Policia në Vaud paralajmëron masa ndaj veturave të zhurmshme

Policia në kantonin Vaud ka paralajmëruar se do të shtojë kontrollet rrugore gjatë pranverës për të luftuar fenomenin e makinave të zhurmshme dhe drejtimit të rrezikshëm. Autoritetet thonë se ky problem është në rritje dhe po shqetëson gjithnjë e më shumë banorët, sidomos në zonat urbane.

Sipas policisë, fokus i kontrolleve do të jenë automjetet e modifikuara dhe shoferët që krijojnë zhurmë të panevojshme, si përshpejtimet e forta apo përdorimi i sistemeve të shkarkimit të ndryshuara. Këto praktika janë të ndaluara në Zvicër dhe mund të ndëshkohen me gjoba të larta, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet theksojnë se zhurma nga trafiku nuk është vetëm shqetësim për qytetarët, por edhe problem shëndetësor, duke qenë se një numër i madh i popullsisë është i ekspozuar ndaj niveleve të larta të zhurmës.

Me këto masa, policia synon të rrisë sigurinë rrugore dhe të përmirësojë cilësinë e jetës në zonat e prekura, duke dërguar një mesazh të qartë kundër shkelësve.

Tragjedia në Kerzers vazhdon të tronditë opinionin publik

Ngjarja tragjike e zjarrit në një autobus në Kerzers vazhdon të dominojë diskursin publik në Zvicër, disa ditë pas incidentit që i mori jetën disa personave dhe la të tjerë të plagosur. Rasti ka shkaktuar reagime të forta nga qytetarët, institucionet dhe ekspertët e sigurisë.

Autoritetet kanë konfirmuar se hetimet janë ende në zhvillim, me fokus në përcaktimin e shkaqeve të zjarrit dhe nëse ka pasur ndonjë dështim teknik apo njerëzor. Ekspertët po analizojnë gjendjen e mjetit, sistemet e sigurisë dhe reagimin emergjent për të kuptuar nëse tragjedia mund të ishte parandaluar, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, rasti ka hapur një debat të gjerë për standardet e sigurisë në transportin publik në Zvicër. Janë ngritur pyetje për mirëmbajtjen e automjeteve, trajnimet e stafit dhe gatishmërinë për situata emergjente.

Kompania e transportit publik ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe ka paralajmëruar masa shtesë sigurie, përfshirë trajnime të reja për shoferët dhe kontrolle më të shpeshta teknike.

Autoritetet federale kanë theksuar se siguria e pasagjerëve mbetet prioritet absolut dhe nuk përjashtohet mundësia e ndryshimeve ligjore apo rregullative për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.

Autoritetet zvicerane garantojnë furnizim të qëndrueshëm me energji

Pavarësisht tensioneve të vazhdueshme gjeopolitike dhe krizave energjetike që kanë prekur një pjesë të madhe të Evropës, autoritetet zvicerane kanë siguruar se furnizimi me energji në vend mbetet stabil dhe i sigurt.

Sipas institucioneve përgjegjëse, Zvicra aktualisht nuk përballet me rrezik të menjëhershëm për mungesa të energjisë, transmeton albinfo.ch.

Një rol kyç në këtë stabilitet luajnë rezervat strategjike të energjisë, të cilat janë ndërtuar ndër vite për të përballuar situata emergjente. Përveç kësaj, vendi përfiton nga një miks i balancuar energjetik, ku hidrocentralet zënë një pjesë të konsiderueshme të prodhimit vendor.

Autoritetet theksojnë se menaxhimi efikas i burimeve, bashkëpunimi me vendet fqinje dhe diversifikimi i furnizimeve kanë ndihmuar në shmangien e krizave të mundshme. Megjithatë, ata paralajmërojnë se situata ndërkombëtare mbetet e paqëndrueshme dhe kërkon vigjilencë të vazhdueshme.

Qeveria u bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të vazhdojnë të përdorin energjinë në mënyrë të përgjegjshme, ndërsa paralelisht po investon në burime të ripërtëritshme dhe projekte afatgjata për të forcuar më tej sigurinë energjetike të vendit.

Nafta mbi 2 franga për litër në Zvicër, çmimet vazhdojnë të rriten

Çmimet e karburanteve në Zvicra kanë shënuar një rritje të fortë, duke goditur drejtpërdrejt shoferët dhe bizneset e transportit. Sipas të dhënave më të fundit nga TCS, çmimi mesatar i një litri diesel ka kaluar për herë të parë kufirin prej 2 frangash që nga shpërthimi i konfliktit me Iranin, përcjell albinfo.ch.

Aktualisht, një litër diesel kushton mesatarisht rreth 2.01 franga, nga më pak se 1.80 franga në fund të shkurtit. Kjo përfaqëson një rritje prej 21 centimësh, ose rreth 12 për qind. Rritje të ngjashme janë parë edhe më herët vetëm pas nisjes së Lufta në Ukrainë.

Çmimet ndryshojnë në varësi të rajonit. Në Cyrih, për shembull, një litër diesel në disa pika karburanti arrin deri në 2.13 franga, ndërsa në zona të tjera mbetet pak më i ulët.

Edhe benzina është shtrenjtuar. Një litër “Bleifrei 95” kushton mesatarisht 1.77 franga, krahasuar me 1.61 franga në fillim të shkurtit – një rritje prej rreth 10 për qind. Ndërsa “Bleifrei 98” ka arritur në rreth 1.88 franga për litër.

Sipas TCS, drejtuesit e automjeteve duhet të jenë të kujdesshëm edhe kur kërkojnë çmime më të lira. Organizata rekomandon të ndiqet e ashtuquajtura “rregulli i 5-shit”: devijimi për një pikë më të lirë nuk duhet të kalojë 5 kilometra dhe diferenca në çmim duhet të jetë të paktën 5 cent për litër. Përndryshe, kursimi mund të mos ia vlejë. /Albinfo.ch

Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, me njoftim të rëndësishëm

Ambasada e Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka dal me një njoftim të ri për qytetarët e Kosovës që ndodhen atje, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në Facebook, nga kjo Ambasadë ka thënë se në përputhje me legjislacionin dhe rregullat e brendshme në fuqi në vendi pritës, ndalohet rreptësisht fotografimi, incizimi apo shpërndarja e pamjeve dhe informacioneve nga vendet ku ndodhin incidente të lidhura me raketa apo dronë, si dhe publikimi i vendndodhjeve të këtyre incidenteve në rrjete sociale apo platforma të tjera.

“Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe zbatojnë masa të rrepta ligjore ndaj çdo shkeljeje, përfshirë:

*gjoba të larta financiare,

*dënime me burg,

*konfiskim të pajisjeve elektronike,

*si dhe deportim të shoqëruar me ndalim të rikthimit në vend”, thuhet në njoftim.

Ambasada u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të respektojnë me përpikëri ligjet dhe rregullat në fuqi dhe të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik në vendin ku jetojnë dhe veprojnë./Albinfo.ch

Tri vajzat e Kosovës shkëlqyen në Oscars

Kosova ishte e përfaqësuar në mënyrë mbresëlënëse në edicionin e fundit të Oscars, ku tri artistet shqiptare të famshme shkëlqyen në skenën më prestigjioze të filmit, transmeton albinfo.ch.

Luana Bajrami, pjesë e një filmi që mori vlerësimin e kritikëve, fitoi një çmim Oscars, duke vendosur emrin e saj dhe të Kosovës në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Ndërkohë, Dua Lipa dhe Rita Ora tërheqën sytë e publikut dhe mediave me pamjen dhe stilin e tyre të veçantë të veshjes, duke bërë që yjet e muzikës shqiptare të shkëlqejnë po ashtu në tapetin e kuq.

Ky moment i veçantë është një arritje e madhe për Kosovën, duke treguar talentin dhe ndikimin e artistëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare. /Albinfo.ch

“Dëgjova britmat e punëtorëve dhe pastaj sirenat”, si ndodhi aksidenti fatal në Vjenë

Një tragjedi e rëndë ka tronditur Vjenë të martën pasdite, ku katër punëtorë ndërtimi humbën jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë në një kantier ndërtimi në lagjen Alsergrund, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja ndodhi pak pas orës 14:00, në oborrin e një ndërtese banimi në rrugën Porzellangasse, në distriktin e 9-të. Sipas informacioneve, gjatë punimeve për betonimin në kuadër të zgjerimit të papafingos, një konstruksion u shemb papritur, duke rrëzuar të gjithë skelën bashkë me pesë punëtorët që ndodheshin mbi të, shkruan Kronen Zeitung.

Shembja fatale, punëtorët ranë nga lartësia dhe u mbuluan nga betoni

Sipas zjarrfikësve, struktura e sapo betonuar u rrëzua në mënyrë të menjëhershme, duke tërhequr me vete punëtorët drejt tokës. Tonelata betoni dhe materiale ndërtimi i zunë poshtë, duke i lënë të bllokuar nën rrënoja.

“Punëtorët që ndodheshin mbi këtë konstruksion të sapo betonuar ranë bashkë me skelën,” deklaroi zëdhënësi i zjarrfikësve, Martin Hofbauer.

Një banor i zonës, dëshmitar i ngjarjes, përshkroi momentet dramatike:
“Ishte një zhurmë shumë e fortë, pastaj dëgjova vetëm britmat e punëtorëve. Menjëherë pas kësaj u dëgjuan sirenat,” tha ai.

Operacion i vështirë shpëtimi mes rrënojave

Menjëherë pas shembjes, në vendngjarje mbërritën forca të shumta të emergjencës. Mbi 100 pjesëtarë të zjarrfikësve, policisë dhe ndihmës së shpejtë u angazhuan në një operacion të vështirë shpëtimi.

Terreni i rrezikshëm, me struktura të paqëndrueshme, pluhur dhe beton, e bëri ndërhyrjen shumë të vështirë. Në disa raste, ekipet e shpëtimit u detyruan të gërmonin edhe me duar për të arritur tek të bllokuarit.

Fillimisht pati shpresë për mbijetesë: një 45-vjeçar u nxor i gjallë pas rreth 90 minutash, por me lëndime të rënda në kokë, krahë dhe shtyllë kurrizore. Ai u dërgua menjëherë në spital në gjendje kritike.

Katër viktima dhe hetime në vazhdim

Fatkeqësisht, për katër punëtorët e tjerë çdo ndihmë erdhi vonë. Ata humbën jetën në vendngjarje, të mbuluar nga masat e betonit.

Ngjarjen e pa nga afër edhe një operator vinçi, i cili mbeti i bllokuar në kabinën e tij dhe u bë dëshmitar i gjithë tragjedisë nga lart.

Shkaqet e sakta të shembjes së konstruksionit ende nuk janë të qarta. Autoritetet kanë nisur hetimet, ndërsa policia dhe inspektorati i punës po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit. /Albinfo.ch

Detaje të reja tronditëse: Betoni i lëngshëm i zuri poshtë punëtorët

Detaje të reja dramatike kanë dalë në dritë nga aksidenti i rëndë në një kantier ndërtimi në lagjen Alsergrund në Vjenë, ku katër punëtorë humbën jetën pasi u mbuluan nga betoni dhe rrënojat, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve të Heute, ngjarja ndodhi të martën pasdite në rrugën Porzellangasse, gjatë punimeve të betonimit. Një pjesë e skelës dhe kallëpeve u shemb papritur, duke zënë poshtë disa punëtorë.

Katër prej tyre u gjetën pa shenja jete, ndërsa një tjetër u nxor i plagosur rëndë dhe po trajtohet në një spital në Vjenë.

Operacion i vështirë, betoni u hoq me duar

Zjarrfikësit kanë zbuluar se operacioni i shpëtimit ishte jashtëzakonisht i vështirë për shkak të hapësirës së ngushtë në oborr dhe rrezikut nga strukturat e paqëndrueshme.

Për të arritur tek të bllokuarit, ekipet u detyruan fillimisht të krijonin hyrje të reja duke hequr gardhe dhe dyer. Paralelisht, ata nisën largimin e pjesëve të shembura të skelës, hekurave dhe kallëpeve, duke përdorur edhe mjete si vinça dhe pajisje tërheqëse.

Sfida më e madhe ishte largimi i betonit ende të lëngshëm, i cili mund të hiqej vetëm me punë të mundimshme manuale.

Qentë e shpëtimit kërkuan në rrënoja

Gjatë operacionit, në vendngjarje u angazhuan edhe njësi speciale, përfshirë grupin për lokalizim me zë dhe njësinë e qenve të shpëtimit.

Fillimisht u nxorën dy punëtorë, por fatkeqësisht edhe për ta ndihma erdhi vonë. Për nxjerrjen e dy viktimave të tjera, ekipet u detyruan të largonin pjesë të bllokuara të rrënojave dhe betonit që po ngurtësohej.

Pas rreth dy orë e gjysmë operacion intensiv, u konfirmua se edhe dy personat e fundit të zhdukur kishin humbur jetën.

Hetimet në vazhdim

Për shkak të paqartësisë fillestare mbi numrin e punëtorëve në kantier, kërkimet vazhduan edhe pas përfundimit të operacionit, për të siguruar që nuk kishte persona të tjerë të bllokuar.

Rruga Porzellangasse u bllokua plotësisht për qarkullim, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit janë në zhvillim nga autoritetet në Vjenë.

Në operacion u angazhuan rreth 120 pjesëtarë të emergjencës dhe dhjetëra mjete, ndërsa ndërhyrja zgjati rreth tre orë. /Albinfo.ch

Ambasada e Kosovës në Austri konfirmon dy viktima nga Kosova në tragjedinë në Vjenë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka bërë të ditur se në aksidentin e rëndë të ndodhur sot në Vjenë, në një kantier ndërtimi në distriktin Alsergrund, kanë humbur jetën disa persona, transmeton albinfo.at.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur papritur, duke lënë disa punëtorë të bllokuar nën rrënoja.

Autoritetet austriake kanë konfirmuar se mes viktimave janë edhe dy shtetas të Republikës së Kosovës:

P. B (1990)

A, M (1977)

Ambasada ka shprehur dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi, transmeton tutje albinfo.ch.

Po ashtu, bëhet e ditur se përfaqësuesit diplomatikë janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe po ndjekin nga afër zhvillimet lidhur me rastin, ndërsa janë të angazhuar për të ofruar mbështetjen e nevojshme për familjarët e viktimave.

Ambasada ka theksuar se do të vazhdojë të informojë publikun për çdo zhvillim të ri në lidhje me këtë ngjarje tragjike. /Albinfo.ch

Mercedes mbyll magazinën e pjesëve rezervë në Cyrih, humbin 60 vende pune

Kriza në industrinë automobilistike po ndikon edhe në Zvicër. Prodhuesi gjerman i automjeteve, Mercedes-Benz, do të mbyllë qendrën e tij të logjistikës në Wetzikon, pranë Cyrihut, duke prekur 60 punonjës, njofton gazeta Zürcher Oberländer. Magazina prej 18,000 metrash katrorë do të mbyllet përgjithmonë në fund të janarit 2027, pas më shumë se 40 vjet funksionimi. Aktualisht aty ruhen rreth 100,000 pjesë automjetesh, ndërsa çdo vit shpërndahen rreth 1.8 milion pjesë për punishtet në të gjithë Zvicrën.

Vetëm dy vite më parë, Mercedes festonte fabrikën dhe planifikonte investime të mëtejshme me miliona euro në rajonin e Cyrihut. Tani, situata ndryshon drastikisht: magazina po mbyllet për shkak të masave të kursimit të kostove. Në vitin 2025, fitimet e Mercedes ranë me gati 50 për qind, ndërsa të ardhurat shënuan një rënie të ndjeshme. Faktorët e kësaj krize përfshijnë konkurrencë të fortë, probleme në Kinë dhe luhatje të valutave.

Si pasojë, Mercedes po ristrukturon rrjetin e saj logjistik në Europë. Lokacioni në Wetzikon bie viktimë e këtij konsolidimi. Në të ardhmen, punishtet zvicerane do të furnizohen nga Reutlingen në Gjermani. Për punonjësit, kjo është një goditje e rëndë. Vetëm disa prej tyre do të mund të mbahen brenda kompanisë, ndërsa për të tjerët parashikohet një plan social me paketa largimi dhe asistencë për kërkimin e punës.

E ardhmja e magazinës së madhe në Wetzikon mbetet e pasigurt; një shitje është një mundësi e mundshme.

Zvicra po përballet me mungesë të personelit në sektorin shëndetësor

Sistemi shëndetësor në Zvicër po përballet me një mungesë të konsiderueshme të personelit mjekësor, veçanërisht të infermierëve dhe stafit të kujdesit shëndetësor.

