Viti: Arrestohen 11 persona për bixhoz të kundërligjshëm

Gjatë një aksioni policor të zhvilluar në fshatin Pozheran të Vitisë, Policia e Kosovës ka arrestuar 11 persona, nën dyshimin për përfshirje në organizimin e bixhozit të kundërligjshëm.

Sipas Policisë, hetuesit e Stacionit Policor në Viti, pas pranimit të informatave relevante dhe zhvillimit të veprimeve hetimore në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë realizuar një bastisje më 4 qershor 2026 në një lokacion ku dyshohej se zhvillohej veprimtari e paligjshme.

“Më 04.06.2026 janë realizuar një bastisje në një lokacion në fshatin Pozheran, komuna e Vitisë, nën dyshimin se në këtë lokacion po zhvillohej veprimtari e kundërligjshme që ndërlidhet me veprën penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm’. Gjatë bastisjes janë arrestuar njëmbëdhjetë persona të dyshuar. Po ashtu në vendin e ngjarjes janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprën penale të lartcekur, të cilat do të shërbejnë si dëshmi në procedurën penale”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është proceduar në Prokurorinë Themelore në Gjilan për procedurë të rregullt gjyqësore.

Nëse miratohet iniciativa “Jo për Zvicrën me 10 milionë banorë”, kur do të hyjë në fuqi?

Më 14 qershor 2026, qytetarët zviceranë do të votojnë për iniciativën “Jo për Zvicrën me 10 milionë banorë”, e cila synon të kufizojë popullsinë e përhershme nën 10 milionë deri në vitin 2050.

Nëse iniciativa miratohet, ndryshimi kushtetues nuk do të hyjë në fuqi menjëherë. Fillimisht duhet të publikohet rezultati zyrtar dhe më pas Këshilli Federal do të përcaktojë datën e hyrjes në fuqi të dispozitave kushtetuese. Zakonisht kjo ndodh disa muaj pas votimit, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, masat konkrete për kufizimin e popullsisë dhe emigracionit do të kërkonin ligje të reja dhe negociata të mundshme me Bashkimin Evropian. Sipas tekstit të iniciativës, nëse popullsia kalon 9.5 milionë banorë para vitit 2050, autoritetet federale do të detyrohen të ndërmarrin masa, veçanërisht në fushën e azilit dhe bashkimit familjar.

Një element kyç i iniciativës është se, nëse kufizimi i popullsisë nuk mund të arrihet me masa të tjera, Zvicra do të duhet të rishikojë ose madje të ndërpresë marrëveshjen për lëvizjen e lirë të personave me Bashkimin Evropian. Kjo mund të kërkojë vite negociatash dhe periudha tranzitore.

Albulena Haxhiu përfaqëson Kosovën në samitin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Mal të Zi

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, do ta përfaqësojë vendin në Samitin e Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet më 5 qershor në Tivat të Malit të Zi, përcjell albinfo.ch. 

Sipas njoftimit të Presidencës, Haxhiu do të riafirmojë përkushtimin e Kosovës për integrimin evropian, trajtimin e drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit.

Samiti do të mbledhë udhëheqësit më të lartë të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar perspektivën evropiane të rajonit, zbatimin e Planit të Rritjes dhe çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë dhe zhvillimin.

Ngjarja konsiderohet një nga tubimet më të rëndësishme diplomatike të organizuara ndonjëherë në Mal të Zi. Në Tivat pritet të marrin pjesë figura të larta politike evropiane, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez, presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë samit vjen në një periudhë të rëndësishme për procesin e integrimit evropian dhe përpjekjet për forcimin e pozitës së vendit në skenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

“Leotrimi i vogël” në pullë postare, Posta e Kosovës nderon fëmijët e vrarë gjatë luftës

Posta e Kosovës ka lansuar emisionin më të ri filatelik “Engjëjt e Lirisë – shtatorja ‘Leotrimi i vogël’”, duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve Viktima të Pafajshëm të Agresionit, transmeton albinfo.ch.

Ky emision i veçantë filatelik i kushtohet kujtimit të fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë dhe synon të përcjellë mesazhe të fuqishme për ruajtjen e kujtesës historike, respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe promovimin e paqes.

Në pullën postare paraqitet shtatorja “Leotrimi i vogël”, kushtuar Leotrim Ahmetit, emri i të cilit është shndërruar në simbol të fëmijëve që humbën jetën gjatë luftës. Përmes këtij motivi, Posta e Kosovës synon të rikujtojë rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe ndërtimit të një shoqërie të bazuar në dinjitet, solidaritet dhe paqe.

