Lajme

Refugjatët bllokohen dhunshëm në Hungari, ia mësyjnë Kroacisë

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, shprehet i tmerruar nga dhuna që kanë përdorë autoritetet hungareze nga emigrantëve nga Lindja e Mesme

Refugjatët nga Siria dhe shtetet tjera të Lindjes së Mesme që ia knë mësyrë Bashkimit Evropian janë bërë sërish dramë e dhunës. Janë autoritetet e Hungarisë atë që nuk kanë kursyer as shufrat e gomës, gazin lotsjellës dhe topat e ujit, për t’i ndalë refugjatët që të hyjnë në shtetin e tyre, duke i larë me gjak zonën kufitare.

Kjo dhunë ka tmerruar edhe sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon, i cili kundërshton dhunën ndaj migrantëve nga ana e autoriteteve hungareze.

“Isha i tmerruar të shoh trajtimin e këtyre refugjatëve dhe migrantëve. Është e papranueshme”, tha Ban, duke i bërë thirrje që refugjatët të trajtohen me dinjitet, pasi dhunën dhe luftën i kanë përjetuar.

Pasi forcat speciale hungareze nuk lejuan që shteti i tyre të shfrytëzohet si korridor për dalje në BE, refugjatët u kthyer në Serbi, për të gjetur një rrugë drejt Kroacisë. Ata fillimisht u ndalen në fshatin Tovarnik, në afërsi të kufirit, ku edhe i ka arrestuar policia kroate, për kalim jolegal të kufirit.

Në vendkalimin kufitar Tovarnik, që prej mbrëmë janë duke qëndruar vullnetarët dhe veprimtarët e Kryqit të Kuq të Kroacisë. Ata tashmë kanë mjete materiale për të pritur refugjatët, përfshirë edhe ushqimin, tendat, batanijet, artikujt për higjienë, si dhe ndihmën e parë.

Në rast të një vale më të madhe të refugjatëve, Kroacia tashmë ka përgatitur 3 mijë vende për vendosje në objekte – 700 vende në strehimoret në Zagreb dhe Kutin, si dhe 2 mijë e 300 vende në objektet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kroacisë, përfshirë edhe pushimoren për policinë në Valbandon, në Istër.

Kryetarja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviq, ka kërkuar nga kryeministri kroat Zoran Milanoviq, që të thërras mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare, duke paralajmëruar se kriza me refugjatët mund të zgjasë, ndërkaq që numri i refugjatëve që do të shkonin në Kroaci, do të mund të jetë shumë më i madh se sa që është pritur.

Kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka theksuar se vendi i tij është i gatshëm që t’i pranojë, por edhe t’i transferojë refugjatët.

“Ne jemi të gatshëm t’i pranojmë, por nëse doni edhe t’i orientojmë ata njerëz. Nuk ka rëndësi se çfarë besimi apo çfarë ngjyre kanë. Por, është e dukshme që ata dëshirojnë fuqishëm që të shkojnë në Gjermani, Skandinavi dhe disa vende tjera”, tha kryeministri kroat, citon REL.

Ai ka shtuar se politika aktuale e Hungarisë ndaj refugjatëve është e dëmshme dhe e rrezikshme. “Muret që po ndërtohen, jo vetëm që nuk do ta ndalojnë askënd, por dërgojnë porosi të tmerrshme”, theksoi Milanoviq.

Në anën tjetër, pas mbylljes nga ana e Hungarisë të vendkalimeve kufitare me Serbinë, në zonën kufitare ndërmjet këtyre dy vendeve, kanë mbetur të ngujuar disa qindra refugjatë, një pjesë e të cilëve po bëjnë grevë urie, duke porositur Evropën që “t’i vijë turp”.

Të martën në orët e vona, në kufirin e Serbisë me Hungarinë, ka shkuar edhe ministri i Policisë së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, i cili ka premtuar se Beogradi nuk do ta përdorë dhunën ndaj refugjatëve.

“Do të ishte iluzion të thuhet se Serbia, e vetme mund ta zgjidhë krizën, e cila është në rangun e shpërnguljes së popullit. Do të bisedoj edhe nesër me kolegët nga Hungaria që të shohim se çfarë është e mundur që të bëhet konkretisht lidhur me këtë vendkalim kufitar dhe njerëzit që gjenden këtu, të cilët në njëfarë mënyre janë të robëruar para murit. Shteti serb dhe policia e saj, në asnjë mënyrë nuk do t’ua rëndojë situatën këtyre njerëzve, por do t’i ndihmojë”, tha Stefanoviq.

Ndërkaq, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili aktualisht po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka porositur:

“Nuk dëshiroj që kushdo në Serbi të bëjë panik në çfarëdo mënyre. I lus njerëzit që në çfarëdo mënyre kanë ndikim në opinionin në Serbi, që të mos shpikin dhe të mos krijojnë rrëfime për katastrofa që na presin, sepse asnjë katastrofë nuk na pret”, theksoi Vuçiq.

Në anën tjetër, Austria po planifikon që të vendos kontrollin kufitar me Hungarinë, Italinë, Slloveninë dhe Sllovakinë. Komisioni Evropian vlerëson se një gjë e tillë është në përputhje me rregullat për një suspendim të përkohshëm të Shengenit.

Kancelarja gjermane, Angela Mergel, ka vlerësuar se problemi i refugjatëve është i gjithë Bashkimit Evropian. “Këtë problem mund ta zgjidhë vetëm Bashkimi Evropian, si tërësi. Është përgjegjësi e saj dhe për këtë arsye do ta mbajmë samitin special të Bashkimit Evropian, në javën e ardhshme”, ka theksuar Merkel.