Spitalet dhe klinikat në disa kantone raportojnë vështirësi gjithnjë e më të mëdha në rekrutimin e punonjësve të rinj, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave nga Swiss Federal Office of Public Health, kërkesa për profesionistë të shëndetësisë po rritet vazhdimisht për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritjes së nevojave për kujdes mjekësor.

Shumë spitale në qytete të mëdha si Cyrih, Gjeneva dhe Bern kanë paralajmëruar se mungesa e stafit mund të ndikojë në kapacitetin e tyre për të ofruar shërbime shëndetësore në të ardhmen.

Ekspertët theksojnë se një nga arsyet kryesore të kësaj mungese është lodhja profesionale, oraret e gjata të punës dhe presioni i madh në sistemin shëndetësor. Për këtë arsye, autoritetet zvicerane po shqyrtojnë masa për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të tërhequr më shumë profesionistë në këtë sektor.

Zvicra përballet me mungesë të madhe banesash

Zvicra po përballet me një mungesë të konsiderueshme banesash, duke rritur presionin në tregun e qirave dhe duke vështirësuar gjetjen e apartamenteve në shumë qytete të vendit.

Sipas të dhënave të fundit nga Swiss Federal Statistical Office, norma e banesave të lira ka rënë në nivelet më të ulëta të viteve të fundit, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Në disa rajone, sidomos në qytetet e mëdha si Cyrih, Gjenevë dhe Bazel, gjetja e një apartamenti është bërë gjithnjë e më e vështirë.

Ekspertët thonë se një nga arsyet kryesore është rritja e popullsisë dhe migracioni, ndërsa ndërtimi i banesave të reja nuk po ecën me të njëjtin ritëm. Përveç kësaj, procedurat e gjata për lejet e ndërtimit dhe mungesa e tokës ndërtimore në zonat urbane po e ngadalësojnë zhvillimin e projekteve të reja.

Si pasojë e kësaj situate, çmimet e qirave dhe të pronave janë rritur ndjeshëm, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për familjet dhe të rinjtë që të gjejnë banesa të përballueshme.

Autoritetet dhe ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme paralajmërojnë se nëse nuk rritet ndërtimi i banesave të reja, kriza e strehimit mund të përkeqësohet në vitet e ardhshme.

 

 

Kurti e emëron zëvendësministër ish-kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemi

Ish-kryetari i Leposaviq, Lulzim Hetemi, është emëruar zëvendësministër në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, përcjell albinfo.ch.

Sipas një komunikate nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Hetemi ishte zgjedhur në krye të komunës së Leposaviqit në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit dhe kishte shërbyer në këtë detyrë deri në përfundim të mandatit.

Në njoftim bëhet e ditur se Albin Kurti ka marrë vendim për emërimin e tij në këtë pozitë qeveritare, duke e uruar për detyrën e re.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Lulzim Hetemi në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Kryeministri Kurti e uroi Hetemin për detyrën e re dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive të reja”, thuhet në njoftim zyrtar.

Two.jobs sjell inovacion në Social Media Recruiting në HR Festival Europe 2026

Në kuadër të Festivalit të Resurseve Njerëzore (HR Festival Europe 2026), një nga ngjarjet më të rëndësishme evropiane në fushën e burimeve njerëzore dhe inovacionit në tregun e punës, që do të mbahet më 24–25 mars 2026 në Zürich, platforma two.jobs do të prezantohet me një input-referat në Talent Management Stage, më 25 mars, nga ora 13:00–13:30, duke sjellë në fokus praktikat më bashkëkohore të rekrutimit digjital.

Në këtë kontekst, two.jobs është konsoliduar si një nga ofruesit kryesorë në fushën e Social Media Recruiting, duke zhvilluar metoda inovative që gjenerojnë shtrirje cilësore për vendet e lira të punës dhe arrijnë në mënyrë të synuar tek kandidatët pasivë, një segment me potencial të lartë në tregun e punës.

Prezantimi me titull “Më shumë dukshmëri dhe një përvojë optimale për kandidatët për rekrutime të suksesshme” trajton mënyrën se si ndërthuren strategjitë e dukshmërisë në rrjete sociale me optimizimin e përvojës së kandidatit, duke krijuar një proces rekrutimi më efikas dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete.

“Rekrutimi sot nuk ka të bëjë vetëm me publikimin e një vendi pune, por me krijimin e një përvoje të plotë për kandidatin. Vetëm duke kombinuar dukshmërinë e duhur me një ‘candidate journey’ të menduar mirë, mund të arrijmë tek talentet që realisht bëjnë diferencën,” thekson Kristian Oroshi, themelues i two.jobs.

