Lajme

Temperaturat rekord në Zvicër, në fund të shtatorit

Temperaturat në veri të Alpeve arritën nivele rekord të dielën, duke shënuar vlera të pazakonta për fundin e muajit shtator.

Në Basel-Binningen, termometrat shënuan 30.1 gradë Celsius, ndërsa në Delémont temperatura arriti në 29.6 gradë.

Sipas shërbimit meteorologjik Meteonews, nuk ishte regjistruar më parë një valë e tillë nxehtësie kaq vonë gjatë vitit në veri të Alpeve. Temperaturat më të larta u shënuan veçanërisht në pjesën veriperëndimore të Zvicrës.

Sipas MeteoSwiss, në këtë zonë temperaturat u luhatën nga 29 deri në 30 gradë Celsius. Në rajonin e Liqenit të Gjenevës dhe në Valais, temperaturat arritën nga 27 deri në 29 gradë, ndërsa në rrafshnaltën zvicerane u regjistruan vlera nga 25 deri në 28 gradë.

Basel-Binningen, edhe më herët në krye të rekordeve

Stacioni meteorologjik në Basel-Binningen kishte regjistruar edhe temperaturën më të lartë të verës, më 30 korrik, kur termometri arriti në 39.7 gradë Celsius.

Kjo vlerë barazoi rekordin e temperaturës të regjistruar në veri të Alpeve, të vendosur në Gjenevë-Cointrin në korrik të vitit 2015.

Temperaturat e pazakonta të fund-shtatorit vijnë pas një vere veçanërisht të nxehtë në Zvicër, e cila është renditur ndër verërat më të nxehta që prej fillimit të regjistrimeve meteorologjike.