për shëndetin mendor, shërimin e traumës dhe mbështetjen ndaj veteranëve amerikanë.

Aktorja u bë e njohur ndërkombëtarisht që në moshë të re me rolin e saj si Missy në filmin Bring It On, duke u kthyer në një nga figurat më të spikatura të kinemasë rinore amerikane të viteve 2000. Më pas, ajo vazhdoi karrierën me role në filma thriller dhe horror, përfshirë Wrong Turn, si dhe me paraqitje të shumta televizive.

Në vitet e fundit, rrugëtimi i saj profesional ka marrë një drejtim të ri, të lidhur me aktivizmin social dhe shëndetin mendor. Dushku është angazhuar në promovimin e terapive inovative për trajtimin e PTSD-së dhe traumave të sistemit nervor, duke mbështetur veçanërisht terapinë e asistuar me psikodelikë.

Angazhimi i saj përfshin edhe mbështetjen ndaj veteranëve amerikanë, përmes pjesëmarrjes në iniciativa dhe organizata që fokusohen në rikuperimin nga trauma dhe riintegrimin në jetën civile.

Paralelisht, ajo po ndërthur përvojën artistike me aktivizmin përmes dokumentarit In Waves and War, ku shërben si producente ekzekutive. Projekti trajton temat e luftës, traumës dhe procesit të shërimit, duke reflektuar edhe transformimin e saj personal dhe profesional.

Nderimi nga Lesley University konsiderohet një vlerësim jo vetëm për karrierën e saj artistike, por edhe për ndikimin në ndërgjegjësimin publik mbi shëndetin mendor dhe qasjet moderne të trajtimit të traumës. /Albinfo.ch

 

Eliza Dushku

 

Eliza Dushku

Zvicër: Refuzohet sigurimi shëndetësor i detyrueshëm për të burgosurit e huaj

Këshilli i Shteteve në Zvicër ka refuzuar një propozim të qeverisë dhe kantoneve për të futur sigurimin e detyrueshëm shëndetësor për të gjithë të burgosurit, përfshirë ata pa vendbanim në vend.

Aktualisht, rreth një e treta e të burgosurve në Zvicër – afërsisht 2,300 persona – nuk janë të detyruar të kenë sigurim shëndetësor. Megjithatë, ata kanë të drejtë për trajtim mjekësor, ndërsa kostot mbulohen nga kantonet dhe, në fund, nga taksapaguesit.

Qeveria federale dhe kantonet kishin propozuar që edhe këta të burgosur të përfshiheshin në sistemin e sigurimit shëndetësor, me qëllim unifikimin e mënyrës së financimit të trajtimeve mjekësore dhe uljen e paqartësive administrative.

Ministrja e Shëndetësisë, Elisabeth Baume-Schneider, e mbështeti propozimin, duke argumentuar se parimi i trajtimit të barabartë duhet të zbatohet për të gjithë personat në Zvicër, përfshirë të burgosurit. Sipas saj, ata do të duhej të paguanin vetë primet e sigurimit.

Megjithatë, propozimi hasi në kundërshtim të gjerë në Këshillin e Shteteve. Kundërshtarët argumentuan se të burgosurit pa vendbanim të përhershëm nuk qëndrojnë në Zvicër me qëllim vendosjeje dhe se mbledhja e primeve prej tyre do të ishte praktikisht e pamundur.

Në fund, Këshilli i Shteteve e hodhi poshtë propozimin, duke lënë në fuqi sistemin aktual, ku kostot e kujdesit shëndetësor për të burgosurit pa sigurim mbulohen nga kantonet.

Edhe Këshilli Kombëtar pritet të deklarohet për këtë çështje.

Dorëhiqet Arben Fetai nga posti i zëvendëskryeministrit në Maqedoninë e Veriut

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka dhënë dorëheqje nga funksioni i tij qeveritar.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka reflektuar mbi dy vitet e tij në detyrë dhe arritjet gjatë kësaj periudhe.

Fetai tha se gjatë mandatit të tij ka pasur nderin të kontribuojë në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, duke e cilësuar këtë si një mision të rëndësishëm, por jo gjithmonë të lehtë.

“A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë, për më mirë dhe për më shpejt”, ka shkruar ai, duke shtuar se është përpjekur të japë maksimumin në punën e tij.

Ai theksoi gjithashtu se vendimi për t’u larguar është i mirëmenduar dhe i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale është hapi më i drejtë dhe më dinjitoz.

