Lajme
Papritur errësohet: Si do të reagojnë kafshët ndaj eklipsit diellor
Kur Hëna mbulon Diellin, nuk ndryshon vetëm qielli. Errësira e papritur dhe rënia e temperaturës ndikojnë edhe te kafshët, të cilat mund të shfaqin sjellje të pazakonta.
Të mërkurën mbrëma, një eklips i pjesshëm diellor do të jetë i dukshëm edhe nga Zvicra. Ndërsa njerëzit e dinë se bëhet fjalë për një fenomen astronomik, kafshët përballen papritur me një ndryshim të pazakontë të kushteve të ditës, transmeton albinfo.ch.
Pikërisht kjo ka bërë që studiuesit prej më shumë se një shekulli të vëzhgojnë sjelljen e kafshëve gjatë eklipseve diellore. Reagimet ndryshojnë sipas llojit të kafshës, por në disa raste janë jashtëzakonisht interesante.
Gjirafat fillojnë të galopojnë, breshkat çiftëzohen
Gjatë eklipsit total të vitit 2017, rreth 40 studiues vëzhguan 17 lloje kafshësh në kopshtin zoologjik Riverbanks, në Karolinën e Jugut.
Disa prej tyre shfaqën sjellje krejtësisht të pazakonta. Breshkat gjigante të Galapagosit u bënë papritur më aktive dhe nisën të çiftëzoheshin. Gjirafat, të cilat zakonisht vrapojnë vetëm kur ndihen të kërcënuara, nisën të galoponin.
Edhe siamangët, një lloj majmuni të afërt me gibonët, ndryshuan sjelljen e tyre dhe reduktuan thirrjet e zakonshme.
Sipas studiuesve, ndryshimet më të dukshme u shfaqën gjatë fazës së shkurtër të errësimit total, kur dita u shndërrua për pak çaste në natë.
Edhe zogjtë reagojnë ndaj errësirës
Vëzhgime të tjera kanë treguar se edhe zogjtë mund të ndryshojnë aktivitetin e tyre gjatë eklipseve.
Gjatë eklipsit të vitit 1999, kur rreth 99 për qind e Diellit u mbulua, aktiviteti i disa llojeve të zogjve ra ndjeshëm. Disa prej tyre heshtën, ndërsa të tjerë vazhduan aktivitetin pavarësisht errësirës.
Kjo tregon se jo të gjitha kafshët reagojnë në të njëjtën mënyrë dhe se shkalla e errësimit mund të jetë një faktor i rëndësishëm.
Çfarë i shkakton këto ndryshime?
Studiuesit besojnë se kafshët reagojnë kryesisht ndaj ndryshimeve të papritura në dritë dhe temperaturë.
Kur Dielli mbulohet, ambienti ftohet dhe errësohet brenda pak minutash. Për shumë kafshë, kjo mund të ngjajë me ardhjen e natës dhe të aktivizojë sjellje që zakonisht shfaqen në mbrëmje.
Megjithatë, reagimi varet nga lloji i kafshës, mënyra e jetesës dhe kushtet në të cilat ndodh eklipsi.
Studiuesit vazhdojnë vëzhgimet
Gjatë eklipsit të vitit 2024, kërkimet u zgjeruan edhe në kopshtin zoologjik të Fort Worth në Teksas, ku u vëzhguan gorilla, gjirafa, flamingo, gibonë, orangutanë dhe shimpanze xhuxhe.
Studiuesit synojnë të kuptojnë se sa duhet të mbulohet Dielli që një kafshë të fillojë të reagojë dhe nëse lloje të ndryshme shfaqin modele të ndryshme sjelljeje.
Eklipsi i 12 gushtit 2026 do të jetë një tjetër mundësi për të parë nëse errësira e pazakontë e mesditës do të ndikojë edhe këtë herë në sjelljen e botës së kafshëve. /Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Bebe Rexha arrin një tjetër sukses, “New Religion” kalon 100 milionë dëgjime në Spotify Bebe Rexha arrin 100 milionë dëgjime në Spotify me “New Religion” ... -
Prishtinë
Kontrollorët alarmojnë për lazerët ndaj avionëve në Prishtinë: “Rrezikohet siguria e qindra udhëtarëve” -
320 të rinj nga diaspora pjesë e programit OriginAL -
“Të largohesh apo të qëndrosh?” – Migrimi dhe dilemat e të rinjve në filmat e DokuFestit -
Mërgimtarët përfundojnë pushimet, pritje deri në një orë në dalje të Kosovës
Jeta në Austri
-
Austri: Arrihet marrëveshja, këta klientë të bankës marrin paratë mbrapsht Një "shpërthim i madh" të hënën në Austri! Klientët e Erste Bank dhe të shumë bankave... -
Gratë në Austri marrin rreth 40% më pak pension se burrat -
Vjenë: Vazhdon orari i zgjatur i pishinave -
Vjenë: 72-vjeçari dyshohet se kidnapoi dhe mbajti me dhunë një djalë 4-vjeçar -
Kosovë: Një jetë e re për qentë endacakë