Sipas Postës së Kosovës, filatelia mbetet një mjet i rëndësishëm për dokumentimin dhe transmetimin e ngjarjeve me vlerë historike e shoqërore tek brezat e ardhshëm, duke kontribuar në ruajtjen e kujtesës kolektive.

Për realizimin e pullës është përdorur pamja e shtatores “Leotrimi i vogël”, vepër e skulptorit Sabri Behramaj, e siguruar nga Komuna e Skenderajt. Emisioni filatelik do të mbetet në qarkullim postar deri në konsumimin e plotë të tirazhit./Albinfo.ch

Të huajt në Zvicër shprehin frikë nga referendumi për “Jo për 10 milionë banorë”

Me afrimin e referendumit të 14 qershorit, shumë të huaj që jetojnë në Zvicër po shprehin shqetësime për pasojat e mundshme të iniciativës “Jo për Zvicrën me 10 milionë banorë”, e cila synon kufizimin e popullsisë dhe emigracionit.

Sipas një ankete të realizuar nga The Local mes lexuesve të saj, shumica e të anketuarve u shprehën të shqetësuar për ndikimin që mund të ketë iniciativa në marrëdhëniet e Zvicrës me Bashkimin Evropian, në lirinë e lëvizjes dhe në klimën sociale ndaj të huajve. Disa prej tyre paralajmëruan se miratimi i saj mund të nxisë diskriminim dhe ndjenja anti-emigrante në vend, transmeton albinfo.ch.

Një pjesë e të huajve që jetojnë prej dekadash në Zvicër thanë se ndihen të lodhur nga debatet e vazhdueshme rreth emigracionit dhe se iniciativa u jep atyre ndjesinë se nuk janë plotësisht të mirëpritur, pavarësisht kontributit të tyre ekonomik dhe shoqëror.

Nga ana tjetër, ka edhe mbështetës të iniciativës që argumentojnë se rritja e shpejtë e popullsisë po ushtron presion mbi tregun e banesave, transportin publik, shkollat dhe sistemin shëndetësor. Ata kërkojnë një politikë më të kontrolluar të emigracionit për të ruajtur cilësinë e jetës në Zvicër.

Iniciativa, e promovuar nga Thomas Matter dhe Partia Popullore Zvicerane, parashikon që popullsia e përhershme të mos kalojë 10 milionë banorë para vitit 2050. Nëse numri i banorëve kalon 9.5 milionë, autoritetet do të detyroheshin të ndërmarrin masa kufizuese, ndërsa në rast se arrihen 10 milionë banorë, Zvicra mund të detyrohet të rishikojë ose të ndërpresë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me BE-në.

Sondazhet më të fundit tregojnë se iniciativa aktualisht nuk gëzon shumicën e mbështetjes së votuesve, megjithëse debati për emigracionin, strehimin dhe rritjen e popullsisë mbetet një nga temat më të nxehta politike në vend.

Arrestohet në Aeroportin “Adem Jashari” shtetasja britanike e kërkuar për vjedhje

Një shtetase e Britanisë së Madhe është arrestuar në momentin e mbërritjes në Aeroporti Ndërkombëtar Adem Jashari, pasi rezultonte e kërkuar me urdhër-arrest aktiv nga autoritetet e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:40, gjatë kontrollit kufitar, kur është ndaluar shtetasja Valentina Trajanovska, me shtetësi britanike dhe prejardhje nga Maqedonia e Veriut.

Pas verifikimeve në sistemet zyrtare, është konstatuar se ndaj saj ekzistonte urdhër-arrest aktiv i lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan, në lidhje me një rast që lidhet me veprën penale të vjedhjes.

Sipas të njëjtave burime, me urdhër të gjyqtarit kompetent, e dyshuara është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Lipjan, deri në vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

Rasti po trajtohet nga organet kompetente, ndërsa personi i dyshuar prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës./Albinfo.ch

Nga punëtor i thjeshtë në Gjermani deri te titulli “Dachdeckermeister”, historia frymëzuese e Nderim Hajdari

Nderim Hajdari nga Kamenica ka ndarë historinë e tij frymëzuese të suksesit në Gjermani, duke treguar rrugëtimin plot sfida që e çoi deri te diplomimi me titullin “Dachdeckermeister”, një nga kualifikimet më të larta profesionale në fushën e kulmëve dhe ndërtimtarisë, transmeton albinfo.ch.

Ai ka bërë të ditur se në vitin 2018 u largua nga Kosova drejt Gjermania, pasi kishte përfunduar studimet për Juridik dhe praktikën njëvjeçare në gjykatë.

Megjithatë, jeta në Gjermani e detyroi të niste gjithçka nga fillimi. Fillimisht ai punoi si punëtor i thjeshtë, ndërsa me përkushtim dhe punë të vazhdueshme arriti të ndërtojë një rrugë të re profesionale.

Sot, Nderimi është diplomuar si “Dachdeckermeister”, sukses të cilin e konsideron realizim të një ëndrre dhe një motivim të madh për sfidat e ardhshme në jetën profesionale.

Në mesazhin e tij, ai falënderoi familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e mbështetën gjatë këtij rrugëtimi, duke theksuar se puna, këmbëngulja dhe besimi në vetvete mund të hapin rrugë të reja edhe larg vendlindjes.

Historia e tij po shihet si një shembull motivues për shumë të rinj shqiptarë në diasporë që përballen me sfida të reja në ndërtimin e jetës dhe karrierës së tyre jashtë vendit. /Albinfo.ch

Bora Morina diplomon me sukses në Itali, mes studentëve nga 80 vende të botës

Një tjetër histori frymëzuese suksesi vjen nga të rinjtë kosovarë që po shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare. Bora Morina ka diplomuar me rezultate të shkëlqyera në UWC Adriatic në Itali, një institucion i njohur globalisht për standardet e larta akademike dhe diversitetin kulturor, transmeton albinfo.ch.

Bora ishte pjesë e një gjenerate ndërkombëtare të përbërë nga rreth 80 nxënës, që përfaqësonin po aq shtete të ndryshme nga e gjithë bota. Diplomimi i saj konsiderohet një arritje e rëndësishme personale dhe një shembull motivues për të rinjtë nga Kosova që synojnë edukimin cilësor dhe konkurrencën ndërkombëtare.

Lajmi është bërë publik nga prindi i saj, Shkëlqim Morina, i cili përmes një mesazhi emocional ka shprehur krenarinë për suksesin e së bijës.

“Na bëre krenar familjen, qytetin dhe shtetin e Kosovës”, ka shkruar ai, duke vlerësuar përkushtimin dhe punën e Borës gjatë rrugëtimit të saj akademik.

UWC Adriatic njihet si një prej kolegjeve më prestigjioze në kuadër të rrjetit ndërkombëtar United World Colleges (UWC), që mbledh nxënës të talentuar nga vende të ndryshme dhe promovon edukimin, bashkëjetesën dhe lidershipin global.

Suksesi i Borës është dëshmi e potencialit që kanë të rinjtë kosovarë për të arritur rezultate të larta në institucione elitare ndërkombëtare dhe për ta përfaqësuar denjësisht Kosovën në botë. /Albinfo.ch

 

Bora Morina

Nestlé merr plotësisht kontrollin e yfood Labs në Gjermani

Gjiganti zviceran i ushqimit Nestlé ka rënë dakord të blejë plotësisht kompaninë me bazë në Mynih, yfood Labs, prodhuese e produkteve të lëngshme, pluhur dhe bare ushqimore. Nestlé tashmë kishte një pjesëmarrje prej 49% në këtë kompani që nga viti 2023.

Sipas njoftimit të bërë të mërkurën, detajet financiare të marrëveshjes nuk janë bërë publike për shkak të një klauzole konfidencialiteti. Megjithatë, kompania me seli në Vevey ka bërë të ditur se yfood Labs ka gjeneruar të ardhura prej 150 milionë eurosh (rreth 137.5 milionë franga zvicerane) vitin e kaluar.

Aksionet e themeluesve të kompanisë pritet të transferohen më 3 korrik, në varësi të miratimeve të zakonshme rregullatore.

Tragjedia me të vdekur në Shëngjin, reagon ud Presidentja e Kosovës

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës Albulena Haxhiu ka reaguar pas ngjarjes tragjike të ndodhur sot në bregdetin shqiptar, ku dy të rinj, shtetas të Republikës së Kosovës, humbën jetën, ndërsa tre të tjerë mbetën të lënduar.

Në reagimin e saj, ajo shpreh dhimbje të thellë për këtë ngjarje dhe konfirmon se të lënduarit, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, ndodhen ende në gjendje të rënduar.

Ajo thekson se institucionet e Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm dhe të ngushtë me autoritetet e Republikës së Shqipërisë, duke ofruar mbështetjen e nevojshme për menaxhimin e rastit.

Po ashtu, u.d. Presidentja u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe të afërmve të tyre, ndërsa të lënduarve u ka uruar forcë, rikuperim dhe shërim sa më të shpejtë.

Nga Morges në La Chaux-de-Fonds, “Ilirët” vazhdojnë të jenë ambasadorë të kulturës shqiptare në Zvicër

Shoqata Kulturore dhe Artistike “Ilirët” nga Lozana po vazhdon me sukses misionin e saj për ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në Zvicër, duke dëshmuar edhe një herë se tradita, gjuha dhe identiteti kombëtar mund të jetojnë fuqishëm edhe larg atdheut.

Gjatë javëve të fundit, “Ilirët” janë paraqitur me dinjitet në Grande Table 2026 në Morges dhe në Festën e 43-të të Majit në La Chaux-de-Fonds, ku vallet, këngët dhe muzika tradicionale shqiptare u pritën me duartrokitje dhe admirim nga publiku.

Në qendër të këtyre paraqitjeve qëndrojnë fëmijët dhe të rinjtë e shoqatës. Me kostumet kombëtare, talentin dhe përkushtimin e tyre, ata prezantojnë para publikut zviceran vlerat më të bukura të kulturës shqiptare. Çdo dalje në skenë është rezultat i orëve të shumta të provave, disiplinës dhe dashurisë për trashëgiminë kulturore.

Një mirënjohje e veçantë u takon prindërve, të cilët prej vitesh mbështesin aktivitetet e shoqatës dhe i sjellin fëmijët e tyre në prova, aktivitete dhe festivale. Falë këtij përkushtimi, brezat e rinj vazhdojnë të mësojnë gjuhën, këngën, vallen dhe historinë shqiptare, duke u bërë ambasadorët më të mirë të kulturës sonë në diasporë.

Rrugëtimi i “Ilirëve” vazhdon më 13 qershor 2026 në Festivalin e Muzikës në Moudon. Shoqata do të paraqitet në dy skena të festivalit, në orën 12:00 në La Grenette dhe në orën 16:00 në Place Mauricette Cachemaille, duke sjellë para publikut një program të pasur me këngë dhe valle tradicionale shqiptare.

Një moment i veçantë do të jetë pjesëmarrja e tyre në emisionin e njohur zviceran “Le Kiosque à Musiques”, së bashku me moderatorin dhe gazetarin e njohur zviceran Jean-Marc Richard. Kjo paraqitje përbën një mundësi të rëndësishme për ta prezantuar kulturën shqiptare para një audience edhe më të gjerë në Zvicër.

Nën drejtimin e kryetarit Ilir Bytyqi, Shoqata Kulturore dhe Artistike “Ilirët” vazhdon të mbetet një prej organizatave më të respektuara shqiptare në Zvicër. Përmes punës së palodhshme të drejtuesve, mësuesve, koreografëve, muzikantëve, prindërve dhe fëmijëve, ajo vazhdon të ndërtojë ura mes brezave dhe të ruajë gjallë identitetin shqiptar.

 

Sa herë që “Ilirët” ngjiten në skenë, ata nuk përfaqësojnë vetëm një shoqatë. Ata përfaqësojnë historinë, kulturën dhe krenarinë e një komuniteti të tërë shqiptar në Zvicër. Përmes tyre, flamuri kuqezi vazhdon të valojë me dinjitet dhe kultura shqiptare të flasë me gjuhën universale të artit.

Reforma e BE-së mund t’i kushtojë Zvicrës deri në 1 miliard franga në vit

Zvicra mund të përballet me një faturë shtesë prej rreth 1 miliard frangash në vit si pasojë e një reforme të re të Bashkimit Evropian që lidhet me përfitimet e papunësisë për punëtorët ndërkufitarë, të njohur si “frontaliers”.

Reforma, e dakorduar në Bruksel pas gati një dekade negociatash, parashikon që kompensimet e papunësisë për punëtorët ndërkufitarë të mos paguhen më nga vendi ku ata jetojnë, por nga vendi ku kanë punuar për herë të fundit. Kjo do të thotë se Zvicra do të duhet të mbulojë një pjesë shumë më të madhe të kostove për mijëra punëtorë që jetojnë në Francë, Itali, Gjermani ose Austri, por punojnë në territorin zviceran, transmeton albinfo.ch.

Sipas vlerësimeve të Sekretariatit Shtetëror për Ekonomi (SECO), kostot shtesë për Zvicrën mund të lëvizin mes 600 dhe 900 milionë frangash në vit, ndërsa disa parashikime flasin për një faturë që mund të arrijë deri në 1 miliard franga.

Aktualisht, sistemi është më i favorshëm për Zvicrën. Vitin e kaluar, Berna pagoi rreth 283 milionë franga si kompensim për shtetet fqinje, ndërsa kontributet që punëtorët ndërkufitarë paguajnë në fondin zviceran të papunësisë gjenerojnë rreth 600 milionë franga në vit. Kjo krijon një suficit prej afërsisht 300 milionë frangash për Zvicrën.

Kantonet kufitare si Gjeneva, Vaud dhe Ticino pritet të preken më së shumti, pasi aty punojnë numri më i madh i punëtorëve ndërkufitarë. Autoritetet lokale po përgatiten për presion shtesë mbi shërbimet e punësimit dhe administratën.

Megjithatë, reforma nuk do të hyjë automatikisht në fuqi për Zvicrën. Ajo duhet të miratohet nga institucionet e BE-së dhe më pas të pranohet zyrtarisht edhe nga Zvicra, pasi lidhet me marrëveshjen e lëvizjes së lirë të personave mes Bernës dhe Brukselit.

Granit Xhaka: “Dua të bëhem kampion bote”

Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, nuk e fsheh ambicien e tij të madhe para fillimit të Botërorit 2026.

Në një intervistë për Blick, mesfushori deklaroi qartë se ëndrra e tij është të fitojë Kupën e Botës me kombëtaren helvetike, transmeton albinfo.ch.

“Dua të bëhem kampion bote. Duhet të guxosh të ëndërrosh, sepse në futboll gjithçka është e mundur”, tha Xhaka, duke shtuar se në një turne të madh duhet të funksionojë gjithçka, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Ai u shpreh i bindur se Zvicra ka një grup shumë cilësor dhe të bashkuar për të synuar diçka të madhe.

Për 33-vjeçarin, ky do të jetë turneu i shtatë i madh me fanellën e Zvicrës. Pavarësisht përvojës së madhe, ai pranon se emocionet para një Botërori mbeten të veçanta. Sipas tij, nervozizmi është zëvendësuar nga adrenalina dhe entuziazmi për të nisur një tjetër aventurë ndërkombëtare.

Xhaka theksoi se forca kryesore e Zvicrës është grupi dhe fryma ekipore. Ai kujtoi paraqitjet e mira në Evropianin e fundit, duke vlerësuar unitetin e skuadrës dhe kushtet e mira që ndihmuan ekipin të arrinte rezultate pozitive. Kapiteni beson se edhe në SHBA, Kanada dhe Meksikë, kombëtarja do të tregojë të njëjtin karakter.

Mesfushori vjen në Botëror pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Sunderlandin, ku ishte një nga liderët e ekipit. Megjithatë, ai theksoi se çmimet individuale nuk kanë rëndësi të madhe për të dhe se fokusi kryesor mbetet gjithmonë suksesi i ekipit.

Edhe pse shumë e konsiderojnë këtë si Botërorin e fundit të tij, Xhaka nuk mendon ende për pensionimin. Ai deklaroi se vazhdon të ndihet i uritur për suksese dhe nuk e përjashton mundësinë që të luajë edhe në një Botëror tjetër pas katër vitesh.

Embolo ende nuk mund të udhëtojë drejt SHBA-së

Problemet e Breel Embolo me dokumentet e udhëtimit drejt Shteteve të Bashkuara vazhdojnë.

Sulmuesi i Zvicrës nuk ka mundur të fluturojë as të mërkurën për t’iu bashkuar kombëtares në kampin përgatitor për Botërorin 2026 dhe është detyruar të paraqitet personalisht në Ambasadën Amerikane në Bernë.

Sipas mediave zvicerane, autorizimi elektronik ESTA i Embolos, i cili fillimisht ishte miratuar, është vendosur papritur nën shqyrtim shtesë nga autoritetet amerikane. Për këtë arsye, sulmuesi nuk mundi të udhëtonte me pjesën tjetër të ekipit drejt Los Anxhelosit dhe San Diegos, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Raportimet sugjerojnë se shqyrtimi mund të lidhet me një çështje gjyqësore nga viti 2018 në Bazel, për të cilën një vendim gjyqësor u bë përfundimtar muaj më parë. Megjithatë, autoritetet amerikane nuk kanë dhënë shpjegime zyrtare për arsyet e verifikimit shtesë.

Federata Zvicerane e Futbollit mbetet optimiste dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet amerikane. Shpresa është që sulmuesi 29-vjeçar të marrë dritën jeshile për të udhëtuar sa më shpejt dhe t’i bashkohet ekipit para ndeshjeve të para të Botërorit.

Embolo konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm të Zvicrës dhe mungesa e tij do të ishte një goditje e madhe për helvetikët, të cilët nisin aventurën në Botërorin 2026 më 12 qershor.

Media italiane: Shqipëria në krye të destinacioneve turistike për vitin 2026

Shqipëria po forcon pozitat si një nga destinacionet turistike më të kërkuara në Evropë për vitin 2026. Sipas medias italiane “TgYou24”, vendi renditet ndër zgjedhjet kryesore të turistëve që kërkojnë përvoja autentike, natyrë të paprekur dhe pushime me kosto të arsyeshme, përcjell albinfo.ch.

Media italiane e cilëson Shqipërinë si “perlën e re të Mesdheut”, duke theksuar se kombinimi i plazheve spektakolare, trashëgimisë kulturore, mikpritjes tradicionale dhe çmimeve konkurruese po e bën vendin gjithnjë e më tërheqës për vizitorët ndërkombëtarë.

Në veçanti, Riviera Shqiptare po fiton famë të madhe falë ujërave të kristalta dhe peizazheve mbresëlënëse. Ndër destinacionet më të preferuara përmenden Ksamili, Saranda, Himara, Dhërmiu dhe Vlora, ndërsa interes në rritje po zgjojnë edhe Borshi, Qeparoi dhe Lukova.

Përtej bregdetit, turistët po zbulojnë gjithnjë e më shumë edhe pasuritë historike dhe kulturore të Shqipërisë. Tirana vlerësohet si një qendër dinamike urbane, ndërsa Berati dhe Gjirokastra vazhdojnë të tërheqin vizitorë me historinë dhe arkitekturën e tyre unike.

Po ashtu, Alpet Shqiptare, veçanërisht Thethi dhe Valbona, po shndërrohen në destinacione të preferuara për adhuruesit e natyrës dhe turizmit aventurier.

Sipas ekspertëve të turizmit, Shqipëria pritet të mbetet një nga destinacionet me rritjen më të shpejtë në Evropë, duke konkurruar gjithnjë e më shumë me vendet tradicionale turistike të Mesdheut dhe duke u pozicionuar si një nga pikat më të nxehta të turizmit ndërkombëtar për vitin 2026. /Albinfo.ch

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, viziton Kosovën

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të qëndrojë sot për një vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor, përcjell albinfo.ch.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Costa do të zhvillojë takime me udhëheqësit më të lartë institucionalë dhe përfaqësues të skenës politike. Sipas agjendës së paralajmëruar, ai do të takohet me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Vizita përfshin edhe takime me përfaqësues të partive politike, ndërsa temat kryesore të diskutimit pritet të jenë procesi i integrimit evropian të Kosovës, reformat demokratike, dialogu rajonal dhe perspektiva e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ndërmarrë masa të përkohshme për rregullimin dhe kontrollin e trafikut, me qëllim garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të aktiviteteve zyrtare të delegacionit evropian.

Vizita e Antonio Costas vjen në një periudhë të rëndësishme për raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, në kohën kur vendi synon avancimin e mëtejmë të agjendës së tij evropiane./Albinfo.ch

Pacientët me kancer në Kosovë më pak të mbrojtur se në vendet e rajonit

Pacientët me kancer në Kosovë përballen me mbrojtje më të dobët sociale dhe financiare krahasuar me shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, tregon një analizë krahasuese e sistemeve të mbështetjes në rajon, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa shtete si Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina e Shqipëria ofrojnë forma të ndryshme të kompensimit afatgjatë për personat që mungojnë në punë për shkak të sëmundjeve të rënda, në Kosovë pushimi mjekësor i paguar kufizohet në vetëm 20 ditë pune brenda vitit.

Analiza vlerëson se Kosova mbetet prapa vendeve fqinje në tri aspekte kryesore: kohëzgjatjen e pushimit mjekësor të paguar, mungesën e një skeme funksionale të sigurimit për sëmundjet afatgjata dhe mungesën e mekanizmave për rikthimin gradual në punë pas trajtimit.

Në shumë vende të rajonit, pas periudhës fillestare të mbuluar nga punëdhënësi, kompensimi financiar merret përsipër nga fondet shtetërore ose sistemet e sigurimeve shëndetësore. Në disa raste, si në Mal të Zi, pacientët me sëmundje malinje mund të përfitojnë deri në 100 për qind të pagës gjatë periudhës së trajtimit.

Në Kosovë, megjithatë, mungon një sistem i tillë mbështetës, duke lënë shumë pacientë përballë pasigurisë financiare pikërisht në periudhën kur kanë më së shumti nevojë për ndihmë.

