Lajme

Kosova thërret mërgimtarët: investoni në Kosovë

Kryeministri Isa Mustafa mori pjesë në Forumin për krijimin e Unionit të Studentëve dhe të Rinjve të Diasporës. Ai tha se Kosova ka nevojë për investime, por edhe për dijen e diasporës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa u kanë bërë thirrje bashkatdhetarëve në diasporë që të vijnë dhe të investojnë në Kosovës. Ai tha Kosova ka nevojë jo vetëm për kapitalin e tyre, por edhe dijen e të rinjve. Këto deklarata kryeministri i bëri në Forumin për krijimin e Unionit të Studentëve dhe të Rinjve të Diasporës, të organizuar nga Ministria e Diasporës.

Mustafa tha se shteti i Kosovës i ka bërë disa reforma thelbësore që garantojnë investimet, ndërsa premtim edhe lehtësia të mëdha në të bërit biznes. Mustafa tha se  prezencë e të rinjve në këtë forum, është shumë e rëndësishme për vendin, sepse janë “njerëzit tanë që jetojnë në vendet perëndimore, dhe për të cilët kemi shumë nevojë që të kujdesemi, të punojmë bashkërisht dhe që pastaj të arrijmë rezultate të përbashkëta”.

Kryeministri kosovar përshëndeti këtë iniciativë të themelimit të rrjetit të rinisë, sepse kjo, sipas tij, është një formë e organizimit e cila krijon ndërlidhje të të rinjve që jetojnë jashtë.

“Është një potencial shumë i rëndësishëm për ne, edhe një potencial i njohurive të reja, i teknologjive të reja, i diturive të reja, i shkollimit të të rinjve për të cilën ne kemi nevojë ose ta tërheqim ose të punojmë me juve bashkë, sepse zhvillimi i këtij vendi më nuk mund të bëhet i mbyllur vetëm në kufijtë e Kosovës”, tha ai.

Kryeministri Mustafa tha se së bashku me të rinjtë e diasporës do të kalohen kufijtë dhe do të kuptohet se “më nuk jemi gjithmonë të vetëmjaftueshëm por gjithmonë kemi nevojë të bashkëpunojmë me të tjerët dhe të tërheqim dije dhe dituri të re”.

Njerëzit tanë që jetojnë në shtetet perëndimore, sipas Mustafës, kanë mundësi që të japin kontributin e tyre, jo vetëm që ata vetë të vijnë dhe të investojnë, por që të investojnë edhe me njohuritë dhe dituritë e tyre këtu dhe të jenë në ndërlidhje me investitorët e jashtëm në Kosovë.

“Natyrisht se të rinjtë tanë edhe jashtë edhe brenda po e përfaqësojnë Kosovën në mënyrë të shkëlqyeshme në shumë fusha të sportit, të kulturës, edhe fusha të tjera të cilat janë tepër të rëndësishme për ne. Prandaj, edhe juve si pjesë të kësaj gjenerate ju përgëzoj, ju uroj shumë suksese në këto forume”, tha Mustafa.

Në këtë forum me të rinjtë dhe studentët e diasporës nga vendet e ndryshme të Evropës, ishin edhe ministri i Diasporës i Kosovës, Valon Murati, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Shqipërisë, Blendi Klosi, zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Anila Statovci–Demaj, zëvendësministri i Diasporës, Sahit Krasniqi dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.

Ministri i Diasporës, Valon Murati, ndërkaq tha se diaspora shqiptare është e mobilizuar dhe e organizuar për të ndihmuar lirinë e vendit.

“Jeni ajo pjesë e diasporës shqiptare që jeni duke ndihmuar tranzicionin e natyrshëm që është duke kaluar diaspora jonë, nga një diasporë që ka qenë krejtësisht e mobilizuar dhe e organizuar për ta ndihmuar lirinë e vendit, lirinë e shqiptarëve në rajon, demokracinë e tjerë, sot po shndërrohet në një diasporë e cila po organizohet për ta gjet vendin e vetë aty ku është, për tu bërë pjesë integruese e shoqërive ku po jetojnë dhe duke qenë pjesë e shoqërive integruese ku po jetojnë për të ndihmu në mënyrë institucionale vendin e vetë”, tha Murati.

Ndërkaq ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nga Shqipëria, Blendi Klosi, tha se ky aktivitet të jetë fillimi i ngjarjeve të përbashkëta mes ministrisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

“Tashmë është një gjeneratë e tretë, e katërt e cila ka lindur është rritur, po zhvillohet në Evropë apo më gjerë se sa Evropa, dhe do të duhet të ketë shumë më tepër lidhje me vendin, duhet të ketë shumë më tepër me trevat tona, duhet të ketë më tepër njohuri në administratën shqiptare dhe atë të Kosovës”, tha Klosi.

Ndryshe, ky forum vjen vetëm një ditë pasi bashkatdhetarët nga gjithë Kosova u takuan në Prekaz, aty ku 17 vjet më parë për çështjen e Kosovës u flijuan më shumë se 50 anëtarë të familjes Jashari. Në aktivitetin tashmë tradicional mori pjesë edhe këngëtarja me përmasa evropiane Elina Duni dhe Ansamblin i valleve Shota.

“Çdo popull i ka disa vlera rreth të cilave fuqizohet identiteti i tij kombëtar. Vlerat e lirisë janë ato që çmohen më së shumti nga bota. Andaj mos hezitoni, kudo që jetoni, kudo që shkoni, me këdo që rrini në vendet ku ju punoni, që t’ua tregoni se çka ndodhi në Prekaz prej 5-7 mars të vitit 1998”, porositi ministri Murati bashkatdhetarët e tubuar në Prekaz .

Ai tha se tregoni gjermanëve, zviceranëve, suedezëve, austriakëve, italianëve, anglezëve, amerikanëve, por edhe fëmijëve tuaj, se një familje, në fund të shekullit të 20-të, e tëra u sakrifikua për atë që bota e përparuar dhe çdo njeri e ka më të shtrenjtën Lirinë.

“Dhe tregojuni se kjo sakrificë u shpërblye me Lirinë. Tregojuni, dhe ndihuni krenar.  Ndihuni krenar, se kjo vlerë e popullit tonë është një vlerë unike universale. Ndihuni krenar, sepse edhe ju keni pjesën e juaj në ndërtimin e kësaj vlere që quhet Liri. Besomëni, ky tregim i vërtetë, jo vetëm që do t’u bëj krenar, por edhe të veçantë, sepse një të tillë tregim të ngjashëm, nuk do të mundet askush t’ua tregoj”, tha ai.
Ndryshe, sonte në Prishtinë në parkun e Gërmisë mbyllet institucionalisht Muaji i Diasporës me moton “edhe ti je pjesë e atdheut”.