Lajme
Arrestimi i Kurtit “luhatë” sigurinë në Kosovë
Vazhdon të mbetet e paqartë nëse kishte fletarrest për deputetin Kurtin apo Policia veproi “krye ne veti”. Lidhur me këtë çështje janë dhënë deklarata kontradiktore
Protestat e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosjes dhe vetë arrestimi i liderit “shpirtëror” të tyre, Albin Kurti ka ngjallë reagime të ashpra në Kosovë. Derisa ka zyrtarë dhe institucione që e kanë konsideruar gabim, arrestimin e deputetit Kurti, janë të gjithë që kundërshtuan protestat e dhunshme që lanë pas një kaos të vërtetë në Prishtinë.
Megjithatë vazhdon të mbetet e paqartë nëse kishte fletarrest për Kurtin apo Policia veproi “krye ne veti”. Lidhur me këtë çështje janë dhënë deklarata kontradiktore nga Policia e Kosovës, Këshilli i Drejtave të Njeriut, Prokuroria e Shtetit dhe i vetë personazhi i ngjarjes, i arrestuari Albin Kurti.
Në mëngjes, ishte Departamenti për Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, i cili njoftoi fillimin e hetimet kundër deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale: Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, nga neni 365 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Përdorimi i armës, nga neni 375 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kontradikta për arrestimin e Kurtit
Në kuadër të këtij hetimi ka qenë i planifikuar edhe intervistimi i deputetëve të dyshuar, për të cilën arsye sipas urdhrit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrëmë është ndaluar deputeti Albin Kurti.
“Deputeti Kurti është intervistuar në polici në prezencë të avokatit mbrojtës dhe menjëherë pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar dhe prokuroria do ta njoftoj opinionin me kohë për rrjedhën hetimore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Mirëpo vetë Kurti pas lirimit, tha se as nuk është intervistuar nga askush dhe se në Polici nuk kishte pasur prokurorë. Madje sa i përket avokatit nuk do ta pranonte një gjë të tillë, duke mos e ndjerë vetëm fajtor. Kurtri akuzohet se i ka vënë fitilin gazit lotsjellës brenda Kuvendit të Kosovës në seancën fundit plenare.
Në anën tjetër, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KLMDNJ), përmes një komunikatë për media ka thënë se “ka siguruar informatën se në momentin e arrestimit të Albin Kurtit nuk ka pasur fletarrest të shkruar por vetëm fletarrest verbal”.
Kurti nuk kishte fletarrest
“KMDLNj kërkon përgjegjësi për të gjithë ata që kanë kontribuar në përshkallëzimin e situatës qoftë duke tejkaluar autorizimet zyrtare (gjatë arrestimit), qoftë atyre protestuesve që kanë gjuajtur gurë dhe gjësende të forta në drejtim të policisë”, thuhet në një komunikatë për media.
Në komunikatë thuhet se ”KMDLNj kërkon nga udhëheqësit e pozitës dhe opozitës të kontribuojnë në qetësimin e situatës përmes një dialogu politik sepse problemi i natyrës politike nuk mund të zgjidhet me mjete të dhunshme.
Ndërsa Shpend Maxhuni, drejtori i Policisë së Kosovës, në një konference për media publikoi fletëthirrjen e lëshuar nga Prokuroria e Shtetit, për deputetin Albin Kurtin dhe deputeten Albulena Haxhiu. Ai tha se kanë thirrur familjarët e tyre, të cilët kanë refuzuar këtë thirrje.
Kurse prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Besim Kelmendi, ka thënë se mbajtja në intervistim dhe lirimi i Kurtit nuk është ndikuar aspak nga asnjë presion i mundshëm. “Pretendimet e kujtdo qofshin për presionet apo ndikimet e kujtdo qofshin ju garantoj që janë plotësisht të pabazuara dhe është vendosur vetëm në bazë të shkresave të lëndës dhe në bazë të dëshmive që janë në ato shkresa”, ka potencuar Kelmendi.