Sipas analizës, reforma ligjore në Kosovë duhet të fokusohet në zgjerimin e mbështetjes financiare për pacientët me kancer, krijimin e një skeme të qëndrueshme të sigurimeve shoqërore dhe forcimin e mbrojtjes së tyre në vendin e punës.

Studimi është realizuar në kuadër të projektit “Human Rightivism”, i financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë dhe i zbatuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF)./Albinfo.ch

Ekonomia e Kosovës mbahet nga diaspora: 313 milionë euro remitanca në tre muaj

Ekonomia e Kosovës vazhdon të karakterizohet nga varësia e lartë ndaj importeve dhe remitancave nga diaspora. Të dhënat e publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) tregojnë se vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2026, importet kanë kaluar vlerën e 1.5 miliard eurove, ndërsa remitancat kanë arritur në mbi 313 milionë euro, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportit të BQK-së, deri në fund të marsit deficiti tregtar në mallra ka arritur në 1.27 miliard euro. Eksportet janë regjistruar në vlerën 233.7 milionë euro, ndërsa importet kanë kapur shifrën prej 1.51 miliard eurosh, duke thelluar hendekun tregtar të vendit.

Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e këtij deficiti vazhdon të zbutet falë remitancave të diasporës, të cilat shënuan rritje prej 7.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm deri në fund të marsit, bashkatdhetarët kanë dërguar 313.4 milionë euro në Kosovë.

Sipas vlerësimeve preliminare të BQK-së, remitancat kanë vazhduar të rriten edhe gjatë prillit, duke arritur në rreth 117.6 milionë euro për një muaj. Kjo e çon vlerën totale të remitancave për katër muajt e parë të vitit në mbi 431 milionë euro.

Raporti tregon se llogaria e shërbimeve ka vazhduar të ketë bilanc pozitiv, me një suficit prej 478.2 milionë eurosh, ndërsa investimet e huaja direkte kanë arritur në 215.5 milionë euro, ose 7.8 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pavarësisht rritjes së eksporteve dhe investimeve, shifrat konfirmojnë se ekonomia e Kosovës mbetet e mbështetur kryesisht në importet e mallrave dhe në kontributin financiar të diasporës, e cila vazhdon të luajë rol kyç në stabilitetin ekonomik të vendit./Albinfo.ch

Saktësi milimetrike: Ulja e helikopterit në Zvicër bëhet virale

Një video e një helikopteri të ndihmës së shpejtë në kantonin e St. Gallenit ka tërhequr vëmendje të madhe në rrjetet sociale, duke u bërë virale për shkak të një manovre mbresëlënëse gjatë uljes, transmeton albinfo.ch.

Pamjet tregojnë pilotët duke realizuar një ulje jashtëzakonisht precize në një hapësirë të kufizuar, me një saktësi që shumë përdorues e kanë përshkruar si “milimetrike”. Profesionalizmi dhe kontrolli i treguar gjatë manovrës kanë ngjallur admirim të madh tek publiku.

Videoja po shpërndahet gjerësisht në platforma të ndryshme sociale, ku komentuesit vlerësojnë aftësitë e pilotëve dhe standardet e larta të operacioneve të shpëtimit në Zvicër.

Pamja nga St. Galleni është cilësuar nga shumëkush si një shembull i shkëlqyer i precizitetit dhe përgatitjes profesionale, duke e bërë videon një nga më të shikuarat e orëve të fundit. /Albinfo.ch

https://www.instagram.com/reel/DZC8HXPnLrI/?igsh=MTVwa21sMHEyaHRteA==

Parlamenti Evropian voton sot raportin për Kosovën

Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian pritet të votojë të mërkurën raportin për Kosovën, një dokument i rëndësishëm që vlerëson zhvillimet politike, institucionale dhe rrugën evropiane të vendit, përcjell albinfo.ch.

Raporti, i përgatitur nga eurodeputeti Riho Terras, thekson se Kosova ka humbur një vit të rëndësishëm për shkak të bllokadës politike dhe vonesave në proceset reformuese. Sipas dokumentit, situata aktuale politike dhe procesi zgjedhor mund të ndikojnë edhe në muajt e ardhshëm, duke rrezikuar realizimin e reformave të nevojshme dhe përfitimin e plotë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Një nga pikat kryesore të raportit është mbështetja për aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, eurodeputetët u bëjnë thirrje vendeve anëtare të BE-së që të avancojnë procedurat përkatëse dhe të mbështesin më tej perspektivën evropiane të Kosovës.

Raporti mirëpret gjithashtu heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si të pajustifikuara dhe me ndikim negativ për qytetarët dhe zhvillimin e vendit.