Në mesazhin e tij, Fetai falënderoi bashkëpunëtorët, partnerët ndërkombëtarë, shoqërinë civile dhe qytetarët për mbështetjen gjatë kohës në detyrë, duke theksuar se shërbimi publik nuk përfundon me largimin nga funksioni.

“Shërbimi ndaj interesit publik nuk mbaron kur mbaron funksioni”, shkroi ai, duke lënë të kuptohet se do të vazhdojë angazhimin e tij në forma të tjera.

Fetai gjithashtu ka publikuar edhe letrën e dorëheqjes.

Pranvera e vitit 2026 ndër më të nxehtat në historinë e Zvicrës, vera pritet të jetë mbi mesataren

Pranvera e vitit 2026 është renditur si një nga më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë në Zvicër, duke konfirmuar trendin afatgjatë të rritjes së temperaturave si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Sipas të dhënave meteorologjike, muaji maj i këtij viti ishte muaji i shtatë më i ngrohtë që nga fillimi i matjeve në vitin 1864. Gjatë javës së fundit të majit, një valë e fortë të nxehti përfshiu pjesën më të madhe të Evropës, ndërsa në qytetin Biasca temperatura arriti në 34.8 gradë Celsius, vetëm 0.3 gradë më pak se rekordi kombëtar për muajin maj.

Mesatarja kombëtare e temperaturave për periudhën mars-prill-maj ishte 6.5 gradë Celsius, duke e bërë pranverën e vitit 2026 të tretën më të ngrohtë në historinë e matjeve meteorologjike në Zvicër. Ekspertët theksojnë se temperaturat pranverore në vend janë rritur me rreth 2.9 gradë krahasuar me periudhën para-industriale.

Sipas analizave klimatike, ngrohja është e dukshme në të gjitha rajonet e Zvicrës, veçanërisht në jug të Alpeve, ku vitet e fundit janë karakterizuar nga temperatura gjithnjë e më të larta.

Parashikimet sezonale sugjerojnë se edhe vera e vitit 2026 mund të jetë më e ngrohtë se zakonisht. Një nga faktorët që po ndikon në këtë prirje është fenomeni klimatik El Niño, i cili po shkakton rritje të temperaturave të sipërfaqes së detit në Paqësorin ekuatorial.

Sipas MeteoSwiss, ekziston rreth 63 për qind probabilitet që vera në rajonet frankofone të Zvicrës të jetë më e nxehtë se mesatarja klimatike. Megjithatë, meteorologët theksojnë se parashikimet afatgjata mbeten të pasigurta dhe se zhvillimet atmosferike mund të ndryshojnë gjatë muajve në vijim.

Të dhënat e fundit konsiderohen një tjetër tregues i ndikimit të ndryshimeve klimatike në Zvicër dhe në pjesën tjetër të Evropës, ku vitet e fundit janë shënuar gjithnjë e më shumë rekorde temperaturash.

 

PBB-ja e Zvicrës në rritje

Në tremujorin e parë të këtij viti, produkti i brendshëm bruto (PBB) zviceran – pa përfshirë ngjarjet sportive – u rrit me 0.4%, pas 0.2% në tre muajt e mëparshëm. Kjo u njoftua këtë mëngjes nga Sekretari i Shtetit për Ekonominë (SECO).

Ky është një rishikim në rënie i vlerësimit të shpejtë të bërë rreth 45 ditë para fundit të tremujorit (+0.5%), bazuar në të dhëna të përditësuara.

Krijimi i vlerës në sektorin industrial (+1.3%) shënoi një rritje të fortë pas disa tremujorësh të karakterizuar nga një trend i moderuar, thuhet në shënim. Industria prodhuese (+1.5%) rezultoi të ishte një shtyllë e rritjes. Dega kimike-farmaceutike (-3.4%) në vend të kësaj shënoi një trend negativ, raporton RSI, transmeton albinfo.ch.

Në sektorin e shërbimeve (+0.2%) dinamika mbeti modeste, me trende divergjente midis sektorëve individualë. Transporti (+1.9%) dhe shërbimet financiare (+1.3%) ishin veçanërisht pozitive. Tregtia (-0.8%) u mbyll me të kuqe.

