Lajme
Ndërrimi i rregullt i sigurimit shëndetësor mund të kursejë qindra franga në Zvicër
Sipas një analize të publikuar nga Axa, personat që ndërrojnë për herë të parë kompaninë e sigurimit bazë shëndetësor kursejnë mesatarisht 563 franga në vit
Qëndrimi për shumë vite te e njëjta kompani e sigurimit bazë shëndetësor mund t’u kushtojë më shtrenjtë banorëve të Zvicrës. Një analizë e re tregon se ndërrimi i rregullt i siguruesit mund të sjellë kursime prej qindra frangash në vit.
Sipas një analize të publikuar nga Axa, personat që ndërrojnë për herë të parë kompaninë e sigurimit bazë shëndetësor kursejnë mesatarisht 563 franga në vit, transmeton albinfo.ch.
Por potenciali për kursim nuk përfundon me ndërrimin e parë. Në rast të një ndryshimi tjetër të siguruesit, kursimi mesatar llogaritet në 383 franga në vit. Kjo tregon se krahasimi i rregullt i ofertave mund të vazhdojë të sjellë përfitime financiare edhe për personat që e kanë ndërruar më parë siguruesin.
Deri në 697 franga kursim në Gjenevë
Potenciali për kursim ndryshon ndjeshëm nga një kanton në tjetrin dhe është veçanërisht i lartë në rajonet ku primet e sigurimit shëndetësor janë më të shtrenjta.
Në Gjenevë, personat që ndërrojnë për herë të parë siguruesin mund të kursejnë mesatarisht 697 franga në vit. Në Ticino, kursimi arrin në 633 franga, ndërsa në kantonin Vaud në 594 franga.
Potencial i konsiderueshëm ekziston edhe në Cyrih, me rreth 588 franga kursim në vit, dhe në Basel-Stadt, me 554 franga.
Të rinjtë 26–30 vjeç përfitojnë më shumë
Analiza evidenton dallime edhe sipas grupmoshave. Përfitimin më të madh nga ndërrimi i siguruesit e kanë personat ndërmjet 26 dhe 30 vjeç, të cilët mund të kursejnë mesatarisht 451 franga në vit.
Për grupmoshën 19–25 vjeç, kursimi mesatar është 436 franga. Personat mbi 51 vjeç mund të kursejnë mesatarisht 417 franga, ndërsa për fëmijët dhe të rinjtë deri në 18 vjeç potenciali mesatar është rreth 235 franga në vit.
Krahasimi i primeve rekomandohet çdo vit
Axa rekomandon që të siguruarit ta bëjnë krahasimin e primeve çdo vit, në vend që të qëndrojnë automatikisht te i njëjti sigurues.
Gjatë krahasimit nuk duhet të merret parasysh vetëm kompania e sigurimit. Kursime të tjera mund të realizohen duke shqyrtuar modele alternative, si mjeku i familjes, telemjekësia apo HMO, si dhe duke zgjedhur një nivel tjetër të franshizës, në varësi të nevojave individuale.
Analiza është publikuar vetëm pak para shpalljes së primeve të reja të sigurimit shëndetësor për vitin 2027, ndërsa Axa pret një tjetër rritje të konsiderueshme të tyre.
Si është realizuar analiza?
Për studimin janë analizuar ndryshimet e sigurimit bazë të kryera gjatë katër viteve të fundit nga klientë të Axa-s që kishin gjithashtu sigurim plotësues.
Axa vetë nuk ofron sigurimin bazë të detyrueshëm shëndetësor në Zvicër. Rezultatet megjithatë tregojnë se kontrollimi periodik i primeve dhe ndërrimi i siguruesit, kur ekziston një ofertë më e favorshme, mund të sjellin kursime të konsiderueshme për familjet zvicerane.
E-Diaspora
-
Mërgimtarët dërguan 692 milionë euro në Kosovë gjatë gjashtë muajve të parë të 2026-s Remitancat janë rritur për 5.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar,... -
Austri
Lehtësohet konvertimi i patentave të Kosovës në Austri -
Itali
Kopshti i ri në Montevarchi merr emrin e Nënë Terezës -
Gjeneva sot kuq e zi: Shqiptarët protestojnë kundër vendimit të Gjykatës Speciale -
Bie numri i kosovarëve që punojnë në Slloveni
Jeta në Austri
-
Austri
Lehtësohet konvertimi i patentave të Kosovës në Austri Ndryshojnë rregullat për patentat e Kosovës në Austri... -
Formacionet e Austrisë dhe Kosovës për ndeshjen e sotme -
Trajneri i Austrisë: “Na pret një ndeshje e vështirë ndaj Kosovës” -
Masa të rrepta sigurie për ndeshjen Austri–Kosovë në Vjenë -
DHL i rrit çmimet në Austri me 5,4 për qind