Në dokument riafirmohet rëndësia e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si pjesë e procesit të integrimit evropian. Po ashtu, shprehet shqetësim për mungesën e progresit në ndjekjen penale të përgjegjësve për sulmin terrorist në Banjskë, duke kërkuar që autorët, përfshirë Milan Radoiçiqin, të përballen me drejtësinë.

Raporti konsiderohet si një mesazh i rëndësishëm politik nga institucionet evropiane, duke konfirmuar mbështetjen për rrugën integruese të Kosovës dhe duke nënvizuar nevojën për stabilitet politik dhe vazhdim të reformave në funksion të anëtarësimit në Bashkimin Evropian./Albinfo.ch

Shqiptari nga Kosova diplomon në Inxhinieri Hapësinore në Suedi me veshje kombëtare

Një tjetër histori suksesi shqiptare vjen nga Suedia, ku Aulon Nura, me rrënjë nga Kosova, ka përfunduar me sukses studimet master në Inxhinieri Hapësinore në KTH Royal Institute of Technology, një nga universitetet më të njohura teknike në Evropë, shkruan albinfo.ch.

Pas përfundimit të studimeve, ai është angazhuar profesionalisht në OHB Sweden, kompani suedeze e specializuar në industrinë e prodhimit të satelitëve dhe teknologjisë hapësinore. Atje, Auloni po aplikon njohuritë dhe përvojën e fituar gjatë viteve të studimeve në fushën e inxhinierisë së avancuar.

Gjatë ceremonisë së diplomimit, ai tërhoqi vëmendje edhe me një simbolikë të veçantë kulturore, duke u paraqitur me veshje kombëtare shqiptare. Ky gjest u pa si një mënyrë dinjitoze për të përfaqësuar identitetin dhe origjinën e tij shqiptare në një moment të rëndësishëm akademik.

Arritja e tij konsiderohet një sukses frymëzues për të rinjtë shqiptarë në diasporë, veçanërisht në fusha të avancuara si teknologjia hapësinore dhe inxhinieria moderne. /Albinfo.ch

 

Aulon Nura

Gjermania po humb gjithnjë e më shumë të rinj të arsimuar, Zvicra mbetet destinacioni kryesor

Gjermania po përballet me një rritje të emigrimit të qytetarëve të saj, veçanërisht të të rinjve të arsimuar, ndërsa gjithnjë e më shumë persona po zgjedhin të ndërtojnë jetën dhe karrierën jashtë vendit. Kështu shkruan mediumi zviceran RTS, duke iu referuar të dhënave të fundit për migrimin.

Sipas raportimit, gjatë vitit 2025 rreth 289 mijë shtetas gjermanë u larguan nga vendi, niveli më i lartë i regjistruar që nga viti 2016. Në bilancin neto, Gjermania humbi mbi 96 mijë qytetarë, një shifër që tejkalon popullsinë e disa qyteteve të mesme gjermane.

Mediumi zviceran thekson se pjesa më e madhe e atyre që po largohen janë të rinj dhe të kualifikuar. Afro dy të tretat e emigrantëve janë të moshës 25 deri në 40 vjeç, ndërsa tre në katër prej tyre kanë arsim të lartë. Kjo situatë po konsiderohet shqetësuese për ekonominë gjermane, e cila tashmë përballet me mungesë të fuqisë punëtore të specializuar, transmeton albinfo.ch.

Një studim i publikuar nga Fondacioni Konrad Adenauer në maj të vitit 2026 tregon se arsyet e largimit janë të ndryshme. Disa qytetarë shprehen të shqetësuar për emigracionin dhe sigurinë, ndërsa të tjerë përmendin rritjen e polarizimit politik dhe forcimin e partisë së ekstremit të djathtë AfD. Gjermanët me prejardhje migrante raportojnë gjithashtu ndjenja diskriminimi.

Destinacioni më i preferuar për gjermanët që largohen është Zvicra, e ndjekur nga Austria dhe Spanja. Shumë prej tyre vlerësojnë se në këto vende gjejnë cilësi më të lartë jetese dhe mundësi më të mira profesionale.

Tendenca pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme. Një sondazh i publikuar në mars 2026 tregon se një në pesë të rinj gjermanë po mendon të largohet përgjithmonë nga vendi.

Ekspertët paralajmërojnë se ky fenomen mund të thellojë sfidat demografike dhe ekonomike të Gjermanisë, e cila prej vitesh përballet me plakjen e popullsisë dhe mungesën e punëtorëve të kualifikuar.