Disa kategori të tregtisë me pakicë kanë rënë, dhe klima e butë ka kufizuar nevojën për ngrohje. Edhe sektori i hotelerisë dhe i shërbimit të ushqimit, falë ngadalësimit të numrit të qëndrimeve me netë të mysafirëve vendas dhe të huaj, ka regjistruar një tkurrje (-0.6%) të krijimit të vlerës.

Pse liqenet zvicerane janë nën presion dhe nga çfarë po kërcënohen tani

Liqeni i Konstancës aktualisht po tregon anën e tij më të ulët. Sipas meteorologut Klaus Marquardt nga Meteo News, niveli aktualisht jashtëzakonisht i ulët është konfirmuar. Në afat të shkurtër, njëfarë relaksimi është në horizont: “Në një deri në dy javët e ardhshme pritet të bjerë shi i mjaftueshëm, në mënyrë që niveli i ujit të mund të rritet pak përsëri”, thotë Marquardt për Blick.

Megjithatë, kjo nuk është aspak një qetësim i qëndrueshëm i situatës. Faktori vendimtar qëndron në parahistorinë meteorologjike të vitit. Një dimër i varfër me borë dhe një pranverë në përgjithësi shumë e thatë do të kishte çuar në faktin se kishte shumë pak ujë të disponueshëm në zonat e pellgut të Liqenit të Konstancës për periudha më të gjata kohore.

Vera përsëri shumë e ngrohtë dhe e thatë?

Për më tepër, liqenet aktualisht po e fillojnë sezonin e ngrohtë deri diku “të zbrazët”. Në këtë kontekst, Marquardt flet për faktin se ka shumë “hapësirë ​​ruajtjeje” që duhet të rimbushet. Prandaj, asnjë ngjarje individuale shiu nuk është vendimtare, por fazat e reshjeve më të gjata dhe produktive.

Edhe një vështrim në parashikimet afatmesme nuk tregon ndonjë relaksim nga këndvështrimi i tij. Për verën, Marquardt vazhdon të presë kushte mjaft të ngrohta dhe me tendencë të thata. Kjo mund ta përkeqësojë përsëri situatën hidrologjike ose të paktën ta stabilizojë atë në një nivel të ulët.

Nga ana tjetër, ai është i kujdesshëm në lidhje me një rol të mundshëm të të ashtuquajturit mega-El-Niño: “Efektet e këtij fenomeni klimatik në Evropë janë shumë të përhapura për t’u përfshirë në mënyrë kuptimplote në parashikime.” Edhe pse sinjale të tilla globale të klimës janë shkencërisht interesante për Evropën Qendrore, ato janë vetëm pjesërisht të dobishme për parashikimet konkrete të reshjeve në Zvicër.

Nuk ka reshje të mjaftueshme që nga tetori

Martin Schmid nga Eawag e klasifikon situatën aktuale shumë më sistematike. Kreu i Grupit të Kërkimit të Analizës së Sistemit të Aplikuar në Departamentin e Ujërave Sipërfaqësore shpjegon se Liqeni i Konstancës është aktualisht në diapazonin më të ulët të vlerave të nivelit të matur historikisht për këtë sezon. Shkaku kryesor është një reshje e ulët në të gjithë zonën e pellgut që ka zgjatur me muaj: “Që nga tetori, reshjet nën mesatare kanë rënë pothuajse në të gjithë muajt – si shi dhe si borë.”

Liqeni i Konstancës konsiderohet shumë i ndjeshëm

Përveç kësaj, ekziston një veçori strukturore e Liqenit të Konstancës: Është një nga liqenet e pakta të mëdha në Zvicër, niveli i ujit i të cilit nuk rregullohet artificialisht.

Si rezultat, ai reagon drejtpërdrejt ndaj luhatjeve meteorologjike. “Liqeni i Konstancës është, pra, shumë më i ndjeshëm ndaj periudhave të thata sesa shumë liqene të tjera zvicerane”, shpjegon Schmid. Ndërsa liqene të shumta do të stabilizoheshin nga sistemet rregullatore, Liqeni i Konstancës pasqyronte drejtpërdrejt disponueshmërinë natyrore të ujit në zonën e pellgut, raporton Blick.

Në krahasim, shumica e liqeneve të tjera zvicerane aktualisht nuk tregojnë nivele jashtëzakonisht të ulëta uji. Edhe nga një këndvështrim ekologjik, Schmid aktualisht nuk sheh një krizë akute të cilësisë së ujit në Liqenin e Konstancës. Një nivel i ulët ndikon kryesisht në zonat bregore dhe habitatet e tyre, siç janë zonat e shumimit dhe pjelljes ose zonat me ujë të cekët, të cilat mund të thahen përkohësisht, përcjell albinfo.ch.