Falë bashkëpunimeve strategjike me platforma si Google for Jobs, Join dhe platforma të tjera të punësimit, shpalljet e punës fitojnë dukshmëri të zgjeruar edhe për kandidatët aktivë, duke krijuar një qasje të integruar dhe gjithëpërfshirëse në tregun e punës.

Ky prezantim synon të ofrojë qasje praktike për ndërtimin e një procesi të qëndrueshëm rekrutimi – nga kontakti i parë deri te aplikimi i suksesshëm, duke e kthyer rekrutimin në një proces strategjik dhe të orientuar drejt rezultateve.

Në linkun në vazhdim mund të gjeni informacione plotësuese rreth festivalit dhe biletave: Mehr Sichtbarkeit & eine optimale Kandidatenreise für erfolgreiche Besetzungen – HR Festival europe

Ngjarja pritet të tërheqë interes të veçantë nga profesionistët e burimeve njerëzore dhe menaxhimit të talenteve në nivel evropian.

Për albinfo.ch Luljeta Ademi

 

Komedia “Ne dhe Ata” prezantohet për publikun shqiptar në Winterthur dhe Bern

Më 28 dhe 29 mars 2026 do të shfaqet comedy show “Ne dhe Ata”, me skenar dhe regji nga Ben Apolloni dhe interpretim nga Dan Morina, i shoqëruar nga Flutur Bytyqi (piano) dhe Bexhet Sallai (kitarë).

Shfaqjet do të mbahen më 28 mars në Winterthur (ora 19:00) dhe më 29 mars në Bern, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës (ora 15:00).

Hyrja është e lirë.

 

Greva të reja në transportin publik në Gjermani

Sindikata gjermane ver.di ka bërë sërish thirrje për greva paralajmëruese në transportin publik në Gjermani, të cilat pritet të zhvillohen të enjten, më 19 mars.

Sipas njoftimeve, greva do të prekë disa lande, përfshirë Bavaria, Saarland, Brandenburg, North Rhine-Westphalia dhe Hamburg. Ndërkohë, në Hesse dhe Bremen vendimi për pjesëmarrje në grevë pritet të merret gjatë ditëve në vijim.

Po ashtu, në shumë qytete të landit North Rhine-Westphalia janë paralajmëruar greva në transportin publik edhe për ditën e martë, më 17 mars, duke shkaktuar ndërprerje dhe vonesa në shërbimet e autobusëve dhe tramvajëve, përcjell albinfo.ch. 

Me këto veprime sindikale, ver.di synon të ushtrojë presion për përmirësimin e kushteve të punës dhe pagave për punonjësit e transportit publik. Negociatat e zhvilluara deri më tani mes sindikatës dhe punëdhënësve kanë përfunduar pa rezultate konkrete. /Albinfo.ch

Greva paralajmëruese në Berlin: Pezullohen të gjitha fluturimet në Aeroportin BER

Të gjitha fluturimet e pasagjerëve në Berlin Brandenburg Airport (BER) do të pezullohen të mërkurën për shkak të një greve paralajmëruese të punonjësve të aeroportit, transmeton albinfo.ch.

Sipas Autoritetit të Aeroportit Berlin-Brandenburg, rreth 445 nisje dhe mbërritje do të anulohen, duke prekur afërsisht 57 mijë pasagjerë që kishin planifikuar të udhëtonin nga ose drejt kryeqytetit gjerman.

Greva vjen pas thirrjes së bërë nga sindikata ver.di, e cila u ka kërkuar punonjësve të aeroportit të marrin pjesë në një grevë paralajmëruese njëditore në kuadër të mosmarrëveshjeve me punëdhënësit lidhur me pagat dhe kushtet e punës.

Sindikata ka akuzuar operatorin e aeroportit për pengim të procesit negociues dhe ka refuzuar ofertën e fundit të paraqitur nga punëdhënësit.

Sipas ver.di, gjatë raundit të dytë të negociatave është propozuar një rritje pagash në disa faza, me një kontratë që do të ishte e vlefshme deri në fund të vitit 2028. Megjithatë, plani parashikon që nuk do të ketë rritje pagash deri në qershor, ndërsa më pas do të aplikohej një rritje prej 1 për qind nga korriku 2026, 1.5 për qind nga korriku 2027 dhe 1 për qind nga maji 2028.

Si pasojë e kësaj greve, pasagjerët këshillohen të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre dhe të kontaktojnë kompanitë ajrore për informacione të mëtejshme mbi udhëtimet e planifikuara. /Albinfo.ch

Trump paralajmëron NATO-n për Ngushticën e Hormuzit

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar NATO-n se do të përballet me një të ardhme “të vështirë” nëse aleatët nuk kontribuojnë në sigurimin e hapjes së Ngushticës së Hormuzit.

Ai i tha Financial Times se vendet që përfitojnë nga ky korridor detar duhet të ndihmojnë në mbrojtjen e tij.

“Është plotësisht e arsyeshme që ata që përfitojnë nga Ngushtica të ndihmojnë për të siguruar që të mos ndodhë asgjë e keqe atje,” deklaroi Trump.

Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e zgjerimit të misionit të saj detar ‘Aspides’, i cili mbron transportin në Detin e Kuq, për ta shtrirë deri në Gjirin Persik. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se po diskutohet gjithashtu krijimi i një koalicioni ndërkombëtar për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve.

Edhe Kryeministri britanik Keir Starmer ka theksuar nevojën për një plan partnerësh, jo vetëm të NATO-s, për rihapjen e Ngushticës dhe mbrojtjen e furnizimeve globale. Ai po punon me partnerë nga Evropa, Gjiri Persik dhe SHBA-ja.
Ndërkaq, Japonia dhe Australia nuk planifikojnë të dërgojnë anije për shoqërimin e transportit në këtë rrugë kyçe detare, e cila transporton rreth 20% të naftës së përdorur globalisht.

Pacientët zviceranë shpesh zgjedhin spital jashtë kantonit për operacione të rëndësishme

Pacientët zviceranë shpesh zgjedhin të trajtohen jashtë kantonit të tyre, duke treguar se kriteri i aksesueshmërisë nuk është gjithmonë vendimtar. Sipas një analize të Universitetit të St. Gallen, 25–50% e popullsisë në disa rajone kërkon trajtim në një kanton tjetër, veçanërisht për operacione të planifikuara si zëvendësimi i gjurit.

Ekspertët vënë në dukje se shumë pacientë zgjedhin spitalin bazuar në përvojat e të tjerëve ose rekomandime të mjekut, sepse informacioni i qartë mbi cilësinë e spitalit është i vështirë për t’u gjetur dhe interpretuar. Kriteret e cilësisë përfshijnë numrin e operacioneve të kryera, normat e infeksionit dhe kënaqësinë e pacientëve.

Kantonet përballen me sfidën e balancimit të aksesueshmërisë, cilësisë dhe qëndrueshmërisë ekonomike të spitaleve. Ndërkohë, pacientët dhe krahasimet e cilësisë po ndikojnë në një proces koncentrimi, ku më shumë njerëz zgjedhin më pak spitale, duke rritur konkurrencën dhe rëndësinë e performancës së matshme.

Pajisja e re zvicerane mund të parashikojë lindjet e parakohshme

Një studiuese zvicerane po zhvillon një pajisje matëse që mund të ndihmojë në parashikimin e lindjeve të parakohshme, duke u dhënë mjekëve mundësinë të ndërhyjnë më herët dhe të shmangin komplikimet për foshnjat.

Çdo vit në botë rreth 15 milionë foshnja lindin para kohe. Në Zvicër, rreth 6–7% e lindjeve ndodhin para javës së 37-të të shtatzënisë, gjë që shpesh sjell vështirësi serioze për foshnjat dhe familjet e tyre, pasi organet e tyre nuk janë plotësisht të zhvilluara. Foshnjat e lindura para kohe mund të përballen me probleme të frymëmarrjes ose hemorragji cerebrale, transmeton albinfo.ch.

Biomekanistja Sabrina Badir ka zhvilluar një pajisje që mat ngurtësinë e qafës së mitrës, e cila konsiderohet një tregues i rrezikut për lindje të parakohshme. Studimet kanë treguar se gratë me një qafë mitre më fleksibile kanë më shumë gjasa të lindin para kohe.

Deri më tani, kjo karakteristikë vlerësohej vetëm me palpim, ndërsa pajisja e re synon ta masë në mënyrë të standardizuar dhe më të saktë. Ajo është zhvilluar gjatë doktoraturës së Badir në ETH Zurich dhe më pas është themeluar startup-i Pregnolia për ta çuar projektin drejt përdorimit klinik.

Aktualisht pajisja përdoret në studime, kryesisht gjatë pranimit të pacienteve në spital për të dalluar kontraksionet e rreme nga ato që paralajmërojnë lindjen. Synimi i studiueses është që në të ardhmen ajo të përdoret që në javët e hershme të shtatzënisë, duke identifikuar rrezikun që nga java e 20-të.

Startup-i ka siguruar deri tani 15 milionë franga investime, përfshirë 2 milionë euro nga Bashkimi Evropian. Studiuesit shpresojnë se kjo teknologji do të ndihmojë në kuptimin më të mirë të shkaqeve të lindjeve të parakohshme dhe në zhvillimin e trajtimeve më efektive për t’i parandaluar ato.

Aeroplani zviceran u godit nga rrufeja dhe u detyrua të devijonte fluturimin

Fluturimi i aeroplanit zviceran Swiss LX8 nga Çikago për në Cyrih u devijua për në Detroit të dielën për shkak të stuhive të forta.

Avioni u godit gjithashtu nga rrufeja gjatë fluturimit, siç konfirmoi Swiss. Pasagjerët u akomoduan gjatë natës dhe për ta u rirezervuan  fluturime alternative të nesërmen, transmeton albinfo.ch.

“Ne po fluturonim rreth Çikagos kur papritmas piloti njoftoi se duhej të devijonim drejtimin,” tha një pasagjer për Blue News. Ekuipazhi shpjegoi se një ulje nuk ishte e mundur për shkak të kushteve të motit. “Pastaj, papritmas, rrufeja goditi avionin,” vazhdoi lexuesi.

Siç konfirmoi Swiss për portalin zviceran, devijimi ishte një pasojë e drejtpërdrejtë e stuhive të forta mbi Çikago. Operacionet e fluturimit në aeroport duhej të kufizoheshin përkohësisht.

Në atë kohë, fluturimi LX8 ishte tashmë pranë aeroportit dhe fillimisht priste në një model pritjeje për një ulje të mundshme. “Megjithatë, kur situata nuk u përmirësua, ekuipazhi vendosi të devijonte në aeroportin alternativ”, deklaroi Swiss. Për më tepër, avioni u godit nga rrufeja gjatë fluturimit, siç konfirmoi Swiss.

Megjithatë, pasagjerët nuk kanë arsye për t’u shqetësuar lidhur me ngjarjen, siguron Swiss. Incidente të tilla ndodhin herë pas here në aviacion dhe konsiderohen të padëmshme.

Eljesa Bajra nga bëhet Nënkampione e Gjermanisë në xhudo, U-21

Eljesa Bajra nga Shkolla e Xhudos Weil-Haltingen ka festuar një tjetër sukses në nivel kombëtar. Në Kampionatin Individual Gjerman U-21 në Potsdam, xhudistja 18-vjeçare fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë e peshës mbi 78 kg.

Gjithsej 14 pjesëmarrës garuan në kategorinë kryesore, transmeton albinfo.ch. Me fitoret kundër Serafina Lange (Sportfreunde Kladow) dhe Erin Drzysga (Sport-Union Annen), Bajra arriti në gjysmëfinale. Atje, ajo mundi Malin Nieweiler (FC Stella Bevergern), nga e cila kishte humbur në Kampionatin Gjerman vitin e kaluar, dhe avancoi në finale, shkuan bz.de.

Në luftën për titull, ajo u mund nga Peppa Plöhnert (SV Halle), e cila është një vit më e madhe, dhe u bë zëvendëskampione e Gjermanisë.

Për talenten e xhudos nga Weil-Haltingen, e cila është stërvitur në qendrën e performancës së Budo Club Karlsruhe për katër vjet për zhvillim optimal, kjo ishte medalja e saj e tretë radhazi në Kampionatin Gjerman. Në vitin 2024 në kategorinë U18 dhe përsëri në vitin 2025, kur debutoi në kategorinë U21, Bajra kishte zënë vendin e tretë dhe kishte siguruar medaljen e bronztë.