Lajme
Zvicër: Përplasje mbi masat shtrënguese, kantonet ndihen të përjashtuara
Konsultimi publik mbi paketën e masave shtrënguese të propozuara nga Këshilli Federal mbyllet sot, ndërkohë që qeveritë kantonale kanë ngritur shqetësime të forta për faktin se janë lënë jashtë procesit të hartimit. Kritikët thonë se propozimet minojnë balancën federale dhe vendosin barrë të padrejtë mbi kantonet, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.
Në qendër të debatit është arsimi — një kompetencë tradicionale kantonale — ku pritet të aplikohen shkurtimet më të mëdha. Qeveria federale synon të reduktojë shpenzimet në këtë fushë, por pa marrë përsipër koston politike apo financiare të zbatimit. Në vend të kësaj, kantonet do të detyrohen të mbulojnë vetë kostot ose të reduktojnë shërbimet për qytetarët.
“Fakti që Berna përcakton drejtimin dhe kantonet mbajnë pasojat është i papranueshëm,” thuhet në një reagim të përbashkët nga disa qeveri kantonale.
Një studim i fundit i universiteteve të Lozanës dhe Kentit, që analizoi zhvillimin e federalizmit zviceran nga 1848 deri më sot, vëren një trend në rritje të ndërhyrjeve federale në politika që historikisht kanë qenë në kompetencë kantonale. Megjithëse ekzekutimi ende mbetet në nivel lokal, kantonet ndihen gjithnjë e më shumë si zbatues të direktivave të hartuara në Bernë, transmeton albinfo.ch.
Rahel Freiburghaus nga Universiteti i Bernës thekson se kantonet janë të pafavorizuara në këtë proces. “Procesi i konsultimit shpesh ndodh shumë vonë. Kushdo që dëshiron ndikim real, duhet të jetë pjesë e hartimit që në fillim,” thotë ajo. Ajo shton se përfaqësimi i kantoneve në Këshillin e Shteteve nuk garanton interesat e tyre, pasi senatorët zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga qeveritë kantonale.
Ndërkohë që kantonet teorikisht mund të përdorin instrumente si referendumi për të sfiduar vendimet federale, praktikisht kjo ndodh rrallë për shkak të kompleksitetit dhe kostove të larta.
Sipas Freiburghaus, një model bashkëpunimi më i ngushtë mes niveleve të qeverisjes do të ishte më efikas. Ajo përmend si shembull pozitiv Rrjetin Zviceran të Sigurisë, ku qeveria federale dhe kantonet përfaqësohen në mënyrë të barabartë dhe punojnë së bashku për çështje si lufta kundër ekstremizmit apo reagimi ndaj fatkeqësive natyrore. Përmbytjet e fundit në Valais treguan se bashkëpunimi federal-kantonale mund të funksionojë me sukses, transmeton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Shqiptarët mbizotërojnë në punët fizike në Gjermani Të dhënat e Bruegel: Pjesa më e madhe e shqiptarëve në sektorë bazë... -
Kush e solli lahutën para OKB-së në Gjenevë -
Paralajmërim për partitë nga Ambasada Gjermane: Respektoni ligjin në diasporë -
Projektet ekskluzive Marigona Sun dhe Marigona Hill prezantohen në Zürich -
Fatjona Matraku, zë i kulturës shqiptare në Francë
Jeta në Austri
-
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja Strategjia e zbuluar e SHBA-së nën drejtimin e Trumpit e liston Austrinë midis vendeve që Uashingtoni... -
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026 -
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste -
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë










