Lajme

Si u krijua 100 vjet më parë pasaporta, dokumenti më i domosdoshëm i udhëtimit?

Fotografi biometrike, barkode, hologramë, mikroçipa: pasaporta e sotme është pa dyshim një pjesë e teknologjisë moderne. Për disa ajo hap portën e botës, e cila për të tjerët pa pasaportën e duhur mbetet e mbyllur.

Por si kanë qenë fillimet, si lindi ky dokument kryesisht katror?

Fillimet e pasaportës

Që në shekullin e 14-të ka pasur diçka të ngjashme me një dokument udhëtimi. Në atë kohë murtaja bënte kërdinë në Evropë dhe qytete si Venecia kërkonin zgjidhje për të frenuar sëmundjen. Kështu lindi letra e murtajës, një vërtetim që duhej ta tregonte secili që hynte në vend. Nëse vinte nga një rajon i murtajës, nuk lejohej të hynte në qytet në Lido. Në atë kohë dokumenti i udhëtimit nuk lidhej me shtetësinë, por me vendbanimin. Lidhja midis kombësisë dhe pasaportës erdhi më vonë, në shekullin e 20-të.

Futja e pasaportave standarde

Menjëherë pas Luftës së Parë Botërore lindi ideja e një standardi global për pasaportat. Kjo detyrë iu besua Lidhjes së Kombeve të sapothemeluar, organizatës paraardhëse të Kombeve të Bashkuara.

Sipas Hermine Diebolt, e cila punon në bibliotekën dhe arkivat e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, Zvicër, pasaportat siç i njohim ne sot ekzistojnë prej gati 100 vjetësh.

Lidhja e Kombeve, e themeluar në vitin 1920, duhej të siguronte paqen pas Luftës së Parë Botërore. Gjatë kësaj kohe ranë perandoritë e vjetra koloniale dhe lindën shtete të reja kombëtare. Gjatë luftës shumë njerëz u dëbuan dhe shpesh kishin vetëm dokumente lokale për të vërtetuar identitetin e tyre. Vende si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia kërkonin gjatë luftës që njerëzit nga vendet armike të paraqisnin dokumente zyrtare identifikimi për t’u lejuar të hynin në vend.

Pas vitit 1918, kur shumë njerëz ishin në arrati, policët në kufij kishin vështirësi të kontrollonin dokumentet e shumta të ndryshme të udhëtimit. Ishte e vështirë të kuptohej nëse një pasaportë ishte e vërtetë apo jo. Prandaj duhej gjetur një zgjidhje.

Në vitin 1920 Lidhja e Kombeve mblodhi liderët botërorë në Paris për të negociuar rregullore standarde për dokumentet e udhëtimit. U vendos që pasaportat të duken kudo njëlloj dhe të përmbajnë të njëjtin informacion. Që tani e tutje, pasaportat duhet të kishin përmasat 15.5 me 10.5 centimetra, të përmbanin 32 faqe dhe në pjesën e përparme të kishin emrin e vendit dhe stemën. Ky format përdoret edhe sot.

Liri për disa, pengesë për të tjerë

Që në atë kohë kishte kritikë të pasaportës. Argumenti i tyre ishte se dokumenti i shërben më pak lirisë së udhëtarëve dhe më shumë kontrollit të tyre. “Disa krerë shtetesh dhe qeverish preferuan më mirë që gjithçka të mbetej si më parë, kur mund të lëvizje lirshëm pa pasur dokumente me vete. Edhe në opinionin publik dhe në shtyp, pasaporta ishte e padëshirueshme. Njerëzit mendonin se pasaportat kufizojnë lirinë e tyre dhe shkelin privatësinë. Përveç kësaj, pasaporta lidhej me shumë burokraci dhe investim”, thotë Hermine Diebolt.

Një artikull i New York Times në vitin 1926 i referohej pasaportës si “The passport nuisance”. Gazeta shkruante: “A duhet të mbahen pasaportat si një element i përhershëm i udhëtimit? Sistemi, që është në modë që nga lufta, është i komplikuar, i bezdisshëm dhe pengon qarkullimin e lirë midis kombeve.”

Por ishte tepër vonë për të ndaluar zhvillimin. Anëtarët e Lidhjes së Kombeve nuk mundën të binin dakord se si duhet të duket një botë pa kontrolle kufitare dhe pasaporta. Kështu që pasaporta mbeti.

Pasaporta moderne dhe pabarazia globale

Deri më sot, një pasaportë udhëtimi, një copë letër e thjeshtë, mund të ketë një ndikim të madh në jetën e një njeriu. Shtetësia përcakton se ku ai mund të udhëtojë dhe të qëndrojë. Në varësi të vendit të origjinës, një pasaportë mund t’i japë bartësit të saj privilegje ekstreme ose të shkaktojë dëshpërim.

Klasifikimet e pasaportave tregojnë se sa vende mund të vizitohen pa vizë me një pasaportë të caktuar. Sipas “Global Passport Power Rank 2024” shteti i pasur me naftë Emiratet e Bashkuara Arabe është në vendin e parë. Qytetarët e tyre mund të udhëtojnë në shumë vende, ndërsa njerëzit me pasaportë siriane kanë përvojën e kundërt. Një tjetër klasifikim, Indeksi i Pasaportave Henley, i jep vendin e parë Singaporit, i ndjekur nga Franca dhe Gjermania.

Po njerëzit që nuk kanë as shtetësi e as pasaportë? Rreth dhjetë milionë njerëz në botë janë pa shtetësi. Një arsye mund të jetë diskriminimi ndaj grupeve etnike. Sipas Institutit Amerikan për Diplomaci dhe të Drejtat e Njeriut, rreth 70 për qind e romëve dhe sinti në Gjermani janë pa shtetësi.

Një disavantazh i pasaportave del në pah vazhdimisht. Pasaportat janë ndër artikujt më të kërkuar të tregtimit, jo vetëm në tregun e zi. Disa vende kanë hapur kufijtë e tyre edhe vullnetarisht për ofertuesit më të lartë, siç është ishulli mesdhetar i Qipros. Vendi filloi të lëshojë pasaporta dhe viza “të arta” pas krizës ekonomike në vitin 2013. Shitja e pasaportave të tij ishte një biznes fitimprurës për Qipron, derisa raportet kritike televizive zbuluan se politikanë të rangut të lartë ishin të përfshirë në këto makinacione. Praktika e “pasaportave të arta” u ndërpre zyrtarisht.