Gjuha
Mbi webinar-in për sfidat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë
Më 21 maj, Albanian Institute of Cultural Studies me seli në Prishtinë organizoi webinarin online me temë “Sfidat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë”, duke mbledhur mësues të gjuhës shqipe nga vende të ndryshme të Evropës për të diskutuar përvojat, sfidat dhe praktikat më të mira në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe tek brezat e rinj në mërgim.
Webinari u fokusua në disa çështje të rëndësishme, si: zhvillimi i platformave të ndryshme digjitale interaktive, nevojat profesionale të mësuesve në diasporë, roli i familjes dhe komunitetit në ruajtjen e gjuhës, si dhe zhvillimi i strategjive të përbashkëta për forcimin e arsimit shqip jashtë trojeve.
Në prezantimin e saj, Etleva Mançe Gerbi, mësuese e gjuhës shqipe në Köln të Gjermanisë, trajtoi rolin e platformave digjitale dhe interaktive në mësimin e gjuhës shqipe. Në këtë prezantim u cek se digjitalizimi në mësimin e gjuhës së nënës ose të prejardhjes në diasporë është një urë e fuqishme teknologjike në kohët e sotme. Ai mundëson që fëmijët e mërgimtarëve të mësojnë gjuhën shqipe me kualitet. Teknologjia e shndërron mësimin nga një detyrim të vështirë në një proces fleksibël dhe argëtues.
Digjitalizimi nuk e zëvendëson librin, por është mjeti më efektiv për një mësimdhënien bashkëkohore. Nëpërmjet tabelës digjitale TaskCards, ku pjesëmarrësit kishin akses direkt, mund të bëhen prezantime jo vetëm në seminare të kualifikimit të mësuesve, por edhe në strukturimin e përditshëm të orës së mësimit, duke filluar nga materiale në PDF deri tek ato digjitale. Nëpërmjet tabelës digjitale TaskCards u prezantuan disa rubrika, si p.sh. anketime, platforma digjitale interaktive, njësi mësimore digjitale me temat „Profesionet“ dhe „Ndotja e mjedisit“ për mësimin e gjuhës së prejardhjes të landit të NRW si dhe libra dy-shumëgjuhësorë, dhe digjital të „Mulingula“-s, materiale didaktike etj.. Gjithashtu pjesëmarrësit u njohën me temat në përputhje me kurrikilën e miratuar më 2018 nga dy shtet tona prejardhëse dhe materiale plotësuese në përputhje me tematikën e MPGHSHD. Nevojitet një strategji e përbashkët shtetërore (Shqipëri-Kosovë) për krijimin e një platforme unike, moderne dhe tërheqëse për të gjithë fëmijët në mërgim. Gjithashtu nevojiten tekste dhe materiale plotësuese që të jenë jo vetëm në përputhje me kurrikulën e miratuar, por edhe didaktike, të thjeshta dhe të lehta për mësimdhënien heterogjene.

Folësja e dytë, Esmeralda Hasa, mësuese e gjuhës shqipe në Sheffield (Angli), trajtoi problemet dhe nevojat e mësuesve shqiptarë në diasporë. Gjatë prezanitmit ajo trajtoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë si pjesë thelbësore e identitetit kombëtar. Në këtë prezantim u theksua roli i mësuesit shqiptar në diasporë jo vetëm si edukator, por edhe si ruajtës i gjuhës, kulturës dhe lidhjes shpirtërore me atdheun. Përpos të tjerave u shpalosën sfidat kryesore me të cilat përballen mësuesit shqiptarë jashtë trojeve, duke përfshirë mbështetjen e pamjaftueshme institucionale, problemet pedagogjike, asimilimin kulturor dhe nevojën për unifikim të mësimdhënies së shqipes.
Në këtë kontekst u theksua rëndësia e digjitalizimit, trajnimit profesional dhe bashkëpunimit ndërmjet familjes, komunitetit dhe institucioneve shqiptare. Si përfundim, fokusi kryesor ishte ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë si një nga investimet më strategjike kulturore për të ardhmen e kombit shqiptar, e cila kërkon angazhim të përbashkët institucional, arsimor dhe shoqëror.
Në fund, mësuesja tjetër e gjuhës shqipe në Northampton, Elona Latifi, solli në vëmendje rëndësinë e ndërgjegjësimit të komunitetit shqiptar për ruajtjen e gjuhës shqipe. Ajo theksoi se kur mbyllen dyert e shkollës së fundjavës dhe ekranet e kompjuterave fiken, fillon sfida e vërtetë e identitetit në diasporë. Pyetja që na mundon të gjithëve si mësimdhënës, prindër dhe koordinatorë nuk është më thjesht sa fjalë mban mend një fëmijë, por një pyetje tjetër që na mundon ne mësimdhënësve: A po e jeton fëmija gjuhën?
Në mjedisin e mërgimit, ku gjuha vendase është dominante në jetën e përditshme, gjuha shqipe për brezat e rinj ka kaluar në një stad të ri: ajo nuk është më gjuha e parë, por gjuha e dytë. Studimet pedagogjike na paralajmërojnë se pa një ekspozim aktiv prej të paktën 30% të kohës, gjuha kthehet në një arkiv pasiv – fëmija e kupton, por nuk e flet.