Tharja shumë e pamundur

Schmid nuk supozon se liqenet e mëdha në Zvicër mund të thahen në planin afatgjatë për shkak të ndryshimeve klimatike. “Për shumicën e liqeneve, vëllimi i hyrjes gjatë vitit është dukshëm më i lartë se avullimi nga sipërfaqja e liqenit – një tharje e plotë është, pra, shumë e pamundur.” Situata është e ndryshme me trupa më të vegjël uji në vende të veçanta gjeologjike, veçanërisht në zonat karstike. Atje, uji mund të thahet më shpejt nën tokë. Si shembull, Schmid citon Lake des Brenet, i cili është tharë pothuajse plotësisht në të kaluarën.

Megjithatë, studiuesi sheh sfida më të mëdha të ndryshimeve klimatike diku tjetër. Më të rëndësishme se një tharje e mundshme janë temperaturat në rritje të ujit, fazat më të gjata të ngrohta dhe proceset e ndryshuara të përzierjes në liqene. Këta faktorë mund të ndikojnë gjithashtu në përmbajtjen e oksigjenit në ujë në planin afatgjatë dhe kështu të ndryshojnë të gjithë ekologjinë e liqeneve.

Qeveria e Bernës kundër detyrimit të restoranteve për të pranuar para në dorë

Sipas qeverisë kantonale, Berna nuk duhet të fusë një detyrim ligjor për restorantet dhe hotelet që të pranojnë pagesa me para në dorë.

Qeveria rekomandon kështu refuzimin e një mocioni të paraqitur nga partitë e së djathtës politike.

Iniciatorët theksojnë se gjithnjë e më shumë institucione publike në kanton pranojnë vetëm pagesa elektronike ose dixhitale. Sipas peticionerëve, kjo diskriminon të moshuarit, të rinjtë pa kartë krediti ose debiti, njerëzit pa llogari bankare dhe ata që dëshirojnë të paguajnë me kartëmonedha dhe monedha për arsye privatësie.

Legjislacioni federal njeh paratë në dorë si një mjet ligjor pagese, por rregulli është dispozitiv: lokalet mund ta përjashtojnë atë me një njoftim në hyrje ose në menu.

Në një dokument qëndrimi të botuar së fundmi, qeveria kantonale tha se ndante shqetësimin për përjashtimin social të disa shtresave të popullsisë. Megjithatë, sipas ekzekutivit, zbatimi i mocionit do të ishte problematik, raporton swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Para së gjithash, nuk është e sigurt nëse kantonet kanë kompetencën për të futur një rregull të tillë: një ligj kantonal do të rrezikonte të anulohej nga Gjykata Federale.

Për më tepër, industria e ushqimit është fuqimisht kundër këtij detyrimi: restorantet e Bernës do të ishin në disavantazh krahasuar me ato në kantone të tjera dhe do të duhej të përballonin kosto shtesë.

Së fundmi, qeveria kantonale thekson se përdorimi i parave të gatshme po bie edhe në shumë degë të tjera, kështu që nuk është e qartë pse detyrimi duhet t’i imponohet vetëm industrisë së ushqimit.

Fjala e fundit tani i takon parlamentit kantonal.

Ekonomia zvicerane po rritet pak më ngadalë se sa pritej

Ekonomia zvicerane u rrit pak më ngadalë se sa pritej në tremujorin e parë të vitit 2026. Produkti i brendshëm bruto real (PBB) u rrit me 0.4% në një bazë të rregulluar krahasuar me tremujorin e mëparshëm, tha të hënën Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO).

Në një vlerësim fillestar të shpejtë dy javë më parë, SECO kishte parashikuar një rritje pak më të lartë prej 0.5%. Megjithatë, shifra aktuale është më e lartë se në dy tremujorët e mëparshëm. Në atë kohë, rritja ishte përkatësisht 0.2% dhe -0.4%.

Sipas SECO-s, rritja në fillim të vitit u nxit kryesisht nga industria. Vlera e saj e shtuar u rrit fuqishëm me 1.3% – pas disa tremujorësh rritjeje të dobët, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Në sektorin e shërbimeve (+0.2%), megjithatë, vrulli mbeti i dobët. Sipas SECO-s, sektorët individualë u zhvilluan ndryshe. Tregtia dhe shitja me pakicë në veçanti u tkurrën.

Ky zhvillim është në përputhje me shpenzimet private të konsumatorëve në stanjacion. Si rezultat, kërkesa përfundimtare e brendshme ishte e dobët në plus 0.1%, megjithëse konsumi qeveritar u rrit me 0.9%.

Shifra është përshtatur për ngjarjet sportive. Siç dihet mirë, Lojërat Olimpike dhe ngjarjet e mëdha të futbollit shtrembërojnë PBB-në e Zvicrës për shkak të të ardhurave nga licencat që rrjedhin në shoqatat sportive me seli në Zvicër. Pa përshtatje, rritja e PBB-së ishte pak më e lartë në 0.7% në tremujorin e parë.

Kur do t’i arrijë Zvicra 10 milionë banorë? Debati që po ndez vendin

Pyetja se kur Zvicra do të arrijë shifrën prej 10 milionë banorësh është bërë një nga temat më të nxehta politike para referendumit të 14 qershorit për kufizimin e popullsisë.

Sipas skenarit zyrtar të Zyrës Federale të Statistikave (BFS), Zvicra pritet të kalojë kufirin prej 10 milionë banorësh në fillim të viteve 2040. Ndërkohë, pragu prej 9.5 milionë banorësh mund të arrihet që në fillim të viteve 2030, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, në Zvicër jetojnë rreth 9.1 milionë banorë. Popullsia është rritur me rreth 1.7 milionë persona që nga viti 2002, ku rreth 80% e kësaj rritjeje lidhet me emigracionin.

Megjithatë, jo të gjithë ekspertët besojnë se kufiri prej 10 milionësh do të arrihet patjetër. Demografi Hendrik Budliger vlerëson se emigracioni mund të ngadalësohet në vitet e ardhshme për shkak të plakjes së popullsisë në Evropë, konkurrencës për fuqinë punëtore dhe ndryshimeve ekonomike. Sipas tij, ekziston mundësia që Zvicra të mos e arrijë kurrë këtë shifër.

Debati është intensifikuar për shkak të iniciativës “Jo Zvicrës me 10 milionë banorë”, e cila kërkon që popullsia të mos e kalojë këtë prag deri në vitin 2050. Nëse numri i banorëve kalon 9.5 milionë para vitit 2050, qeveria do të detyrohej të ndërmarrë masa për kufizimin e rritjes së popullsisë.

Mbështetësit e iniciativës argumentojnë se rritja e popullsisë po shkakton krizë banesash, mbingarkesë të infrastrukturës dhe presion mbi mjedisin. Kundërshtarët paralajmërojnë se kufizimi i emigracionit mund të dëmtojë ekonominë, sistemin e pensioneve dhe tregun e punës.

Sipas projeksioneve të BFS, deri në vitin 2055 popullsia e Zvicrës mund të arrijë rreth 10.5 milionë banorë nëse trendet aktuale vazhdojnë.

Studimi: Bankat kantonale zvicerane kanë rezerva kapitali shumë më të larta se kërkohet

Një studim i ri ka zbuluar se bankat kantonale në Zvicër mbajnë rezerva kapitali dukshëm më të mëdha sesa minimumi i kërkuar me ligj, megjithëse kjo temë nuk tërheq aq vëmendje sa debatet për gjigantin bankar UBS.

Sipas analizës së kompanisë Independent Credit View (I-CV), 24 bankat kantonale zvicerane kanë së bashku aktive në vlerë prej rreth 839 miliardë frangash, madje më shumë se biznesi zviceran i UBS, i cili ka rreth 501 miliardë franga aktive, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët theksojnë se bankat kantonale aktualisht konsiderohen shumë të sigurta dhe me “tamponë kapitali” të fortë. Për shembull, Zurich Cantonal Bank ka një raport kapitali bazë prej 21.2%, që është 11.7% mbi nivelin e kërkuar ligjor. Ndërsa banka kantonale e Schwyz-it ka 22.6%, ose 13.4% mbi minimumin e kërkuar.

Analisti Christian Fischer nga I-CV e përshkroi situatën si “tejkapitalizim”, duke argumentuar se një pjesë e këtyre rezervave mund të përdorej për financimin e aktiviteteve të reja dhe gjenerimin e fitimeve më të larta.

Debati vjen në një kohë kur në Zvicër po diskutohet intensivisht forcimi i kërkesave të kapitalit për UBS pas kolapsit të Credit Suisse në vitin 2023. Qeveria zvicerane po kërkon rritjen e rezervave të kapitalit për bankat sistemike, ndërsa UBS kundërshton masat duke argumentuar se ato mund të dëmtojnë konkurrueshmërinë e saj.

Ekspertët shpjegojnë se bankat kantonale nuk përballen me të njëjtin presion si UBS, pasi shumica e tyre janë në pronësi të kantoneve dhe kanë si mision kryesor mbështetjen e ekonomisë lokale, jo vetëm maksimizimin e fitimit.

Granit Xhaka: “Pritjet nga jashtë janë të mëdha, por brenda ekipit”

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka folur për atmosferën brenda skuadrës dhe pritshmëritë e larta që e shoqërojnë ekipin kombëtar para sfidave të ardhshme.

Në një intervistë për mediat zvicerane, Xhaka theksoi se pritjet e tifozëve dhe opinionit publik janë gjithmonë të mëdha, por sipas tij standardet që futbollistët i vendosin vetes janë edhe më të larta, shkruan 20min.ch, transmeton albinfo.ch.

“Pritjet nga jashtë janë të mëdha, por brenda ekipit janë edhe më të mëdha”, deklaroi kapiteni zviceran, duke nënvizuar se lojtarët janë të vetëdijshëm për cilësinë që posedojnë dhe për objektivat që synojnë të arrijnë.

Mesfushori me prejardhje nga Kosova është një nga figurat më të rëndësishme në historinë e futbollit zviceran. Me përvojën e fituar në nivelet më të larta të futbollit evropian, ai vazhdon të jetë lideri kryesor i ekipit si në fushë ashtu edhe jashtë saj.

Xhaka theksoi se brenda grupit ekziston një mentalitet fitues dhe një dëshirë e madhe për të arritur suksese të reja me fanellën e Zvicrës. Sipas tij, ekipi nuk kënaqet vetëm me pjesëmarrjen në turne të mëdhenj, por synon të jetë konkurrues ndaj çdo kundërshtari.

Kapiteni zviceran vlerësoi gjithashtu frymën e grupit dhe bashkëpunimin mes lojtarëve, duke theksuar se skuadra ka krijuar një identitet të fortë gjatë viteve të fundit. Ai beson se kombinimi i përvojës me talentet e reja mund ta ndihmojë Zvicrën të vazhdojë paraqitjet e mira në arenën ndërkombëtare.

Me mbi 130 paraqitje për kombëtaren, Xhaka mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe më me ndikim në historinë e futbollit zviceran, ndërsa roli i tij si kapiten vazhdon të jetë kyç për ambiciet e ekipit.

Problemet e kompanive të udhëtimit pasi filloi lufta në Iran

Një avion pasagjerësh që fluturon me 500 nyje shpejtësi (575 milje në orë) dhe një tanker nafte që lëviz ngadalë me 15 nyje, e përshkojnë rrugën nga Gjiri Persik drejt Evropës përkatësisht në disa orë ose në disa javë.

Ky kontrast fsheh një lidhje thelbësore. Mbyllja pothuajse e plotë e Ngushticës së Hormuzit ka bllokuar si karburantin e avionëve, ashtu edhe naftën bruto nga e cila ai prodhohet, duke bërë që çmimet të rriten me shpejtësi.

Që nga fillimi i konfliktit me Iranin, kostoja e furnizimit të avionëve me karburant është rritur ndjeshëm. Kjo ka shkaktuar tashmë viktimën e parë në industri. Spirit Airlines, një kompani amerikane me kosto të ulët që ndodhej nën mbrojtje falimentimi, ndaloi operimet më 2 maj.

Financat e saj, të dobësuara nga konkurrenca gjithnjë e më e fortë nga kompanitë e mëdha ajrore, nuk e përballuan dot rritjen e kostove të karburantit.

Kompani të tjera ajrore kanë rritur çmimet e biletave, kanë shtuar tarifa shtesë për karburantin dhe kanë anuluar fluturime që nuk do të ishin më fitimprurëse, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Mes kompanive që kanë shkurtuar fluturimet janë Lufthansa dhe Air France-KLM në Evropë; United Airlines  dhe Delta Air Lines në SHBA; si dhe Vietjet Air dhe AirAsia në Azinë Juglindore. Në gjysmën e dytë të prillit, numri global i fluturimeve të planifikuara për majin ra me 13 mijë, sipas kompanisë së të dhënave Cirium.