Gjermania kundër përdorimit të dhunës
Ndërkaq, i dërguari i posaçëm i kancelares gjermane Angela Merkel për Ballkanin Perëndimor dhe ish ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Ernst Reichel tha se opozita duhet të ndalë dhunën dhe të pranojë se në demokraci vendosë shumica. Ai theksoi se nuk mund të ketë zgjedhje të reja në Kosovë vetëm pse këtë e kërkojnë partitë opozitare.
Sipas njoftime paraprake, bilanci i dëmeve materiale nga protesta e djeshme kalon mbi 30 mijë euro vetëm demi në djegien e tri veturave. Veturat që u bënë shkrumb e hi i takonin zyrës së verifikimit gjyqësor të Kosovës dhe prokurorit disiplinor. Këtu te objekti që iu bënë vend Prokurorisë së Shtetit dhe Komisionit qendror të Zgjedhjeve u dogjën edhe dy makina të këtij të fundit.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka thënë se të gjitha mosmarrëveshjet ose pakënaqësitë duhet të zgjidhen brenda institucioneve të Kosovës e jo në rrugë.
“U bëj thirrje deputetëve të Kuvendit që këtë debat dhe të gjitha këto pakënaqësi duhet ta kthejnë Kuvend dhe jo që ta thellojnë edhe më shumë krizën në vend”, ka thënë presidentja në një intervistë në RTK. Sipas Jahjagës veprimet e fundit kanë lënduar konsensusin demokratik për të cilin është investuar gjithë këto vite.
Jahjaga nuk përzihet në proces
“Kriza nuk duhet lejuar që të thellohet edhe më tutje”, ka thënë Jahjaga, sipas të cilës, subjektet politike duhet të sigurojnë funksionimin e institucioneve të vendit e jo që ta zvarrisin atë. Ajo ka lënë të kuptohet se nuk do të ndërhyjë në këtë çështje pasi që sipas saj nuk janë shterur të gjitha mundësitë për të dalë nga kjo gjendje.
Lidhur me protestat e fundit të opozitës, reagoi Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK),e cila thotë se ngjarjet e fundit po rrezikojnë rendin kushtetuese, funksionimin e institucioneve, pronën dhe jetën e qytetarëve.
“E përballur me mungesë të mbështetjes qytetare, Vetëvendosje dhe aleatët e saj po përdorin dhunën si mjet për të ardhur në pushtet. Opozita po përdor dhunë kundër institucioneve të Kuvendit, Qeverisë, Policisë, Gjykatave, Prokurorisë, kundër familjeve dhe kundër të gjithë atyre që nuk mendojnë me logjikën e dhunës si mjet për të ardhur në pushtet. Për LDK-në si parti me traditë institucionaliste është i papranueshëm përdorimi i dhunës ndaj qytetarëve dhe pronave të tyre”, thuhet në reagim.
Pushteti nuk mund të merret me dhunë
Përkitazi me situatën, ka reaguar edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi. Nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook ai ka thënë se opozita me dhunë po mundohet t’i realizojë synimet e veta politike. Sipas Thaçit, lidershipi i opozitës duhet të kuptojë se pushteti fitohet vetëm me votë e assesi me dhunë.
“Mungesa e besimit të qytetarëve nuk kompensohet me ekstremizëm politik. Institucionet legjitime të Republikës do të vazhdojnë punën e tyre, pavarësisht zhurmës dhe akteve të dhunës nga pakica opozitare”, ka shkruar Thaçi.
Ndryshe, arrestimi i djeshëm i Albin Kurtit dhe protestat kundër arrestimit të tij, lanë pas 14 policë dhe një qytetarë të lënduar, disa vetura të djegura dhe shumë tollovi nëpër qendrën e kryeqytetit.
E-Diaspora
-
Gastroenterologu Dr. Mentor Bilali – një nga mjekët më të kërkuar nga shqiptarët e Zvicrës Për shqiptarët, Dr. Bilali me ordinancën e tij MagenDarm Zentrum Oberaargau ka edhe një peshë të... -
Nxënësit shqiptarë në Parma festojnë Pavarësinë e Shqipërisë -
Paris
Paris: Inaugurohet Qendra Kulturore e Shqiptarëve -
Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur -
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora
Jeta në Austri
-
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë... -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”











