Muzikë
Ansambli “Trojet” forcon lidhjet me diasporën shqiptare gjatë turneut kulturor në SHBA
Turneu në SHBA ishte pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Ansamblit “Trojet” për promovimin e folklorit shqiptar dhe forcimin e lidhjeve me diasporën
Në kuadër të turneut artistik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ansambli “Trojet” zhvilloi një sërë aktivitetesh kulturore në shtetin e Michiganit, duke promovuar folklorin shqiptar dhe duke forcuar bashkëpunimin me komunitetin shqiptar në diasporë.
Një nga momentet më domethënëse të këtij rrugëtimi ishte vizita në shtëpinë-muze të veprimtarit Anton Mark Junçaj, drejtues i Shoqatës Kulturo-Artistike “Rapsha”, i cili prej vitesh ka krijuar në SHBA një muze privat kushtuar historisë, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare. Koleksioni përfshin kostume tradicionale, instrumente muzikore, libra, dokumente, fotografi dhe objekte etnografike, të mbledhura ndër vite si dëshmi e identitetit kulturor shqiptar.
Gjatë vizitës, artistët e Ansamblit “Trojet” interpretuan një program me këngë dhe melodi tradicionale nga treva të ndryshme shqiptare. Lahutari Baca Shaqë solli repertor epik shqiptar, ndërsa solistja Marisa Murtezi interpretoi këngën “Malsori”. Programi u plotësua edhe me interpretimet në çifteli nga Donjeta dhe Leotrim Gashi.
Në shenjë bashkëpunimi kulturor, Ansambli “Trojet” i dhuroi bibliotekës së muzeut disa ekzemplarë të revistës së ansamblit, ndërsa Anton Junçaj i dhuroi ansamblit tre botime që do të bëhen pjesë e bibliotekës së tij.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe koreografja Joli Agolli Paparisto, e cila shoqëroi delegacionin gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, si dhe gazetari i RTSH-së, Arben Tafili.

Programi vijoi me një mbrëmje artistike në restorantin “Sofra e Malsorit”, ku Ansambli “Trojet” interpretoi këngë patriotike, folklorike dhe serenata shqiptare për bashkatdhetarët në Michigan. Mbrëmja u zhvillua në prani të përfaqësuesve të komunitetit shqiptar dhe u karakterizua nga një pjesëmarrje e gjerë e diasporës.
Turneu përfshiu gjithashtu pjesëmarrjen në Festivalin Shqiptar në Detroit, një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, ku ansambli prezantoi repertorin e tij folklorik para publikut.
“Për ne, ky turne ishte një mundësi për të parë nga afër se si diaspora shqiptare vazhdon ta ruajë gjallë kulturën dhe traditën. Takimet me bashkatdhetarët dhe vizita në muzeun e Anton Mark Junçajt na bindën se identiteti kombëtar kultivohet çdo ditë, kudo ku jetojnë shqiptarët. Kjo na motivon ta vazhdojmë misionin tonë për ta çuar folklorin shqiptar pranë diasporës”, u shpreh për albinfo.ch kryetari i Ansamblit “Trojet”, Zeqë Gashi.
Turneu në SHBA ishte pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Ansamblit “Trojet” për promovimin e folklorit shqiptar dhe forcimin e lidhjeve me diasporën. Përmes koncerteve, vizitave kulturore dhe bashkëpunimit me shoqatat shqiptare, ansambli vazhdon të kontribuojë në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore shqiptare te brezat e rinj.
E-Diaspora
-
Nga Sunny Hill te Gollaku, Përparim Rama prezanton ofertën verore të Prishtinës për diasporën Me fillimin e sezonit veror dhe kthimin e mijëra bashkatdhetarëve, Prishtina synon të ofrojë një përvojë... -
„Dita Kulturore Shqiptare“ në Graz, simbol i bashkimit të shqiptarëve në diasporë -
Babë e bir nga Zvicra lansojnë këngën shqip “O moj nuse” -
Ansambli Kombëtar mahnit Londrën me performancën e parë në Mbretërinë e Bashkuar -
Nis ardhja e mërgimtarëve, ja gjendja aktuale dhe pritjet në pikat kufitare
Jeta në Austri
-
Problemi i drogës po rritet në Vjenë Gjithnjë e më shumë njerëz në Vjenë po kërkojnë ndihmë për shkak të problemeve me drogën,... -
„Dita Kulturore Shqiptare“ në Graz, simbol i bashkimit të shqiptarëve në diasporë -
Austri: Arrestohet kosovari i kërkuar ndërkombëtarisht -
Austria ndryshon rregullat e përfitimeve familjare për refugjatët ukrainas -
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë














