Kosova

Kosova në Bienalen “NOmade”, arti si akt rezistence ndaj harresës

Dy artistë nga Kosova, Ismet Jonuzi dhe Jeton Muja, janë përzgjedhur për të marrë pjesë në edicionin e dhjetë të “NOmade Biennale”, një platformë ndërkombëtare e artit bashkëkohor që sfidon rendet e vendosura të kapitalizmit përmes estetikës kritike, kujtesës dhe kolektivitetit. Ekspozita e parë e këtij edicioni, me titullin “EXTENSIONES I: Post-Capitalism”, është çelur të shtunën në galerinë “Casa D’Alva” në Fortaleza të Brazilit, shkruan KOHA, transmeton albinfo.ch.

Me një histori të pasur ndërhyrjesh artistike në hapësira të pazakonta, nga burgje të braktisura e spitale, deri te zona lufte dhe kisha gotike, “NOmade Biennale” është zhvilluar në 14 qytete të 8 shteteve në dy kontinente dhe këtë vit synon të zgjerojë fushëveprimin përtej qendrave tradicionale të artit. Pjesëmarrja e artistëve nga Kosova është cilësuar si një kontribut thelbësor në këtë narrativë kolektive që thekson përvojën e periferive dhe artin si formë të rezistencës ndaj harresës dhe sistemit të tregut.

Ismet Jonuzi sjell në këtë bienale veprën “Evidenca”, një cikël imazhesh të krijuara përmes teknikës së djegies, që përfaqësojnë pasojat e luftës në Kosovë. Në një prononcim për “KOHËN”, Jonuzi tha se zjarri dhe djegia janë simbol i dhembjes, shkatërrimit dhe kujtesës kolektive për ata që kanë humbur jetën apo janë të zhdukur. “Unë kam punuar me silueta të djegura që paraqesin figura të njerëzve të vdekur, një shkatërrim i humanizmit dhe njeriut në përgjithësi”, tha ai, duke shtuar se pjesëmarrja në këtë bienale është një vazhdimësi e bashkëpunimit me artistë nga Amerika Latine që prej vitit 2021, transmeton albinfo.ch.

Në të njëjtën ekspozitë, Jeton Muja prezantohet me veprën “Peshoje veten”, një instalacion i ndërtuar me peshore shumëngjyrëshe, që fton individin në një akt reflektimi dhe vetëvështrimi. “Ky projekt është një thirrje për të kuptuar pozicionin dhe rolin tonë në një shoqëri të mbushur me impulse e emocione të papërpunuara”, thuhet në katalogun e ekspozitës. Muja, i njohur për qasjen e tij hulumtuese dhe për përdorimin e artit si formë e kujtesës dhe hetimit të së kaluarës, ka ndërtuar për vite me radhë praktikën e tij mbi temën e të zhdukurve dhe narrativave të shtypura në Kosovë.

Kuratori i bienales, Victor Hugo Bravo, e ka cilësuar këtë platformë si një “arkiv të pashkrirë të artit”, ku veprat nga kombe të ndryshme formojnë një rrjet kritik ndaj strukturave globale që dominojnë shoqëritë moderne. Frymëzuar nga filozofë si Foucault, Borges dhe Vilar, bienalja synon të krijojë një hapësirë eksperimentale që shikon kujtesën jo si depo statike, por si një akt rezistence.

Jonuzi dhe Muja nuk janë të panjohur për këtë format. Para dy vitesh, Prishtina ishte nikoqire e njërit nga edicionet e bienales ku artistë nga Kosova kishin ndarë hapësirën me kolegë ndërkombëtarë. Jonuzi rikujton me krenari atë moment. “Unë jam ai që i ka afruar tre-katër artistë dhe edhe pse shtetet e Amerikës Latine si Kili dhe Ekuadori nuk e njohin Kosovën, kuratorët e bienales na kanë përfshirë pa hezitim duke e sfiduar vetë politikën e shteteve të tyre”, transmeton albinfo.ch.