Lajme

Arrestohet nën dyshimin për drogë Kujtim Aligega, kandidat i diasporës

Policia zvicerane ka arrestuar Sabedin Sahitin nga Kumanova dhe Kujtim Aligega nga Gostivari, nën dyshimin se paratë nga biznesi i paligjshëm i kanë sjellë në Maqedoni  

Policia Zvicerane dhe ajo e Maqedonisë kanë zhvilluar sot një aksion të koordinuar, duke arrestuar dy persona dhe duke shoqëruar disa të tjerë në Polici, nën dyshimet për përfshirje në një rrjete droge. Në Zvicër janë arrestuar dy persona, ndërsa në Maqedoni janë zhvilluar disa bastisje dhe janë marrë disa persona në pyetje si dëshmitarë.

Mësohet se ky operacion i gjerë është zhvilluar në Kumanovë dhe Gostivar, ku është zbuluar një rrjet i trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. MPB në Shkup, ka konfirmuar operacionin duke theksuar se gjatë ditës do të jap hollësi për zhvillimin e tij dhe arrestimet e grupit.

Ndërkohë, Policia zvicerane ka vënë në pranga dy shqiptarë nga Gostivari dhe Kumanova, me dyshimin se janë të përfshirë në transportimin dhe shitjen e drogës heroinë në Zvicër.

Nën arrest është Sabedin Sahiti nga Kumanova dhe Kujtim Aligega nga Gostivari, të cilët dyshohen se paratë nga biznesi i paligjshëm në Zvicër i kanë sjellë në Maqedoni.

Gjatë kontrollit në shtëpitë e dy të dyshuarve, policia gjeti dokumentet e transfertave të shumave të mëdha, dërguar nga Zvicra personave të ndryshëm në Maqedoni.

Ndërkohë, Policia e Maqedonisë ka shoqëruar dy persona në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa ka ushtruar kontroll edhe në një agjenci turistike në Gostivar, që dyshohet të ketë qenë e përfshirë në transferimin e parave nga Zvicra në Maqedoni.

Dyshimet e policisë zvicerane janë se dy të dyshuarit kanë transferuar në Maqedoni rreth 2.5 milionë franga. Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 35 kilogramë drogë dhe 60 mijë franga.

Kujtim Aligega është i njohur për opinionin si kandidat i Demokracisë së Re për deputet i diasporës, në zgjedhjet e vitit 2011.

Ish-kryetari i DR-së Imer Selmani nuk fshehu habinë kur mori lajmin se ish-kandidati për deputet i diasporës në vitin 2011, Kujtim Aligega, është arrestuar nga policia zvicerane me dyshimin për transportimin dhe shitjen e drogës. I kontaktuar nga “Zhurnal”, Selmani tha se nuk është në dijeni me rastit, por shtoi se ka disa vite që nuk ka kontaktuar me Aligegën.

“Nuk kam dijeni për rastin. Me Kujtim Aligegen  kontaktet e fundit i kemi pasur para tre viteve. D.m.th ne me vite nuk kemi kontaktuar dhe as që komunikojmë”, deklaroi shkurt Selmani.

Kujtim Aligega u kandidua për deputet i DR-së për diasporën e Evropës, në zgjedhjet e vitit 2011.  ligega mori një numër simbolik votash, ndërsa në zgjedhje u prezantua si një biznesmen dhe bamirës shqiptar që jeton dhe vepron në Zvicër.