Lajme

Marrëveshjet të interpretohen në Venedik, kërkojnë analistët

Në Prishtinë, analistët më shumë po e preferojnë interpretimin e Marrëveshjes nga Komisioni i Venedikut se sa nga Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës  

Kriza parlamentare që ka përfshirë Kosovën dy muajt e fundit, kanë ngjallur kërkesat e analistëve në Prishtinë, që çështjen e Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ta çojnë për interpretim në Komisionin e Venedikut. Sipas analistëve, ky komision është i pavarur dhe kredibil.

Madje në Prishtinë më shumë preferohet interpretim tek Komisioni i Venedikut se sa në  Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas tyre, opozita ka krijuar tashmë bindjen se Gjykata Kushtetuese nuk është e paanshme dhe është e ndikuar nga partitë në pushtet.

Publicisti Belul Beqaj thotë se Gjykata Kushtetuese vetëm sa mund ta thellojë problemin, pasi që pritjet janë që ajo të nxjerr një vendim i cili do të shihej në favor të pozitës. “Komisioni i Venedikut do të ishte një zgjedhje që do ta amortizonte kërkesën e opozitës dhe ndoshta do të linte një hapësirë që të krijohej përshtypja e neutralitetit dhe objektivitetit”, thotë ai për REL.

“E them sërish, që kjo pak a shumë do ta amortizonte një pakënaqësi të akumuluar të opozitës për faktin se është një trup i jashtëm dhe, siç ndodhë tek ne shqiptarët e Kosovës, më tepër u besojmë atyre që vijnë nga jashtë sesa atyre që i kemi brenda”, ka thënë Beqaj.

Nëse problemi i marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin do të zgjidhej vetëm për kah ana e interpretimit kushtetues, atëherë Gjykata Kushtetuese apo Komisioni i Venedikut do të ishin adresat e qëlluara, thotë analisti Imer Mushkolaj.

Por, sipas tij, aktualisht qëndron edhe një problem me opozitën, pasi që ajo në vend të interpretimit kushtetues të marrëveshjes, është lëshuar në kërkesa maksimaliste dhe të palëkundura politike për anulimin e këtyre marrëveshjeve.

“Opozita do të duhej ta zbus kërkesën e saj në kuptimin që të pranojë se çfarëdo vendimi që vjen nga Gjykata Kushtetuese respektivisht nga Komisioni i Venedikut të jetë i mjaftueshëm që ata të vazhdojnë betejën politike në Kuvend. Mirëpo thjeshtë të mos provojnë që të bllokojnë Kuvendin siç janë duke e bllokuar duke bërë kërkesa ekstreme për tërheqjen e nënshkrimeve”, ka thënë Mushkolaj.

Komisioni Evropian për Demokraci nëpërmjet Ligjit – i njohur si Komisioni i Venecias apo Venedikut, është trup këshillëdhënës i Këshillit të Evropës për çështje kushtetuese.

Roli i këtij Komisioni është që të ofrojë këshilla ligjore për shtetet anëtare, në veçanti, për të ndihmuar shtetet që të harmonizojnë infrastrukturën ligjore me standardet evropiane dhe përvojat ndërkombëtare në fushën e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundim të ligjit.

Ndryshe, në Kosovës kriza është thelluarpasi opozita ka kundërshtuar dy marrëveshjet e fundit të kryeministri Isa Mustafa me Serbinë për Asociacionin e Komunave serbe dhe për demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Opozita e cila ka penguar zhvillimin e  seancave plenare në Kuvend, duke përdorur edhe gazin lotsjellës, po kërkon që Qeveria t’i tërheq nënshkrimet dhe të normalizohen raportet.

Në Qeveri këtë çështje e konsiderojnë të pamundur dhe kërkojnë nga opozita që të “normalizohet”

Ndërkaq, derisa për njërën marrëveshje po kërkohet interpretim kushtetueses, për marrëveshjen e kufirit po kërkohet një komision arbitrazhi, që ndanë kufirin kosovaro-malazez. Mirëpo, as për këtë çështje qeveri nuk po lëshon pe, duke e konsideruar punë të kryer. Sipas opozitës me të dy marrëveshjet Kosova copëtohet edhe politikisht e e etnikisht edhe territorialisht.