Lajme

Integrimi në BE, bashkon Ballkanin e ndarë

Liderët e shteteve të Evropës Juglindore deklaruan sot në Forumin ekonomik të Vjenës që u mbajt në Tiranë, se do të bashkëpunojnë ngushtë për integrim në BE

  • Vienna Economic Forum - Tirana Talks

  • Vienna Economic Forum - Tirana Talks

  • Vienna Economic Forum - Tirana Talks

  • Vienna Economic Forum - Tirana Talks

  • Vienna Economic Forum - Tirana Talks

Vendet e Ballkanit perëndimor vazhdojnë të kenë mendime ndryshe fqinjësore, por kanë një mendim të përbashkët për integrim në Bashkimin Evropian. Liderët e shteteve të Evropës Juglindore deklaruan sot në Forumin ekonomik të Vjenës që u mbajt në Tiranë, se do të bashkëpunojnë për agjendën evropiane.

Në këtë forum kanë qenë të pranishëm: kryeministri serb Aleksandar Vuçiç, ai maqedonas Nikolla Gruevski, i Kosovës, Isa Mustafa, i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ai i Bosnje Hercegovinës Denis Zvidiç dhe nikoqiri i takimit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri shqiptar tha se rajoni ndodhet në fazë të re bashkëpunimi. Sipas tij, nuk ka kohë për të kthyer kokën mbrapa, por duhet të ecet përpara, duke shtuar se ndërlidhja është thelbësore për rajonin.

“Nuk mund të ecim të vetëm por të ndërlidhur. Askush nuk është i paprekshëm, nga ndëshkimet apo fuqitë e mëdha ekonomike të botës dhe ndaj duhet të zhvillojmë më tej mundësinë e asaj çka jemi. Vendi i vërtetë ku bashkëpunimi dhe sfida ekonomike janë thelbësore janë vendet pranë shtëpisë, rajoni dhe Evropa. Nuk mund te ecim vetëm përpara, na duhet mbështetja e rajonit prandaj qëllimi ynë i përbashkët i të gjithëve ne është të bëhemi anëtarë të BE”, u shpreh Rama.

Në fjalën e tij, kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç vlerësoi shkëmbimin e mendimeve të vendeve të rajonit, duke thënë se bie dakord me homologun shqiptar Rama për bindjen e përbashkët se synimi është Bashkimi Europian.

Ai tha se rruga e përbashkët e gjithë vendeve të rajonit është BE. Vuçiç deklaroi se gjithë vendet e rajonit duhet të çojnë projekte të përbashkëta në BE, në mënyrë që të ndërlidhen dhe të marrin mbështetje, citon NOA.

“Kemi një treg prej më shumë se 20 milionë, dhe duhet të kemi më shumë besim të vetja. Duhet të dalim para institucioneve të BE, dhe të kërkojmë atë që meritojmë. I kam propozuar Ramës që të firmosim bashakrisht disa projekte të përbashkëta dhe t’ia paraqesim ato BE-së. Nëse nuk e marrim këtë mbështetje do ta nisim me paratë tona, edhe pse do jetë më e vështirë. Iniciativat për shkëmbimet që janë prezantuar në Berlin, do të rrisin bashkëpunimit në nivel rajonal për rininë. Serbia është shumë e hapur për të gjitha programet integruese në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Vuçiç.

Ndërsa kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha se është e rëndësishme që të punohet për paqen dhe se konfliktet duhen shndërruar në ura zhvillimi. Sipas tij është e domosdoshme të bashkëpunohet për një infrastrukturë me standarde.

Në vijim ai shtoi se Kosova është vend i hapur për gjithë investitorët dhe vendet në rajon dhe se gjithë çështjet e hapura, sidomos me Serbinë duhet të zgjidhen me dialog dhe të vazhdohet më tutje të ndërtohen baza të mëtejshme bashkëpunimi.

Kryeministri Isa Mustafa shprehu besimin e fuqishëm se rajoni ka nevojë për një bashkëpunim të ngushtë dhe më të theksuar në të gjitha sferat, duke siguruar se Kosova do të marr të gjitha masat e nevojshme që të sigurojë infrastrukturën e nevojshme për të inkurajuar zhvillimin ekonomik të vendit.

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski tha se shtyrja e pafund e anëtarësimit nuk është një zgjidhje, por është një dëm jo vetëm për Maqedoninë, por për të gjithë rajonin duke thënë se nëse këto shtyrje nuk do të ndodhnin atëherë vendi do të ishte jo në këtë situatë krize që ndodhet sot.

Kryeministri i Maqedonisë kërkoi tejkalimin e kontesteve mes vendeve të Ballkanit, duke nënvizuar se, po të mos ishin ato, “Maqedonia jo vetëm do kishte qenë anëtar i NATO-s dhe do kishte nisur negociatat e anëtarësimit në BE, por ato që ndodhën (ngjarjet në Kumanovë) do të kishin pasur një rrjedhë tjetër”.

Kryeministri i Bosnje Hercegovinës Denis Zvidiç deklaroi se për stabilitet në rajon duhet fillimisht të zhdukim steriotipet e krijuara në vite mes fqinjëve. “Thelbi i këtij forumi është krijimi i një fqinjësie të mirë. Për sa i përket infrastrukturës presim nga BE dhe KE që fondet e përgatitura për zbatimin e projekteve, të bëhen operative sepse vetëm në këtë mënyrë mund të na integrojnë së brendshmi rajonin”, tha ai.

Ndërsa kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç deklaroi se përplasja me armë në Kumanovë dhe kriza politike në Maqedoni janë shqetësuese duke kërkuar njëherësh ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.

“Nuk ka nevojë të shpjegojmë që nuk jemi të kënaqur me mënyrën si funksionon Bosnja aktualisht. BE t’i vijë në ndihmë. Ka nevojë për përpjekje të tjera për ti ardhur në ndihmë Maqedonisë për të kapërcyer paralizën e integrimit në BEÇ, tha ai. Pa i zgjidhur këto çështje, sipas tij, nuk do të ketë përparim ne Ballkan.

Ndryshe, edhe pse pritej se prezenca e kryeministri të Kosovës mund të ngjallte pakënaqësi tek kryeministri serb, kjo nuk ndodhi. Madje përkundrazi, dy kryeministrat, Vuçiq e Mustafa, i kanë shtrënguar duart. Shtrëngimi i duarve mes tyre u komentua si një hap pozitiv nga pala serbe, përballë kundërshtisë për njohjen e Kosovës si shtet.