Megjithatë, ndërsa afrohet sezoni veror, numri i fluturimeve pritet ende të rritet me 3% deri në 6% krahasuar me vitin e kaluar, sipas Goldman Sachs. Kjo nuk përputhet me disponueshmërinë e karburantit të avionëve.

Kërkesa mesatare në vitin 2025 ishte rreth 7.8 milionë fuçi në ditë, sipas Société Générale. Nga kjo sasi, 2 milionë fuçi tregtoheshin ndërkombëtarisht, ndërsa 360 mijë kalonin përmes Ngushticës së Hormuzit.

Mungesa e furnizimeve për rafineritë aziatike që mbështeten te nafta e Gjirit për prodhimin e karburantit të avionëve mund të krijojë një mungesë shtesë prej 800 mijë fuçish në ditë në maj, thotë banka. Në total, kjo përfaqëson rreth 15% të kërkesës globale.

 

 

 

 

 

Pagat në Evropë: Zvicra e para, Shqipëria e fundit në rajon

Në Shqipëri, një punonjës merr mesatarisht 10.3 mijë euro në vit pagë bruto, ose rreth 860 euro në muaj, sipas të dhënave që janë publikuar nga INSTAT për vitin 2025 (mesatarja mujore bruto në lekë është 84.1 mijë lekë).

Në këto nivele, Shqipëria renditet e fundit në rajon (me përjashtim të Kosovës të dhënat e fundit të së cilës janë të vitit 2024, me më pak se 10 mijë euro në vit). Rajonin, për pagat bruto e kryesojnë Serbia (15.5 mijë euro), Bosnjë Hercegovina (gati 15 mijë euro), Mali i Zi (14.5 mijë euro), Maqedonia e Veriut (13.2 mijë euro), sipas të dhënave të instituteve statistikore përkatëse, të përpunuara nga “Monitor”, transmeton albinfo.ch.

Nëse bëhet krahasimi me pagat vjetore bruto në Europë, që janë publikuar nga Euronews, duke iu referuar të dhënave të OECD, rezulton se pagat e vendeve të Ballkanit në tërësi dhe të Shqipërisë në veçanti janë shumë më të ulëta.

Me një mesatare të thjeshtë, paga vjetore bruto në vendet e Bashkimit Evropian është rreth 50 mijë euro (5.5 mijë euro në muaj), ose 5 herë më e lartë sesa e Shqipërisë.

Gjermania, destinacioni i preferuar i shqiptarëve vitet e fundit ka një pagë prej 66.7 mijë euro në vit, ose mbi 6 herë më shumë se në Shqipëri.

Në Itali, paga mesatare vjetore bruto është mbi tre herë në krahasim me atë të një punonjësi shqiptare, duke arritur në 36.6 mijë euro (rreth 3 mijë euro në muaj).

Në Greqi, pagë mesatare vjetore bruto është 26.5 mijë euro, ose 2.2 mijë euro në muaj. Diferenca e lartë e pagave është një nga arsyet që po shtyn shumë shqiptarë të ikin në emigracion. Të dhëna të tjera të Eurostat bënë të ditur se vetëm në 2022-2024 janë dhënë mesatarisht 20 mijë leje pune në vit, kryesisht në Itali, Greqi e Gjermani, nga rreth 3-4 mijë që jepeshin një dekadë më parë.

Që nga viti 2021, Bashkimi Evropian ka dhënë rreth 72 mijë leje qëndrimi për herë të parë për arsye punësimi për shtetasit shqiptarë. Kjo shifër, që përfshin vetëm ikjet zyrtare, pa llogaritur ata të paregjistruar, që punojnë në të zezë, apo ata që ikin për punësim sezonal, është sa 13% e të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, sipas të dhënave të tjera të INSTAT.

Pagat në Evropë

Sipas raportit Taxing Wages 2026 të OECD-së, paga mesatare bruto vjetore varion nga 18,590 euro në Turqi deri në 107,487 euro në Zvicër. Të dhënat përfshijnë 27 vende Evropiane, nga të cilat 22 janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Zvicra është i vetmi vend ku paga mesatare bruto tejkalon 100 mijë euro në vit.