Sot përballemi shpesh me diskutime rreth një lloj “indolence” apo pasiviteti të komunitetit ndaj ruajtjes së gjuhës. Por si mësuese në terren, refuzoj ta shoh këtë si neglizhencë. Ky pasivitet është pasojë e mbingarkesës së jetës në emigrim dhe mungesës së urave praktike. Librat janë të rëndësishëm, por nëse fokusohemi vetëm te gramatika e ngurtë, rrezikojmë ta kthejmë shqipen në një arkiv grumbullues. Gjuha nuk ruhet nëse nuk prodhon emocione. Që një fëmijë ta flasë shqipen, ai duhet ta ndiejë atë si gjuhën e lojës, të krenarisë dhe të miqësisë.
Për të thyer barrierat dhe për të ndërtuar një trinom të fuqishëm Prind-Mësues-Nxënës, në shkollën tonë nëNorthampton, kemi strukturuar gjashtë hapa strategjikë që po transformojnë qasjen tonë në terren:
Vizualizimi i Gjuhës (Make Albanian Visible): Gjuha duhet të ketë peshë vizuale. Përmes krijimit të “Këndeve të Shkrimtarëve të Vogël”, ne ekspozojmë punimet e fëmijëve, duke u provuar atyre se shkrimi shqip ka vlerë publike.

Përfshirja Aktive e Prindërve (Engage Parents): Familja nuk është klient i shkollës, por partner. Prindërit bëhen pjesë e mësimit duke ndarë histori jetësore, profesione apo tradita gatimi në shqip, duke e sjellë shtëpinë në shkollë.
Kultura si Katalizator Emocional (Use Culture): Arti, muzika dhe vallet janë mjete të fuqishme pedagogjike. Kur fëmijët përgatiten për festat tona kombëtare, si 28 Nëntori, truri i tyre regjistron kujtesë afatgjatë përmes krenarisë. Fëmija mund të harrojë rregullin e gramatikës, por nuk do ta harrojë kurrë emocionin që ndjeu duke recituar apo kërcyer shqip.
Lehtësimi i Aksesit (Create Access): Krijimi i bibliotekave lëvizëse dhe ndarja e platformave me audio-libra e përralla të dubluara, siguron që prindi ta ketë mjedisin shqip vetëm një klikim larg në përditshmërinë e tij.
Bashkëpunimi Ndërinstitucional (Build School Collaboration): Shkollat shqipe nuk mund të jenë ishuj të izoluar. Ne organizojmë kuize dhe aktivitete virtuale me shkolla të tjera, duke u treguar fëmijëve se janë pjesë e një rrjeti të madh global.
Bashkëveprimi Ndërkomunitar (Promote Inter-community Collaboration): Ne ftojmë në mjediset tona fëmijë të komuniteteve të ndryshme me të cilët bashkëjetojmë.
Ky shkëmbim jo vetëm që rrit vetëbesimin e fëmijëve tanë për të prezantuar rrënjët e veta, por u mëson atyre vlerën e tolerancës dhe ndërton një urë mirënjohjeje për kulturën e vendit mikpritës. Të mësosh gjuhën shqipe në diasporë sot nuk është thjesht një akt arsimor – është një akt ekzistencial i ruajtjes së identitetit. Kur ne si komunitet bashkohemi me këto mekanizma didaktikë, kalojmë nga faza e konstatimit të problemeve në fazën e mbjelljes së të ardhmes. Sepse në fund të ditës, ne nuk po mësojmë vetëm një gjuhë. Ne po ruajmë shpirtin dhe identitetin e fëmijëve tanë.
Diskutimet e webinarit nxorën në pah se ruajtja e gjuhës shqipe në diasporë mbetet një nga sfidat më të rëndësishme për komunitetin shqiptar jashtë vendit, por njëkohësisht edhe një mundësi e madhe për forcimin e identitetit kulturor dhe kombëtar. Pjesëmarrësit theksuan nevojën për politika më të koordinuara, për zhvillimin e burimeve moderne mësimore dhe për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, mësuesve, familjeve dhe komuniteteve shqiptare në mbarë botën. Webinari shërbeu si takim për shkëmbim përvojash dhe idesh, duke dëshmuar edhe një here rëndësinë e angazhimit të mësuesve të diasporës për ruajtjen dhe transmetimin e gjuhës shqipe te brezat e rinj.
Dr. Elona Gjata
Drejtoreshë ekzekutive e AICS, Prishtinë
Të tjera nga Gjuha
E-Diaspora
-
Manifestim kulturor shqiptar në Bavari, nderohet figura e komandantit Bekim Berisha – “Abeja” Në Moosburg an der Isar u mblodhën bashkatdhetarë nga treva të ndryshme shqiptare për të promovuar... -
Gjermani
Marigona dhe Irena Toma sjellin ekspozitën e tyre në Frankfurt më 26 qershor -
Kongresi i 27‑të i Federatës së mjekëve shqiptarë në Evropë u mbajt në Tiranë -
Protesta e tretë në Gjenevë kundër Ligjit 21/2024, diaspora shqiptare vazhdon mobilizimin për mbrojtjen e Vjosës dhe zonave të mbrojtura -
FSHF vazhdon kërkimin e talenteve në diasporë: “Open Stage” më 27 qershor në New York
Jeta në Austri
-
Shqiptarët protestojnë sërish në Vjenë: “Jemi në mbështetje të popullit në Shqipëri” Një tubim solidarizues u mbajt për të tretën herë në Vjenë, ku dhjetëra shqiptarë shprehën mbështetjen... -
Skanerët e rinj të aeroportit të Vjenës lejojnë lëngjet deri në dy litra -
Më pak se 50% i kalojnë provimet e integrimit A2/B1 të Austrisë -
Mbylljet e Transportit Publik të Vjenës në vitin 2026: Ndërprerje të S-Bahn, U3, U4 -
Austria bie dakord për rregulla të reja për vetëvrasjen e asistuar