Islanda renditet e dyta me 85,950 euro, ndërsa Luksemburgu kryeson mes vendeve të BE-së me 77,844 euro, duke u renditur i treti në Evropë.

Pesëshen e parë e plotësojnë Danimarka me 71,961 euro dhe Holanda me 69,028 euro. Norvegjia, me 68,420 euro, ndodhet shumë pranë tyre.

Mes pesë ekonomive më të mëdha të Evropës, Gjermania kryeson me 66,700 euro, e ndjekur nga afër nga Mbretëria e Bashkuar me 65,340 euro. Tre ekonomitë e tjera të mëdha renditen dukshëm më poshtë.

Franca ka një pagë mesatare bruto vjetore prej 45,964 eurosh, Italia 36,594 euro dhe Spanja 32,678 euro. Paga mesatare në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar është më shumë se dy herë më e lartë se në Spanjë.

Austria (63,054 euro), Belgjika (62,348 euro), Irlanda (60,258 euro), Finlanda (55,462 euro) dhe Suedia (50,338 euro) pozicionohen mes këtyre dy grupeve, të gjitha me paga mesatare mbi 50 mijë euro në vit.

Nëntë vende të BE-së kanë paga mesatare nën 30 mijë euro

Sllovakia regjistron pagën mesatare më të ulët vjetore në Bashkimin Evropian, me 19,590 euro. Nga 22 vendet e BE-së të përfshira në listë, nëntë kanë paga mesatare nën pragun e 30 mijë eurove.

Hungaria (21,257 euro), Letonia (21,321 euro), Çekia (23,685 euro), Portugalia (24,254 euro) dhe Polonia (24,940 euro) kanë paga mesatare nën 25 mijë euro në vit. Estonia (25,603 euro), Greqia (26,563 euro) dhe Lituania (28,474 euro) ndodhen mbi këtë nivel, por mbeten gjithsesi nën pragun e 30 mijë eurove.

Britania do të përdorë inteligjencë artificiale për verifikimin e moshës së azilkërkuesve

Britania e Madhe pritet të përdorë inteligjencë artificiale për të ndihmuar në përcaktimin e moshës së azilkërkuesve, me qëllim identifikimin e personave të rritur që paraqiten si të mitur në kufi. Kjo nismë, e cila pritet të nisë vitin e ardhshëm, ka nxitur reagime dhe kritika nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe punonjësit socialë.

Sipas Ministrisë së Brendshme britanike, sistemi i bazuar në analizën e fytyrës do të përdorë fotografitë e marra gjatë regjistrimit për të ndihmuar zyrtarët të vlerësojnë nëse një person që deklaron se është nën 18 vjeç është në të vërtetë i rritur.

Teknologjia është zhvilluar në kuadër të një kontrate prej 322 mijë paundësh (rreth 432 mijë dollarë) me kompaninë IT Akhter Computers dhe do të kalojë në faza të tjera testimi përpara se të përdoret gjerësisht në mesin e vitit 2027.

Qeveria britanike thotë se testimet fillestare kanë treguar “saktësi dhe performancë premtuese”, duke argumentuar se kjo do të ndihmojë në parandalimin e abuzimeve me sistemin e azilit. Ministri për Sigurinë Kufitare dhe Azilin, Alex Norris, deklaroi se disa të rritur kanë keqpërdorur sistemin duke u paraqitur si fëmijë dhe duke marrë mbështetje që u takon të miturve.

Sistemi pritet të testohet fillimisht në qendrën e përpunimit Western Jet Foil në Dover, ku aktualisht kryhen kontrolle të moshës përmes dokumenteve, intervistave dhe vlerësimit të pamjes.

Megjithatë, organizatat si Human Rights Watch kanë shprehur shqetësime, duke argumentuar se teknologjia nuk është ende e provuar dhe mund të rrezikojë mbrojtjen e fëmijëve të cenueshëm.

Kjo nismë vjen edhe pas një raporti qeveritar që kërkon përmirësim të trajnimeve, shkëmbim më të mirë të të dhënave dhe bashkëpunim më të ngushtë mes institucioneve në procesin e vlerësimit të moshës. Raporti paralajmëroi gjithashtu se gabimet në këtë proces mund të çojnë si në trajtimin e të rriturve si fëmijë, ashtu edhe në të kundërtën, me pasoja të rënda për sigurinë.